| E diele, 24.03.2013, 09:53 PM |
NDAHET NGA JETA
POETI I PARE FIERAK HYSEN EMIRI
Nga Nuri Plaku
Më datën 21 mars, në moshën 89
vjeçare u nda nga jeta Hysen Emiri, poeti i parë fierak. Qindra shok, miq e të
afërm, bashkëmoshatar, veteran të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,
krijues dhe artistë të fushave të ndryshme, poetë e shkrimtarë, i dhanë
lamtumirën e fundit njeriut fisnik të këtij qyteti me zërin e të cilit u ngrit
zëri i parë i letërsisë së kultivuar. Ishte ende 15 vjeç kur botoi vëllimin
“Xixëllime” dhe vuri një gur themeli për kulturën tonë, e cila mbeti një shenjë
e dijes dhe dallëndyshja e parë e pranverës poetike të këtij qyteti. Ishte 15
vjeç kur hodhi këtë hap të guximshëm, duke e kthyer krijimin e tij në formën
institucionale të librit, dhe duke hapur i pari siparin e bibliotekës së botimeve,
për t’i dhënë këtij qyteti një fillim të bukur, në një fushë të bukur.
Hyseni u lind në lagjen
“Shkozë” të qytetit të Fierit, më 24 dhjetor të vitit 1924. I ati, Bejtullahu,
mbetur jetim në moshën 9 vjeçare, shpërngulet nga Kruja në vitin 1904 dhe vjen
në Fier për tu rritur pranë të afërmëve të tij nga nëna, familjes së tregëtarit
të njohur fierak, Nebi Gjata, edhe ky ardhur gjithashtu nga Kruja nga fundi i
shekullit XIX. Kur arriti moshën 17 vjeçare, Bejtullahu emigron në SHBA dhe
kthehet prej andej mbas 8 vjetësh. Bën lidhje martesore në fisin e dëgjuar të
Kondajve të Tiranës dhe fillon jetën e tij familjare duke bërë punë të ndryshme
nga shkëmbyes monedhash, përpunues lëkurash e deri tek zanati i berberit, me të
cilin e lidhi përfundimisht aktivitetin e tij ekonomik. Mbahet mend dyqani “me
tre shegerta” në rrugën kryesore ku është sot Bulevardi “Jakov Xoxa” dhe dora e
lehtë e usta Bejtullahut edhe në brisk, edhe në darën e dentistit të cilat i
përdorte në rastet e urgjencave.
Hyseni u rrit në dy lagje dhe
në dy grupe shokësh. Por rrugën e dyqanit e rrihte më shpesh sesa atë të lagjes
së vet, pasi nga kjo anë ishte edhe shkolla e ulët ku filloi të merrte mësimet
e para, e quajtur, Shkolla nr.2. Edhe shokët e kësaj shkolle përbënin
një grupim të rëndësishëm, të cilët do të bënin emër në periudhat e tyre të
mëvonëshme. Miço Kallamata, Jakov Xoxa, Koli Xoxe, Miço Panda, Dhimitër e
Polikron Kotini si dhe miku i tij më i afërt Janaq Kilica. Në vitin 1933, në
moshën 9 vjeçare, kur ishte ende në bangat e kësaj shkolle, i frymëzuar nga
ndjenjat e nxehta dhe fryma e thellë patriotike që e përshkonte gjithë
popullin, në pragun e festës së 21 vjetorit të Pavarësisë sonë kombëtare, thur
vjershën e tij të parë, kushtuar flamurit .”Bam, bam, bam/bien topat në
Tiranë/Gjemon toka anë e mbanë/Hidhet bota nga gëzimi/Se si sot në këtë orë/Më
28 Nëntor/U ngrit flamuri në Vlorë/Seç e ngriti lart një dorë/Një dorë plaku
por zok mali/Tokë e Vlorës na e fali/Ky qe Ismail Qemali”.
Vasil Xhaçka ish Kryeredaktor
i gazetës “Vatra e Rinisë” vjen në Fier, takohet me të dhe i kërkon
bashkëpunim.
Kur mbarojnë filloren shkon në
Berat së bashku me Janaqin të konkuronin për ciklin e lartë të shkollës 7
vjeçare. Konkursi i ndau dy shokët e fëminisë në dy kahe të kundërt; Janaqi
vazhdoi në Gjirokastër, kurse Hyseni në Korçë.
Në bangat e Liceut, Hyseni
merret gjerësisht me krijimtarinë e tij letrare. Një nga mësuesit që ka
qendruar më pran tij në këto vite, ka qenë Skënder Arrëza. Në këtë kohë fillon
të botojë në revistën “Mituria”,”Diana”, “Minerva” etj. derisa në vitin 1939,
prezantohet me vëllimin e parë poetik “Xixëllime”
Me “Xixëllimet”
historija e letërsisë në rrethin e Fierit hap shtegun e udhës së saj të gjatë e
të vështirë. Dihet se fillimet e krijimtarisë së hershme shënohen me “Divanin”
e Nezim Frakullës, në gjysmën e parë të shekullit të XVIII-të,
përmendet nga studiues të ndryshëm Jul Variboba, për të vazhduar pastaj
me poezinë e vetme, “Shqipëria” të Zoi Ndreko Libofshës, botuar më 1910
në “Kalendarin Kombiar” që dilte në Selanik. Por, kurorëzimi i plot i
poezisë, me një botim serioz, bëhet pikërisht me “Xixëllimet” e Hysen
Emirit.
Libri ka 24 faqe dhe përfshin
17 poezi dhe dy novelëza të vogla, të cilat më shumë ngjasojnë me skicën
poetike e që në vitet e at’hershme, për vetë përmbajtjen dhe natyrën
liriko-dramatike që kishin, quheshin novelëza. Disa prej tyre janë botuar edhe
në shtypin periodik të kohës, si në revistën “Diana”. Vëllimi përmban poezi me
tema të ndryshme si: poezi për të korrat, për Gjanicën, për punën dhe vlerat e
saj produktive, për qytetin e lindjes, për stinët e vitit, për dashurinë e parë
etj. Larmija tematike, imazhet e ndërtuara, stili dhe niveli artistik,
përfaqësojnë dëshirat poetike dhe botën e pasur të një djaloshi të ri në formim
e sipër. Një psherëtimë e thellë pikëlluese dhe një lumturi e pastër rinore,
përshkojnë tej e mban vëllimin duke dëshmuar për frymën romantike letrare që
shfaqej tek një pjesë e të rinjve të këtyre viteve, e cila lidhej me natyrën
dhe idealizmin, me mandolinën dhe serenatat. Kjo vihet re edhe nga fjalët më
frekuente që autori ka vendosur në fondin e kësaj krijimtarie. Mbi 40 raste
përmenden loti, psherëtima dhe lumturia, në 14 raste përmendet
trëndafili dhe 31 raste të tjera përmendet bylbyli. Kudo nëpër
vargje ka një shkrepëtim të prushit rinor nga ku ngrihen në fugim xixëllimat e
jetës dhe të shpresës për të ardhmen. Duket e pabesueshme që këto vargje dhe ky
temperament krijues ti përkasin një 15 vjeçari.
Një nga vlerat e rëndësishme
të këtij libri është korelacioni artistik dhe ideor që krijon ai me figurat dhe
ngjarjet kryesore të kombit tonë. Jan dy poezi të tilla që e dëshmojnë këtë
lidhje. Poezia e parë titulluar “Flamuri”, kushtuar pavarësisë sonë
kombëtare dhe poezia kushtuar Migjenit, mbas vdekjes së tij.
Kontaktin e parë me
krijimtarinë e Migjenit, autori e ka marr nëpërmjet “Botës së Re”
të Korçës, kurse për vdekjen e tij informohet nga gazeta “Drita” e Zoi
Xoxes që dilte në Vlorë.
Në libër kemi gjithashtu edhe
kushtime të tjera interesante. Gjithë
libri i dedikohet në shenjë
respekti mësuesit të parë të historisë dhe leximit letrar, në filloren e
Fierit, Jaja Baços, me një përkushtim shumë të sinqert,”Mësuesit tim
– mësimet e të cilit po më kujtohen”. Ndërsa dy poezi të tjera i kushtohen
miqve të tij edhe këto duke dëshmuar se një djalosh 15 vjeçar i atyre viteve,
dinte si të nderonte njerëzit e vet në mënyrë të kulturuar me krijimet e veta
të para.
Është për t’u vënë re
gjithashtu se njëherazi me këtë vëllim shënohet edhe çensura e parë letrare
në qytetin e Fierit. Fillimisht vëllimi çohet për tu botuar në Korçë tek
botuesi Dhori Kote, nga mësuesi i Liceut Skënder Arrëza, i cili e
pret me kënaqësi por kur lexon aty dy poezi që fajësonin qeverinë për një
aksident që ndodh në puset e naftës dhe për fatin e një lypsi, ja rikthen
autorit me pretekstin se nuk kishte fonde. Ndërkohë në vendin tonë ishin shtuar
vdekjet nga malarja. Autori rikthehet në Fier nxitimthi dhe frika e malarjes e
kap më shumë për librin se do t’i ngelej pa botuar sesa për jetën e vet. Do të
ishte dëshmori Rauf Nallbani ai që do ta shoqëronte këtë radhë në shtëpinë
botuese të Vlorës dhe tregëtari fierak humanist Nebi Gjata do të sponsorizonte
botimin e tij.
Por, komisioni i çensurës së Prefekturës së Vlorës, i cili kontrollonte
edhe shtypshkronjën “Vlora”ku ishte çuar libri për botim, i heq nga ky
vëllim të dyja poezitë e sipërcituara dhe një skicë letrare, duke i konsideruar
ato si të rrezikshme për regjimin e kohës. Poezitë e ndaluara poeti i
zëvendëson në moment me fragmente nga poema e N. Frashërit “Bagëti e
Bujqësi” që e kishte mësuar përmendësh dhe me poezinë “Hije - Diell”
e cila rastësisht ju ndodh me vete ditën kur ju komunikua kjo çensurë.
Libri u botua në 1000 kopje
dhe ndër të parët që do ta merrte këtë libër mbas botimit, ishte shoku dhe miku
i tij i afërt, Jakov Xoxa. Me këtë fakt, ky djalosh dha stafetën e parë
letrare e cila do të çohej në mënyrë simbolike brez pas brezi te krijuesit e
tjerë fierak.
Me shpërthimin e Luftës,
Hyseni ashtyu si edhe mjaft të rinj të tjerë të vendit, i ndërprenë mësimet dhe
u përfshinë në lëvizjen e madhe të kohës. Tashmë midis të rinjëve fierak Hyseni
ishte më i njohuri. Ai kërkohet ndër të parët nga Qemal Stafa kur vjen në Fier,
për të krijuar së bashku Organizatën e Rinisë Antifashiste të Fierit, duke u
bërë tashmë, pjesë e lëvizjes së madhe të Luftës Antifashiste
Nacionalçlirimtare të këtij qyteti.
Ishte shokë moshe dhe lodrash
me Heroinën e Popullit Liri Gero, me dëshmoren Penallopi Piro, vëlla i
partizanes Hajrie Emirit, djali i hallës së nënës së tij ishte dëshmori Rayf
Nallbani, djali i xhaxhait ishte dëshmori Adem Emiri, shok me Petro Sotën, Mark
Dashin, etj. Mbas formimit të Organizatës së Rinisë Antifashiste ngarkohet me
detyra të ndryshme të lëvizjes. Është një fakt mjaft interesant konvertimi i
realitetit të tij jetik në realitetin artistik të fabulës “Nusja dhe
shtetrrethimi”, skenar i shkruar nga shkrimtarja Elena Kadare, mbështetur mbi
novelën e tij “Te çezma e Lirisë”. “Nusja” e vërtetë është Hyseni dhe
postblloku i kalimit të tij është ura e Mbrostarit. Hyseni kishte marr detyrë
të hidhej në ilegalitet por ujrat e shumta të lumenjve nuk e lejonin kalimin e
menjëhershëm të tyre. Atëhere organizohet “dasma”. Hyseni me fustan të bardhë
hipën në pajtonin e Kosta Toskës i rrethuar nga tezet, hallat dhe të afërm të
tjerë, kalojnë urën. Tek kthest e Vajkanit e priste Petro Sota me veturë.
Shkojn në Elbasan dhe aty punon për disa muaj me rininë së bashku me Alqi
Kondin, Janaq Kilicën, Kol Priftin etj. Mbas kësaj periudhe, kalon në qytetin e
Shkodrës në prapavijë duke u marrë me shtypin e luftës. Aty punon me Zija
Shkodrën e Vehbi Balën. Shpesh shkonin edhe në shtëpinë e Jup Kastratit për të
bashkëpunuar. Për të humbur gjurmët
punësohet në dhomën e tregëtisë së këtij qyteti.
Në prag të çlirimit kalon në
Brigadën e 24 “arqiprok”, (shkrues). Qendron aty për disa javë deri sa ndërkohë
çlirohet edhe Shkodra dhe kthehet në qytetin e lindjes, duke dëshmuar gjatë
kësaj periudhe se i përkiste atij brezi
të rinjësh e të rejash që u poqën para kohe duke u përfshinë totalisht në
zjarret e Luftës së Dytë Botërore për të shkruar me gërma gjaku një nga faqet
më të lavdishme të historisë sonë komëtare.
Mbas çlirimit Hyseni vazhdon
studimet e shkallëzuara deri në Universitetin e Tiranës, në degën Histori dhe
Gjuhë–Letërsi shqipe. Punon mësues në shkolla të ndryshme të rrethit të Fierit
dhe drejtues në disa prej tyre. Ndërkohë, vazhdon të shkruaj e të botojë në
organe të ndryshme të kohës si “Pionieri”, “Farosi”, “Zëri i Rinisë”,
“Nëntori”, “Hosteni”, “Kultura Popullore”, “Java”, etj. Krahas prozës
e poezisë, angazhohet veçanërisht në gjininë e humorit dhe publicistikë. Shumë
nga këto shkrime janë ende të pambledhura në botime të veçanta. Një pjesë të
tyre jan nënshkruar me pseudonime të ndryshme sipas traditës shkimore të kohës,
si; “Hyri”, “Hylberi”, “H.B”,”etj. Në shkrime për të vegjël ka përdorur
gjerësisht pseudonimin “Ceni i vogël”.
Në vitin 1961 boton në
revistën “Nëntori” novelën “Tek çezma e Lirisë”, kushtuar shoqes së tij të
fëminisë, dëshmores Liri Gero. Novela u dramatizua nga trupa e Teatrit Kombëtar
të Tiranës dhe u shfaq në Vlorë në vitin 1962 në festën 50 vjetorit të
shpalljes së Pavarësisë. Në sallë merrnin pjesë midis udhëheqësve të tjerë
të shtetit të athershëm edhe Enver Hoxha. Përshtypja e pjesës teatrale qe aq
mbresëlënëse për të pranishmit sa vet ai u interesua të informohej më
hollësisht për ngjarjen e dramatizuar dhe fill mbas këtij rasti, dëshmorja Liri
Gero u shpall Heroinë e Popullit.
Po ashtu me mjaft sukses është
dhënë në kinemanë “Morava” të Korçës, nga Teatri i Ushtrisë edhe premiera
muzikore “Mbrojtësi i lirisë”, kompozuar nga dirigjenti Kristo Kono, me tekst të Hysen Emirit. Kjo premierë i
kushtohej heroizmit të ushtarëve shqiptarë në mbrojtje të kufijve të vendit në provokacionet
greke të dy gushtit të vitit 1949.
Por krijimtaria më e
rëndësishme e këtij autori është proza e cila ka ngelur në dorëshkrim. Ai ka dy
romane në gjendje të tillë; “Dritë në mjergull”, në dy vëllime dhe “Ajo
leshëverdha angleze”. Ky i fundit i kushtohet njërit prej shokëve të tij të
fëminisë i cili u vra në Egjypt për çlirimin e këtij vendi nga zgjedha angleze.
Po ashtu, ruan edhe disa vëllime të tjera me tregime dhe novela si dhe komedinë
“Deputeti me cilindër”.
Krahas punimeve letrare dhe publicistike
Hysen Emiri është marrë gjerësisht edhe me punime studimore dhe hulumtuese në
fushën e historisë sonë lokale. Rezultat i kësaj pune disa vjeçare ka qenë
botimi i librit “Historia e Fierit”, në vitin 2002. Libri përfshin 322 faqe dhe
është reçensuar dhe paisur me parathënie nga shoku i tij i shkollës fillore,
Prof. Dr. Koli Xoxi.
“Autori është kujdesur për
historinë e Fierit që në rininë e tij, duke mbledhur materialin e domosdoshëm
për paraqitjen e një historie ashtu siç ajo është, pa i shtuar dhe hequr asgjë,
thot Prof. Dr. Koli Xoxi. Aty shohim Fierin e periudhës së lashtë romake deri
në vitin 1945, duke kapërcyer çdo peripeci për shkak të shpirtit të tij
krijues.”
Ndërsa në arkivin e Institutit
të Folklorit në Tiranë, gjenden të arkivuara qindra faqe folklori dhe
etnografie, të mbledhura prej tij.
Në vitin 2003, Hysen Emiri
boton monografinë kushtuar mësuesit Jani Boçova, titulluar “Mësuesi njeri.”
Edhe ky është një libër me një këndvështrim origjinal dhe hulumtues, kushtuar
një aktivisti të arsimit tonë në vitet e para mbas çlirimit e deri në fundin e
viteve ‘80.
Me ikjen e Hysen Emirit poezia fierake humbi simbolin e saj, ndërsa krijuesit fierak shokun, mikun dhe njeriun fisnik që i donte dhe e donin aq shumë.