| E diele, 24.03.2013, 07:58 PM |
Nga e djathta: A.Zholi e M.Gecaj
“ME PUNË
DHE VEPRIMTARI TË PANDËRPRERË, JETA BËHET MË E BUKUR”
(Bisedë e publicistit Albert Zholi, me Prof. Murat Gecaj)
1) Përse
e zgjodhët degën e gjuhë-letersisë për
të studiuar në shkollën e lartë apo ishin prirjet tuaja, në moshën e
adoleshencës?
-Kisha
nisur të shkruaja ngapak, në shtyp, që në shkollën 7-vjeçare dhe e vijova këtë gjë në të mesmen.
Pra, pas mbarimit të maturës në Tiranë,
kërkesa për të studiuar në këtë degë ishte e natyrshme. Në fakt, kisha
dëshirë të studioja edhe për mjekësi e
drejtësi, gjë që mbetën edhe ato
interesa të mijat të mëvonshme.
Kështu,
meqenëse kishim bërë dy vjet latinisht, gjatë jetës jam interesuar t’i njoh
sadopak ilaçet e sëmundjet. Ndoshta, kjo ishte arsyeja edhe se përse e kam
mbajtur për disa vjet rubrikën “Shëndeti
në fokus”, kur shërbeva redaktor në gazetën “Mësuesi”. Ndërsa në një
legjislaturë, para viteve ’90-të të shekullit të kaluar, siç ishte praktikë e
kohës, isha i zgjedhur ndihmësgjyqtar i rrethit Tropojë dhe i qarkut Shkodër.
Por,
megjithëse studiova për gjuhë-letërsi, pas mbarimit të Universitetit të
Tiranës, më caktuan me punë në shtyp, ku shërbeva mbi 32 vjet.
2) Si ka
qenë niveli i mësimdhënies në këtë degë,
në fillimet e Universitetit të Tiranës?
-Në atë
periudhë, në degën gjuhë-letërsi, por dhe histori, mësimdhenia ka qenë e një
niveli mjaft të mirë. Kjo vinte se pedagogë kishim figura të njohura të
gjuhësisë, letërsisë, historisë etj., të cilët kishin studiuar jashtë shtetit,
disa prej tyre në Perëndim. Të tillë mund të përmendi këtu, Akademikët
Eqrem Çabej, Aleks Buda, Bedri Dedja,
Androkli Kostallari, Stefanaq Pollo e të tjerë.
Pastaj,
shumica e pedagogëve tanë merreshin direkt me punë kërkimore shkencore e
botuese. Edhe zyrat ata i kishin pranë Fakultetit tonë Histori-Filologji.
Mendoj se kjo ishte aryeja, se përse edhe ne, studentët e tyre, morëm tema
kursi e diplome. Ndërsa, pastaj në jetë, iu përkushtuam jo vetëm mësimdhënies
në shkolla, por edhe kërkimeve, studimeve dhe botimeve, në fushat e gjuhësisë,
letërsisë, folklorit, historisë,
arkeologjisë etj.
3)Ju
keni qenë për dialektologji, në
ish-Bashkimin Sovjetik. Mund të na thoni të veçantat e studimit, në atë vend?
-Mbasi
mbaruam dy vjet në Fakultetin Histori-Filologji, na përzgjodhën 7 veta, nga
studentët e degëve gjuhë-letërsi e histori. Me sa më kujtohet, të gjithë ne na
dërguan në Universitetin “Zhdanov” të ish-Leningradit (sot: Petërburg).
Meqenëse isha nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), pra verilindja e Shqipërisë dhe
nga ajo krahinë nuk kishte studiues për fushën e gjuhësisë, më caktuan ta
ndiqja atje specializimin, për degën e dialektologjisë. Ishte viti 1960 dhe, siç e dini, pas një viti
ne na kthyen në Tiranë, si shkak i ndërprerjes së marrëdhënieve ndërmjet
dy shteteve komuniste të atëhershme.
Megjithatë,
për atë vit akademik, pata mundësi ta njihja sadopak punën, që bëhej atje me studentët. Krahas pedagogëve
tjerë, që ishin të njohur në fushat përkatëse, unë e tre
kolegë shqiptarë, që studionim për gjuhësi, kishim kujdesin e veçantë të
albanologes së madhe ruse, Agnia Vasilievnja Disnickaja-Akademike. Krahas
leksioneve, që i ndiqnim rregullisht,
kishim edhe tekste të përgatitura me aftësi pedagogjike e shkencore,
disa nga vetë ata pedagogë, që na i jepnin leksionet. Pra, ishte praktikë që
nuk studionim të gjithë me një tekst të vetëm, por ata zgjidheshin. Nuk e kam
tani të saktë, nga që kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, por nuk vëreja që
tekstet të ishin shumë “të politizuara”,
siç ndodhi tek ne, në vitet e mëvonshme, pra gjatë regjimit të kaluar monist.
4) Cilat
ishin arritjet kryesore në fushën e letërsisë, të Universitetit të Tiranës, në
vitet e shtetit monist?
-Sigurisht,
me një përgjigje të shkurtër, nuk mund të t’i shpjegoj të gjitha plotësisht,
por edhe sepse nuk jam marrë gjatë jetës me studime të tilla. Megjithatë,
mendoj se në atë periudhë janë bërë përpjekje serioze për ta studiuar udhën
nëpër të cilën kishte kaluar letërsia shqipe. Është e kuptueshme se studimet e
kryera, si dhe tekstet e shkollave e të Fakultetit tonë, kishin edhe politizime
e “ujë të tepërt”.
Megjithatë,
sidomos pedagogët tanë, bënë studime me vlera
për autorë të ndryshëm, që nga më te hershmit dhe deri në kohët e
fundit. Kështu, ne kemi marrë njohuri të mira për autorët e vjetër, për letërsinë e Rilindjes e
të Pavarësisë, të viteve ’30-të të shekuillit të kaluar etj. Në këtë mes, është
e pafalshme që, nën ndikimin e ideologjisë së kohës, ishin lënë pa u studiuar
dhe pa na njohur ne me ta, me veprat e disa autorëve të shquar të letërsisë
shqipe. Pa bërë ndonjë “listë” për ata këtu, sjell ndërmend Gjergj Fishtën,
Martin Camajn etj.
5) Keni
qenë redaktor në dy organe shtypi, mjaft
të njohura për kohën, “Bashkimi” e “Mësuesi? Cili ka qenë niveli i publistikës
dhe si punohej në ato dy gazeta?
-Si çdo fushë e krijimtarisë, pra edhe
publicistika, në atë periudhë ishin mjaft të politizuara. Nga udhëzimet, që
merrnim, kërkohej që ta pasqyronim “sa më mirë realitetin” dhe, bile, të bënim
kritika të forta?! Mirëpo, në fakt, me gjithë “përkushtimin” tonë në këtë
drejtim, nuk kishim guxim ta tregonim gjendjen reale të njerëzve ose të flisnim
me forcë për ato dukuri, që na dukeshin më shqetësuese.
Po
përmendi një shembull. Shkova me shërbim në vendlindje dhe pashë që kunata ime
u jepte 7-8 fëmijëve të saj vetëm bukë e një copë marmalatë. Meqenëse ishin në
koperativën bujqësore dhe nuk u lejohej të mbanin bagëti në shtëpi, merrnin
vetëm një herë qumësht në muaj?! Pra, a
mund ta ngrija unë zërin në shtyp e të protestoja për varfërinë ekstreme të
njerëzve në Malësi? Sigurisht që jo!
Këtë gjë
e them edhe për kohën e lidhjeve e punës me arsimin e shkollat. Megjithëse
vëreja që tekstet kishin shumë politikë e pak shkencë të mirëfilltë dhe se
liheshin pa u studiuar dukuri, ngjarje e figura historike reale dhe që e meritonin,
nuk mund të shkruaja në gazetën “Mësuesi” për tema të tilla. Pra, “liria e
shtypit”, megjithëse parimisht thuhej se ekzistonte, ishte e cunguar ose edhe
ajo, “e burgosur”.
6) Cilat
kanë qenë ditët tuaja më të vështira, gjatë punës në shtyp?
-Në një
farë mënyre, kjo pyetje lidhet me të mëparshmen. Po përmendi vetëm dy raste. Së
pari, kur publikova një shkrim nga Kruja dhe kryetari i një organizate Fronti
mbeti i pakënaqur e u ankua në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, se nuk e kisha
shkruar të vertetën?! Po, mire, që u gjet një person me pozitë në atë rreth, i
cili e “pajtoi” atë, sepse kërcënonte që, për mua do t’i shkruante “letër
shokut Enver”?! Së dyti, kur punoja në redaksinë e gazetës “Mësuesi” dhe kishin
“gjurmuar” në jetëshkrimin tim, sigurisht pas ndonjë letre anonime ose të
ndonjë “sigurimsi”. Për arsye të “biografisë së keqe”, nga vjehrri im, disa
zyrtarë të lartë kishin vendosur që të më largonin nga shtypi dhe të me
dërgonin mësues në një fshat të Tiranës!?
Mirëpo, përsëri për fatin tim të mirë, u gjet një “rrugëzgjidhje” dhe
këto plane mbetën vetëm në letër.
Besoj,
këto ishin dy tronditje jo të vogla apo
jo, gjatë viteve të punës sime në shtyp?! Nuk di ta bëj mirë llogarinë, por
“tërmetet” kishin qenë për mua deri në 7-8 ballë! Pastaj, a kishte faj tensioni
i lartë i gjakut, që m’u shfaq në organizëm dhe vijon deri më sot, që këtu e 30-40 vjet më parë?
7) Në
profesionin gazetar a keni pasur rastin të takoni ish-udhëheqës të Partisë e të
shtetit të diktaturës dhe në çfarë rrethanash?
-Po, kam
takuar disa udhëheqës të asaj kohe. Ndër ta, kanë qenë E.Hoxha, R.Alia, H.Kapo,
M.Asllani, L.Çuko e ndonjë tjetër. Po, jo për të bërë biseda ose për të marrë
të dhëna për ndonjë shkrim në gazetë. Me
Enverin e Ramizin jam takuar, kur bënë
një vizitë në Tropojë, në maj 1970, për shkak të detyrës sime kryeinspektor i
kulturës. Me Hysniun jam takuar në një
kongres rinie, me Muhon, kur kam qenë me shërbim në Shkodër dhe me Lenkën, në
një Konferencë të Bashkimeve Profesionale, në Lushnjë etj. Ndërsa T.Camin e kam
patur bashkëstudente dhe më pas ishte ministre e Arsimit e Kulturës, kur donin
të më hiqnin nga shtypi, siç e tregova më lart.
Në atë
periudhë, funksionarët e lartë të partisë dhe shtetit i shihnim “nga
poshtë-lart”, aq më tepër unë, që e kisha “mizën nën kësulë”, pra kisha një
“kleçkë” në biografi. Pra, nuk kisha ndonjë “adhurim” të veçantë për asnjërin. Por, ama, as rezervat e mia nuk i
shfaqja dot, pavarësisht se e kuptoja që ata “fryheshin” pak si tepër dhe ishin
karriga e ideologjia komuniste, që i mbronin.
8)Mund të
na bëni një krahasim ndërmjet gazetarëve të regjimit të kaluar dhe atyre sot;
të veçantat dhe të përbashkëtat?
-Përsëri
po më bëni një pyetje, që kërkon përgjigje të gjërë. Megjithatë, ashtu siç e
tregova dhe më lart, gazetari dje ishte “nën tutelën” e ideologjisë moniste dhe
duhej t’i shërbente asaj me besnikëri. Ndryshe…?! Ndërsa, për gazetarët e
sotëm, që janë me qindra e mijëra, kam mendimin se duhet të jenë më të
kualifikuar dhe të shkruajnë më mirë, si në gjini të ndryshme gazetareske, por
me gjuhën letrare të njësuar etj.
Shpesh
dëgjoj të flitet tani edhe për “lirinë e shtypit”. Mendoj se ajo, jo vetëm
që është, por dhe shpërdorohet deri në
shkallën më të lartë. Në mjaft raste, kemi lexuar në shtyp ose kemi dëgjuar në
stacione të ndryshme TV-je, se përgojohen pa të drejtë, fyhen ose përdoren të
dhëna të pasakta, për këtë ose atë person, të thjeshtë ose deri zyrtar të lartë
dhe askush nuk mban përgjegjësi për ato, që shkruan ose thotë?! Bile, para
kësaj dukurie negative të shtypit edhe organet e drejtësisë nuk tregohen të
rrepta ose heshtin fare!?
9)Me
cilën temë e mbrojtët titullin “doktor i shkencave” dhe ndonjë e veçantë e saj?
-Pasi
dhashë provimet pasuniversitare, por edhe disa të nivelit universitar, pasi
tema do të ishte nga fusha e padagogjisë, kur isha në moshën afër 45-vjeçare,
Instituti i Studimeve Pedagogjike e pranoi kërkesën time, që ta shkruaja
disertacionin për ndihmesën e Normales dhe të Gjimnazit të Shkupit, në
përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe. Jorrallë, kam dëgjuar se “janë
marrë gradat e titujt shkencorë, me lehtësi ose pa e merituar”!? Unë nuk e di
për të tjetët, por mua më është dashur të punoj shumë për t’i fituar. Kështu,
para se të ulem ta shkruaj disertacionin, kam shfrytëzuar shumë dosje në AQSH;
kam shfletuar mjaft revista e gazeta në Bibliotekën Kombëtare; kam biseduar me
sa e sa persona; që mund të më ndihmonin
në këtë drejtim; kam botuar disa studime në revista shkencore etj. Në fund, Komisioni i Lartë i Atestimit
ma dha gradën “Kandidat i Shkencave”(më pas në “Doktor i Shkencave”). Por edhe
në vazhdimësi punova e studiova në fushën e historisë së arsimit dhe të
mendimit pedagogjik shqiptar. Për këtë arsye, m’u dha titulli “Mjeshtër
Kërkimesh” ose “Prof.as.”. Lidhur me këtë fushë, edhe më pas, kam botuar disa
libra e studime, në revista shkencore
etj.
10)A keni
patur miqësi me Dritëro Agollin e Ismail Kadarenë dhe mendimi juaj për ta?
-Të dy,
ka vite që i kam njohur dhe, në periudhën e fundit, më shumë Dritëroin. Me
bashkëshorten e Ismailit, Elenën, kam
punuar afër tri vjet në ish-gazetën “Pionieri”. Kam lexuar disa vepra të tij,
sidomos të fillimeve të krijimtarisë. Është pak “i vështirë” për lexuesin e
zakonshëm. Pa hyrë në imtësira, meqenëse e njoh
pak edhe Rexhep Qosjen, nuk më kanë pëlqyer polemikat ndërmjet tyre,
pasi, siç thotë populli, më duken “pa bereqet” dhe nuk u shërbejnë vetë si
persona e shkrimtarë të njohur, por as krijimtarisë së tyre. Aq më pak, mund të
flisnim, në këtë rast, për interesin e përgjithshëm.
Ndërsa me
Dritëroin kam miqësi qëkur ishte redaktor gazete. Jemi takuar edhe kur ai ka
ardhur me shërbim në Tropojë, ku shërbeva afër 7 vjet, si “vullnetar”. Pastaj,
prapë në Tiranë, kemi marrë pjesë në veprimtari të përbashkëta, si përurime
librash a përvjetorë kolegësh. Gjatë jetës, kam bërë vizita në shtëpinë e Dritëroit, ku kam gjetur
ngrohtësi e dashamirësi dhe kemi biseduar e, bile, kemi pirë ndonjë gotë raki
bashkë (ha,ha). Siç e dini, bashkëshortja e tij, Sadija ka qenë redaktore në
gazetën “Mësuesi”, ku unë shërbeva, pas
asaj, afër 22 vjet etj. Krijimtaria letrare e Dritëroit më pëlqen, se është e thjeshtë, njerëzore,
“me këmbët në tokë”. Prandaj do të mbetet ndër thesaret e çmuara të letërsisë
sonë kombëtare. Gjej rastin këtu që t’i uroj atij nga zemra: shëndet, mbarësi
dhe lumturi familjare!
11-Ka
vite që po diskutohet për ristandardizimin e gjuhës shqipe. A jeni i mendimit ju, me këtë ide?
-Në
muajin nëntor 2012, u mbushën 40 vjet
nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Me këtë rast, janë zhvilluar dy
veprimtari, njëra në Korçë e tjetra në Prishtinë. Meqenëse kam qenë
pjesëmarrës, më ftuan të lexoja atje një temë, tëcilën e publikova, në Internet
e në shtyp. Ajo e kishte titullin “Cili është problemi më aktual, për gjuhën
shqipe sot?” Përmbledhurazi në atë shkrim, por edhe po e përsëris mendimin tim
këtu, se pranimi i gjuhës letrare të njësuar, si në Shqipëri e Kosovë, në
trojet shqiptare e në diasporë, është një arritje e shënuar në jetën e
Kombit tonë. Kjo gjë i ka shërbyer e do
t’i shërbejë në vitet vazhduese edhe afrimit e bashkimit të mëtejshëm
shpirtëror të bashkëkombësve tanë.
Siç
dihet, gjuha e çdo populli ndryshon e zhvillohet pandërprerje, sipas ligjeve të
brendshme të saj. Pra, norma e rregulla të pandryshueshme, nuk ka dhe as nuk
mund të ketë. Padyshim, rishikimi i udhës, nëpër të cilën ke ecur dhe studimi e
parashikimi, se ku do të arrish, janë më se të domosdoshëm.
Ndërsa,
si shkak i kushteve të reja, në të cilat
jetojnë shqiparët sot, i hapjes dhe i lidhjeve me botën, mbetet shqetësim dite
ndërhyrja e gjuhëve të huaja mbi gjuhën
shqipe, si me fjalët e tyre dhe dukuri të tjera. Ndër të tjera, vërejmë se, po
të kalosh nëpër Tiranë, nuk e merr vesh se në qytetin e cilit vend ndodhesh,
pasi pothuajse të gjitha mbishkrimet në dyqane, njësi tregtare e shërbimi etj.,
janë shkruar në gjuhët e huaja?! Disa zyrtarë e intelektualë te fushave të
ndryshme, kur flasin në TV ose shkruajnë në gazeta e revista, mendojnë se bëhen
“bashkëkohorë”, kur përdorin vend e pavend fjalë të huja, kur I kemi shumë të
bukura nga burimi i shqipes sonë. Prandaj,
mendoj se në këtë drejtim kërkohen vëmëndja dhe përgjegjësia e të
gjithëve, që nga organet shtetërore përgjegjëse, shkolla me tekstet, media e
shkruar dhe ajo elektronike, letërsia e të gjitha llojeve, kultura e artet etj. Pra, lipset ta ruajmë gjuhën tonë të
përbashkët sa më të pastër dhe ta pasurojmë
me fjalë të burimit të saj. Ndërsa, e
theksoj që, e vlerësoj një arritje shumë të madhe tonën, që ne tani e
kemi dhe përgjithësisht e përdorim, shqipen standarde. Uroj që ajo ta luajë
edhe më mirë, në të ardhmen, rolin e saj atdhetar e kulturor!
12. Jeni
në pension e, megjithatë, me sa kam venë re, kohën e keni mjaft të zënë…Me
çfarë merreni, gjatë ditës?
-Po, keni
të drejtë. Ne jemi takuar shpesh, sidomos në përurime librash. Këto veprimtari
janë të vazhdueshme në kryeqytet, si dhe
në qytete tjerë. Dhe jo vetëm nga autorë të Shqipërisë, por dhe nga Kosova,
Shkupi, Presheva e Mali i Zi, si dhe nga diaspora. Kujtoj këtu, psh, se kam
marrë pjesë në përurime librash të autorëve nga Gjakova e Prishtina, Athina,
Londra e Italia, por dhe nga Amerika. Për disa nga ata, kam ndihmuar e
bashkëpunuar sadopak, sidomos për
sigurimin e pjesëmarrjes, por dhe kam folur e kam shfaqur mendime për librat e
përuruar. Po kështu, marr pjesë në festimet e ditëlindjeve të kolegëve, në
mjedise publike të Tiranës.
Nuk di për
të tjerët, po megjithëse u mbushën mbi 10 vjet nga koha e daljes sime në
pension, ende mbaj lidhje të rregullta
me ish-kolegët e punës, si në revistën e sotme “Mësuesi” dhe në Ministrinë e
Arsimit e Shkencës. Ndiej kënaqësi, kur shkoj atje e i takoj kolegët e miqtë e
mi dhe më ngjan se ende vazhdoj të jem në marrëdhënie pune. Ata më duan e më
respektojnë dhe, për këtë gjë, i falënderoj të gjithë nga zemra, pa përmendur
emra këtu.
Një
“kapitull” i veçantë për mua është puna në kompjuter. Aty përgatis materiale për ndonjë libër timin;
sipas kërkesës së ndonjë miku, redaktoj ndonjë libër të tij ose bëj recensione
për ta; lidhem e shkëmbej mesazhe me kolegë e miq, me banim në shumë shtete të
botës. Me kënaqësi dërgoj e publikoj shkrime në disa gazeta të ndryshme, si
brenda vendit e jashtë tij. Më të pëlqyerat për mua, në Tiranë, janë gazetat “Republika” e “Telegraf”. Por
edhe bashkëpunoj me disa qendra Interneti e, nga këto, janë: “Fjala e
Lirë”-Londër, me drejtor Fatmir Terziun; “Prishtina Press” (Nju Jork-Londër-Prishtinë),
me drejtuese Edmira Babamustën; “Tribuna
Shqiptare” (Montreal-Kanada), me drejtues Ajet Nuron); “Dituria (Suedi), me
drejtues Sokol Demakun; “Kosova Lindore”(Presheva), “Shkupi Press” e tjerë.
Një
kohë të mirë ma zenë edhe punët e veprimtaritë,
në detyrat shoqërore. Kështu, tash dhjetë vjet jam sekretar i Përgjithshëm i
Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe, në këto vitet e fundit, jam aktivizuar përgjegjës
seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në
Tiranë. Përveç të tjerave, kam bërë edhe udhëtime të ndryshme, në trojet
shqiptare të Ballkanit, si dhe në disa shtete të Europës e deri në Nju Jork…Nuk
po përmendi këtu punët e detyrat familjare, vizitat dhe pjesëmarrjen në raste
gëzimesh e hidhërimesh, te të afërm dhe të njohur, si në Tiranë e jashtë saj
etj. Pra, “a doni më për Belulin?” (ha,ha) Përfundimi, që nxjerr nga të gjitha
këto që tregova, është: Me punë e veprimtari të pandërprerë, kohë ecën pa u
ndjerë dhe jeta bëhet më e bukur.
13.-Më
lart, ju na folët për librat, që keni shkruar…A mund të na thoni diçka, më
gjerësisht?
-Më
pëlqen kjo pyetje e juaja, pasi ka të bëjë edhe me një pasion e kënaqësi, që po
e përjetoj, sidomos në këto vitet e fundit. Këtë ma sjellin shkrimet e
ndryshme, në shtyp e në Internet, por sidomos librat. Nuk kam shkruar aq shumë
libra, sa të “mburrem” për gjë. Por, megjithatë, e veçanta e tyre është se,
secili prej tyre, pothuajse, nuk e ka temën ose përmbajtjen e njëjtë, me ndonjë
libër të botuar te ne.
Librin e
parë e shkrova pas luftës e fitores përfundimtare mbi serbët, me titullin “Si e
pashë unë Kosovën”(Tiranë, 2000). Në vazhdimësi, publikova “Nëpër udhët e
shkollës shqipe”(Tiranë, 2001), ku flitet për shkollat e para, sipas krahinave
të Shqipërisë, por dhe në Kosovë, Dibër, Çamëri etj. Ky libër është ribotuar në
vitin 2008. Bazuar në punimin e disertacionit tim, më 2002, botova në Kumanovë
librin, “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”. Nderimin dhe respektin ndaj
pedagogëve tanë të Universitetit, e shpreha me librin “Filologë që nuk
harrohen” (Tiranë, 2002). Ndërsa një libër të veçantë, me përmbledhje
kujtimesh, e publikova kushtuar një
pedagogu e miku tim të paharruar, “Bedri Dedja, në kujtesësn tonë” (Tiranë,
2010). E kisha njohur nga afër, prandaj shkrova e publikova, më 2005, edhe një
libër për mësuesin veteran, Salih Myftar Kolgeci (i cili nuk ka lidhje gjaku me
mua). Tashmë, janë në “modë” librat jetëshkrimorë. Prandaj nuk shpëtova
dot nga kjo “sëmundje” as unë ?! Kështu,
me rastin e 70-vjetorit të lindjes, botova librin “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës
sime”(Tiranë, 2010). Vitin e kaluar, bashkë me një grup kolegësh, nga Instituti
i Integrimit të Kulturës Shqiptare, isha në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin.
Mbresat e pashlyera nga ai udhëtim i
bukur, i mblodha në librin “Rrahin zemrat arbërore”.
Ndërsa më
tej, pranvera e vitit 2012 do të jetë e paharruar për mua. Me rastin e “Ditës
së Mësuesit”, në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” të Tiranës, përuruam librin
publicistik-letrar për fëmijë, “Dorela”. Atë e kam shkruar me rastin e
9-vjetorit të lindjes së mbesës sime ta dashur, e cila e ka atë emër, me tri
nota muzikore. Me sa kam dijeni, jam gjyshi i parë në Shqipëri, që e bëj këtë
gjë. Po pati të dhënë tjetër, le të më tregojnë (ha,ha). Në prill të këtij
viti, bashkë me tre kolegë, ndër ta edhe shkrimtari e miku im, Viron Kona, bëmë
një vizitë në Suedi. Pas kthimit në Tiranë, shkrova e botova disa shkrime, në
shtyp e në Internet. Mbresat nga ai
udhëtim i kam mbledhur në librin, “Me zemër, në vendlindje”, i cili është në
proces botimi.
Nuk po
tregoj këtu titujt e disa librave, ku jam bashkautor, po kështu edhe se, për
secilin nga librat e mësipërm, është shkruar në shtyp e Internet dhe është
folur në radio e televizion. Vetëm për librin “Dorela” janë shkruar artikuj nga
autorë me banim në Tiranë, Prishtinë, Lezhë, Francë, Tropojë, Elbasan etj.
Sigurisht, kjo gjë më ka sjellë kënaqësi të veçantë, se flitet për “mjaltin e
mjaltit”, siç i quajnë mbesat e nipat tanë.
-Urime për librat e botuar, suksese në të tjerë të rinj dhe faleminderit për përgjigjet e sakta e korrekte, shprehur me kaq sinqeritet!