| E diele, 24.03.2013, 09:54 PM |
Shuhet
pishtarja e lirisë dhe demokracisë antikomunistja Bardha Gjomarku
Shkruan: Tomë Mrijaj*
Bardha
Gjomarku, u lind në Kullën e famshme të Gjon Markagjonit, në Orosh të Mirditë,
në vitin 1925. Bardha, ka vazhduar shkollën e mesme, pranë Motrave Stigmatine,
në qytetin e mirënjohur kulturëdashës të Shkodrës. Ajo më pas ka vijuar
studimet e larta, në një kolegj të njohur në Itali. Kurse, "shkollat e
larta" i përfundojë në kampet dhe burgjet e diktaturës komuniste.....
Sot më
dt. 19 Mars 2013, u nda nga jeta në qytetin e Shkodrës, në moshën 88-vjecare, e
bija e Kapidanit të Mirditës Gjon Mark Gjonit, Bardha Gjomarkaj, e rrethuar nga
familja dhe vajza e vëllait të saj Ndue Gjomarkut, Bianka (Bardha) me
bashkëshortin e saj të ardhur nga SHBA
Mirdita,
emër nderi dhe mikpritje, historie, toka e katedralëve, e cila me qendrese e
dinjitet, perkushtim e krenari, ruajti pastërtinë e vlerave të përbotshme, fenë
e të parëve të krishterë.
Ajo,
është vendlindja e kalasë së pamposhtur të Dinastisë së Kapidanëve, burimi i
jetës e mbijetesës së banorëve kreshnik, që qysh në djep, nënat sokolesha i
mëkuan dashurinë për tokën dhe zakonet e moçme arbërore, mikpritjen, trimërinë,
zgjuarësinë e falur nga Zoti dhe natyra.
Në Orosh
të Mirditës, në Derën e famshme të Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit,
lindën fëmijët: Marku, Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat:
Dava, Gjela, Marta, Dila dhe më e vogla Bardha. Bardha e Kapidan
Gjonmarkagjonit, nga nëna ishte mbesë e Bajraktarit të Kurbinit Gjokë Pjetër
Pervizi, një përsonalitet i njohur asokohe për besë, burrëri, zakone e tradita
të hershme e bashkëkohore shqiptare.
Dera e
Kapidanit, me vullnesën e popullit kanë udhëheqë Mirditën, me urti, maturi,
politikë e jetë normale, me sjellje të denjë burrërore dhe një guxim të madh në
mbrojtje të interesave të kombit, duke punuar me përkushtim, për përkrahjen e
idealeve kombëtare, kundër pushtuesve të huaj, që gjatë shekujve kanë shkelur
trojet shqiptare.
Mbi jetën
dhe veprën e antikomunistes Bardha Gjonmarkut, ka shkruar më gjerësisht
bashkëvuajtësja e saj Fatbardha Saraçi (Mulleti), në librin historik “Dhimbje”
2, e cila trajton me nota prekëse historinë e Bardha Gjomarkut, nënave e
vajzave martire në burgjet dhe kampet e përqedrimit në Shqipëri.
Bardha
Gjomarku, u lind në Kullën e famshme të Gjon Markagjonit, në Orosh të Mirditë,
në vitin 1925. Bardha, ka vazhduar shkollën e mesme, pranë Motrave Stigmatine,
në qytetin e mirënjohur kulturëdashës të Shkodrës. Ajo më pas ka vijuar
studimet e larta, në një kolegj të njohur në Itali.
Në vitin
1943, rikthehet pranë familjes në kullën e Gjonmarkut në qytet, për të kaluar
pushimet verore.
Dashuria
e madhe për Atdheun dhe familjen në vendlindje, bën që adolishentja, të lërë
për gjysëm studimet e larta dhe të rikthehet pranë familjes.
Ardhja e
komunizmit në Shqipëri, i këput në mes endrren dhe shpresat, për të përfunduar
studimet e larta në Itali, sepse menjëherë fillojnë persekutimi nga ana e
diktaturës së kuqe, e cila në Shkodër ishte shumë e ashpër.
Vala e
madhe e dënimeve dhe internimeve pambarim fillojnë për Bardhën dhe të gjithë
vajzat dhe gratë e tjera shqiptare.
Kështu në
vitin 1945, në moshënn 20 vjeçare, Bardha internohet në kampet e përqendrimit.
E gjithë familja i nënshtrohet kalvarit të vuajtjeve të rënda.
Kjo
ndodhi për shumë arsye, mbasi komunizmi kërkonte t’a nënshtronte Derën e njohur
të Kapidanit të Mirditës, e cila me stoicizëm qëndroi e fortë, duke i bërë
rezistencë me armë në dorë forcave të Ndjekjes të Sigurimit. Ajo sëbashku me
antarë të tjerë të familjes vuan persekutimin e egër komunist.
Por nga
ana e tjetër, vëllezërit e saj trima, si: Dr. Kapidan Mark Gjon Marku dhe
vëllai Lleshi (Aleksandri), ishin në malet e Shqiperise se Veriut, duke
drejtuar forcat antikomuniste nacionaliste, në luftë të hapur kundër komunizmit.
Ata luftuan heroikisht deri sa ranë dëshmorë në fushën e betejës, pa iu
nënshtruar komunizmit, që po shtypte me gjak e hekur çdo lëvizje progresiste
përparimtare, për liri dhe demokraci të vërtetë.
Bardha,
ka qendruar në Berat për 4 vjet në internim dhe gjithnjë ndihmonte gratë dhe
vajzat e tjera bashkëvuajtëse në kampet e perqedrimit. Ajo sërisht është
arrestuar pa udhër-arresti dhe ka vuajtur dënimin tjetër në burg. Ajo ka
qendruar e vetme e izoluar totalisht në një dhomë të errët dhe plot lagështi.
Çdo mbrëmje ajo i është nështruar torturave çnjerëzore, që i bëheshin asaj nga
gardianet e burgut, duke pasur dhimbje të mëdha në çdo pjesë të trupit.
Mbas
përfundimit të dënimit, një ditë ajo lirohet nga burgu, ku shkon të takojë
gjyshën e saj Daven, në moshën 90 vjeçe, e cila më vonë do të vdes në kampet e
tmerrshme të internemit. Bardha, ka marrë trupin e gjyshës së vet, për t;a
varrosur dhe ende per fat te keq sot nuk i dihet vorri i saj.
Gjithashtu
Bardha, është munduar t’a ndihmoi gruan e vëllait të saj Markut, Marten, e cila
ishte paralizuar në kampet e internimit.
Sërisht
persekutimet nuk kanë të sosur për Bardhën, e cila tashmë ishte e sprovuar me
fatkeqësi të shumëta, që po e ndjekin njëra mbas tjetrës Derën e Kapidanit të
Mirditës.
Kështu në
vitin 1949, ate e arrestojnë pa asnjë motiv dhe e internojnë në Kampin e
Tepelenës.
Ajo ka
qendruar në kamp me 200 gra dhe vajza të tjera të internuar, sikurse ajo për
arsye të bindjeve antikomuniste. Klima atje ishte shumë e ftohtë, me erëra të
forta dhe dimëra shumë të ashpëra.
Të gjithë
vajzat dhe gratë e internuara në kamp, janë detyruar nga gardianët e kampit, që
të presin dhe mbajnë mbi shpinë turret e druve të zjarrit, të cilat,
përdoreshin për ngrohjen e personelit të kampit.
Bardha,
me shoqet e veta bashkëvuajtëse, është ngjitur dhe ulur pothuajse çdo ditë në
shpatet e thepisura të Malit të Turanit në Tepelenë.
Me qindra
gra, kanë vdekur në kampet e përqendimit nga stërmundimet dhe shumë fëmijë, që
kanë lindur dhe janë rritur në kamp, kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve
infektive të dizenterisë.
Nëna e
Bardhës, Mrika, gruaja e Kapidan Gjon Marka Gjonit, një nënëloke heroinë dhe
martire e 10 fëmijëve antikomunistë, ka qenë shumë e lodhur fizikisht dhe
psiqikisht nga vuajtjet, vrasjet nëpër male të djemëve trima, përsekutimet dhe
internimet e njëpasnjëshme të djemëve, vajzave, nipave dhe mbesave të saj.
Nëna
fisnike Mrika, u nda nga jeta me mallin e zhuritur, sepse nuk ka arritur të
shoh më burrin e saj Gjon Mark Gjonin dhe djalin Ndue, që u arratisen në Itali.
Bardha,
në vitin 1953 ri-internohet me forcë sërsisht në një kamp tjetër famkeq pune të
detyrueshme në Saver të Lushnjës, ku gjithë ditën ka qendruar mes vapës së
verës me thatësirë, duke punuar me orarë të zgjatur me shat në dorë në punët e
bujqësisë (nga mengjezi në darkë) dhe dimërave të acartë me borë, shi dhe erë
të ftohtë, duke mbajtur dru zjarri mbi shpinë...
Në moshën
40-vjeçare Bardha martohet me të dënuarin politik Gjergj Bici, që ka kaluar 20
vjet në burgjet e diktaturës komuniste. Ata kanë jetuar në kampin e Milotit dhe
më pas në Lushnje, Fier dhe Krujë.
Bardha,
sërisht në vitin 1975 arrestohet, me motivin absurd “për agjetacion e
propagandë”, qëllimi i së cilës në të vertëtë për komunistët ishte t’a mbanin
përjetesisht në burgje apo kampe përqendrimi, sepse për komunizmin ajo ishte element
“non grata”.
Në vitin
1986, heroina e gjalle Bardha Gjonmarkaj, sërisht internohet në Fishtë të
Zadrimës (Lezhe). Ajo denohet dhe vuan në kampet e përqendrimit edhe 8 vjet të
tjera. Po atë vit i vdes nga një sëmundje e pashërueshme burri i saj Gjergj
Bici, me të cilin nuk kishin fëmije. Bardha mbetet e vetmuar…
…Në vitin
1991, me agimin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri dhe qytetin e tyre të
dashur Shkodrën antikomuniste, Bardha, bashkohet me vëllain e vet Dedën dhe
rrethin e vet familjar, që vinte mbas një kalvari të gjatë në burgjet politike
të komunizmit. Ata vendosen në kullën e tyre në qytet.
Mbas 46
vjetëve e gjithë familja Gjomarku, që kishte mundur të mbijetonte burgjeve dhe
kalvarit të gjatë të persekutimit komunist, bashkohen dhe jetojnë në Kullën e
famshme të Derës së Gjon Marka Gjonit…
*: Autori i këtij shkrimi Tomë Mrijaj - qysh më 1982 në Kongresin e III-të, u zgjodh Sekretar i Përgjigjshëm i "Lidhjes së Prizrenit" në mërgim, detyrë që vijon ta mbajë sot. Ka shkruar disa libra kushtuar figurave te shquara kombetare. Ai është marrë qysh herët me publicistikë, duke shkruar poezi dhe portrete historike, si bashkëpunëtorë i disa gazetave dhe revistave në Kosovë, Shqipëri, ShBA . Njihet si mik anëtarëve të familjes së Derës së njohur së Gjon Marka Gjonit…