| E diele, 24.03.2013, 10:05 PM |
ENERGJIA
KRIJUESE E SHPIRTIT SHQIPTAR
(Dedë
Preqi, Lotë atdheu, Meditime mërgimtare, Kushtrime nga mërgimi,
Nga Baki Ymeri
Intelektuali
i vërtetë jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret. Misioni
i shkrimtarit është rimarrja e flamujve të humbur nga njerëzit e politikës, si
dhe përfitimi i betejave të humbura nga të tjerët. Ky është misioni i tij i
shenjtë, një detyrim që e obligon dhe nderon në trojet e bekuara të historisë.
Jeta është e mbushur me befasi, por ne duhet të jemi të pregaditur që asnjë e
papritur mos të na befasojë. Fillimi i mençurisë është frika ndaj Zotit dhe
frika ndaj fjalës. Kështu thekson Bibla, ndërsa familja, atdheu dhe kombi
qëndrojnë mbi të gjitha, së bashku me nderin dhe dinjitetin. Fjalët e poetit
janë diamante shkëlqimtare që mund të ndriçojnë shpirtërat dhe jetën e njerëzve
me mendime të kristalta. Para nesh kemi njërin nga mërgimtarët tanë që digjet
për atdheun dhe fatin e tij. Ky është fati i atyre që e braktisin vendlindjen.
Kur u reken shtigjeve të mërgimit, ata marrin me vete edhe atë ishull magjik që
quhet Kosovë apo Shqipëri. Autori vjen para nesh me tri antologji publicistike
që s’kanë të bëjë me poezinë, por me një turmë subjektesh morale, meditative,
fetare, historike dhe politike. Politika është arti kompromisit, ndërsa Dedë
Preqi e përshkruan politikën shqiptare nga këndvështrime të ndryshme, duke i
hymnizuar vlerat e demokracisë parlamentare europiane mënjanë, dhe duke i
fshikulluar ata që e frenojnë historinë dhe demokracinë tonë, në anën tjetër.
Dedë
Preqi është një zë i veçantë në poezinë e sotme të diasporës shqiptare.
Krijimtaria e tij letrare dhe publicistike, poezitë, analizat, komentet,
opinionet, esetë dhe reportazahet, janë një dëshmi e gjallë e punës së tij,
thekson Ramiz Dërmaku në kuadrin e një komenti. Optimizmi dhe dashuria ndaj
njeriut janë parimet elementare të këtij krijuesi të palodhur. Mënjanë kemi grandomaninë
e atyre që nuk i besojnë Zotit, ndërsa në anën tjetër vlerat morale dhe
krijuesit e projekteve magjike që dinë të mbëltojnë energji pozitive në
shpirtin tonë: “Me filozofinë e saj të bamirësisë, Nënë Tereza dha një shembull
të lartë të humanizmit, duke fituar një respekt të plotë ndaj secilit, me një
shembull të përsosur të harmonisë mes indianëve, myslimanëve dhe të
krishterëve. Ilaçin më shërues dhe më të përshtatshëm, Nënë Tereza e kishte
dashurinë, ngrohtësinë dhe shpresën. Ajo gjithnjë i lutej Zotit, për këta
njerëz të lënë pas dore.” Apo bombardimet e NATO-s (1999), kur “Ishte dita më e
shenjtë, kur shkëlqeu qielli dhe nëpër atë shkëlqim u duk liria e Kosovës.“
Zemra troket derisa shuhet, sepse ajo është si kandili, dhe nëse ti i beson Zotit,
ai ta ndez kandilin përsëri në Qiell.
Sipas
Biblës së Shenjtë, frika ndaj Zotit është një koncept pozitiv, një ndjenjë e
thellë konsiderate ndaj krijuesit të botës. Bota pa libra është si një shtëpi
pa nuse, apo si livadhi pa lule. Ja, pra, edhe një spektër të ri vlerash
interesante, që vjen në bibliotekat e sentimenteve tona nga gjiri i diasporës
shqiptare. Deda është jo vetëm një poet i mirë, por edhe një publicist
artikujsh të panumërt me subjekte esenciale. Nëna Tereze, 100 vjetori i
Pavarësisë, Kosova, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, respekti ndaj Amerikës dhe
Bill Clintonit (Engjëlli shpëtimtar i Kosovës), bombardimet e NATO-s kundër
kuçedrës militariste serbe, Pavarësia e Kosovës, korupcioni, fanatizmi fetar,
roli destruktiv i kishës ortodokse serbe, diaspora dhe bashkimi kombëtar,
Gjergj Kastrioti dhe nëntorët e lavdisë sonë, liberalizimi i vizave, integrimet
europiane, meditime mbi jetën, janë disa nga subjektet preliminare që defilojnë
në faqet e këtyre tre librave. Veprat respektive kanë karakter publistik.
Subjektet janë të rradhitura në bazë të parimit kronologjik e me kritere dhe
interpretime e sqarime të përshtatshme që reflektohen në kuadrin e titujve dhe
përmbajtjes.
Nga
veprat e Dedë Preqit kemi shansin të mësojmë se ç’është patriotizmi. Subjektet
janë të rëndomta, disa të njohura nga lexuesit tanë, por duke i shfletuar ato
me kujdes, konstatojmë se patriot është ai që e do atdheun, që përkujdeset për
të, që din të respektojë rendin publik, që nuk i hedh mbeturinat në rrugë, që
din të ndihmojë të varfërit, që din të respektojë ligjet dhe gjuhën amtare, që
din ta mbrojë atdheun, familjen dhe kombin. Për fat të keq, ideja e
patriotizmit është konfiskuar ekskluzivisht nga diskursi i liderëve të
demagogjisë sonë politike, apo nga disa butakë të gazetarisë që s’i njohin
normat elementare të shqipes letrare. Jo për të gjithë e kemi fjalën, por vetëm
për ata që shkelin interesat nacionale për interesa personale, familiare,
nepotiste dhe karieriste. Shqiptarët kanë nevojë për vepra konkrete e jo për maskaradë
politike sa për të përfituar votat e elektoratit. Atdhetarizmi nuk ndërlidhet
me gazetari neurotike e patologjike, me vetëlavdërime apo me beneficione e
majmëri personale, por me shembujt e rilindësve tanë, me sakrificën e martirëve
të kombit, me ndjenja qytetare, dinjitet, integritet dhe moralitet.
Autori shkruan me durim e koshiencë, dhe nuk e hedh fjalën pa e matur mirë. Gjatë analizës së artikujve, konstatojmë se ai nxjerr në pah ide fisnike dhe origjinale, duke i kundruar dukuritë, fenomenet, evenimentet, me syrin kritik, duke thyer kornizat e përshkrimit të rëndomtë. Autori i këtyre veprave shquhet për një gamë subjektesh historike dhe aktuale që i trajton duke i dhënë prioritet ndërgjegjes kombëtare, Kosovës shqiptare dhe tendencave të huaja për shkombëtarizimin e kombit tonë, dhe jo vetëm kaq. “Ka kaluar koha e luftave, Kosova ka nevojë të bashkohet në paqë”, thekson autori duke na vënë në kontakt me trashëgiminë tonë historike, kulturore dhe konfesionale. Librat e Dedë Preqit paraqesin një impuls të ri për freskimin e memorjes sonë, për përhapjen e diturisë dhe forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare.
BOX
Dedë
Preqi u lind më 1955, në fshatin Doblibare (BallëDrini) komuna e Gjakovës.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Klinë. Mbaroi
studimet në SHLP, Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Gjakovë. Vjershat e para i botoi
në revistën "Shëndeti", në vitin 1975, dhe pastaj në "Zëri i
Rinisë", „Pionieri", „Rilindja për fëmijë", „Gazeta e Pionierëve",
„Drita“ (Shkup), "Republika" (me pseudonim), si dhe në gazetën
"Bota sot". Prej vitit 1981 jeton dhe krijon në Zvicër. Shkruan prozë
dhe poezi. Në ndërkohë, në letërsinë shqipe, në krijimtarinë letrare dhe në
kujtesën e lexuesit ka hyrë duke prurë dymbëdhjetë libra me krijimtari për
fëmijë e për të rritur, përkushtime për Nënë Terezën, krijime për vendlindjen e
tij dhe për çdo pëllëmbë të Kosovës sonë. Bibliografi letrare: “Jeta frymon
përsëri” (botim i autorit, Gjakovë 2004), “Kur zgjohet dielli” (poezi për të
vegjël, Gjakovë 2004), “Jam unë” (poezi, Gjakovë 2007), “Jeta është agimi”
(poezi, Gjakovë 2007), “Ti ishe një porosi, poezi” (përkushtim për Nënën
Tereze, Botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë, 2008), “Fshatit tim
Ballëdrin” (Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë 2011), „Gjyshi dhe
Adinisi“ (poezi për fëmijë, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi", Gjakovë,
2011), „Etje e ngjyrave“ (poezi, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi",
Gjakovë, 2011), „Binecuvantarea lacrimilor/Bekimi i lotëve” (Amanda Edit, Bukuresht,
2012). “Lot Atdheu”, “Meditime mërgimtare” dhe “Kushtrime nga mërgimi” janë tre
antologji vlerash publicistike që e panë
dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë (2013).