| E merkure, 20.03.2013, 10:51 PM |
INAUGUROHET
PAPA I TË GJITHËVE
Nga Frank Shkreli
Të martën
Kisha Katolike zyrtarisht inauguroi Papën e ri Françeskun para qindëra mijëra
pjesëmarrësish dhe në prani të përfaqsuesve nga më shumë se 132 vendeve,
personalitete të larta politike dhe fetare, mbretër, kryetarë shtetesh dhe
përfaqsues të feve të ndryshme, përfshirë edhe ata nga komuniteti mysliman dhe
hebrej. Media botërore vuri në dukje me
interesim praninë e udhëheqsit botëror të ortodokësve të krishtërë, Patriark
Bartollomeun, duke shënuar kështu herën e parë që një udhëheqës ortodoks merr
pjesë në inaugurimin e një pape ç’prej përçarjes së madhe midis Ortodoksizmit
dhe Katolicizmit, pothuaj një mijë vjetë më parë.
Pasi
përshëndeti dhe falenderoi udhëheqsit botërorë dhe delegacione të ndryshme nga
mbarë bota si edhe trupin diplomatik, -- në fjalimin e rastit -- Papa Françesku
foli për jetën e përditëshme, për jetën aktuale të të gjithë njerëzve, me të
gjitha të mirat dhe vështirsitë, duke u bërë thirrje udhëheqsve botërorë dhe të
gjithë popujve që të kujdesen dhe të mbrojnë të varfërit. Ai pruri si shembëll, Shën Jozefin, si
mbrojtsin dhe përkrahsin e familjes së shënjtë, duke thënë të pranishëmve se të
gjithë duhet të jemi të tillë, “që të mbrojmë të tjerët, ashtuqë të mund të
mbrojmë krijesën.” Me një ton ekumenik,
Papa Françesku u tha të pranishëmve nga e gjithë bota se, “Thirrja për të qenë
‘mbrojtës’ nuk u drejtohet vetëm të krishtërve”, pasi, sipas tij këjo fjalë “ka
një dimension që është thjeshtë njerëzor dhe përfshinë të gjithë njerëzit…e që
do të thotë mbrojtjen e të gjithë krijesave, e të bukurisë së botës…do të thotë
respektim për secilin prej krijesave të Zotit, si dhe respektim për ambientin
në të cilin jetojmë.” Sipas Papës
Françesk, ‘mbrojtës’ do të thotë gjithashtu “kultivim i miqësisë së sinqertë,
në bazë të së cilës ne mbrojmë e përkrahim njëri tjetërin në besim, respekt dhe
mirësi. Sepse në fund të fundit, çdo
gjë na është besuar neve që ta mbrojmë, dhe të gjithë jemi përgjegjës për
mbrojtjen e krijesave të Perendisë. Të
bëhemi, pra mbrojtës të dhuratave të Perëndisë”, tha Papa i ri.
Duke
theksuar që “të mos kenë frikë nga mirësia”, Papa Françesku u bëri thirrje,
sidomos, “atyre që janë në detyra
përgjegjësie në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore si dhe të gjithë
burrave dhe grave të vullnetit të mirë, që të gjithë së bashku të veprojmë si
‘mbrojtës’ të krijesës, si mbrojtës të planit të Perëndisë ashtu siç është
skalitur në natyrë, dhe njëkohësisht, si mbrojtës të njëri tjetrit dhe të
mjedisit në të cilin jetojmë.”
Duke iu
drejtuar personaliteteve të shumëta të politikës dhe udhëheqësve botërorë, Papa
tha se “nuk duhet të harrojmë se fuqia ose pushteti politik i vërtetë bazohet
në shërbimin ndaj të tjerëve”, duke shtuar se, “vetëm ata (pushtetarë) që
shërbejnë me dashuri mund të mbrojnë” njerëzit dhe mjedisin. “Mos të lejojmë që shënjat e shkatërrimit
dhe të vdekjes të shoqërojnë përparimin e kësaj bote”, u tha Papa përfaqsuesve
botërorë në Vatikan me rastin e inaugurimit të tij si udhëheqës shpirtëror i
Kishës Katolike
Fund
javën që kaloi, Papa i ri u takua me përfaqësues të medias nga mbarë bota, dhe
duke i përshëndetur ata me fjalët, “miqë të dashur”, ai foli për rolin e
medias, si një rol i pazëvëndsueshëm që ajo luan në shoqërinë moderne në të
cilën jetojmë. Pastaj ai u foli mijëra
gazetarëve botërorë – të cilët kishin shkuar në Vatikan për të mbuluar zgjedhjen
e tij si Papë -- mbi ato që ai cilësoi si “treshja e komunikimit”, që sipas tij
janë: “E Vërteta, Mirësia dhe Bukuria”.
Papa Françesku u shpjegoi gjithashtu gazetarëve se si ai erdhi tek
vendimi për të marrë emërin Françesk.
Ai u tha atyre se pasi u zgjodh nga konklava e kardinajve, kardinali
brazilian, Claudio Hummes i përshpëriti në vesh duke i thënë: “Mos i harro të
varfërit” Fjala të “varfërit”, tha ai,
“më mbeti në mendje dhe në zemër”, shtoi ai.
Papa u tha gazetarve se menjëherë më shkoi mendja tek Shën Françesku i
Asisit, duke shtuar se, ‘’Shën Françesku ishte një njeri i paqës, njeri i
varfër dhe një njeri që e donte dhe e mbronte mjedisin….Unë do të dëshiroja një
Kishë të varfër dhe në shërbim të të varfërve”, u tha Papa gazetarëve botërorë. Shën Françesku rrjedhte nga një familje
aristokrate, nga jeta lluksoze e së cilës ai qe larguar për të jetuar me të
varfërit e qytetit të tij.
Duke u
uruar atyre çdo të mirë në punën e tyre dhe familjeve të tyre, Papa u kumtoi
gazetarëve botërorë, bekimin në heshtje, për respekt shtoi ai, pasi “jo të
gjithë të pranishmit i përkasin fesë Katolike dhe ka të tjerë që as nuk
besojnë. Unë respektoj ndërgjegjen e
secilit prej jush, duke ditur se secili prej jush është fëmij i Perëndisë”,
përfundoi Papa
Papa
Françesku e përfundoi fjalimin me rastin e inaugurimit të tij dje, me një
mesazh shprese për të gjithë, duke thënë se, “në mes të errësirës së madhe, ne
sot kemi nevojë të shohim dritën e shpresës dhe të bëhemi burra dhe gra që
sjellim shpresën për të tjerët. Për të
mbrojtur krijesat e Perëndisë, për të mbrojtur çdo burrë e grua, dhe duke i
konsideruar ata me dashuri dhe dhemshuri, do të thotë të hapësh një horizont
shprese për ta, si një dritë që depërton retë e zeza, e që sjellë ngrohtësinë e
shpresës për të gjithë.”
Siç i tha
gazetës Washington Post Arkipeshkvi Italian Giancarlo Maria Bregantini, Papa
Françesku, “Nuk të le përshtypjen e një profesori. Ai flet si një mik i yti. Ai i thotë gjërat e mëdha me një ton të
thjeshtë.’’ Si i tillë, shënjat e para –
duke u bazuar në deklaratat e thjeshta por të sinqerta si dhe në sjelljet e
deritanishme --janë se me inaugurimin dje të Papës Françesk, gjërat do të
ndryshojnë në Vatikan për nga stili po se po, por duket se edhe nga
përmbajtja. Por vetëm koha do të
tregojë se cili do të jetë roli që ai do të luaj dhe influenca që ai do të
ushtrojë në të ardhmen, brenda Kishës që ai kryeson si dhe në mbarë botën.