Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Miradije Gashi

| E merkure, 20.03.2013, 08:54 PM |


MIRADIJE GASHI

 

STINA

 

Tash vjen stina e bukur

E pranverës,

As shumë e nxehtë,

As shumë e ftohtë.

Riga shiu bien ngadalë

Si dashuria që ashtu

Ngadalë fillon,

Fillon e qetë.

Mes lotësh të ngrohtë,

Secili ëndërron

Pavdekësinë e vet!

 

ASGJË MË SHUMË

 

Nuk dua asgjë më shumë

Veçse të jem lule

Lule e kopshtit tënd

A të jem degë

E gjethe të jem

Që gjumit tënd t'i bëj hije

Vetëm një sekondë.

 

NGJYRA JETE

 

Së bashku gjithmonë

E kurrë të ndarë.

Gjithnjë ishin të pamposhtur

Se përtej vetes tyre panë.

Veç bardhësi në jetë mbollën

Ndaj urrejtje kurrë s'korrën

Me zemër urinë e luftuan

E me shpirt e deshën drejtësinë.

Për ardhmëri fortë

Duart i shtrënguan

Veç ëndrra në jetë sollën

Ndaj drita që erdhi nga nuri i tyre

Atdheut, ngjyra jete i fali

Gjthmonë.

 

ARTI YNË

 

Sa vjet së bashku!

Si qindra vjet.

Sa mjegulla na i shpërndau

Flaka!

Dhe ky është arti

Është arti ynë i vërtetë.

Sa e sa këngë

Bashkë i kënduam!

Një jetë të tërë

E kaluam.

Por shpejt, shumë shpejt

Do vijë koha

Të na jep çmimin,

Çmimin më të lartë

Për këtë art.