| E enjte, 22.10.2015, 07:45 PM |
R i l e x i m e
Sejdi BERISHA
LULET T’I SOLLA PËR DITËLINDJE...!
Nuk kam
gjë tjetër t’u dhuroj, përveç këtyre luleve që thjeshtë i kam vjedhur. Aroma e
tyre është dashuria ime, zëri im, mendja ime, lufta ime,... lulet kanë aromë
pranvere,... edhe vjeshte...!
Gjerat që
i themi, duken të thjeshta, por lënë gjurmë të pashlyeshme dhe janë
fondamentale e shumë domethënëse! Pikërisht, për këtë fillon lufta e mendjes
dhe e historisë, sepse, vdekja nuk është mbyllje e procesit të jetës. Por,
është e vërtetë, se tek njeriu, e, edhe tek fëmija, brenda mendjes është si një
minierë, nga e cila mund të nxjerrësh mademe të ndryshme.
Kjo të
bën ta urresh periferinë e dukshme dhe ta lakmosh e ta kërkosh qendrën e
brendinë e padukshme, jo vetëm në vlerat shpirtërore dhe kulturore. Historia,
nganjëherë i ngjanë kaosit, dhe se përbrenda saj marrin vulën shumë pasaktësi e
të pavërteta. Edhe tani, a, më mirë është për të treguar e shënuar të vërtetën,
për ta shkruar historinë drejtë, apo për t’u shoqëruar me papërgjegjësinë, dhe
historinë për ta ngulfatur në kaosin përbrenda kaosit?!!
1.
Gjatë
tërë rrugës isha duke menduar, se si ta filloj shkrimin për një buqetë lulesh,
e cila më kishte provokuar tani e sa muaj aq shumë e mbrapsht, sa që, as nuk
flija rehat se si t’ia filloj këtij rrëfimi të çuditshëm mbase edhe të vetmin
që ka mundur të ndodhte ndonjëherë. Por, më mundonte dilema si ta apostrofoja
problemin dhe mesazhin: si vjedhje të luleve, apo si shëtitje të luleve, kur e
dija se ato nuk mund të shëtisnin?! Por, edhe njëra, edhe tjetra nuk prishnin
punë, sepse, buqeta e luleve nuk është vetëm shprehje dhe dëshmi e respektit
ndaj dashurisë...!
Të
fillojmë. Por, më ndiqni me kujdes, dhe jo vetëm thjeshtë e sipërfaqësisht,
sepse gjerat që i themi, duken të thjeshta, por lënë gjurmë të pashlyeshme dhe
janë fondamentale dhe shumë domethënëse.
Një
djalosh i viteve të dhjeta, disa ditë radhazi kishte vizituar varrezat e
qytetit. Më shumë ishte ndalur tek varrezat e dëshmorëve se sa tek varri i
nënës së tij. Ndoshta, kishte lakmuar, sepse, mbi varrezat e dëshmorëve ka
shumë lule, të cilat duken se vetvetiu
kanë ngritur kopsht lulesh. Ishte afruar tek busti i njërit prej dëshmorëve,
mbi supet e të cilit qëndronte një buqetë lulesh të freskëta. U mori erë, dhe
sikur aroma e trimëroi por edhe ia trazoi shpirtin. U dridh duke shikuar
përreth se a mos po e diktonte kush, dhe thjeshtë e rrëmbeu buqetën, por
gjithnjë duke pasur kujdes të mos ua lëndojë bukurinë dhe freskinë që kishin
lulet. Me to, u nis drejtë varrit të nënës së tij, e cila, edhe ajo ishte vrarë
në luftë. U përkul mbi varrin e saj të parregulluar e me një mbishkrim të
gdhendur në një dërrasë bredhi. E shikoi, me zë e lexoi emrin e nënës, vitin e
lindjes dhe të vdekjes, më falni, të vrasjes, e mati varrin dhe sikur e
përshkoi me një flakë duke ia mbështetur lulet tek dërrasa.
-Ja, nëna
ime,... këto lule t’i solla për ditëlindje! Janë të freskëta dhe kanë aromë
pranvere. –e përkëdheli edhe njëherë dheun mbi varr, dhe se më të vërtetë atë
ditë, nëna e çunakut e kishte ditëlindjen. Ai, u ngrit, dhe sikur u shlirua
duke thënë se e kishte kryer një borxh ndaj nënës, me lulet që i kishte marrë
mbi bustin e dëshmorit. Por, në atë moment, atij iu soll në kokë se busti i
dëshmorit sikur e paska qortuar pse ia kishte marrë lulet. Pikërisht në atë
moment fillon lufta e mendjes dhe e historisë, sepse, vdekja nuk është mbyllje
e procesit të jetës!
Kthehet
sërish tek varri i nënës, i cili sikur digjej flakë, sepse, nëna e kishte ndier
aromën e luleve të djalit të saj. Djaloshi, i mori lulet dhe sërish i solli në
krahun e djathtë të bustit. I kishte vendosur sertshëm dhe kishte ikur për në
shtëpi. Por, është e vërtetë, se tek njeriu, e, edhe tek fëmija, brenda mendjes
është si një minierë, nga e cila mund të nxjerrësh mademe të ndryshme dhe me
vlerë të përgjithmonshme.
Kështu
edhe kishte ndodhur në ëndrrën e llahtarshme të djaloshit, i cili, tërë natën
buqetën e luleve e kishte shëtitur prej varri në varr. Këtë, thua se e kishte
bërë me muaj,derisa lulet nuk ishin vyshkur, apo derisa nuk kishin marrë
hidhërim.
-Ja, edhe
mbi varrin tënd po i vë këto lule, sepse,... ndoshta je vëllai im!-pastaj ishte
kthyer, i kishte marrë lulet dhe i kishte vënë radhazi mbi shumë varre.
-Nuk kam
gjë tjetër t’u dhuroj, përveç këtyre luleve që thjeshtë i kam vjedhur. Aroma e
tyre është dashuria ime, zëri im, mendja ime, lufta ime,... lulet kanë aromë
pranvere,... edhe vjeshte...! Hej,... apo më kuptoni?!
E kishte
marrë, tash buqetën e luleve të vyshkura dhe e kishte larguar edhe nga varri i
nënës, por tani i kishte ngelur në dorë dhe dot nuk dinte se çfarë të bëjë me
të.
Pasi
ishte zgjuar, nga ëndrra ishte bërë qullë edhe nga djersët edhe nga lotët. Të
nesërmen, këtë buqetë e pashë të hedhur në një kaçubë therrash pranë
varrezave...!
Gjërat e
tilla duken shumë të thjeshta, por nëse ta përthekon mendja, janë pasqyrë, ose
përrallë e kopalla.
U përpoqa
ta gjej përgjigjen, të cilën dot nuk e gjeta...! Por, për të më mos ikur ideja
e këtij shkrimi, i “shkarravita” disa fjalë në mbështjellësen e paqetëzës së
sheqerit, pasi për momentin në kafeteri më mungonte letra.
Shih, edhe shkrimi, edhe ideja, edhe sheqeri, edhe lulet, edhe varrezat, edhe dëshmorët, edhe nëna, edhe vyshkja e luleve, edhe hedhja e tyre në therra,... të gjitha në një! Kjo është rrëmuja e jetës,... vetëm një pjesë e saj...!
2.
Ka nisur
diçka të lëviz për ta lëkundur kulturën, edhe artin skenik,... edhe të gjitha
fushat tjera. Në teatër u organizua një shfaqje filmike e disa inserteve
teatrore të realizuara në vitet e gjashtëdhjeta. Ishte kënaqësi për t’i kujtuar
të arriturat e asaj kohe, por ishte edhe një përkujtim për artistët të cilët
tërë qenien e tyre atë botë ia kishin kushtuar artit dhe kulturës. Disa prej
tyre edhe nuk gjenden më në mesin tonë, dhe,... sikur janë të harruar!
Tash,
edhe kjo të bën ta urresh periferinë e dukshme dhe ta lakmosh e ta kërkosh
qendrën e brendinë e padukshme, jo vetëm në vlerat shpirtërore dhe kulturore.
Pas
shfaqjes së këtyre inserteve filmike, u dëgjuan dilema e mospajtime për
saktësinë e kohës së shfaqjes së atyre pjesëve teatrore, sepse, shikuesit që e
njohin historikun e teatrit, nuk pajtohen me data dhe vitet e shfaqjes së
këtyre dramave që ishin shënuar në dokumentar. Në këtë, më grishën reagimet
tjera: kinse punë e madhe që nuk u është qëlluar koha dhe viti i shfaqjeve, dhe
se, kryesore na qenka se kjo ngjarje ka ndodhur!
Nga
hidhërimi, dëgjohen shprehjet për intrigat, smirën dhe rrenat. Historia,
nganjëherë i ngjanë kaosit, dhe se përbrenda saj marrin vulën shumë pasaktësi e
të pavërteta. Edhe tani, sa keq është kështu: a më mirë është për të treguar e
shënuar të vërtetën, për ta shkruar historinë drejtë, apo për t’u shoqëruar me
papërgjegjësinë, dhe historinë për ta ngulfatur në kaosin përbrenda kaosit?!!
Merrje me mend këtë parregullsi, sa e thjeshtë duket...!
3.
Gjithmonë
më ka irrituar qëndrimi i papërgjegjshëm ndaj njeriut të mendjes, pra edhe ndaj
krijuesit. Më të vërtetë është mëkat që ata të mos përfillen, të nënçmohen, të
harrohen! Përkitazi me këtë, e lexoj një shkrim në një nga gazetat ditore. Me
kureshtje e analizoj, por hasi në disa mendime të autorit të këtij shkrimi që
jo vetëm që më duken joprofesionale, por edhe shumë naive, sa që temën për
harresën krejtësisht e zhvlerësojnë mbase edhe e nxjerrin edhe në një rrafsh
tjetër. Por, nuk dua ta komentoj këtë shkrim, sepse kjo nuk ia vlen për të
humbur kohë, por e di se problemet nuk rrahën as nuk zgjidhen duke nënçmuar,
por as shkrimi nuk e ka peshën e sinqertë që duke dashur të thuash diçka ta
lëndosh dikë tjetër. Sepse, kjo thjeshtë sikur i ngjanë asaj kur dikush gjuan
cunga hava, e pastaj, kujt t’i bijnë le t’i bijnë në kokë, dhe kështu, vetëm sa
mund të del në sipërfaqe mendja e sëmur e temëshkruesit mbase edhe prapavija e
amatore ose e errët e profesionit, duke i lënë vend mundësisë për krijimin e
rrëmujës dhe kaosit në rrjedhat e jetës.
Por, kjo
sikur ma kujtoi atë përgjigjen për tupanin: tupani është krismë përjashta e
bosh përbrenda! Ose, ajo, kur në odë burrash, njëri e kishte pyetur një
pleqnar:
-Ti,
qenke ai pleqnari me nam e emër,a? More, të kam pas menduar burrë më kallëp...
Por, ai
njeriu i urtë ia kishte kthyer:
-O, dai!
Po deshe mish, mish ka sa të duash në kasaphane!
Kështu thotë populli...!
4.
Një ditë
maji, njëri, në vend të përshëndetjes, më pyeti:
-Shumë po
merresh me shkrime e me kulturë!
Vetëm
rrudha krahët dhe e shikova duke ia kthyer një përgjigje memece. Pa tekst!
-Pusho
pak..., pusho! –ma lëshoi edhe këtë dhe iku pa e pasur guximin të ma thotë tërë
atë që mendonte.
E kapa këtë “propozim” edhe si smirë, edhe si këshillë, ndoshta?! Për këtë mendova jo edhe aq shumë, edhe pse, ai që më kishte folur kështu, është i vëllai i një kitaristi me nam edhe përtej kombit, edhe përtej Evropës...!
5.
Për çdo
ditë, dhe rrallë ndonjëherë e huqi takimin me profesorin tim të historisë. E
pimë së bashku, ai kafenë e unë çajin. Bisedojmë për tema të ndryshme, edhe të
rëndësishme edhe të parëndësishme, por nuk mund t’ia bëjmë as çap për ta
ndryshuar shtratin e lumit të jetës. Është shumë vështirë. Ashtu mendoj, dhe
jam shumë i bindur.
Por,
nganjëherë bisedojmë edhe për jetën e thjeshtë, ama për jetën shumë të
thjeshtë. Në këtë rast, unë marr iniciativën për tema bizare, e nganjëherë flas
edhe për femrat, për ta ngazëllyer profesorin tim të shtyrë në moshë.
Ai,
kënaqet, dhe sikur i pëlqejnë temat e tilla, edhe pse më qorton kur për temë
marr botën femërore. Por, si rrumbullakim të bisedave, profesori, pothuaj se
shpesh apo gjithnjë, nga thellësia e mendjes dhe zemrës dhe me ndijim të
veçantë i reciton vargjet: “...Lamtumirë vendet e mia/Që po zhdukeni
dalëngadalë/Frynë murrlani ushton stuhia/Lëkundet barka valë mbi valë...”, dhe
i mbushen sytë me lot .
Nuk e di
pse, dhe as kurrë nuk do ta pyes për shkakun. Ndoshta lotët e ngacmojnë pse
jeta ikën, apo ndoshta për shkak të pleqërisë, apo pse ndoshta njeriu ynë është
i djegur me kurbetin dhe me mallin për atdhe, apo, për shkak se profesori në shpirt
e zemër e ka historinë, e cila nuk e lë të qetë. Por, të mishëruar me historinë
e ka edhe këngën edhe varguan, tani të ngarkuara si në karrocën e
lamtumirës...!
Sa keq që
është kështu. Dua ta them edhe këtë, të cilën diku e kam lexuar: lindja është
fajtore për vdekjen! Po, pra. Kështu është disi, profesor imi i dashur. Nuk e
di se duhet të jetë ndryshe!
Por, të kthehemi edhe njëherë tek lulet. Sikur më tingëllon: lulet nuk vidhen. Ato, vetëm dhurohen, ato shumohen,... botën e pushtojnë! Megjithatë, djaloshi i kishte vjedhur lulet. Përse, lë të mendojmë vetëm pakëz, jo shumë...!