| E diele, 17.03.2013, 09:37 PM |
Feja dhe shamia, jo në shkollat shqipe
Nga Fahri Xharra
Fillimi i
mijëvjeçarit të tretë ende na detyron të nxjerrim mësime nga ndodhit e
pakëndshme që ne kemi kaluar. Është shumë interesante të theksohet se derisa
Rilindësit tanë mundoheshin me të madhe dhe me krejt qenien dhe dijen e tyre të
na drejtojnë drejt zgjimit tanë dhe ky ishte aksioni më i madhi dhe më i gjeri
politik dhe kulturor; në ditët e sodit na dalin “ Rilindësit “ e rinj të cilët
mundohen të na kthejnë pas, aty ku ishim para 100 vjetësh. Ne duhet ta dimë që
me futjen e fesë dhe shamisë në shkollat tona e bëjmë jo vetëm përçarjen e
kombit por edhe indoktrinimin e të rinjve me një të paardhme.
Nuk guxojmë që me mënyrën tonë individualiste të jemi një xeherore e pafundme për të sjellë egoizëm: egoizëm fetar. “ Nuk jemi popull i vogël”, thotë Kadareja; jemi shumë të mëdhenj që të mbesim ata që jemi.
Çfarë parafytyrimi kanë shqiptarët për vetveten?
Fytyrën e
mirë ose të keqe për ne nuk mund ta bëjnë as zyrtarët tanë, por as
pështjelluesit tonë, as nacionalizmi i tepruar por as mohuesit e tij, as
diplomatët mendjelehtë e as gazetarët e opinionistët e porositur, të gjithë të
etur për lavdi e para pa marrë parasysh mënyrën.
Kultura dhe mendimi i një populli qëndron në një lashtësi të shquar, por që përpiqet ta ngrejë lart gjithë kombin. Ne na duhet duhet që shkollat tona të jenë centropetale në edukimin tonë. Çdo futje e fesë në shkolla i aktivon forcat centrifugale që na bëjnë të ikim nga ajo që jemi; e kjo e sjell vetëm një gjë: kthimin prapa. Nëse, ne duhet të punojmë për të mirën e kombit, për pastrimin tonë shpirtëror duhet të punojmë që t’i bindim që të gjithë të rrokemi pas një gjëje konkrete, të prekshme dhe që na bën nder në mesin e kombeve të cilivizuara. Ç’më duhet mua që fëmijën tim ta kthej mbrapa në besimin se bota është e rrafshtë, në besimin e buallit që mban botën dhe çdo lëvizje e tij i krijon tërmetet, në besimin se shkolla e Darvinit mbi evolucionin ishte e gabuar?
“Memorandumi
për Shqipërinë”, i shkruar nga princ Vidi nga mbarimi i vitit 1917, e i mbetur
vetëm si dorëshkrim në Bibliotekën e Këlnit , paraqet më shumë se një rrëfim të
një personaliteti të rëndësishëm, i cili në një kohë tepër kritike për fatet e
Shqipërisë, do të pranojë të vihet në krye të saj me qëllimet më të sinqerta që
t’i ndihmojë bërjen e saj shtet evropian. Kështu shkruan Jusuf Buxhovi në
librin e tij: “Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane”. Të bën përshtypje
të madhe kur princ Vidi këtu kërkon përveç tjerash edhe bërjen e shkollave të
mira. I njoftuar mirë që ishte dhe i bindur se mund të ketë grindje të
brendshme fetare kërkonte që shkollat të mos bëhen vatra të përhapjes fetare.
Shumë interesant është të theksohet se në kohen e tij në programin e tij
qeveritar ai kërkonte që shkollat të bëhen vatra të edukimit të të rinjve
shqiptarë për çështje të mbara dhe për edukimin pro evropian. Normalisht që në
memorandumin e tij ai kërkonte që fetë të jenë të lira, por ai ishte kundër
kërkesave të huajve që me anën e fesë ata të arrijnë ndikimin në riformimin e
popullit tonë.
E njëjta
gjë është edhe sot në Kosovë, që fesë dhe predikimit të saj të lirshëm i është
bërë i mundshëm, por atë duhet kufizuar me një kusht që të mos na çorientojë
busullën tonë evropiane.
Krizën e moralit kombëtar dhe kthimin e humbjes së vlerave të tij nuk e rregullon futja e fesë në shkolla, ajo në të kundërtën shkon në thellimin e tyre. Krizën materiale, varfërinë ekonomike dhe mendore, lakminë e fitimit të shpejtë pa marrë parasysh rrugën dhe mjetet e sollëm vetë ne me mënyrën tonë të bërjes së shtetit.
Kur shpirti i një kombi stërkeqet nga varfëria e nga lakmia, nuk ka asnjë bindje fetare që mund ta shërojë atë. Vetëm kamja mund t`a ndritë mendjen. Nuk ka nevojë që t’i bindim edhe bashkatdhetarët tanë nëpër Evropë nga misionarët tanë se si të largohen nga e keqja; kur ata jetojë në vende moderne aty ku dihet se si ndahet “shapi nga sheqeri”.
“Në Zot ne besojmë”, për shqiptarët ai zot është mysliman, katolik, protestan, ortodoks, Baptist…Ne… Me futjen e fesë në shkolla atëherë secili duhet të mësojë varësisht nga ora që e ndjek nga predikuesi i uniformuar që shkon aty të bindë të rinjtë se Zoti është vetëm i tyre dhe se zoti i të tjerëve nuk është për t’u përmendur.
Rryma përparimtare që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi, duhet te jetë aq e fortë sa që edhe ata që mendojnë ta kthejnë rrotën e historisë prapa duhen ta kenë të kotë. Qysh në vitet e 50`ta të shekullit të kaluar ishte aprovuar Ligji për ndalimin e bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës së femrës. Me ligj ndalohej çfarëdo detyrimi apo bindje e femrave për të bartur ferexhe, gjegjësisht për ta mbuluar fytyrën, si dhe çfarëdo mbështetje që i bëhej bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës. Ndërkaq me punë të dhunshme, para të mëdha, apo burg të gjatë dënoheshin ata që detyronin apo cytnin femrën në diçka të tillë.
Fatbardhësisht që këso ligjesh as që janë të nevojëshme të propozohen, pasi që vetëdija e botës sonë mashkullore dhe emancipimi i femrës shqiptare janë shumë të larta. Kemi kulturën, traditën tonë që e kemi kultivuar brez pas brezi e me gjenerata të tëra. Interesant është të theksohet se edhe Naim Frashëri, një ndër apostujt më të mëdhenj të Shqiptarisë, e ka dashur me zemër të përvëluar përparimin e Shqipërisë dhe lartësimin e kombit shqiptar. Ja se çka kishte shkruar Naimi:“Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë në kohën e profetit por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi! Si mund të vë mbroth një komb kur gratë domethënë gjysma e njerëzisë rron e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmisë dhe këto qysh bëhen kur burri rrinë veç gruas?
Ç`dashuri,
ç`arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë në një familje të tillë… Gruaja
duhet të jetë më shumë se burri e arsimuar se fëmija së pari e marrin mësimin
nga nëna… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerëzisë.”
Një nga të mbeturat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim
ferexheja që mbulon gruan myslimane. Dhe siç thotë Tajar Zavalani (Bota e re,
nr. 14, 1936): “S`na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm
dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të
përligjin me argumente serioze fshehjen e gruas brenda një perdeje të zezë.”
Pastaj Tajar Zavalani vazhdon: “Të merremi vesh mirë, ç`kuptojnë me fjalën
qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i
qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e
burrit deri sa ky e detyron të dalë e mbuluar.
- Ndoshta
femrës shqiptare i pëlqen të dalë e mbuluar? Kjo është një fyerje për gocën,
vajzën, gruan, femrën tonë e cila ka dëshirë të zjarrtë të jetë e lirë dhe e
qytetëruar si çdo krijesë njerëzore që jeton në këtë milenium.
A thua me
të vërtetë shamia, çarçafi, ferexheja e ruajnë namuzin e femrës?
Nga
përvoja në shtetet arabe e aziatike mbulimi sjell vetëm shëmtim që bie në sy,
shëmtim nga zgjedha e shpikur nga shpirtrat sadistë. Këtu në trevat shqiptare
nuk duhet të kthehemi prapa dhe të lejojmë krijimin e një krijese fatkeqe që të
këput shpirtin. Çfarë aftësie mund të ketë ajo për të rritur fëmijë. Ata fëmijë
që do të jenë shpresa e së nesërmes së këtij vendi. Trashëgimia e atdheut dhe
krenaria e kombit. Dija, në romanin e Haki Stërmillit në ditarin e saj thotë:
”Sikur t`isha djalë do t`i tregofsha botës mashkullore se dora që e përkund
djepin është ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerëzisë, sepse ajo, vetëm
ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura. Femra myslimane e mbyllur brenda
katër mureve asht e mpitë, e dobët dhe e pazhdrivillueme, sepse asht shtypë e
mbytë nga zgjedha e rëndë e një edukate që nuk këshillon e nuk porosit tjetër
veçse ndalimin: mos prek,mos fol, mos dil, mos qesh ,mos e mos e mos”.
Kur ne i
hapim derën, atëherë të huajt mezi s`presin të na japin leksione. Njëfarë ndërkombëtari
Juerg Loneburg paska pas thënë se ferexheja na qenka pjesë e kulturës
shqiptare. Jo vetëm atij, por edhe bashkëkombasve të mi u them se çarçafi e
ferexheja janë kulturë turko-arabe që ka pasuar me zgjerimin e Perandorisë
Osmane, islamizimi i të cilit është kryer deri në fund të shekullit të 19`të.
Feja e besimi është çështje shpirtërore individuale. Duhet të vëmë në rend të
parë kombin. Pra se jemi shqiptarë dhe të punohet shumë në uljen e tensioneve
ndërfetare tek shqiptarët.
Duhet të
jemi shumë syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare të
cilat këmbëngulin në tjetërsimin e identitetit tonë shqiptar. Përndryshe nuk do
të jemi më ata që jemi sot. Louis Hyacinthe Heckard në librin e tij “Historia
dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme” (Paris , 1858) thotë: “ Në asnjë vend të
botës femrat nuk janë më të respektuara dhe nuk ushtrojnë një veprimtari më të
fuqishme se shqiptaret dhe nënat shqiptare..”
Pra, në
rrethin shpirtëror, në zotërimin e vlerave të krijuara, ne, asnjëherë nuk iu
kemi pasur lakmi të tjerëve. Duke mos u pasur lakmi të tjerëve, ne nuk iu kemi
as mëni as zili për të huazuar nga ata gjëra të cilat na shkojnë ndesh me
krenarinë tonë dhe uniken tonë në botën ku jemi.