| E premte, 15.03.2013, 07:19 PM |
Dihet se Shkodra dhe Korça
janë dy qendrat historike të zhvillimit të Fotografisë Shqiptare. Prej këtej,
po më tepër nga e para, nëpërmjet mjeshtërve fotografë, ajo u përhap dhe në
qytetet të tjera të vendit. Edhe në Vlorë fotografët e parë shqiptarë, ishin
shkodranët, Kol Maca dhe Gjon Rrota. Një “lidhje” të hershme të Vlorës me
fotografinë përbën fakti i vjelë nga shtypi, se italiani Pietro Marubbi, nga
vitet 1853-54, ka qëndruar disa kohë në qytetin bregdetar, po pa u marrë me
fotografi, mandej shkoi në Shkodër, ku shkroi hapat e para të
fotografisë shqiptare.
Për shkrimin e mëposhtëm,
duhet të falënderoj dhe miqtë e mi, Pirro Stefa, Darling Vlora dhe Endrit Musaj
për ndihmesën e tyre.
Nga të dhënat e deritanishme
mësohet se Kol Maca mbahet si fotografi i parë shqiptar në Vlorë. Sipas
studiuesit nga Shkodra Ndoc Gurashi (tetor 2012), Kol Maca e ka mësuar
mjeshtërinë e fotografimit në atelienë e Kol Idromenos në Shkodër, ku ka
shërbyer si çirak për disa kohë. Gjithashtu, studiuesi i sipërpërmendur
shkodran thekson se Maca e ka hapur dyqanin (atelienë) e tij për fotografim në
qytetin bregdetar në vitin 1915 dhe ka punuar atje pa ndërprerje deri në vitin
1921. Kjo ndërkohë përputhet me pushtimin e parë italian të Vlorës, ose siç
njihet atje, me “Italia e parë“, që shënon edhe disa ndërtime të cilat
qëndrojnë ende në këmbë, si Sahati dhe Bashkia (ish-konsullata italiane). Vula
që ai vendoste pas fotove për popullatën ishte në italisht e në të shkruhej
“Nicolo’ Mazza-Fotografo-Valona”, ajo rregullisht është bërë në Itali. Në të,
emrin e tij e gjejmë në versionin e plotë të tij, Nikoll, ndërsa diku tjetër e
hasim me shkurtimin tjetër, Kolec. Për jetën e tij, me gjithë kërkimet e
vazhdueshme, ende nuk dimë shumë gjera. Autori i këtyre radhëve ka gjetur në
Itali dy shkrime (faqet përkatëse) të Kol Macës të botuara në revistën e
përmuajshme të asaj kohe, “Corriere della Sera” (Milano). Artikulli i parë
titullohet “Tra i montanari albanesi” (gusht 1907), i dyti, “Monumenti e
costumi albanesi” (maj 1908). Artikujt e mësipërm kanë të bëjnë vetëm me Botën
Shqiptare. Ata shquhen për të dhëna të shumta historike, gjeografike,
shoqërore dhe etnografike për shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët e Veriut
në veçanti. Midis shkrimeve, që tregojnë dhe kulturën e autorit, ka mjaft foto,
me gjasë të Macës, që ilustrojnë përmbajtjen e tyre.
Gjithsesi, Kol Maca, në
studion e tij fotografike në Vlorë, përveç punës rutinë me komunitetin, ka
realizuar edhe foto të ngjarjeve të ndryshme politike, shoqërore e fetare të
qytetit. Duhet shtuar se Kol Maca është një nga fotoreporterët e parë në
shtypin shqiptar, gjë që vërehet në revistat e viteve ’30, sidomos në të
përmuajshmen e njohur të kohës, “Minerva”, ku dhe ishte punësuar. Për një kohë
të shkurtër ai ka qenë dhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror. Kol Maca ishte
dhe pjesëtar i grupit zyrtar të fotografëve të shtypit, që përjetësoi festimet
e 25-Vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1937 në Tiranë.
Në Arkivin Qendror të Shtetit,
ndër të tjera është gjetur një fotografi e tij që paraqet një pjesë nga
ceremonia e varrimit të Ismail Qemalit në atdhe më 12 shkurt 1919. Sipas një
shkrimi të atij viti (“Varrimi i Ismail Qemal Vlonës” - “Kuvendi” - Romë, 10
mars 1919), që shoqërohet me këtë foto, kjo është realizuar gjatë homazheve në
tregun e madh të Vlorës. Aty, në prani të shumë qytetarëve, të parisë dhe
autoriteteve italiane të pushtimit, kanë mbajtur fjalë Jani Minga dhe Qazim
Kokoshi, atdhetarë të shquar, nënshkrues të Dokumentit të Pavarësisë më 28
Nëntor 1912. Në foto shihet duke folur Qazim Kokoshi, ndërsa poshtë tij
dallohet Jani Minga e pas tij dy nga tre djemtë pjesëmarrës të Plakut të
Vlorës, Ethem dhe Qazim Vlora, i treti, Qamil Vlora nuk është kapur nga
objektivi i aparatit. Pas fjalimeve, arkëmorti i mbuluar nga Flamuri Kombëtar
dhe i shoqëruar nga mijëra vetë u drejtua për në fshatin Kaninë, në
vendvarrimet e familjes Vlora. Për funeralin e Ismail Qemalit, atë ditë, poeti
dhe kryetari i atëhershëm i Bashkisë Ali Asllani, ka shkruar një elegji shumë
të ndjerë që mbyllet me vargjet “Emr’i tija i vërtetë; Është Nëntor njëzet’e
tetë“.
Maca, natyrisht atë ditë mund
të ketë kryer dhe shkrepje të tjera, gjë fare e zakonshme edhe sot për
fotografët në ngjarje të veçanta, por deri tani janë pa autorësi të përcaktuar.
Foto tjetër e Kol Macës, që
tregon lidhjet e tij me Vlorën, është një portret në këmbë i Ali Asllanit.
Duket si fotografi zyrtare edhe pse është në këmbë. Ajo mban poshtë saj me
shkrim dore emrin “Ali Asllani”, që mund të jetë i tij ose i fotografit. Ka të
ngjarë që shkrepja të jetë bërë rreth vitit 1920 dhe shoqërohet me vulën
e dyqanit të tij në Shkodër, po kjo nuk do të thotë se patjetër, është
fotografuar atje. Në qytetin verior Maca ka bërë shtypjen në letër të fotos, të
cilën mund ta ketë realizuar dhe në Vlorë.
Kol Maca, ashtu si
paraardhësit e shquar të Fotografisë Shqiptare, Pjetër e Kel Marubi, Kol
Idromeno, Kristaq Sotiri, nuk ka qenë mospërfillës ndaj varfërisë
karakteristike të shqiptarëve, shoqëruese e trishtë e tyre deri nga fundi i
shekullit të kaluar. Kështu, ai fotografoi në Vlorë, më 1916 tri femra, dy të
ngarkuara me shkarpa dhe të tretën të ulur. Veshja e tyre është e fshatrave
përreth qytetit, çka mund të tregojë se ato banojnë aty, por nuk përjashtohet
mundësia që të kenë dalë për t’i shitur barrët me shkarpa. Në foto bie në sy
veçanërisht pamja e vajzës, sidomos shikimi i saj. Fotografia, natyrisht nuk ka
qenë e porositur e aq më pak e paguar, por e nxitur nga bota shpirtërore e
fotografit e prekur nga skamja (gratë zëvendësojnë kafshët e ngarkesës). Kjo
foto, siç kuptohet, tregon se Maca, ka lënë mënjanë rutinën me foto në
studio, për të kapur pamje nga jeta e përditshme në qytet e rrethina. Shumë
foto të realizuara nga Kol Maca në atë kohë janë shumëfishuar e shpërndarë edhe
si kartolina postare.
Shkodrani tjetër, Gjon Rrota
(Shkodër, 1893 – Vlorë, 1931), që mbahet ndër fotografët e parë shqiptarë në
Vlorë, ishte vëllai i piktorit të njohur Simon Rrota, që kishte studiuar në
Itali (Brera, Milano). Në atelienë (dyqanin) e tij fotografike në qytetin
bregdetar, ai, punonte kryesisht për komunitetin e qendrës dhe rrethinave.
Gjithashtu në Vlorë, Gjon Rrota u martua me një vajzë nga Fieri nga familja e
njohur atdhetare Kilica (Athina), me të cilën pati vetëm një djalë, Xhorxhin.
Edhe ky u mor me fotografi në Tiranë më tepër për popullatën (Foto “Skënderbeu”
- vitet ’50-’60).
Si shumë mjeshtër të
aparatit me studio vetjake edhe Gjon Rrota, fotografoi ngjarje të
ndryshme, politike, shoqërore, fetare, shpesh të paporositura, por për
kënaqësinë e vet. Në to shpërfaqet ndjesia e tij ndaj së bukurës, kjo sidomos
në peizazhe. Një set fotosh të Gjon Rrotës i përket shkollës së parë
shqipe të Vlorës, “Shkollës Plotore”, quhej në atë kohë (më vonë u emërtua
“Shkolla Nr.
Gjon Rrota ka bashkëpunuar
ngushtë dhe me bibliofilin, fotografin dhe botuesin e njohur vlonjat, Ibrahim
Shyti. Ky i ka botuar dhe shpërndarë disa foto të kthyera në kartolina postare.
Një nga këto është edhe peizazhi i qytetit i vitit 1928, fotografuar nga veriu
(diku poshtë Qafës së Topit). Objektivi i aparatit të Rrotës ka kapur
pjesën kryesore të qytetit, rrugën për në Skelë, Ujin e Ftohtë, detin e deri
tek Karaburuni në sfond. Fotoja ka vlera njohëse, por flet dhe për aftësitë
piktorike të fotografit gjatë kuadrimit të pamjeve.
Dy fotografi të tjera
të Gjon Rrotës, të cilat u shtypën edhe si kartolina, paraqesin pamjen e
Sheshit të Flamurit dhe portin e Skelës. Ato mund të futen në “peizazhet
urbane” dhe sot mbartin shumë vlera dokumentare dhe historike.
E para, që i përket vitit
1919, është marrë nga poshtë kodrës së “Kuzbaba-së” paraqet “Sheshin e
Flamurit”, “Sarajet e Vlorajve” të rrethuara me mur e pemë, para prishjes së
tyre dhe në krah të saj, “Shtëpia Sharrajve”. Atëherë, ato ishin ndërtesat
kryesore të qendrës së Vlorës. Në banesën e Familjes Vlora (Shtëpia e Xhemil
Vlorës) u mbajt më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Historik, ku Ismail Qemali shpalli
Pavarësinë e Shqipërisë. Ajo u shkatërrua edhe nga mospërdorimi gjatë
Monarkisë, tjetra (shtëpia e Sharrajve) u prish me shpërthim me dinamit gjatë
periudhës së komunizmit (vitet ’80) për të ndërtuar një hotel që pritet të
përurohet së afërmi. Të dyja hyjnë në listën e gjatë të ndërtimeve
(banesa, objekte shoqërore e fetare, ura etj) me vlera historike, që sot nuk
gjenden, dhe që përbëjnë atë që quhet “Shqipëria e Humbur”, duke përdorur
shprehjen nostalgjike (njëkohësisht qortuese) të krijuar nga publicistit i
njohur Ylli Polovina.
Fotoja e dytë është realizuar
në portin e Vlorës në vitin 1927, pranë doganës së atëhershme. Fotografi Rrota
e ka shkrepur aparatin nga moli nr. 1 (këtë emër ka dhe sot), i ndërtuar (sipas
një fotoje të Kel Marubit), përpara vitit 1908 nga autoritetet turke të
qytetit. Në vitin 1927 shteti shqiptar dhe tregtarët vendas kishin kohë që
kishin nisur marrëdhëniet e shumta me jashtë, eksportonin prodhime bujqësore e
minerare dhe sillnin mallra industriale, kryesisht nga Italia. Në ballë të
fotos duket ndërtesa e asaj kohe e kapitanerisë së portit, ndërsa tutje me
vështirësi dallohet Dykatëshja e Qeverisë së Ismail Qemalit, mbështetur në një
ndërtesë tjetër që sot nuk është më. Në sheshin para duken mallra të ndryshme
në pritje të lëvizjes së tyre.
Një foto që pasqyron një çast
nga pritja në Vlorë e motrave të Mbretit Zog, është gjetur në AQSH, me autorësi
“Foto Rrota”. Ato paraqiten duke zbritur nga makinat para Bashkisë (sot Muzeu
Historik), ku shihet roja e nderit, autoritetet dhe banorë të shumtë. Aty u
pritën me nderime dhe nga kryetari i Bashkisë, poeti Ali Asllani. Në sfond të
fotos duket xhamia e Tabakëve (shembur më 1967) dhe djathtas, hotel “Gambino” (i njohur më vonë si “Moska” më pas si hoteli i kinezëve). Fotoja është e vendosur në një kornizë të mirë
kartoni. Dihet se ajo vizitë është e vitit 1937, kohë kur fotografi Gjon Rrota
kishte gjashtë vjet që ishte ndarë nga jeta. Nga vula eliptike në kornizë
dallohet vetëm pjesa e sipërme, “Fotografia Rrota”. Edhe i biri i fotografit,
Xhorxhi, mendojmë se nuk ishte në moshë për të realizuar foton, kështu mund të
hamendësohet autorësia e Ibrahim Shytit, gjë që pret vërtetim dokumentar.
Fotografitë e mësipërme futen edhe në gjinitë e fotografisë dokumentare dhe historike, mjaft të rëndësishme për studime të shumëllojta. Historianë, kërkues të fushave të ndryshme, si dhe njerëz të tjerë kureshtarë për të shkuarën e vendit, mund të gjejnë, tek fotografia dokumentare-historike, një burim të veçantë e të pagabueshëm njohurish, madje jo vetëm pamore. Në të përfshihen dhe fotot e dy shkodranëve, Kol Maca e Gjon Rrota, të cilët kanë fotografuar me dashuri në Vlorë gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të kaluar, duke lënë për brezat shenja (foto) të vlefshme historike mbi jetën politike e shoqërore, si dhe për natyrën dhe arkitekturën e qytetit të Flamurit.
![]() |
Gjon Rrota, Vlora, 1928 (Ark. P.Stefa) |
![]() |
Gra me shkarpa-foto Maca (Ark.P.Stefa) |
| ||||
Kol Maca-Varrimi i I.Qemalit 1919 (AQSH)
|