Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Rolet e krijuesit letrar

| E premte, 15.03.2013, 09:43 PM |


ROLET E KRIJUESIT LETRAR NË SHOQËRINË E SOTME DEMOKRATIKE

Shkruan: Demir KRASNIQI

Për të nxjerrë në dritë të botimit ndonjë vepër letrare , krijuesi letrar në shoqërinë e sotme demokratike , duhet që t’i luaj këto role , si vijon :

1.   Krijuesi robot ,

2.   Krijuesi lypsar ,

3.   Krijuesi patron dhe

4.   Krijuesi Baba Dimër

1.   Krijuesi robot

Gjatë kohës së hartimit , përpilimit dhe krijimit të një vepre letrare çfarëdo qoftë ajo, krijuesi , apo autori i saj duhet që me mish e me shpirt të angazhohet , të punojë , të mbledh materiale , të shkruaj, të kontrollojë veprën e tij deri në fazën përfundimtare , duke derdhur djersë e mund ditë e natë , madje edhe duke humbur shumë kohë e shumë net të pa gjumë , i cili vërtetë e luan rolin e një roboti të gjallë , duke iu shkuar në nerva edhe familjarëve të tij .

2.   Krijuesi lypsar

Pasi ta ketë përfunduar dhe rrumbullakuar punën e vet krijuese , tani krijuesi letrar do të detyrohet që ta luaj rolin e një lypsari modern , i cili do të trokas derë me derë nëpër miq , shokë ,firma, ndërmarrje , organizata , ministri ... për të kërkuar në formë të lëmoshës , para për financimin e shpenzimeve rreth botimit të asaj vepre , apo libri .

3.   Krijuesi patron

Pas nxjerrjes nga shtypi të veprës letrare – krijuesi , apo autori i asaj vepre , apo libri , vetëm një ditë do të jetë në rolin e një patroni të vërtetë , ku do ta organizojë promovimin e asaj vepre , për çka do të fton shumë miq , shokë, kolegë e dashamirë të librit .

Në këtë rast, aty do të vërshojnë edhe mjetet e informimit publik , diskutues, kritikë letrarë , figura të shquara publike , ku nuk do të mungojnë as drekat, darkat, koktejet dhe muhabetet e ndryshme .

4.   Krijuesi Baba Dimër

Fill pas aktit solemn të promovimit publik të veprës së botuar , autori , apo krijuesi letrar do të detyrohet që ta luaj rolin e një Baba Dimri , i cili çdo ditë do ta ngarkojë nga një valixhe të madhe mbi shpinë dhe do të trokas derë më derë , shkollë me shkollë, zyrë me zyrë , për t’ ua shpërndarë falas (gratis) veprën e vet, madje edhe duke ua shkruar kujtimet me nënshkrimet dhe autografet e veta personale, se si po bëhet zemërhapur , human dhe kavalier i kohës !

Pas të gjitha këtyre përpjekjeve, mundi , shpenzimeve dhe dhurimit të veprave gratis , dihet mirëfilli se sa do të lexohet, sa do të vlerësohet vepra dhe mundi i krijuesit dhe ku do të përfundojë vepra, apo libri i falur !

Gjilan, më 15.03.2013.