Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël me poezi nga Kostaq Duka

| E enjte, 14.03.2013, 08:05 PM |


Kostaq Duka

 

Ëndrra

 

E di

s’është e lehtë,

përderisa ka kaltërsi

por dhe qiell të vrerët të zi.

E megjithatë Njeri

ëndrrën barte

me krahë shpirti dhe trupi.

Mos e lësho

edhe kur humnera e zhdukjes

ta rrëmben edhe gjumin.

Mos e lësho!

Ëndrrën guximtarët e cojnë aty

ku vlerat barazohen veç me të.

 

Çast nga Shtëpia e Pleqve

 

“Faleminderit që më erdhe bir!”

100 vjeçari me mundim rrokëzoj

këto fjalë dalë prej shpirti.

Nipi dorën i vendosi mbi damarët blu.

Jashtë priste kadillaku

me padurimin e lëvizjes tutje, diku nëpër natë.

“Faleminderit bir!”

S’di pse këto fjalë më ngjanë

si një vaj e klithmë

që u perhap tej e tej në këtë shtëpi

stacioni i fundit i jetës.

 

Kërkoj djaloshin 20 vjeçar

Poetit e prozatorit desident, bashkëmoshatarit Visar Zhiti

 

Ai foli me gjuhën e vuajtjes, dhimbjes e shpreses

për liri të fituar

e më shumë të ëndërruar.

Unë tek e dëgjoja thosha:

Bëju te lutem një çast djaloshi kaçurrel, liriku rebel 20 vjeçar.

Dua t’u takoj si moshatar,

para se lirika juaj të kthehej në klithmë tragjike

e jeta te shndrrohej

deshmi e hidhur, rrenqethese e kohës absurde.

 

Dy dashuri

 

Baba - Atdhe

Nënë - Mëmëdhe

Dy dashuri,

në barazvlerë .

 

Por …nëse babanë e nënën dikush i çon edhe në azil

Mallkim per ate qe Dheun do ta nxjerre në treg të lire.

 

Miqve të mij nga Lindja

 

Të hallakatur,

xhepshpuar,

shpresa shumë.

Në Janinë, Athinë e Selanik

djemtë e vajzat e Lindjes,

u bënë turmë.

 

Irini nga Ukraina, Ivona nga Polonia

Nadja nga Rusia

Unë, Iliri, nga Shqipëria.

 

Dhe me zë rinor

të dashuruar pas lirisë thamë: S’ka më Lindje!

Dore për dore,

në përqafim,

buzë detit Egje dallgëzonim ëndërrimin.

 

Tani pas 20-vitesh

Mallin me ju e ndaj në Chicago, në Nju Jork,

në Romë, në Berlin.

Për botën flasim

sikur me të kishim lindur që në ditën e krijimit.

Gjithçka na duket e prekur, e arrirë.

Megjithatë me nostalgji kujtojmë

përqafimin kokë më kokë në moshën e dilemës, të rinisë

buzë detit Egje teksa dallgëzonim ëndërrimin……

 

Mërrija

 

Një nënë

s’e tremb vdekja

as plumbi i hakmarrjes së ligë.

 

Një nënë

e rrëzon për tokë lemerisht

mërrija e pjellës së vet.

 

Për të mos pasur sy të tillë

 

Në sytë e mjegulluar të një plaku

Trajtësohet pikëllimi për braktisjen e fëmijve.

 

Në sytë

Qiell ngrysur të një gruaje

Pikëzohet trishtimi

Për tradhtinë tinzare të një burri.

 

Në sytë

E tejzmadhuar të një fëmije

Dhimbëzon malli

Për prindërit që kurrë s’i ka parë.

 

Për të mos pasur sy të tillë

Sa shumë na duhet për t’u bërë më njerëz, më të mirë.