Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avdi Gjata: Manifestim me rastin e 7 Marsit

| E enjte, 07.03.2013, 07:13 PM |


Manifestim kulturorë me rastin e ‘7 Marsit’ Ditës së Mësuesit dhe 10 vjetorit të hapjes së shkollës fillore ‘7 Marsi’ në lagjen Kalabria në Prishtinë

Nga Avdi Gjata

Sot, më 7 Mars 2013, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë të mbushur për plotë me qytetar, nxënës, prindër dhe mysafirë të ftuar nga drejtoresha e shkollës ‘7 Marsi’ në Prishtinë, Fatime Mjekiqi-Ibishi, ku bashkërisht dhe në mënyrë të dënjitetshme , kremtuan ‘7 Marsit’ Ditën e Shkollës Shqipe, si edhe 10 vjetorin e fillimit të punës së shkollës, që mbanë emrin ‘ 7 Marsi’, në Lagjen Kalabria në Prishtinë.  Ndërtimi i shkollës, është ndihmuar dhe është donacion i shteteve mike arabe, ‘Reliefi Islamik’ që drejtoresha në fjalën e saj i falënderoj me fjalët më të bukura të shqipes.

Pjesëmarrësit me një vëmendje të veçantë, përcillen programin e pasur kulturorë-artistik, të organizuar e përgatitur nga mësimdhënësit, së bashku me nxënësit e shkollës dhe arsimtarët e shkollës. Përmbajtja e larmishme e programit, dëshmoj për punën e tyre dhe qëndrimin besnik të përmbajtjes së Ftesës, ku në mes tjerash ishte përcaktuar në programin e manifestimit.

Programi i larmishëm, me këngë, valle, recitime e humor u përcjell me duartrokitje të gjata nga pjesëmarrësit në manifestim të cilët fillimisht u përmbledhen në fjalën e rastit të mbajtur nga drejtoresha e shkollës Fatime Mjekiqi.

Ajo, të pranishmit i përshëndeti me fjalët: Të nderuar nxënës, prindër, mysafir e dashamirë të shkollës shqipe, mirë se keni ardhur  në këtë manifestim të organizuar nga mësuesit e shkollës dhe fëmijët tuaj për ditën e shkollës tonë që mbanë emërin ‘7 Marsi’

Sa herë që përkujtojmë ‘7 Marsin’, na bie ndërmend për përpjekjet e rilindësve shqiptarë të cilët ndër shekuj u munduan dhe punuan për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturën kombëtare që na e ruajtën me fanatizëm para ardhësit tanë, me vite e me shekuj të tërë duke derdhur gjakun dhe djersën e bijve dhe bijave më të mira të këtij populli të bekuar nga perëndia. Na, bie ndërmend edhe për librat e gjuhës shqipe, për mësonjëtoren e parë në Korçë, më ‘ 7 Marsit’ 1887,  me drejtorin e mësuesin e parë, Pandeli Sotirin dhe motrat Qiriazi.. Na bie ndërmend për sakrificën e mësuesve dhe luftëtarëve të lirisë të cilët gjatë këtyre 126 vjetëve u munduan ta ndihmojnë dhe ta forcojnë rriten e shkollës dhe zhvillimin e gjuhës e arsimit shqip që armiqtë e shqiptarëve, në asnjë periudhë nuk e ndalën luftën për asimilimin dhe zhdukjen e kësaj gjuhe të ëmbël hyjnore. Në fund, pas mbylljes së programit të pranishmit kishin rastin ta shikojnë ekspozitën e hapur të shkollës në hollin e sallës së kuqe të hapur nga arsimtarja e artit Hykë Rexhaj dhe arsimtari i informatikës Shaban Sopiani të punuara së bashku me nxënësit dhe nxënëset e shkollës fillore ‘7 Marsi’ në Prishtinë. Për nder të ditës së shkollës drejtoria e shkollës shtroi edhe një koktej rasti ku ishin të ftuar edhe kryetarët e Këshillit të Prindërve.