| E enjte, 07.03.2013, 08:31 PM |
FERIAL
VASILIT, MËSUESES TIME TË LETËRSISË NË GJIMNAZIN SAMI FRASHËRI
Mësuesja e letërsisë që ishte për mua edhe shenjtore edhe diell
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Këto
rradhë që po i shkruaj sot, unë i kam përsëritur me zë e pa zë, vazhdimisht, sa
herë që kam reflektuar rrjedhën e jetës time, pa ndërprerë. Ajo ka qenë me mua
gjithnjë pranë. Është njeriu që ka patur rolin më të rëndësishëm si pedagoge,
por edhe në fatin tim. Sado e çuditëshme që të duket. Unë asnjëherë nuk i kam
shprehur mirënjohjen direkt sy më sy dhe ajo ndofta ka ndjerë trishtim për
këtë, por unë e kam patur gjithnjë në zemrën time. I kam folur për të
Skënderit, djemve, sepse im atë dhe mamaja ime e dinin se sa e rëndësishme
ishte për mua. Mësuesja e letërsisë e Sami Frashërit. Ferial Vasili. Ferial
Vasili ishte për mua edhe si shenjtore dhe si diell, sepse më ka ndriçuar
rrugën, edhe më ka ngrohur në ditë shumë të trishta të një adoleshence gjithë
privime e terrori psikologjik, kur shoqet dhe shokët e klasës të largoheshin,
duke përfituar prej luftës të klasave, duke të treguar me gisht, pa asnjë lloj
keqardhjeje dhe dhimbshurije.
Ferial
Vasili, mësuese brilante, e dashuruar me letërsinë dhe me profesionin e
mësimdhënies ishte mësuesja më strikte e Sami Frashërit, në kuptimin se nuk
pranonte të ndikohej dhe nuk bënte lëshime për sa i përket vlerësimit të
nxënësve.
Për
Ferial Vasilin, dhjeta në letërsi duhej merituar. Nuk mjaftoje të mësoje
tekstet, të duhej pasioni, duhej të ishe i lidhur me letërsinë në mënyrë
shpirtërore, duhej ta doje lëndën që ajo e bënte për ta dashur. Atëhere po, e
meritoje dhjetën. Nëse ishe e talentuar, kjo ishte një plus, por të talentuarit
janë të rrallë.
Tek Sami
Frashëri, gjimnazi që i ka nxjerrë 80 % të klasës politike në Shqipëri,
nxënësit e donin dhjetën me çdo kusht, në kuptimin se studionin, se ishin më të
mirët në rrang të gjimnazeve të kryeqytetit, por me Ferial Vasilin nuk bëhej
shaka. Ajo ishte si balanca e drejtësisë dhe meritokracisë.
Klasës
tonë filloi t’i jepte mësim në vitin e tretë të gjimnazit. Përkonte me kohën
kur ndaj tim eti regjimi diktatorial kishte ndërmarrë një fushatë terrori, e
kishin hequr nga partia, e kishin pushtuar nga puna, ia kishin hequr të drejtën
e botimit, librat ia kishin bërë karton, dhe pasi i kishim shpëtuar internimit
për një qime, në një fshat afër Tiranës, i cili ishte tmerrësisht i izoluar,
dhe po të shkoje atje nuk ktheheshe i gjallë, pasi e kishin lënë pa punë, më në
fund e kishin dërguar të punonte si punëtor në repartin e plehrave të
Kombinatin Poligrafik. Mendoni, të gjitha këto që hiqte im atë kishin pasoja
direkte tek unë. Shoqet e ngushta më kishin braktisur, nuk më ftonin as nëpër
ditëlindje dhe kur kishim aktivitete më linin vetëm, disa herë ndonjë nga klasa
kishte arritur deri aty sa të më thoshte se mësoja kot, sepse nuk do të më
dilte shkolla. Për të shmangur sjelljen e pështirë të shoqeve, detyrohesha që
të ndryshoja rrugën për në shkollë, i bija sa më gjatë, edhe kur vija, edhe kur
shkoja isha vetëm. Ato janë të gjitha dhe asnjëra prej tyre nuk mund të më
pohojë të kundërtën.
Dikush do
të thotë se ashtu ishte koha. Po ishte koha, por në atë barbari që e hasje deri
tek sjelljet e adoleshentëve, kishte edhe njerëz me zemër të madhe. Ishin të
rrallë. Si mësuesja e letërsisë Ferial Vasili. Mendoni, në mes të atij cinizmi
të errët, për mua kishte një liman shprese. Në atë ferr dhe shëmti për mua
kishte edhe dritë parajse, në orën e saj të letërsisë.
Unë memzi
prisja që të kishim letërsi, megjithëse isha shkëlqyshëm në gati të gjitha
lëndët e gjimnazit, por në orën e letërsisë, unë fitoja dinjitetin e humbur nga
ajo që më ngjante në shkollë, sepse kishte edhe plot mësuese konformiste me
sistemin, që mendonin ashtu si mendonte partia. Pastaj kur erdhi demokracia ato
dolën me flamurin e demokracisë. Foklori shqiptar që vazhdon edhe sot e kësaj
dite.
Kur
filloi të na jepte mësim, në vitin e tretë të gjimnazit, ne si klasë ishim të
gjithë të ndrojtur në fillim, sepse ishte mësuesja me më autoritet e shkollës.
Ndërkohë, më kujtohet si tani, kur bëmë hartimin e parë. Tema ishte për
dëshmorët e luftës. Unë shkrova një poemth për Qemal Stafën. Erdhi edhe dita
kur kishim orën e korigjim-hartimit. Ishin dy orë të plota. Feriali i kalonte
hartimet tona me rradhë, bënte vërejtje, komentonim dhe kështu emër për emër.
Hartimi im nuk po dilte gjëkundi. Gjithë klasa kishte përfunduar pothuaj. Unë
në regjistër isha nga fillimi se emri më niste me gërmën „E“. Fillova të
shqetësohem. Kur nuk kaloi pak ajo më solli fletoren në bangën time dhe më tha:
„Lexoje Elida“! Unë kisha shtangur, më kishte mbetur fryma! Ferial Vasili
hartimin tim e konsideroi më të bukurin dhe më tha që t’ia lexoja klasës me zë
të lartë. Dhe ashtu bëra, nisa ta deklamoj me gjithë shpirt, sepse deklamoja
shumë bukur. Dhe atë ditë unë rilinda për të gjithë kohën që do të vinte
pastaj!
Prej asaj
dite, midis Ferial Vasilit dhe meje u krijua një lidhje shumë e bukur, e
sinqertë, njerëzore dhe unike. Asnjë nga shoqet e klasës, sado mirë që
prindërit e tyre i kishin marrëdhëniet me partinë e punës, nuk e kishte atë
lidhje speciale si kjo jona. Ferial Vasili e kishte zbuluar tek unë rishtas
vokacionin tim për të shkruar, të cilin unë e kisha zbuluar që fëmijë dhe ma
kishte varrosur pastaj po fëmijë nëntë pashë diktatura. Prej asaj dite, unë e
pashë letërsinë si dritare për të parë botën dhe si një lloj sfide. Ndërsa
Ferial Vasili ishte gjëja më e bukur që kam patur gjatë gjimnazit, periudhë
gjithë lot e vuajtje. Ajo më priste edhe në shtëpinë e saj dhe aty më tregonte
librat e babit, të cilat ishin hequr nga qarkullimi. Ajo më besonte mua aq
shumë, ndërsa unë e shihja si perëndi.
Raporti
me mësuesen time të letërsisë ishte i tillë, nga ata që nuk ka rëndësi nëse
shihesh apo nuk shihesh sepse, ishte një lidhje nga ato që zgjatin gjithmonë.
Pasi mbarova gjimnazin, nuk më doli e drejta e studimit, pa marrë parasysh
rezultatet e larta dhe vokacionin tim për letërsi e gjuhë të huaja.
Komiteti
ekzekutiv më dërgoi të punoja në fabrikën e pllakave në Kombinatin Josif
Pashko, në repartin më të vështirë, atje ku punonin ata që i kishte dënuar partia.
Pastaj fillova punë në varrezat e Sharrës, isha vajzë e re 18-19 vjeçare.
Punoja me dy turne, kur dilja në mëngjes ende pa zbardhur dita, në ditët e
ftohta të dimrit qaja rrugës, kur nuk më shihte njeri.
Kur një
ditë prej ditësh, aty afër kinema Partizanit, qe një paradite pranvere, si kjo
e sotmja, kur takoj Ferial Vasilin. U takuam me mall si nëna me bijën. Më pyeti
si i kisha punët. I tregova fill e për pe. I tregoja gjithçka, nuk i fshihja
asgjë. I thashë se ku punoja dhe se si ishte gjendja. Më pyeti nëse im atë
kishte njohje me një person, dhe kur i thashë po, më tregoi se ishte një vend
pune bosh, dhe ai personi mund të më ndihmonte. Ishte fjala për arkivin e
Istitutit të Kulturës Popullore. Unë i ndoqa fije për pe këshillat e saj. Dhe
nisa aty punën e aty u takova për herë të parë me magjinë e Ciklit të
Kreshnikëve. Prej aty m’u krijua mundësia të ndiqja Universitetin për
Gjuhë-Letërsi dhe jeta të merrte rrjedhën që mori, ndërkohë që Muri Berlinit
ishte përmbysur dhe kishin lindur shpresa për të gjithë të pashpresët.
Ndërkohë
Ferial Vasili ishte fataliteti mrekulli i adoleshencës time plot vuajtje e lot,
që vazhdon e më ndjek kudo, në profesionin tim si gazetare, në krijimtarinë
time, në jetën time si bijë, grua e nënë. Ajo është me mua përherë. Mësuesja e
letërsisë në gjimnazin Sami Frashëri ! Ajo ishte për mua edhe shenjtore edhe
diell!
Pastaj jeta i ndau shqiptarët. Ajo ndofta ka menduar me keqardhje se unë mund ta kem harruar, por unë e mbaj përherë në zemrën time. Mësuesen time të letërsisë. Në gjimnazin Sami Frashëri.