| E diele, 03.03.2013, 11:38 AM |
z.
Kryetar i Kuvendit,
Zonja dhe
zotërinj deputetë,
Të
nderuar familjarë të të rënëve,
Një motiv
shumë i fuqishëm që më nxiti të flas sot, përveç atij kryesorit, të kërkimit të
drejtësisë, është ofendimi i rëndë që kam ndjerë më 10 shkurt 2007, në
periudhën pasuese, e që vazhdoj ta e ndjej edhe sot. Ofendim që i është bërë
vendit tim, popullit tim dhe mua si pjesë e tij. Dhe ky ofendim është bërë nga
UNMIK-ut dhe strukturat e tij përgjegjëse për atë që ka ndodhë atë ditë. Unë,
personalisht, kam qenë pjesë e asaj demonstrate, përmes së cilës kam dashur ta
artikuloj pakënaqësinë time me atë që po ndodhte e që po i përgatitej Kosovës.
Si pjesëmarrës i këtij manifestimi protestues, mund të dëshmoj se në asnjë
moment nuk ka pasur veprime e rrethana që do ta justifikonte një ndërhyrje të
tillë brutale, shtazarake nga ana e strukturave të UNMIK-ut. Kjo ndërhyrje ka
qenë jashtëzakonisht e ekzagjeruar dhe në shpërputhje të plotë me shkallën e
nevojshme për ruajtjen e sigurisë. Por kur kësaj i shtohet vrasja e dy
njerëzve, në rrethana krejtësisht të pajustifikueshme, atëherë poshtërimi
arrinë kulmin.
Ofendimi
më i madh vjen nga mënyra se si jemi trajtuar ne si popull në përgjithësi dhe
si demonstrues në veçanti. Për fat të keq, shumë pjesëtarë të strukturave
ndërkombëtare këtu, Kosovën e kanë konsideruar si oazë afrikane në Evropë. Dhe
në këtë mënyrë, disa prej tyre, edhe janë sjellë ndaj nesh, duke na konsideruar
si rebelë të pashpresë, njerëz të paaftë për t’u sjellë në liri dhe për të
menaxhuar me veten. Janë sjellë edhe pa ndjenjën më të vogël njerëzore e të
përgjegjësisë. Dikujt mund t’i duket e ekzagjeruar, por, për fat të keq, kjo po
vazhdon të ndodhë edhe sot. Kemi dy njerëz të vrarë, pa kurrfarë prove
justifikuese, dhe ende, pas 6 vjetësh askush nuk është vënë para drejtësisë për
këtë krim mizor. Përkundrazi, për ironi, kriminelët janë dekoruar! Po sikur
këta policë të kishin vrarë një qytetar të një vendi tjetër, të fuqishëm
evropian, athua do të ndodhte e njëjta gjë? Përgjigjen për këtë, ju lutem, le
t’ia themi secili vetes, në mënyrë që të jemi më të sinqertë.
Të nderuar
deputetë,
Kosova
nuk është duke jetuar në mesjetë dhe qytetarët e saj nuk janë skllevër që të
konsiderohen si gjëra që flasin. Në qoftë se ne heshtim dhe dorëzohemi para
atyre që na trajtojmë si të tillë, ne do ta meritojmë atë trajtim. Prandaj, detyra
jonë është që si institucione të këmbëngulim dhe t’i shfrytëzojmë të gjithë
mekanizmat politik e juridik për t’i mbërthyer kriminelët para drejtësisë. Në
këtë betejë për drejtësi nuk humbë asnjë popull, asnjë institucion. Në këtë
betejë humbë vetëm padrejtësia.
Nuk ka
dyshim që faktori ndërkombëtar është shumë meritor që Kosova sot gëzon këtë
liri. Por, këtë liri nga pushtuesi nuk mund të lejojmë ta paguajmë me çmimin e
lirisë kolektive e individuale për të shprehur bindje politike. Lirisë për të
dalë, si qytetarë të Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë përmes manifestimeve
të ndryshme protestuese. Është çmim shumë i lartë. Në qoftë se liria nga
pushtuesi, pra e drejta për jetë, nuk e nënkupton edhe të drejtën për jetë më
të mirë, thjeshtë, nuk e ka vlejtur të përpiqemi për të!
Faleminderit!
Agim Kuleta, deputet i LB-së në Kuvendin e Kosovës