| E diele, 03.03.2013, 11:00 AM |
Shteti që
nuk e kemi...
Nëntitulli
i parë: Violina e Nastradinit dhe paralajmërimi i vjedhjeve në zgjedhjet 2013
Nëntitulli i dytë: Grishje Kosovës t’i rrijë larg modelit qeverisës të Republikës së Shqipërisë
Nga Vangjush Saro
Përherë e
më keq ndjehem ndërsa jam i shtrënguar të shkruaj në mënyrë kritike për vendin
tim. Një nga çështjet që po bën bujë këto ditë në Shqipëri, është ajo e vrasjes
së një komisari policie dhe pastaj flagranca e lidhjeve - të dokumentuara e të
stampuara në fotografi - midis një individi tashmë nën hetim për atë vrasje dhe
(siç thuhet) kupolës së Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë. Përmes
përcaktorëve të Republikës së Shqipërisë
përpiqemi të dallojmë këtë të fundit administrativisht nga Kosova, ku -
shpresoj - ende nuk ka kaq shumë peshë e keqja.
Por le të
kthehemi te individët që drejtojnë shtetin shqiptar dhe policinë shqiptare,
drejtësinë, zgjedhjet…Çfarë mbetet tjetër? Në fotografi, mund të shikosh njerëz
të ngrefur, me fytyra të lumtura, të anjtur nga koka dhe nga trupi, a thua
rrinë gjithë ditën nëpër tavolina të shtruara…Për dreq, ka ikur edhe ajo kohë
kur ne shqiptarëve çoç na dukej një drekë a një darkë disi e bollshme. (Deri
vonë, dëgjoje në Tiranë që të flitej...ishim për drekë këtu dhe...hëngrëm një
darkë atje…Ç’provincializëm! Jeta dhe karriera në një llokmë mishi.)
Ç’më më
thoni për për Fatmir Mediun? Ka sy e faqe e flet për zgjedhje e për ku di unë
çfarë. Pa le, e ftojnë edhe në Mëngjesin e Lutjeve(!) Kështu ndodh kur askush
nuk e çon Gërdecin në Strazburg dhe kur atje tek vdiqën 26 njerëz, ca të tjerë
votojnë sërish për ata që iu vunë zjarrin. Ç’më më thoni për Ilir Metën? Të
gjithë shqiptarët panë një video të regjistruar nga bashkëpunëtori i tij më i
ngushtë, Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, ku bëheshin
pazare të turpshme. Megjithatë, u desh një debat i gjatë (dhe i kotë) për
ekspertizën e videos. Ekspertë amerikanë dhe britanikë e gjetën atë origjinale.
Por nuk ishte i këtij mendimi...eksperti shqiptar. Dhe sidomos drejtësia...
Ç’më
thoni për Edi Ramën? Mbaj mend, kur ishte Ministër i Kulturës, foli për “kthim
në identitet” dhe për një zonë origjinale të Tiranës së kahershme, që nuk do të
prekej. Çka po thua, more burrë! Është bërë Tirana Kandahar nga ndërtimet pa
lejë. U ngrit ai biznesmeni Dine Fratari dhe e akuzoi publikisht për aq e
kaq...
?
Më vjen
ndërmend një moment i pakëndshëm nga koha kur punoja në gazetën “
“Armiqtë”
dhe ata që “nxijnë realitetin” nuk kanë të mbaruar. Vështroni ç’ndodhi këto
ditë. Kryeministri akuzoi gazetarin Marin Mema se...Nuk e di përse, por dikur,
në kohën e socializmit, kjo quhej tamam kështu, “nxirrje e realitetit”; dhe
dënohej. Gazetari iu përgjigj kryeministrit (që siç thamë, kapet me kë të
mundet) duke risjellë pamje të rënda të zonave të lëna pas dore në Shqipëri:
Njerëz që marrin ushqimet me lista, të tjerë që ende vuajnë për...drita, lumenj
të shfytyruar, pyje të shkatërruara, shkolla skandaloze e të papërdorshme, muze
që kërcënohen nga ndërtime pa lejë si edhe vjedhje e shkatërrime të pasurive
kulturore, rrugë rurale si në kohën e shpellave, e të tjera këso, dhjetra fakte
për të cilat nuk ndjehemi mirë. Nuk ndjehemi mirë, sepse vizioni ynë është përtej
rafshit ku janë shtruar, hanë e pinë, vjedhin dhe gënjejnë...klanet që
drejtojnë sot Shqipërinë.
Më në
fund, këto kohë, ka filluar e flitet për “përpunimin” e zonave zgjedhore
(përfitimi nga mandatet e sajuara), rikujtohet çështja e “rritjes” së popullsisë
së Kukësit, thuhet se kemi tashmë një vendim të fshehtë të qeverisë për
pasaportizimet...E dinë të gjithë atë anekdotën me violinën e Nastradinit,
avazi i së cilës do të dëgjohej “të nesërmen”. Duhet të jesh i trashë që të mos
e ndjesh paralajmërimin për vjedhje në zgjedhjet 2013. I kthehemi edhe njëherë
shqetësimit të Ambasadorit të SHBA-ve…për shmangien e situatave të prekjes së
rezultatit duke futur në lojë, shtigje dhe dredha ligjore të lodhshme, të cilat
ai i ka përcaktuar si “torturuese për logjikën”. Sipas përcjelljes që disa
gazeta i bëjnë këtij lajmi, SHBA dëshirojnë qartësisht “të shmangen situata si
ajo e Bashkisë së Tiranës, ku rezultati u përmbys duke e futur në një “spirale
ligjore” torturuese”. E megjithatë, nuk dihet nëse do të kemi një monitorim
real dhe ndërhyrje penguese, apo prapë do të dëgjojmë fraza këso: “Zgjedhjet
ishin...ato...shënuan një përparim...ishte një hap disi para...” Dhe nën zë:
“Shqiptarë, hëngërshi kokat!”
Në gjithë këtë argument, shpesh hedhim sytë te panorama që na shfaq herë pas here Kosova. Nuk dimë në detaje ç’po ndodh atje; ka shumë shkrime kritike edhe për drejtuesit e shtetit më të ri në Evropë; lexojmë fraza të rënduara nga vreri, ndonjëherë shkruesit e zhveshin keq shpatën...Nuk kemi asgjë në dorë, përveçse ta grishim Kosovën dhe administratën e saj, përfshirë Policinë e Drejtësinë, pse jo edhe mediat, t’i rrijnë larg modelit qeverisës të Republikës së Shqipërisë. Me dhimbje. Madje, më vjen keq që e ceka sërish problemin e rrahur te shkrimi “Shteti-amë si shembull i keq”, por nuk gjej pamjen e duhur për të thënë vetëm gjëra pozitive. Ani. Një fjalë e urtë e popullit tim, thotë: “Ai që të shan, të do...”