| E shtune, 02.03.2013, 11:36 AM |
ELIDA
BUÇPAPAJ - VETVETJA NË POEZI DHE NË PËRJETËSI
-Shënime për veprën poetike “Unë jam e përjetshme”, botoi OMSCA-1 në Tiranë-
-Poetja Elida Buçpapaj – kjo vajzë korçare, nuse tropojane, qytetare e Shqipërisë e Zvicrës, emigrante politike e Tiranës zyrtare dhe e Europës së Bashkuar – është poete e botës, me zërin e saj tokësor e qiellor, me individualitetin e saj jetësor e poetik, me fondin e saj fletëhapun e vrellarrjedhë kristaltë, me vargveprat e saj poetike, tek ma e para e deri tek kjo e sotmja “Unë jam e përjetshme”-
NGA RAMIZ LUSHAJ
1.
Si astenji shembullim tjetër bashkëkohor shqiptar, zonja mediatike Elida Buçpapaj, ka një shtatrritje të trefishtë në vite dhe në personalitet poetik: Vajzë e poetit historik, lirik, atdhetar – Vehbi Skënderi, i dekoruem nga Presidenca e Shqipërisë së tij me titullin e lartë të nderit “Mjeshtër i Madh” dhe i cilësuem me të drejtë nga kryeministri aktual prof. dr. Sali Berisha si “personalitet i letrave shqipe dhe i mendimit intelektual shqiptar”. Nuse e poetit emblematik – Skënder Buçpapaj, një “Uollt Uitman shqiptar”, një kreshnik i fjalës poetike në Alpet shqiptare e zviceriane. Vet Elida poete, në udhaecjen e saj në këtë truall poetik familjar, në hapakrahë të këtyne dy majemaleve poetike, në pengesat e lartësitë e kohës, ujëvaron me rrjedhën e vet krijuese dhe në fjalahapa të pandalun shtatmatet me gen e penë me këta dy emra të mëdhenj që asnjani të mos i bajnë eklips opinional tek të tjerët dhe të mos mbetet në hijen e tyne.
Në
përditje e stade kohore, veçmas në dy vëllimet poetike të njipasnjishme në
muajt e fundit, ia ka mbrri të ketë universin e vet poetik, diellin e vet
poetik, individualitetin e vet poetik. Përndryshe, Elida Buçpapaj në jetë e
përtej jete, në gene gjaku e pragu – si bijë e nanë, në adhurim e me mirënjohje
iu përket të dyve (të atit dhe bashkëshortit të saj), veçse në vekin e vet
poetik, në pajën e saj poetike për lexuesit, është Vetvetja.
Kësisoj,
në një farë mënyre të drejtpërdrejt, Elida - kjo poete e njohur, qyshse me
librin e parë “Vij” trokonte e heponte me ngulmim, ravijëzime e nivelime për të
qënë e mbet Vetëvetja. Në hulmet e gurrat poetike të vëllimit tjetër, i dyti i
rradhës, rivjen me unin e vet poetik, me frymëmarrjen e vet poetike, si për t’i
prapëthënë muzës së saj, vargut të saj, lexuesit të saj: “Unë nuk jam e përjetshme”,
por Vetëvetja.
Treshes
poetike: Skënder Buçpapaj, Vehbi Skënderi, Elida Buçpapaj, dikund e dikah në
hapaecje të demokracisë iu diellet rruga e vendlindjes dhe e mërgimit, ashtu
sikurse dikushi e askushi nuk mungon e nuk priton me iu mbrapshtue me gurna e
ngrica. 18 vite jetë në tranzionionin shqiptar dhe në azilin zviceran ia shtynë
librin e tretë: “Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit” (2012). Realisht tek ky
vëllim poetik është krejtësisht Vetvetja. Ndoshta dhe kjo pritje kaq e gjatë do
të përforconte vetëm një fjalë: Vetvetja.
Kjo
vërtetësi e identitetit poetik të saj e merr natyrshëm vulën e kohës
bio-poetike tek vargvepra ma e fundit: “Unë jam e përjetshme”.
Tashti
Elida Buçpapaj është më shumë se Vetvetja në krijimtarinë poetike. Kjo poete po
vjen e motivueme dhe e pozicionueme, e vlerësueme dhe e kërkueme, si një
avangardë në krijimtarinë poetike të kohës sonë, jo veç në vrellalumin e
poeteve femna.
Poetja
Elida Buçpapaj është një princeshë e poezisë moderne shqipe.
2.
Tek
vëllimi “Unë jam e përjetshme” poetja Elida Buçpapaj me letërnjoftimin e vet
poetik ndjehet e tillë - e përjetshme: për vet udhëtimin e saj të veçantë në
jetë e në letërsi, për vet progresin e shenjuem të shekullit të ri.
Tashma e
ka dëshmuar me artin e vet se bota planetare është e saj, sepse nuk ka forcë
politiko-ideologjike si në diktaturën e kuqe komuniste që të ndalte të drejtën
e botimit, të kufizonte liritë e fjalës poetike, t’i çonte librat e ndaluem për
karton. Tek poezia “Ky perëndim dielli” na flet për Adriatikun e Jonin, malin e
Dajtit e liqenin e Pogradecit, por edhe për “diellin brazilian, haitjan…”,
“liqenin Miçigan në Amerikë”, etj. (fq.113-114), ndërsa tek poezia “Jam duke
pritur shiun” flet për konfliktet në Kosovë, Irak, Afganistan, Bosnje, për
Pranverën Arabe (fq. 127-128), etj.
Poetja e
përveçme Elida Buçpapaj me atributet e kontributet e saj të derisotme i jep të
drejtë vetes dhe koha i jep të drejtë asaj të jetë e përjetshme, sepse në
fillimet e demokracisë së re shqiptare ishte korrespondente e radios “Zëri i
Amerikës” duke shpërndarë në eterin e globit fjala-zërin e saj për ecuritë e
vështira dhe arritjet e mira demokratike në Shqipërinë postkomuniste, një nga
vendet më të izolueme, më të varfëra, më diktatoriale të botës.
Kjo poete
emigrante, prej vitit 1998, jo pak, po një dekadë kohë, ishte
redaktore-koluministe tek gazeta kombëtare – ma e madhja media shqiptare: “Bota
Sot” në Zvicër, që shpërndahej shpejt e pandalun në Kosovën e Lirë, në Europën
Perëndimore (Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Austri, Itali, Hollandë, etj.), në
Tempullin e Demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prapë fjala e saj
e shkrueme dritëron në kombëtaren “Bota Sot” tue pasqyrue kohën e sotme e
kombin e përjetshëm shqiptar.
Elida
Buçpapaj është e përjetshme. Ndoshat ndokush don argumente. Nuk mungojnë. Aq ma
mirë – nuk janë të pakët. Kjo është një përkthyese aktive, produktive,cilësore.
Në shtypin shqiptar të letrës dhe elektronikës si në ato të Tiranës,
Prishtinës, Shkupit, Podgoricës, në ato të Diasporës shqiptare në Zvicër,
Amerikë, Athinë, Itali, Australi, Kanada, Belgjikë, Suedi… vijnë majemalet e
poezisë botërore, si: Thomas Stearns Eliot, Carlsandburg, Rabindranath, Tagore,
Wislawa Szymborska, Uilliam Blake, Edgar A. Poe, Guillaume Apollinaire, Arthur
Schnitzler, Jorge Luiz Borges, Cesare Pavese, Jacques Marqucz, etj., etj.
Gjithsesi
nuk po due me e heshtnue edhe një tjetër argument, që gjithsesi nuk është i
fundit: Gazeta elektronike “Voal Online – Zëri i Shqiptarëve”, elitare në
llojin e vet, që ta jep botën në pëllëmbë të dorës, që ta sjell para syve
Shqipërinë Londineze, Kosovën sovrane, Luginën e Preshevës (Kosova Lindore) me
krahinën e Sanxhakut të okupuem nga Serbia, Malësinë nga Ulqin në Plavë-Guci të
okupuem nga Mali i Zi, Çamërinë me rrethina shqiptare të okupueme nga Greqia.
Aty shqiptarët e botës pikapjekën me njani-tjetrin. E kjo gazetë e
përminutshme, përcjellëse e lajmit më të shpejtë shqiptar e (ndër)kontinental,
drejtohet me profesionalizëm nga dyshja që janë një e përbashkët: Elida e Skënder
Buçpapaj.
3.
Diçka
duhet të kemi të kthjelltë: Elida Buçpapaj nuk është e përjetshme se iu ka
mbushur mendja asaj ta deklamoj botnisht në titullin e varglibrit të rradhës.
Ajo është e mbetet e tillë nga vet-mbushjet e mëdha shpirtërore, intelektuale,
poetike…të saj, nga vet-përmbushjet misionare të saj si qytetare, si nanë, si
krijuese, si veprimtare e letrave shqipe, si përcjellëse e vlerave
(ndër)kombëtare letrare.
Në magjen
e saj krijuese brumapjeket mirësisht poezia engjëllore “Magjia” (fq. 77-79)
teksa artnon vargjet e bardha: ”Me “Labeatin”/ notojmë/ përgjatë rrjedhës/ së
Drinit/ nëpër Dardani/ dhe në frymëzimin e saj mirëkrahason “anija luhatet si
djep”. Mrekullisht i portretizon shumëdimensionet e saj: “jam Zana/ Tanusha/
apo një dhi e egër/ e pakapshme/ shkrepëtimë/” dhe “jam Orë/ në gji kam
qumësht/ të trashë/ të bardhë/ real”. Kjo poete tue udhaec krenarisht me anije
përmes liqenit të Komanit, bash në trevën gjimbajtëse të Eposit të Kreshnikëve,
na e paraqet vetëveten sa tokësore edhe qiellore, sa mitologjike edhe reale.
Kjo,
poetja Elidë, jo se don të paraqitet si frymëzim çasti në këtë poezi të saj, po
ndjehet prej hejcekuri përjetim real i Tanushës të Eposit legjendar të
Kreshnikëve. Ajo është Tanusha e mirë e kohëve moderne. Njejtësisht e
denjësisht është vajza e një “krajli poet lirik”- Vehbi Skënderit, nga një
familje korçare me tradita atdhetare e fetare. Babain e saj, poet i rrallë,
partizanin me dy plagë në trup, me disa vepra poetike të mbrrime, nuk e deshti
të tillë koha e komunizmit enverian, ndaj çuen për dënim politik në veprën
ndërtimtare energjitike të Fierzës – aty ku Drini bigohet me Valbonën. Për
koinçidencë: pak kilometra ma andej shtrihet në një rrafshinë të plantë Tplani
– vendlindja e “Dinastisë poetike Buçpapaj”.
Poetja
Elida Buçpapaj, kjo Tanushë shqiptare kërkon Kreshnikun e saj në një histori
tjetër moderne. Dhe ai vjen: erdhi nga Toka, zbriti nga Qielli, e solli Dielli.
Nuk e di. Diçka e kam të sigurtë: Ai ishte kreshniku poetik, jo veç nga shtati
tipik malësor dhe nga artfjala e veçantë poetike, po edhe i lindun dhe i rritun
në trevën e Eposit të Kreshnikëve, në Malësinë e Gjakovës, përndryshe: Malësinë
e Mirë. Ai ishte Skënder Buçpapaj, një kreshnik i kohës moderne, një nga lisat
poetikë rrënjadegë në kohëna; që e deshën larg të gjitha rregjimet kuq e blu,
një mal që e ban vendin e vet në rritje, që i lumturohet idealisht
vetësakrifikimit shpirtëror, poetik…biblik për të Tjerët, që ata të mos vuajnë
nga dhimbja dhe krenaria.
Kjo
Tanushë shqiptare, në një epokë moderne, në një kohë me frymëtime demokratike,
në një jetë më vuajtje e shpresa, vjen si Nanë në një trevë me histori e
kulturë të përjetshme. Edhe vetë është e përjetshme edhe për këtë fakt hyjnor:
Nana Elidë i jep jetës jetë me të dy djemtë e saj: Prizrenin dhe Endritin, si
dy yje me kulturë bashkëkohore, të dhanun pas ditunisë, përkthimeve,
vendlindjes së prindërve. Nana Elidë, poetja Elidë, në poezinë “Magjia” ndjehet
jetësore e hyjnore teksa “nxjerr gjirin dhe mënd” ushqen Prizrenin e paksa
rritun dhe “Endritin / ende të palindur”/ dhe për ma tepër legjendarizon
realen: “pik-pik / pikon qumështi / në bashin e anijes / dardane / me emrin
“Labeat’’’/. Si në Eposin e Kreshnikëve kur Zanat i jepnin fuqi Mujit me
qumështin e dhive të egra, kur iu prinin Orët në beteja… edhe Elida, nana “me
gjirin plot qumësht / të bardhë / të bukur / dhe poetja me fantazi të ndezun
reale të rrugës së qumështit deri tek Kashta e Kumtrit dhe tek “Theqafja e
Drinit” na dijenon se “jam Nëna / Ora / Zana / dhija e egër / probatesha e tyre
/ dhe kreshnikët e eposit të lashtë, siç artnon nëna-poete “kanë dalë / e më
presin /në “Theqafje të Drinit”/ kërshe më kërshe /(duhet ma shqip – shkëmb më
shkëmb, shënim nga R.L.)/dhe më presin / me nderim”/. Dhe patjetër kreshnikët e
rinj të bjeshkëve të Eposit të Kreshnikëve, të Etnosit Shqiptar, do të jenë
edhe dy djemtë e saj, nipat e mbesat e saj.
Elida
Skëndëri si talent u shfaq shumë herët në amzën poetike familjare. Rruga
poetike e Elida Buçpapajt (Skënderi) mbetet tepër e gjatë, e përjetshme. Kjo
poete nuk ka veç një poezi “Magjia”, po vet krijimtaria e saj është magjike kur
buron si krijim hyjnor, si hymn jetësor, si yllsim i realiteteve. Në
krijimtarinë e saj poetike e publicistike ka fuqi ajzberige magjike për të
shpreh dhimbje e krenari, ka një fuqi ullake magjike për t’iu kundërvënë deri
në rebelim rrjedhave të padrejta të jetës, ka një fuqi flakadane magjike ndaj
mbrapshtinave që i vetarsyeton në segmente apo klane të politikës së ditës e të
kohës.
Kjo që po
e ceki në përmbyllje nuk është aspak e tepërt: Nëse poetja Elida Buçpapaj është
shumëdimensionale në legjendarizim të vargjeve në poezinë - hymn i jetës
“Magjia”, ku ndjehet si Nanë, si Zanë, si Orë.., ajo duket se ndjehet e tillë,
realisht shumëdimensionale, edhe në jetën e prejardhun, të sotme dhe të
përtejme të saj. Edhe në vargveprën e saj poetike: “Unë jam e përjetshme”.
Ajo është
shumëdimensionale, se është poete, është përkthyese, është publiciste, është
botuese, është kulturologe, është veprimtare e shoqërisë civile, është… Padyshim
është një nga simbolet e kohës që rrezaton vlera e visare për brezat. Padyshim
është një nga femnat model që dëshmojnë fuqi e lartësi për kohën e sotme.
Sigurisht është dhe mbetet Vetëvetja në poezi e në jetë, në Atdhe e në Mërgim,
në lodhjet e në lumturinë e saj, në dhimbjet e në krenarinë e saj.
Poetja Elida Buçpapaj – kjo vajzë korçare, nuse tropojane, qytetare e Shqipërisë e Zvicrës, emigrante politike e Tiranës zyrtare dhe e Europës së Bashkuar – është poete e botës, me zërin e saj tokësor e qiellor, me individualitetin e saj jetësor e poetik, me fondin e saj fletëhapun e vrellarrjedhë kristaltë, me vargveprat e saj poetike, tek ma e para e deri tek kjo e sotmja “Unë jam e përjetshme”. E thonë latinët: “Heronjtë vdesin një ditë, po shkrimtarët, poetët e historianët nuk vdesin kurrë”. Ata janë të përjetshëm në breza. Ata janë përjetësia e kohnave.