| E shtune, 02.03.2013, 11:16 AM |
Ankthi i një nëne kur rriten bijtë
(Refleksione rreth romanit “Ankthi i një Nëne” të Laureta Tragaj)
Nga Agim Bajrami
Një
nënë që provon momentet e largimit prej
saj të fëmijës së dashur dhe të porsa
rritur në udhët e panjohura të jetës , ndonjëherë më ngjan me siluetën e
shqetësuar të një peme që porsa ka
pjekur frytet e saj të parë. Ndonëse janë dy gjëra dhe materie krejt të
ndryshme, proçesi i ndarjes dhe ballafaqimit
të tyre me arealin dhe botën që i
pret, patjetër shoqërohet me një ankth
të bukur nëne. Cila do të jetë bota ku ata do të jetojnë dhe ballafaqohen këtej e tutje? Si do ti presë ajo botë? A do
të jenë ata vallë të aftë të ambientohen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët
me të? Natyrisht, këtë pyetje
ekzistencialiste ia bën çdo fëmijë nënës së tij porsa fillon te thithë ajrin e
habitatit të tij të ardhshëm. Në mungesë të fjalëve, fëmijët kanë zgjedhur të
qarat e para dhe belbëzimet. Dikush ka thënë se kur fëmijët rriten, fillojnë
dhe ankthet e para prindërore. Unë nuk po gërmoj se kur duhet të ketë dalë kjo
e thënë, ndofta në kohën e Adamit dhe
Evës, në kohën e arkës së Noes a ndofta edhe më parë. Ky është shkaku mendoj
unë që një nënë që rrit një fëmijë, është më shumë shenjtore se sa e bukur ,më shumë e menduar dhe filozofe se
sa gjithë filozofët e botës së bashku. Ndofta ky është shkaku që kur ajo shkon
në udhë, së bashku me fëmijën e saj për dore, të gjithë njerëzit kthejnë kokën
pas dhe ngjajnë më të bukur nga kalimi i saj.
Më dolën
vetëvetiu dhe së brëndshmi këto mendime sapo mora në duar romanin e dytë të
Laureta Tragës, kësaj gruaje të qetë dhe të heshtur, por edhe një prej
narratoreve më të mira në vendin tonë. Duke u ngrohur Brenda frymës së saj prej
nëne të lumtur dhe të shqetësuar, të krijohet
menjëherë përshtypja se je duke u bërë pjesëmarrës dhe dëshmitarë i
zgjerimit për një cast të vetëm të dimensionit të botës ku ti jeton. Kur lind
një fëmijë, sipas frymës nëntekstuale të autores tokës i rri i ngushtë qielli
që ka mbi vete dhe stinët ngjajnë 100-fishë më të bukura, dhe jo vetëm kaq. Për
metaforën qëndrore të romanit “ Ankthi i një Nëne”, lindja dhe përgatitja e një
fëmije për jetën jetën, përveçëse një akti të thjeshtë prindëror, është në vetvete edhe një festë
për mbretërinë e pafundme të së ardhmes si dhe një rrotullim disi më ndryshe i
botës që e pret atë. Për këtë arsye, struktura e romanit i ngjason rrjedhës së
pareshtur të gjakut në venat që furnizojnë dy zemra të lidhura
pazgjidhëshmërisht me njëra -tjetrën, asaj të nënës dhe fëmijës që ajo rrit dhe edukon me frymën e saj. Është një
strukturë që ngjan si e krijuar nga një
fotografim i çastit, ku realja dhe magjikja të shkrira aq ngushtë me
njëra-tjetrën, janë të vështira të dëshifrohen duke u marrë të ndara prej njëra-tjetrës. Autorja e ka
shkruar këtë vepër jo nën diktatin e ankthit dhe frikës për atë se ç’mund
ti ndodhë një fëmije në udhë, por nga
magjia e pa treguar e të qenurit nënë. E bindur se duke dhënë artistikisht
momentet më të bukura të marrëdhënies së
përditshme të një nëne me fëmijën, autorja shtron thjesht dhe bukur përpara
syve të botës dhe lexuesit pyetjen se ç’është një fëmijë, njeri i zakonshëm apo
ëngjëll? Dhe pa pritur ndonjë mendim nga të tjerët e urdhëruar nga zërat e saj
të zemrës, ajo anon më shumë nga kjo e dyta. Vetë leximi dhe zberthimi i
tekstit të këtij romani frymor, arrin të ndërtojë përpara nesh një dimension të
pamatë dashurie dhe krenarie për emrin dhe figurën e dashur të nënës, për
misionin e saj të madh në këtë jetë si krijuese dhe transformuese e të sotmes. Liria
është një nga pasuritë më të mëdha që mund ta ngrejë dhe përsosi deri në
perfeksion misionin e saj kaq të vyer. Vetëm nëse je i lirë, thotë autorja,
mund ta kuptosh madhështinë e qënies tënde. Nëse ajo rritet brenda teje, askush
nuk ka forcë ta shkulë këtë pemë gjigande që ti e mban dhe e rrit brenda vetes. Për lirinë e fituar nuk
ekziston ndëshkimi pasi nuk ekziston
asnjë armë që ta godasë atë. Ajo i gëzohet ndryshimeve të herë pas hershme,
duke kapluar një pafundësi shtigjesh dhe sërish kthehet brenda teje, duke të sjellë harenë që e bën botën të
duket e praruar.
Kaligrafia
e heshtjes me gjithë pamjen e saj të bukur dhe impresionuese, në fakt në këtë
roman është e rreme. Sepse duke monologuar për veten, autorja padashje ka
zgjuar në fund të oqeanit stuhinë. Është një stuhi prej dashuri gruaje dhe
dhimbshuri nëne, të cilat kur bashkohen bashkë janë të papërballueshme. Në
roman ka një përbërje elementësh të shumtë, që nga ata kozmogonikë siç janë
yjet, universi, dielli, drita e deri tek glob i vogël që qëndron mbi tavolinën
e fëmijës ta sapo rritur. Pa to nuk mund të kuptohet aspak perspektiva dhe rritjae tij.
Është një udhëtim i vështirë dhe plot të papritura sin ë një përralë të
vërtetë.Duke marrë paksa prej lëndës së
saj, ai do ta kishte më pak të vështirë
daljen nga pelenat dhe zgjidhjen e pyetjeve që i gëlojnë në kokë në momentin e
prekjes së botës me duar. Çdo nënë thotë autorja, edukon një fëmijë me blatin
dhe dashuri, duke zgjedhur më të mirën në mënyrën e saj, por dashuria është ajo
që përçon një nënë tek fëmija dhe bëhet themeli i të gjithë virtyteve që
ekzistojnë në jetë. Në një vështrim të parë, libri i Lauretës mundet të të
krijojë përshtypjen e një enciklopedie morali, të cilat një nënë e kujdesshme
i’a shfleton çdo mbrëmje fëmijës së saj. Por nuk është ashtu. Po të hysh në
brendi të llogjikës së librit, shikon se në fakt ky libër është një enciklopedi
artistike e udhëve që merr përsipër të bëjë një fëmijë qoftë dhe ky i rritur
përballë mallit dhe dashurisë së krijueses, është meraku i saj se sa do të jetë
i aftë krijesa e saj për ti krijuar vetes portretin. Nëpërmjet një rrëfimi të
butë e të shtruar, përpost sentencave të ndiera dhe filozofike është dhe një
zbërthim i thënies së Zhan Pol Sartrit se, me jetën nuk duhet folur e komunikuar
me fraza të kërkuara dhe gjuhë të letralizuar. Njeriun duhet ta karakterizojë
në jetë gjuha që lind nga thellësia e ndjenjave. Vite më parë në periudhën kur
edhe unë ecja duke u mbajtur pas duarve të nënës sime, më bënte përshtypje
gjithçka e re që shikoja. Dhe ime ëmë mi plotësonte kureshtjet me aq sa mundte,
ndonjëherë edhe me përgjigje që sot më duken naive. Megjithatë mua më kënaqnin
dhe më çelnin dhjetëra dritare njohurish ato përgjigje. Laureta si një nënë e
shekullit 21, që njeh mirë internetin dhe kibernetikën, tashmë ka një tjetër
fjalor dhe erudicion për t’iu përgjigjur fëmijës së saj, krijon të tjera
hapësira dhe dritare për fëmijët e saj. Por ngrohtësia dhe aroma e dashurisë
dhe qumështi prej nëne që ndihen në të gjitha frazat e saj të përgjigjes, për
çudi janë të njëjta në thelb, me përgjigjet e dikurshme të nënës sime dhe e
gjitha nënave të botës, të marra së bashku.
Sekreti i
kësaj çudie, natyrisht është mëse i qartë. Fjalët dhe fryma që përcjellin ato
tek fëmijët e tyre, më shumë se prej tingujsh, janë zëra të dërguar nga
perënditë. Laureta në monologun e saj
romanesk, mbjell tek fëmija vetëm gjuhën e bukur të jetës, në të s’ka
pesimizëm dhe prirje për nënshtrim ndaj
jetës. Ajo sillet me fëmijën e saj me psikologjinë e një lulishtari, me filizat
e luleve që i mbjell në kopshtin e tij. Në fillim zgjedh tokën, e plehëron dhe
e pasuron atë, zgjedh kohën e duhur dhe stinën më të mirë dhe më vonë e ujit atë me ujë dhe rreze. Me
një frazë të saktë dhe konçize, që më shumë anon nga gjuha e pasur poetike,
fëmija i këtij romani është sa real aq
edhe i ëndërrt. Në përpjekjet e saj për të krijuar një fëmijë, autores i duhet
të shkruajë dhe ti lexojë atij vazhdimisht testamente shpirtërore që vijnë nga
universe të pamatë dashurie, dhe që e bashkojnë më së miri binomin nënë-bir.
Për këtë ajo duhet të hyjë nën plazmën e vogëlushit, ta identifikojë vetëveten
me të, dhe të arrijë të rikthehet edhe një herë në moshën e tij. Natyrisht kjo
është shumë e vështirë, sepse kur rritet fëmija ndarja mund të krijojë shumë
keqkuptime. Nëse dikur ishim dy, i thotë ajo të birit, tani jam e vetme.”
Përpost ndryshimeve që ka pësuar jeta jonë, shfaqja vjen me të njëjtën forcë
interpretuese nga artistët e vegjël të natyrës. Kam gjithë kohës që të fajësojë
pse nuk më dërgon shenjat e dashurisë. Një zë brenda meje më flet e më thotë të
të lë të qetë dhe të ecësh në udhët e jetës pa u prokupuar nëse vështrimi im të
ndjek ngultas apo fshehurazi. Dua të të
ndjek si hije, por pa kushte”.
Laureta në këtë roman, ka ditur më së miritë shmangë
retorikën e zhurmshme e të kotë dhe ti pasqyrojë ndiesitë e veta prej nëne me
një të folur gati-gati kinematografik. Ajo ngjan se e njeh mirë këtë gjuhë, di
sekretet e kamerës dhe fokusimin e dritës në objektin e përcaktuar. Çdo lëvizje
e protagonistëve është e studiuar më së miri dhe çdo rrethanë është e
përcaktuar. Qartë, nëpërmjet kujtimeve të saj kurba e rritjes së fëmijës, arrin
një shkallë sipërore natyrale, zbërthehet koha, elementët që e përbëjnë atë si
dhe lidhja e saj me njeriun e dashur. Krijohet kështu një komunikim interaktiv.
Dihen tashmë ndryshueshmëritë që ekzistojnë mes brezave të ndryshëm. Me këtë
temë kaq interesante, letërsitë dhe kulturat e vendeve perëndimore vazhdojnë të
merren që prej dekadash të tëra. Ka nga ata që ngrejnë hipoteza për gjoja
luftën mes brezave si shkak i moskuptimeve mes tyre. Këtë problem e ka trajtuar
me sukses edhe Frojdi edhe Jungu, duke nxjerrë teori të veçanta për to. Nuk dua
të hyj në interpretimet e tyre. Laureta
për të gjitha këto, ka mendimet dhe konkluzionet e saja jetësore. Kjo thotë
ajo, “bën pjesë në qënien tonë. Është prirja natyrale e qënies për të ndryshuar
por jo për tu tjetërsuar. Nuk duhet të bëjmë të tilla pështjellime, që nesër të
përçmojmë vetveten. Jemi të ndryshëm, por duhet të ruajmë ato element që na
karakterizojnë. Secili nga ne të paktën njëherë në jetë ka dëshiruar të jetë i
ndryshëm, madje jemi përpjekur për tu tjetërsuar. Por jo gjithmonë orvatjet
tona na kanë shpënë në drejtimin e dëshiruar”. Autorja të befason me këtë libër
për kulturën e gjerë dhe thellësinë e mprehtësinë e mendimeve të saj. Ajo në
këtë libër ka sjellë me sukses ankthin, mallin dhe ndjesitë e dhimshme që
provon një nënë në momentin kur fëmijët e tyre, rriten dhe marin udhën e jetës.
Misteri që i rrethon këto rrugë, të papriturat dhe enigmat që fshehin ato
brenda tyre, janë si të rrahura zemre që
si ndahen asnjëherë këtij romani. Autorja ka marrë përsipër detyrën e vështirë
por jo të pamundur për tu bërë zëdhënësja e tyre, interprete dhe ajo ç’ka është
më kryesorja,pasqyruesja besnike dhe e drejtëpërdrejtë. Ajo beson sinqerisht
tek thelbi ynë, i cili në momentin që ne ekzistojmë, është dhe mbetet pjesë e
përhershme dhe e pandryshueshme e jetës.
Mjafton
të citojmë edhe njëherë disa nga postulatet interesante të këtij libri, siç
janë: “Mund të fillojmë dhe të meditojmënë një gjuhë të ndryshmë nga ajo e
nënës, mund të ecim me ritme të shpejta, dhe mund të ndihemi të rritur në çdo
ditë të re”. Autorja e shpërfaq vetveten edhe në këtë roman të ri, si nënë të
përkushtuar por edhe si udhëtare e palodhur për të provuar të gjitha ftesat për
të parë botën. Por më shumë ato udhë, që
të çojnë në brendësi të shpirtit
njerëzor. Një nënë për autoren, pavarësisht dyshimeve, frikës dhe
ankthit, ekziston gjithmonë një lidhje diellore mes saj dhe bijve. Humbja e kësaj lidhjeje, do të ishte për këdo
një fatalitet. Pasi e mbyll këtë libër dhe e vendos në raftet e bibliotekës
tënde, mbasi fërkon pak sytë, ndihesh vetvetiu paksa si i dehur, por edhe i
mbështjellë me një aureolë shenjtërie që janë të afta të ta dhurojë vetëm një
dashuri shënjtoresh.