| E enjte, 28.02.2013, 07:00 PM |
Ese
PARAKRIJUESIT E ATDHEUT
Shkruan: Ahmet Selmani
Në qoftë
se për një çast vëmendjen tonë e përqëndrojmë te nocioni atdhe, si një fjalë e
përfolur dhe e shqiptuar aq shumë në jetën e përditshme, sigurisht për të
shënuar lidhjen tonë me vendin që na përket në kuptimin gjeografik e biologjik,
mbase secilën herë do të mund ta identifikojmë në mënyrë formale dhe thelbësore
njëkohësisht. E krijuar sipas fjalës latine patria, edhe te shqiptarët kjo
shfaqet në formën e saj variacionale ose të dyzuar, pra herë e gjejmë si atdhe
e herë si mëmëdhe. Megjithëse në këtë rast mund të shëmbëllejë si një rivalitet
në mes formulimit me topos patriarkal dhe atij me topos matriarkal,
prapëseprapë, del se thelbi i këtyre të dyjave përherë mbetet i njëjtë,
domethënë vetvetiu kemi të bëjmë me tokën e atit ose të mëmës, pronën që e kemi
trashëguar prej tyre, vendin ku ne kemi lindur, qoftë kjo si një atribut
metaforik i njërit prind (atit) apo edhe i tjetrit (nënës).
Nuk ka
asnjë dyshim se identifikimi i tij historik mund të bëhet në shumë raste, bie
fjala që nga Mbretëria Ilire nën sundimin e Bardhylit, Agronit, Teutës etj.,
Despotati i Epirit nën sundimin e Mihal Komnenit, Regnum Albaniae nën sundimin
e Karlit I Anzhu, Mbretëria e Arbërisë nën sundimin e Gjergj Kastriotit etj.
Pa dashur
të ndalemi veças në këto epoka të veçanta historike, për ne është e rëndësishme
vetëm periudha e ashtuquajtur moderne, pra kryesisht ajo kohë kur u formuan
shtetet në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe është krejt afër mendsh se këtu nuk
bëjnë përjashtim as shqiptarët, aq më tepër në 100 vjetorin e shtetit të tyre,
me ç’rast fjala atdhe ose mëmëdhe përmendet gjithnjë e më shpesh, madje në
shumë raste edhe me një konotacion mjaft glorifikues e mitizues.
Porse, në
gjithë këtë kontekst me përmasa solemne, teksa e vrojtojmë në çdo situatë të
shfaqur, pak a shumë ndodh edhe një paradoks; zakonisht dëgjojmë tek zihen
ngoje vetëm bartësit fizik të krijimit të atdheut (shtetit), por thuajse
harrohen ose anashkalohen etërit shpirtërorë të tij.
Duke u
nisur nga kjo premisë e qartë, ashtu sikundër që themi për çdo gjë tjetër, pa
dyshim, edhe për sa i përket çështjes së madhe që ka të bëjë me atdheun, duhet
thënë troç se vlen i njëjti parim dialektik; ai, para se të jetë një realitet
faktik e konkret, një dëshmi objektive, një formë e kryer, pa asnjë dyshim
është një ide konceptuale, një nocion teorik, një nismë shpirtërore, një frymë
kolektive.
Prandaj,
si rrjedhojë të kësaj qasjeje përkufizuese, lypset të pranojmë faktin se, në
çfarëdo aspekti që ta zbërthejmë kontekstin në fjalë, medoemos do të kuptojmë
se atdheu gjithmonë i ka edhe parakrijuesit e tij, ata të cilët fillimisht e
mbollën atë në shpirtin, vetëdijen dhe qenien e tyre. Pra, nevojitet të
përkujtojmë se, edhe përkundër vetëflijimit të pakundshok, përpjekjeve të
pareshtura, populli shqiptar thuajse qe nisur drejt zhbërjes së tij
përfundimtare nga faqja e dheut, thjesht të kishte fatin e njëjtë me kazarët.
Megjithatë, në momentet e fundit të këtij rreziku fatal, dikush u kujtua për ta
ringjallur ndjenjën e tyre në pikëpamje të etnosit. S’do mend, ishin pikërisht
rilindësit shqiptarë ata që u zotuan dhe ia dolën ta ringjallin frymën e duhur
për një projekt të tillë kaq madhor. Duke e derdhur gjithë fuqinë dhe mundin e
tyre, përkushtimin e jashtëzakonshëm vetanak, ata ia dolën që ta ndërtonin
mitin pozitiv të atdheut, sepse mu atëherë u këndellën për fatin e vërtetë që i
priste, mbi të gjitha, e kuptuan se fillimisht nevojitej një vetëdije paraprake
për atë që do ta bënin më vonë, si një ecuri për jetësimin e plotë kolektiv.
Kështu,
pasi e ngjallën historinë e lavdishme, prejardhjen pellazgjike e ilire, gjuhën
e stërlashtë, epokën e Gjergj Kastriotit, krijimtarinë e pasur gojore,
shkronjat dhe alfabetin, abetaren dhe librat etj., më pastaj sikur e kuptuan
qartë se themelet e vërteta të atdheut i kishin hedhur me sukses, për të
vazhduar më tej në fazën tjetër të ngritjes së tij. Me sa duket, gjatë aktit
paraprijës të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv, u shfaq kryerilindësi
Jeronim de Rada i cili, në veprën e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, të
botuar më 1836, shpalli vizionin e tij të shtrenjtë me anë të vargut:
Erth ditë
e Arbrit
Në të
vërtëtë, me këtë kumt ngazëllyes e poetik ai e mbolli farën e njëmendtë për
lindjen e atdheut, e cila ndërkohë u bë frymë e plotfuqishme besimi e shprese
për atë që mbaskëtej do të bëhej realitet i gjallë.
E gjithë
kjo u pa qartë edhe te shumë autorë të tjerë, të cilët, po ashtu, e shprehën
qëndrimin e tyre vizionar lidhur me këtë. Pa dyshim, i tillë ishte edhe Naim
Frashëri i cili këndoi me një shpresë të fuqishme:
Për Shqipërinë
Ditët e
mira
Paskëtaj
vinë
Shkoj
errësira
Lum kush
të ronjë
T’a shoh
zonjë!
Edhe i
vëllai i tij Sami Frashëri, më 1899, në Bukuresht e botoi veprën programatike
me titull “Shqipëria, çka qenë, ç’është e çdo të bëhetë”, e cila do të
shndërrohej në një udhëzues konkret për bërjen e Shqipërisë së vërtetë.
Si
rezultat i angazhimit dhe mobilizimit të vazhdueshëm, zërat e këtillë u bënë
edhe më të theksuar, duke e forcuar besimin dhe optimizmin e tyre. Poeti i
mirënjohur Asdreni, më 1904, me anë të disa vargjeve të poezisë “Ardhi dita”, u
drejtohej bashkëkombasve me një qëndrim kushtrimtar:
Në jini
ju atdhetarë
Dhe
thjeshtë shqipëtarë,
Bënie ju
sot atdhenë
Siç qe
nën Skënderbenë.
Ose, më
vonë, pra në prag të themelimit të shtetit shqiptar, më 1912, kur nëpërmjet
fjalës poetike atë e shohim sërisht teksa këndonte:
Shqipëri,
o mëma ime,
Pas një
jete me durime,
Dita e
mirë po afëron,
Dita e
bardhë, dita e bukur
Kur dhe
ti je për t’u dukur
Nd’atë
dritë që mburon
Mund të
vërehet qartë se ky ishte një besim i patundur dhe një ndjenjë vendimtare për
ta realizuar projektin madhor dhe jetik të atdheut. Gjithçka që thoshte ai,
ishte tepër bindëse, e kthjellët, joshëse. Ndaj, në përputhje të plotë me këtë
frymë ngadhënjyese, më tej ai shtonte:
Një diell
i ri, na thonë, se po lindi
Një dit’e
re u çfaq për Shqipërinë.
E njëjta
ndjesi mund të hetohet edhe te shumë rilindës të tjerë të cilët, po ashtu, nuk
përmbahen asnjë grimë me anë të vargjeve të tyre, duke e përhapur gjithandej
frymën e parakrijimit. Kështu, edhe Hil Mosi, në veprën e tij “Zani i atdheut”,
të botuar më 1906, me anë të disa vargjeve poetike këndonte me shpresë:
Zemra po
m’vlon mu t’ngratit,
Dit’t’mira
jam kah shpresoj,
Se sot
atdhes me pshtumun
Dita tek
i afroj
Siç
shihet, në këtë fazë të ringjalljes së vetëdijes kolektive te shqiptarët, rolin
kryesor e luajtën pikërisht poetët, duke e rrënjosur frymën e një besimi të
thellë, me të cilën do të udhëhiqeshin të gjitha nismat dhe veprimet e mëtejme
në bërjen e atdheut si shtet.
Gjithsesi,
ndjesia dhe bindja e këtillë ishte absolute. Edhe Mihal Grameno, në poezinë e
tij me titull “Ardhi dita”, thoshte fare preras:
Ardhi
dita e shënuar, për të mjerën Shqipëri
Në këtë
mënyrë kuptohet se vizioni i tyre gjithnjë e më tepër po shpiente drejt një
realiteti të ri që do të lindte së shpejti, drejt një ngulmimi në hapjen e
rrugës së mëtejme për krijimin e vërtetë të atdheut, thjesht të kalohej nga
pozita virtuale në atë konkrete. Me këto përpjekje poetike e misionare, rilindësit
tanë faktikisht u shndërruan në parakrijuesit e mirëfilltë të atdheut, në
ngjizëzit e njëmendtë të tij. Studiuesi Aurel Plasari, në një punim të tij,
Naim Frashërin e quan shqipëribërës. Dhe në një aspekt kjo është tejet e
kuptueshme, ngaqë secili nga rilindësit ishte pjesë e këtij projekti, ose një
shqipëribërës më vete, për arsye se realisht ata bënë çmos që ta realizonin
këtë ëndërr kaq të madhe historike, për t’u bërë një ditë kurorëzim i
pamohueshëm. Pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij vizioni i cili njëherazi
ishte individual dhe kolektiv. Bërja e Shqipërisë si atdhe dhe si shtet filloi
në radhë të parë në shpirtin e atyre që i prinë lëvizjes së madhe të quajtur
Rilindja Kombëtare. Dhe, kur e arritën ndërgjegjësimin e nevojshëm fillestar e
themelor, atëherë ishte shumë e qartë se do të arrihej edhe krijimi praktik i
atdheut aq të pëshpëritur.
Kur Naim
Frashëri e shihte të udhës të bënte identifikimin e qartë të Shqipërisë dhe të
shqiptarëve, ai nuk ngurronte të thoshte me mburrje dhe krenari të pashoqe:
Ti
Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
Kjo duket
se ishte e mjaftueshme për të besuar thellësisht se një gjë të tillë mund ta
bënin vetëm ata që e quanin veten shqiptarë, për faktin se kryekëput atyre u
takonte një detyrë kaq e rëndësishme historike, që, më në fund, të dilnin nga
gërmadhat e sundimeve të gjata, nga vorbulla e errët ku ishte katandisur
pothuajse çdo gjë që u takonte si trashëgimi.
Kështu,
të gjithë ata që ia behën më vonë, ose thënë më saktësisht, ata që u përfshinë
në rrjedhën e krijimit të atdheut, në përgjithësi e patën të qartë se nga duhej
të orientoheshin, cili ishte vizioni përcaktues që duhej ta ndiqnin, si duhej
ta realizonin atë etj. Idenë themelore e kishin marrë nga pararendësit e tyre,
pra duke u ndikuar drejtpërdrejt nga jehona e fuqishme që e përhapën rilindësit
me aq zell, nga shpallja e famshme deradiane dhe nga optimizmi i pashoq
naimian. Thjesht, ata e pritën vetëm momentin e duhur për ta formalizuar këtë
ëndërr të shtrenjtë. Me gjithë rrethanat shumë të pavolitshme, në njërën anë të
synimeve pushtuese të fqinjëve si Greqia dhe Serbia, dhe në anë tjetër, të
pafuqisë së vetë popullit shqiptar, Ismail Qemali, bashkë me shumë të tjerë,
arriti ta shpallë pavarësinë e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912 në Vlorë. S’duhet
harruar se ishte një kohë shumë e rëndë, sepse u desh që më 1913 fatin e
shqiptarëve ta vulosnin njëanshëm Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës. Por,
sido që të ketë qenë, mund të thuhet se kësaj radhe shqiptarët mezi e bënë një
copë atdhe, ndonëse tmerrësisht i paplotë e i cunguar.
Duke e
shikuar në këtë mënyrë, vlen të theksohet në veçanti se parakrijuesit e atdheut
edhe sot ende janë aktualë, fryma e tyre vazhdon të mbetet vizion i gjallë për
të gjitha breznitë shqiptare. Ata e patën vizatuar qartë dukjen reale të
atdheut, e dinin shumë mirë se deri ku shtrihej tokësia e tij, cilat vise i
përkisnin etj. Njëri nga krijuesit e mëvonshëm, Sejfulla Malëshova, në një
poezi të tij thoshte:
Unë e dua
Shqipërinë,
me Kosovë
e Çamërinë
Koha
dëshmoi se kjo dëshirë ishte një ëndërr e natyrshme, një thirrje historike për
t’u bërë realitet. Ndaj mund të pohohet se edhe shpallja e pavarësisë së
Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte një plotësim i saj. Pra, edhe kjo i kishte
parakrijuesit e vet, të cilët e kishin mbjellë farën e besimit dhe të
realizimit të saj.
Prandaj, kjo çështje ende mbetet e hapur; parakrijuesit e atdheut thërrasin me zërin e tyre për ta bërë mishërim të plotë nga krijuesit fizik. Mjafton t’i dëgjojnë vetëm këshillat e tyre historike. Pavarësisht nga kushtet e vështira që kanë mbretëruar deri tani, atdheu nuk harrohet edhe në mërgim. Kështu, Thoma Kacorri, njëri nga rilindësit e fundit, siç e kanë quajtur herë pas herë, sado që i mërguar gjithë jetën në Sofje, kurrë nuk e hoqi nga mendja ëndrrën e atdheut, andaj jo rastësisht botoi romanin në dy vëllime “Për mëmëdhenë”. Ky ishte vetëm një kushtrim i natyrshëm për ta kujtuar ëndrrën e pararendësve të tij. Nga ana tjetër, Mitrush Kuteli, edhe kur ndodhej keq, nuk mallkonte fare, por thoshte burrnisht: Atdheu duhet edhe atëherë kur të vret. Pra, i tillë është atdheu, herë i bukur e herë paradoksal, herë komik e herë tragjik, por gjithmonë mbetet atdhe në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të kësaj fjale. Atdheu ose mëmëdheu s’është projekt i mbyllur në një kohë të caktuar; ai është gjithëkohor, u përket të gjithë shqiptarëve, atyre që s’jetojnë më fizikisht, atyre që jetojnë sot, dhe atyre që do të lindin në të ardhmen.