| E merkure, 27.02.2013, 09:00 PM |
“Udhëtimi i dytë” i Agnesës
Ekspozita
e dytë personale e krijueses nga Kosova Agnesa Muharremi, do të hapet të
premten në Galerinë FAB në Tiranë. “Udhëtimi i dytë”, titullohet ekspozita e
cila shpalos botën e brendshme, imagjinatën, kozmiken, moralen dhe estetikën në
piktura. Veprat e krijueses Agnesa Muharremi shprehin atë ndikimin individual,
të një vlerësimi objektiv dhe subjektiv, të një reale e cila gjen formën në
abstrakten kozmike, forma është e lakuar apo në disa raste e rrumbullakët që
ngjanë me rrathët e Dante Aligerit, në një kuptim objektiv, por jo edhe
tematik. Në vlerësimin moral të veprave artistike luan rol jo vetëm pozicioni i
artistit, por edhe ai i spektatorit, i cili nuk është pasiv. Spektatori
përputhet dhe zhytet në një kozmos ngjyrash, ndjenjash, lëvizjesh, rrotullimesh
rreth së vërtetës globale, aty ku ka filluar dhe ku vazhdon më tej. Ngjyrat
janë të ngrohta, të ndezura, e kuqja, bënë lojë më të verdhën, sikurse grija me
blunë, dhe e thërrasin ngjyrën neutrale, të bardhën, e cila i ndan dhe i
bashkon të gjitha në pëlhurë. Përplasja e ngjyrave, dhe krijimi i formave,
është i menduar dhe kontrolluar nga dora e artistes. Këtu dukshëm vërehet se
arti nuk është vetëm dije për botën, por ka qenë e mbetet, ashtu si filozofia,
një armë e fuqishme për formimin e personalitetit të njeriut dhe edukimin e
tij, për orientimin e krijimtarisë emocionuese dhe praktikuese. Arti bënë
thirrje të një realiteti të ri, e ai është kontakti me kozmosin, apo rrotullimi
rreth lartësisë së përjetësisë, ku bluja reflekton perspektivën e së ardhmes,
gjithnjë nën kompozimin e ngjyrave tjera të ngrohta. Të shtrira në kompozicion,
nënë lëvizjen e rregullt të formave dhe ngjyrave, arti i krijueses Muharremi
bëhet mjet i një horizonti të gjerë spektaklesh, vijash, formash dhe ngjan me
takimin në mes filozofisë dhe artit. Arsyetimi i artit është i fortë dhe i
thellë duke treguar ndryshimet e jetës. Sado i gjerë të jetë elementi argëtues,
i thjeshtë, i gjerë, ose thjesht figurativ, vlerat e mirëfillta, të fuqishme
krijohen përmes ideve, mendimit, mesazhit ideor dhe filozofik. Struktura, dhe
ngjarja që krijon krijuesja, përpiqet të futet në anët më të thella të botës
dhe kozmosit, duke shpalosur thelbin e dukurive, që synon të kuptojë ngjarjet ,
sfidat të një mekanizmi të brendshme njerëzor dhe artistik. Koka e saj
shpërthen, si një magmë, dhe bëhet vullkan që digjet mbi domethënien e vlerave.
Modelimi i shpirtit, fantazisë krijon unitetin e anës emocionale dhe asaj
intelektuale. Përzierja e mendimit dhe ndjenjës japin atë anën më shpirtërore,
provokuese të artit. Roli pozitiv është shpikja e një rruge, apo zbulimi i
hekurudhës së përjetshme të ngjyrës, lëvizjes, rrotullimit ku graviteti nuk ka
forcë të tërheq asgjë, dhe çdo formë qëndron sipër hapësirës apo në mes të
kompozicionit. Gjuha artistike, nën ndihmën e elementeve figurative shpalos atë
pasionin e pasqyrimit të realitetit të gjerë global dhe mbi global.