| E merkure, 27.02.2013, 08:44 PM |
MAFIA NUK
BËN DOT ZGJEDHJE - OSE MEDITIM PËR 23 QERSHORIN
NGA SKËNDER BUÇPAPAJ
I pyetur
më 2001 nga një media e Tiranës se a mendoj që në Shqipëri atëherë mund të
bëheshin zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, unë jam përgjigjur se
mafia nuk mund të bëjë as zgjedhje të lira, as zgjedhje të ndershme, as
zgjedhje demokratike, mafia nuk mund të bëjë fare zgjedhje, mafia mund të bëjë
vetëm farsë zgjedhore, mafia mund të bëjë vetëm mashtrim zgjedhor.
Medet për
të, klasa politike e Shqipërisë, pa folur për periudhën para 2001, nuk e ka
përgënjeshtruar ndonjëherë as gjatë këtyre 12 viteve të mëvonshme përcaktimin e
mësipërm, përkundrazi vetëm sa e ka përforcuar bindjen time dhe bindjen e
gjithkujt tjetër që i shikon me sytë e realitetit zgjedhjet në Shqipëri dhe të
gjitha dukuritë që burojnë nga ato zgjedhje.
Nga
njohësit e saj, mafia përshkruhet si një sistem i mbivendosjes së më të fortëve
ndaj më të dobtëve. Bosi më i fortë kryeson kupolën e klanit, klani më i fortë
kryeson kupolën e mafias përkatëse rajonale, mafia më e fortë rajonale kryeson
mafiat më të gjera në shkallë vendi apo në shkallë ndërkombëtare. Ligjin e bën
më i forti dhe pasojat i vuan më i dobëti. Meritat i merr më i forti dhe fajet
i merr më i dobëti. Kurorat i merr më i forti dhe gjembat i merr më i dobëti.
Të gjitha përplasjet, të gjitha marrëveshjet, të gjitha grindjet, të gjitha
pajtimet bëhen për hapësira në terren dhe për hapësira në fusha të veprimtarisë
- si politikë, ekonomi, trafiqe, kontrabanda, korrupsion. Për mbarëvajtjen e
punëve të saj, mafia ka ritualet, kodet, rregullat, instancat. Në dukje xhungla
të karakterizuara nga kaosi, nga anarshia, në të vërtetë, nga brenda mafiat
karakterizohen dhe shquhen nga organizimi i përkryer, nga disiplina e hekurt,
nga profesionizmi i lartë. Prej këndej mafia edhe ka marrë emërtimin tjetër:
krim i organizuar. Armiku kryesor i mafias është shteti ligjor, është ligji,
prandaj ajo synon që ta bëjë të pamundur funksionimin e ligjit, ta shdërrojë
shtetin në një realitet iluzor, ta shndërrojë ligjin në një realitet iluzor,
t'i bëjë njerëzit që, në skenat me iluzionistë, të mos iu besojnë syve të tyre,
por t'iu besojnë asaj që iu servirin iluzionistët me ekipet e tyre dhe me
rekuizitat e tyre.
Në vend
që ta forcojë, konsolidojë dhe përkryejë institucionin e zgjedhjeve, si
institucionin e vetëm ku populli ushtron sovranitetin e tij drejtpërdrejt
nëpërmjet votës së tij të lirë, klasa politike e Shqipërisë ka bërë gjithçka
për ta dobësuar këtë institucion, për ta komprometuar, për ta manipuluar, për
ta shpërfytyuar dhe çoroditur, nga një palë zgjedhje tek të tjerat. Kështu
institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri është shndërruar në arenën më të madhe e
më të sofistikuar ku klasa politike ka ushtruar profesionin e saj të
iluzionistes mafioze, i vetmi profesionizëm të cilin ajo e ka përfituar në këto
vite të të ashtuquajturit pluralizëm politik.
Pikërisht
më 2001, zgjedhjet në Shqipëri prodhonin një rezultat thellësisht të
shtrembëruar, prodhonin edhe një dukuri monstër, siç ishte dukuria
"Dushku", ku nga një fshat i vetëm prodhoheshin 13 deputetë. Kjo
realizohej falë ligjit zgjedhor mazhoritar me korrigjim proporcional, i cili
favorizonte partinë kryesore, duke grabitur në mënyrë të përbindshme votat e
partive të tjera. Ky ligj zgjedhor do t'i shndërrohej të njëjtës parti në
bumerang katër vjet më vonë, më 2005, nëpërmjet dukurisë
"SuperDushku". Një tjetër truk iluzionist më 2009 do të prodhonte
përsëri zgjedhje të diskutueshme.
Nga
zgjedhjet qendrore tek ato lokale, deri edhe sot e kësaj dite, ka vazhduar
dukuria e regjistrave të banorëve, dukuria e listave zgjedhore, dukuria e
mbushjes masive të kutive, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit nëpër kuti
edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Alaskë, edhe nga ata që njëkohësisht
ndodheshin në Australi apo në Zelandën e Re, dukuria e hedhjes së fletëve të
votimit në kuti edhe nga ata që kishin ndërruar jetë prej dhjetëra vitesh tashmë,
dukuria e votimit disa herë brenda të njëjtës ditë nëpër qendra të ndryshme
votimi. Për të përmbysur realitetin e votës, klasa politike ka përdorur
shërbimet shtetërore të informimit dhe të rendit, ka përdorur administratat
shtetërore qendrore dhe lokale, ka përdorur hordhitë e militantëve, ka përdorur
deri grupet kriminale më famëkeqe, ka përdorur autoritetin dhe ndikimin deri
tek bosëve më të famshëm të krimit.
Shiblerja
e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e votave, nëpërmjet parave të thata në dorë,
nëpërmjet punësimeve të familjarëve, nëpër dhënies së vizave për jashtë
shtetit, nëpërmjet dhënies së favoreve apo premtimeve të favoreve, ka qenë dhe
mbetet një nga dukuritë e shtrembërimit të realitetit të votës gjatë gjithë
këtyre viteve. Tregu i shitblerjes bëhet më fitimprurësi duke përfshirë në
vertikalen dhe horizontalen e tij komisionet dhe komisionerët nga instancat më
të larta deri tek ato më të ulëtat.
Klima që
i ka karakterizuar zgjedhjet deri sot ka qenë gjithnjë mbytëse për elektoratin,
ka qenë frikësuese, e mbushur me shantazhe, me sulme, kundërsulme, sharje, me
shtim galopant të krimit, sidomos të krimit makabër, ka qenë mediatizimi
ekstrem i kësaj klime, kanë qenë tonet e larta, thirrjet mbi thirrje, britmat
mbi britma, skenat ngjethëse në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, çjerrjet në
konferencat e shtypit, shkëmbimet e sarkazmave mes zëdhënëseve të haremeve
partiake dhe qeveritare, shpërndarja nëpërmjet ekranave të vegjë e duhmave të
alkoolit, duhmave të parfumeve, shfryrjet e gogësimave nga gojët e hapura të
politikanëve drejt e në fytyrën e publikut të tulatur e të nemitur.
Elektoratit
në Shqipëria asnjëherë nuk i është mundësuar të dijë se për kë po voton, të
dijë se kë ka sjellë në pushtet nëpërmjet daljes së tij tek kutia e votimit,
nuk e di se çfarë lidhjesh kanë pasur me Sigurimin e Shtetit, me strukturat e
spiunazhit brenda Partisë së Punës së Shqipërisë, çfarë lidhjesh kanë pasur me
shërbimet e huaja antishqiptare, çfarë lidhjesh kanë pasur e kanë me botën e
krimit të periudhës së tranzicionit drejtuesit e zgjedhur apo të emëruar gjatë
këtij tranzicioni. Kundërshtimi i elektoratit shqiptar ndaj kësaj dikurie është
bërë gjithnjë e më pasiv, duke parapëlqyer të rrijë në shtëpi, duke pranuar që
të qeveriset jo nga më të mirët e më të mirëve, pora nga më të këqijtë e më të
këqijve.
Në qoftë
se në Shqipëri do të arrihet që votuesi të hedhë fletën e tij të votimit në
mënyrë krejtësisht të pandërmjetësuar nga frika apo nga trysnia e kujtdo, në
qoftë se kjo votë e tij do të numërohet, në qoftë se ajo do të shkojë në
adresën e koalicionit apo partisë për të cilën ai ka votuar, në qoftë se të
gjithë votuesit do t'iu binden vetëm urdhërave të ndërgjegjes së tyre, në qoftë
se kjo bindje e çdo votuesi do të zbatohet pikë për pikë në rezultatin zgjedhor
atëherë do të kemi realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike,
atëherë do t'ia kemi siguruar Shqipërisë institucionin e zgjedhjeve, atëherë do
të kemi siguruar institucione të dala nga vota e popullit, atëherë do të kemi
institucione që mund të flasin në emër të sovranit, pra në emër të popullit.
Në qoftë
se votuesi do të marrë zemër që të dalë masivisht në votime, të hedhë fletën e
tij të votimit për të përzënë nga ekranet e vegjël të përditshëm e të
përnatshëm të buhaviturit nga viagrat, të nxirët nga injeksionet apo tymosjet,
të çakërqejfurit a të çakërdisurit nga pushteti i gjithanshëm, të krekosurit
nga plotfuqia, të pëlciturit nga vetëkënaqësia, pra, në qoftë se votuesi do të
gjejë guximin të çlirohet nga tranzicioni, atëherë do të kemi një rezultat të
zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, një shtet, një shoqëri të
shanseve të reja, një shtet dhe shoqëri të shpranguar në vullnetin e tyre për
t'i kundërshtuar mafiat.
Duke
folur në emër të sovranit, shumicat e derisotme, në të vërtetë vetëm sa kanë
keqpërdorur, nëpërkëmbur, shkelur dhe poshtëruar emrin e sovranit, nderin e
sovranit, fytyrën e sovranit, dinjitetin e sovranit, vetëm sa kanë uzurpuar
institucionin e sovranit, kanë bërë vetë sovranin, ndërsa sovranin e kanë
dëndur me iluzionin e lirisë, demokracisë, fanarit evropian dhe perëndimor, sa
për t'ia pasur zili gjithë bota. Në të vërtetë, mafias iluzioniste të
Shqipërisë, sidomos për lehtësinë e pashembullt me të cilën ka realizuar
qëllimet e saj, është për t'ia pasur zili edhe vetë i famshmi Copperfield,
iluzionisti deri sot me suksesin më të madh komercial, me një rekord të
paarritshëm Gines, me çmime të panumërta ndërkombëtare nga industria argëtuese.