| E marte, 26.02.2013, 08:57 PM |
VOTIMI ME NJË ZONË, NJË KOMPROMIS I NDYRË NDËRPARTIAK
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Jam pensionuar pa votuar kurrë në jetë! Megjithatë, kam
përcjellur votimet në tri shtete, ku kam jetuar, barabarësisht, nga pak më
shumë se dy dekada: Jugosllavi, Shqipëri, Gjermani. Gjithashtu, kam përcjellur
edhe mënyrën e organizimit të votimeve në Evropë. Dhe, praktikën e votimit me
një zonë zgjedhore e mësova, së fundi, në Kosovë. Dhe, votimi me një zonë është
një hiç. Është interesant, pothuajse, i gjithë spektri i partive politike në
Kosovë dakordohen për një zonë zgjedhore, sepse me këtë lloj votimi sigurohen
me ulëse deputeti kryesitë partiake. Veç kësaj bëhet pazari moral, më sakt,
imoral, duke zgjedhur servilët dhe nepotikët e tyre, për të qenë këlyshër
besnik të shefave të tyre partiakë.
Zgjedhjet e kaluara ishin tregues i matrapazllëqeve dhe të
hajnive gjysmë-legale dhe legale, të praktikuara, në stil të gjerë, nga partia në pushtet. SHIK-asit e futur nën
sqetullën e Hashim Thaçit, si shpërblim për bërjen e shefit të tyre
kryeministër, ishin më të favorizuarit. Ndërkohë që disa të tjerë nuk arritën
kuotën, ndonëse në kushtet e votimit ndryshe, do të ishin, gjithësesi,
favoritë.
Nga partitë e krimit mund të llogaritet e pritrt gjithçka
dhe asgjë nuk çuditë. Por, LDK-ja, e cila është shquar për seriozitet e parime,
në asnjë rrethanë, nuk duhej të pranonte këtë kompromis, sa të ndyrë aq edhe të
turpshëm. Në Kuvendin e VII-të të LDK-së u mendua sikur u shthur klani i
ngushtë e rrënues brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së. Por, ishte një iluzion,
një mashtrim i radhës. Bërthama klanore mbeti, duke e begatuar me anëtarë të
rinj, për t`u zgjeruar disa fish.
LDK-ja, duke qenë në opozitë, e vetmja mundësi e
shpërblimit të shelegëve është deputetllëku. Dhe, për ta ruajtur shpurën
klanore, shefi i partisë ka menduar edhe për ata, për t`i pasur paterica për
kohëra të vështira. Herën e shkuar u provua bindshëm pacipëria dhe poshtërsia e
votimit me një zonë për Kosovën. Në komunën e Istogut zgjedhjet lokale i fitoi,
me epërsi absolute, LDK-ja. Në zgjedhjet qendrore deputet u nominua zëvendës
kryetyri i LDK-së dhe i komunës. Megjithatë nuk arriti kuotën për t`u bërë
deputet. Ndërkohë, me votat e istogasëve fituan ulëse në Parlament kandidatët
jasht komunal!
Gjithnjë e më shumë po degradohet tradita parlamentare
shqiptare. Mbretëria Shqiptare shquhej për jetën parlamentare. Në konkurrencë
kanë qenë personalitete nga familje fisnike. Ata përfaqësonin zonat dhe i
jipshin llogari komunitetit që i kishte zgjedhur. Edhepse kanë kaluar tej afro
9 (nëntë) dekada, ende mbahen mend dhe kujtohen për të mirë emrat e deputetëve
të krahinave shqiptare.
Votimi me një zonë zgjedhore është paushall, jep mundësi pazarësh të ndyra në shkallë të gjerë; deputeti nuk merr asnjë obligim ndaj askujt, pra, nuk njeh asnjë pushtet moral të komunitetit, të popullit. Lexues të vëmendshëm, përpjestoni numrin e popullsisë të Drenicës me shumësinë e deputetëve vendorë, për të kuptuar horrllëkun dhe pisllëkun e votimit me një zonë zgjedhore në Kosovë. Ky është një provokim që i bëhet popullit të përvuajtur të Kosovës, është një krim i rëndë, që të kujton komunizmin stalinian - enverist dhe pushtuesin serbosllav të djeshëm.
Votimi me një zonë - projekt i SHIK-ut
Një fakt nuk mund të mohohet: votimi me një zonë zgjedhore
është projekt i SHIK-asëve. Këtij projekti i shërbyen dhe po i shërbejnë
devotshmërisht edhe partitë opozitare, përfshi këtu edhe LDK-në. Edhe kërkesa e
llogarisë për krimet e SHIK-ut, vazdon të jetë formale. "Eksponentët e
SHIK-ut po i zënë gjaku i krimeve të bëra",- deklaroi publikisht kreu i
LDK-së Isa Mustafa. Ishte një përkufizim i saktë. Zëvendës shefi i SHIK-ut,
Kadri Veseli, (të jemi të saktë, shef i SHIK-ut ka qenë dhe mbetet Hashim
Thaçi, prandaj ai është edhe përfituesi i parë dhe më i madh i krimeve të
SHIK-ut ), duke e pasur "mizën nën kapuç", reagoi thekshëm, me kundra
akuza të sajuara dhe klishe për kryetarin Isa Mustafa, duke i bërë thirrje
"të distancohet për krimet e bëra në kohë të monizmit"!?!
Tashmë dihet se krimet e SHIK-ut variojnë nga 1.500 deri 1.700 shqiptarë të pafajshëm të vrarë, gjatë dhe pas luftës, në burgjet e improvizuara rurale ilegale dhe në pusirat e zëna në dritën me diell dhe në errsirën e natës. Viktimat seriale ishin ushtarakët luftëbërës institucionalë, kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së. Nga burime të bollshme është vërtetuar bashkëpunimi i organizatës ilegale kriminale SHIK me pushtuesin serbosllav, duke penguar unifikimin e faktorit ushtarak gjatë luftës, rrjedhimisht, rezulton me sabotimin e luftës për çlirim dhe liri; dështimin total të kësaj lufte, për rrjedhojë ekzodin masiv dhe masakrën e tmerrshme në kurriz të shqiptarëve.
Cilat janë krimet e Isa Mustafës në kohë të monizmit?!!
Porosia e zëvendës shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, për
distancimin e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, për "krimet" e tij në
kohën e monizmit, i ftoi për jehonë leha-qenët e gazetave bulevardeske,
rrugaçërore e staliniste në Kosovë dhe zagarhanen e disa faqeve të interneteve
në Mërgatë. Ata i servirën lexuesit shqiptar fragmente të fjalimeve që datonin
tri dekada më parë, të nxjerra nga "Rilindja", të cilat, për mendjet
e shëndosha, nuk kishin asgjë kompromentuese për kryetarin e atëhershëm të
Prishtinës, Isa Mustafa. Korin e çakorduar të lehjeve prej 30.000 anëtarëve të
SHIK-ut,( dhe jo 30 apo 90, siç na përrallisë i pispillosuri Veseli), e
dirigjonte Shtabi i Përgjithshëm i SHIK-ut, të cilin, për më shumë se një
dekadë, provuan t`ua shisnin shqiptarëve si "SHP i UÇK-së"!!!
Dhe, konkretisht, Isa Mustafa, në cilësinë e kryetarit të komunës të Prishtinës, u paska premtuar serbëve të Fushë-Kosovës se "do ta përmirësojë infrastrukturën e qytezës", andaj nuk kanë përse të shpërngulën. Dhe, cila është rrjedhoja e këtij premtimi? Ajo që Isa Mustafa u premtoi serbëve në Fushë Kosovë e gjetkë ishte thjeshtë: "Më ka çu nëna me lagë gojën"! Dhe, këtë e dinin mirë serbët në ikje e sipër nga trojet shqiptare anekënd Kosovës. Dhe, po të mos kalkulonin Beogradi dhe Tirana, për interesat e tyre reciproke dhe në dëm të Kosovës, për demonstrimet studentore në pranverë të vitit 1981, vetëm një vit pas vdekjes së Titos, në Kosovë mund të mbeteshin aq serbë e malazezë, sa transporton agjensia e nderuar e udhëtarëve "Barileva", gjatë një uikendi, fund jave verore në relacionin Evropë - Kosovë.
Qytetaria e krimit në Kosovë
Zgjedhjet e fundit në partinë në pushtet dëshmojnë se
krimi i organizuar politik dhe ekonomik në Kosovë po e merr qytetarinë. Edhe
ndarja e posteve po bëhet në proporcion
me përmasën e kontributit të dhënë, përkatësisht krimit të bërë, me
qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Mujëshia, forca e krimit po e dikton
rrjedhën e jetës në Vilajetin e cunguar të Kosovës tonë. Shpresat për
ndryshimin e statusquosë, të gjendjes aktuale janë zvetnuar skajshëm, sepse
opozita është blerë, shantazhuar dhe kërcënuar deri në heshtjen e detyruar.