| E marte, 26.02.2013, 08:44 PM |
Revoltë dhe
meditim mbi poetikën e Adem Zaplluzhës
Nga Baki Ymeri
Veprat e
shkrimtarëve tanë janë një kontribut permanent dhe vendimtar për realizimin e
profilit shpirtëtor të Europës dhe të mbarë botës kristiane. Themi kristiane
sepse Ademi para se të bëhet Adem ishte Adam, njësoj siç ishte Ibrahimi
Abraham, Demiri Dhimitër etj. Këto ditë, në 101 vjetorin e Pavarësisë dhe 70
vjetorin e lindjes së poetit, Fatmir Minguli nga Durrësi vjen para opinionit
shqiptar me një vepër të re: “Revoltë
dhe meditim mbi poetikën e Adem
Zaplluzhës” (Shoqata e shkrimtarëve “Fahri
Fazlliu”, Kastriot, 2013). Sipas tij, të
shkruash për krijimtarinë poetike të një poeti prishtinas, do të ishte e
barabartë sikur të shkruash një sagë të vërtetë jetësore. Në këtë sagë librat poetikë të këtij poeti janë
kapituj që jeta e tij i ka për subjekt, e ku lexohen këndshëm ndodhi, epika,
legjenda, dashuritë, natyra e Kosovës, heronjtë e kohës, jeta e shkuar dhe e ardhshme, qiejt e hapur dhe
mjegullat e jetës, kozmosi dhe zogjtë.
Nga
vështrimet kritike, prezente në këtë libër, kuptojmë se Adem Zaplluzha shkruan
me njenjën e dinjitetit personal dhe me një moralitet të veçantë të gjërave të
thjeshta. Të njohësh poezinë e Adem Zaplluzhës, thekson autori në kuadrin e
parathënies, “duhet të lexosh të 77 librat e tij, por edhe një poezi e vetme do
të mjaftonte për këtë njohje. Ky nuk është thjeshtë një konstatim ndoshta
grotesk por një forcë e talentit të poetit që po i afrohet vitit të 70-të të
jetës së tij. Kopertinat e 77 librave janë tashmë si gurë të veçantë të një mozaiku që pasqyron
hapësirat kosovare me të gjitha ngjyrat e saj.” Dhe më tej: “Një punë
vigane e poetit
për të ndërtuar një obelisk të poezisë moderne kosovare e për tu folur
njerëzve se jeta është e bukur dhe e patjetërsueshme, se kosovarët si ilirë
dardanë vinë në ditët tona krenarë e të përparuar në lirinë e tyre të fituar me
sakrifica e humbje njerëzore. Por në obeliskun poetik të Adem Zaplluzhës, nuk
janë vetëm këto. Janë ato elemente në magmën e krijimit të poetikës ku bien në
sy talenti i veçantë i tij, një talent i lindur
midis shpirtit të zambakëve të Prizrenit dhe vrullit të ujërave të
Lumbardhës.”
Para nesh
kemi një libër që që i jep rëndësi poetikës
moderne shqiptare duke patur Adem Zaplluzhën si personazh qëndror. U
desh ky libër për të njohur dhe hapësirat e botës së lexuesve dhe të kritikës
së specializuar, se si janë konfrontuar me veprën e këtij krijuesi të njohur.
Që nga faqet e para konstatojmë se mendimet
e dhëna në këtë libër nuk janë thjeshtë një konfirmim, por edhe një
vlerësim real dhe dashamirës. Autorë të ndryshëm janë prezentë me shkrimet e
tyre, duke u bërë jo vetëm kritikë veprës poetike, por duke qenë edhe zëdhënës
të një vepre që ia vlen të lexohet. Shumë kritikë, publicistë, poetë e
shkrimtarë të ndryshëm që paraqiten në këtë botim të veçantë, vijnë jo vetëm nga
Kosova, por dhe nga Shqipëria, Rumania, Amerika, Suedia, Gjermania etj. Fatmir
Minguli konkludon se kjo vepër voluminoze është një gjeografi që do ta kishte
zili kushdo nga krijuesit e ndryshëm.
Në
kuadrin e parafjalës, Vladimir Muça thekson: Tek lexoja një parathënie të
librit “Letër atdheut” të Eshref Ymerit, më përfshiu fiksioni në
përcaktuershmërinë e thjeshtë, por bindëse të tij: “Shpreh bindjen se
krijimtaria artistike e Adem Zaplluzhës ka tërhequr e do të vijojë të tërheqë
vëmendjen e studjuesve të letërsisë, të kritikës dhe gjuhëtarëve të cilët me
metoda shkencore do të mundohen të zbulojnë të fshehtat e shpirtit të poetit
dhe t’i përgjigjen pyetjes se ku fshihet magjia e ndikimit të tij mbi shpirtin
e njeriut? Eseisti Fatmir Minguli mori nismën për të përmbledhur gjithë
shkrimet e botuara në gazeta e revista për Adem Zaplluzhën. Në kontekstin
letrar ndoshta, sipas V. Muçës, kjo krijimtari e bollshme, por edhe shumë
cilësore, vjen në letrat shqipe si ato ngulimet e “Trojës letrare” në truallin
dardan dhe baca Adem na vjen si një Priam poetik.
Duke
plasuar ide personale në lirikën e tij, Adem Zaplluzha plason vlerat letrare
dhe morale të botës shqiptare. Nga parafjala kuptojmë se vlerat që përcjellin
veprat e trajtuara në kritikologji, e justifikojnë plotësisht evidentimin e
studimeve, eseve, refleksineve të përmbledhura në këtë libër. Ky libër
përmbledh një varg shkrimesh analitikë të shkruara me zërin e zemrës, në
konceptimin filo-analitik, me një dashuri të përbashkët, por edhe me një
shqetësim për ardhmërinë e poetikës së sotme në suazat e një recesioni që ka
mbërthyer krijimtarinë mbarëkombëtare.
Ndoshta ky libër mund të marrë vlerat e një doracaku në evidentimin e vlerave
të vërteta të poezisë së sotme kosovare dhe më gjërë, thekson Vladimiri në
kuadrin e vlerërsimit të tij, duke shtuar:
Kolegët
që janë marrë në këtë hapësirë kohore me studimin e veprës poetike të Adem Zaplluzhës e dinë fort mirë
tashmë dhe e kanë parasysh se çfarë vështirësish komplementare përbën hartimi dhe përmbledhja e tipareve, përbashkësive, ku të treten
tiparet individuale të secilit studjues. Por ata kanë patur parasysh dhe atë
djaloshin Adem që në vitin 1968 fitoi çmim të parë në konkursin poetik në Beogradin
e ish Jugosllavisë. E kur ju kërkua nga kryetarja serbe e jurisë që ta
recitonte në serbisht poezinë fituese, Ademi nuk pranoi. Por poeti i madh kroat
Miroslav Kërlezha iu drejtua dhe i tha: “Mirë biri im, lexoje në gjuhën e
nënës!”, dhe Ademi e lexoi shqip.
Një poet
i tillë kaq atdhetar, u mbajt në mjegullat e Andromedave ziliqare, futur diku
në vrimat e dheut si ato ngulimet trojane, me xeherore brilantine që prisnin
sortirimin në karierat letrare të kohëve që do vinin. Pas çlirimit
nga yinxhirët e pushtimit 100 vjeçar serbo/sllav, autori i librave poetikë dhe
studjuesit e tij kanë bërë një punë të madhe drejt përfitimit të përqasjes
koherente nga shumë lexues. Gjeografia shkrimore ka qenë e gjerë duke
përfshirë jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën
por dhe Rumaninë, Suedinë, Amerikën, Kanadanë etj. Shkrimet evidentojnë vlerat
e një arti të ri (deri tani të pamediatuar) me një përqasje drejt një moderniteti të natyralizuar. Por
universialiteti poetik i Adem Zaplluzhës, i tejkalon kufijtë e racionales dhe
lëvron në troje të iracionalitetit, në kondicion subkoshience të një ëndërre të
kahmoçme.
Cila
është ajo të rrëmben me larminë e saj befasuese e interpretuese të ndjenjave? –
pyet Vladimir Muça dhe përgjigjet: Studjuesi e lexuesi e ndjejnë veten si në
një Akropol ku janë ekspozuar të gjitha gjetjet e ndjesive shpirtërore. Nga
përbashkësia e shkrimeve në këtë libër evidentohet qartazi se vepra poetike e
Zaplluzhës nuk është thjeshtë një epizëm
apo një atdhetarizëm trashendent. Ajo synon për më thellë, duke spikatur drejt
një filozofie sociale të kohës e mbarsur me brengat dhe handikapet e saj. Ndaj
dhe autori i kësaj përmbledhjeje studimore e mirëpërcaktuese shkruan: “Poetika e Adem Zaplluzhës
në të gjithë tërësinë e saj bazohet në revoltën legjitime të një poeti atdhetar dhe që
pasohet shpesh nga një meditim i thellë për hallet e shoqërisë së sotme.”
Ky është
dhe boshti rreth të cilit prevalojnë artikujt e përmbledhur në këtë libër të veçantë në llojin e vet, si një
detyrim jo vetëm shoqëror por dhe
atdhetar e shkencor në nxjerrjen në pah
të vlerave të patrajtura në nivelet që ajo kërkon. Fatmir Minguli na
ofron një lekturë magjike që të ndrit dhe pasuron, për një poet që s’e përsërit
vetëveten, dhe që të mundëson të hedhish një shikim të saktë në thellësinë e
veprës së tij.