| E hene, 25.02.2013, 08:30 PM |
ARTA
DOBROSHI OSE NJË AVA GARDNER E KOMBIT TË VET
NJË
SHOOTING STAR DHE ZEMËRTHIRRJA: NËNËS MOS I BËNI VARR!
Nga Xhemail Peci
Aktores
me horizontin e së pritmes që ia falë suksesi në të ardhmen, iu bë nderimi që
nga ardhja në Aeroportin e Prishtinës, me ofrimin e Mikrofonit nga emisioni
KULT, por ajo na nderoi të gjithëve duke folur – jo për t’u mburrur për
suksesin e saj të merituar, jo si një zëdhënëse e qeverisë (ndonëse Qeveria ka
kohë që nuk ka as zëdhnës e as zëdhënëse), por si një Zëdhënëse e Popullit.
Duke
folur nga thellësitë e zemrës së saj, Aktorja Arta Dobroshi nuk foli për të
bërë politikë, sepse ajo e di thënien e shkrimtarit të madh francez Stendalit,
se përzierja e artit me politikën i ngjanë një krisme revolveri në mes të një
koncerti apo opere, pra e prishë ate.
Aktorja
Arta Dobroshi, duke folur nga një studio e Radio Televizionit të Kosovës, në
Pesëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pra me datën 17 shkurt 2013, bëri Thirrje
për sinqeritet dhe për drejtësi, për barazi shoqërore dhe për mirëqenie të
qytetarëve dhe të shtetasve të Kosovës, e jo vetëm për celebrime.
Ajo e
dëshmoi se një Aktore e Madhe nuk i gëzohet suksesit të vet, kur nuk e sheh
popullin e saj të gëzuar e në mirëqenie. Ajo edhe ka mundur të kënaqet në
sukseset e saj, ka mundur edhe të rrijë krejtësisht indiferente, por në të
vërtetë Ajo e dëshmoi shumë qartë se i takon një brezi të ri që ka Ndërgjegje,
që edhe kur gjendet përballë realitetit të ndërtuar edhe në baza makiaveliste,
as nuk mundet të heshtë e as nuk mundet të mos flasi.
Duke
kujtuar gjyshet dhe gjyshërit që me edukatën dhe me mirësinë e tyre na kanë
edukuar jo vetëm për të punuar, për të aspiruar drejt sukeseve, por edhe për
t’u solidarizuar e mishëruar me ata që nuk kanë, Arta Dobroshi foli popullorçe:
si nuk ju vjen gjynah pushtetarëve dhe pushtetmbajtësve!?
Pa
harruar se mjerimi s’do mëshirë! Pastaj shumë shkurt, ajo e argumentoi
Zemër-Thirrjen e saj për Mirëqenien e të Tjerëve e jo vetëm të ‘Elitës’: Të
dalim pak jashtë Qendrës së Prishtinës, të shkojmë pak në Pejë, Gjakovë a
Ferizaj, të shohim mjerimin dhe varfërinë. Le të shkojmë e të shikojmë në
Veriun e Mitrovicës, se si festohet Përvjetori i Pavarësisë…Le të kemi pak
Mëshirë, pak Ndërgjegje, pak Sinqeritet, e jo vetëm me e rjepë Qeveria:
Popullin e vet!!!
Arta
Dobroshi me Zemër – Thirrjet e saj, më ka kujtuar një varg Zemër-Thirrjesh të
Njerëzve të Shquar, të cilët nuk janë pajtuar kurrë me pabarazinë. Ajo më ka
kujtuar thënien e shquar të filozofit të lashtë kinez – Konfuçit: Më ke të jem,
në mos me njerëzit e varfër? Ajo më ka kujtuar me Zemër-Thirrjet e saj,
Zemër-Thirrjen e poetit të madh romantik europian Viktor Hygo: O popull, këta
qindra e këta mijëra, që t’i hanë gjarprinjtë me sprija, o Popull: i ke bijë e
i ke bija! Rrjedhimisht, Aktorja me Zemër të Madhe, Arta Dobroshi ka bërë
Thirrje për Zgjimin e Ndërgjegjes për Barazi Shoqërore: O popull, këta qindra e
këta mijëra, që i grinë skmaja dhe varfëria, o Popull: i kemi bijë e i kemi
bija!
Arta
Dobroshi me Zemër-Thirrjet e saj më ka kujtuar shprehjen aq të bukur të poetit
Xhevahir Spahiu, i cili gjithashtu ka bërë Thirrje kundër ‘artit të rjepjes së
miletit’.
Aktorja
Arta Dobroshi me Zemër – Thirrjet e saj, më ka kujtuar Zemër – Thirrjet e
shkrimtarit dhe intelektualit Ramiz Kelmendi, se Kosova është një vend shumë i
pasur për të pasur një varfëri kaq të madhe.
Ajo më ka
kujtuar Zemër – Thirrjen dhe Zemër – Klithjen e poetit Fan Stelian Nolit: Nënës
mos i bëni varr!
Gjithsesi,
Aktorja Arta Dobroshi, më ka kujtuar Zemër-Thirrjen e Zeusit të Vajmarit,
Poetit Kombëtar Gjerman – Johan Volfgang Gëtes: JO GJERMANINË TA ÇOJMË NË
AMERIKË, POR AMERIKËN TA SJELLIM NË GJERMANI!
Aktorja
Arta Dobroshi foli në një vend ku 50 % e popullsisë janë të papunë, vend që
sipas raporteve të fundit është në një varfëri edhe më të thellë se edhe:
Afganistani! Vend, ku varfëria ekstreme bën kërrdinë dhe tejkalon novelat e
trishtueshme të Migjenit.
Aktorja
Arta Dobroshi foli si Zë-Dhënëse e Popullit: Nuk thotë as ky Popull e s’ka as
Zot që thotë, nuk e thotë as Bibla e as Kurani, as Toka dhe as Qielli, që një
Varfëri e tillë të vazhdojë as sot e as mot, në tokën që ka aq shumë pasuri, aq
shumë begati…
Aktorja
Arta Dobroshi e dëshmoi se pos se është në rrugën e simotrave të saj Katarina
Josipi a Melihate Ajeti, ajo është edhe një Aktore me Zemër të Madhe.
Koha u ka dhënë gjithmonë të drejtë njerëzve me zemër të madhe e me ide të mëdha, dhe se koha ka për ta dëshmuar Aktoren Arta Dobroshin: si Një Ava Gardner që do të nderojë kombin të cilin nuk e do në varfëri, por në lartësi të përjetshme. S’e kanë thënë kot latinët në proverbin e tyre të moçëm, se çka ka në emër, ka edhe në zemër: ARTA DOBROSHI…