| E hene, 25.02.2013, 08:55 PM |
VLORA DHE
SHIPKOVICA E NJË JETE TË GJALLË ATDHETARE
(Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Bashkë në dashuri dhe atdhetari”, Bukuresht, 2012)
Nga përmbajtja e librit të autores nga Vlora kushtuar vlerave të diasporës, vlen të përmendim tituj, si: Ajvaz Voka dhe Bukureshti i tij, Aurelia u lind kur u lind Nëna Tereze (1910) dhe u nda kjo jetë, kur u shua kjo Nënë e shenjtë (1997), Fisnikëri, bujari, miqësi dhe besnikëri, Malësori i Sharrit që jetoi e punoi për Shqipërinë, Kush ishte Xhelal Gjura, Malësia e Tetovës, kërthiza e Shqiptarizmit, Kisha katolike dhe besimi fetar i shqiptarëve të Shipkovicës, Trashëgimia e patriotizmit kalon nga brezi në brez, Mbretëria e fjalëve të mbështjellura me dritë, Shqiptari që e do Shqipërinë qysh para krijimit të botës, Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shembullin e tij, Një jetë e shkrirë për çështjen shqiptare, Maraton i mërgatës shqiptare, etj.
Nga Fatmir Minguli
Kur
mbaron së lexuari librin më të ri të Vilhelme Vranarit, fillimisht mendon se e
njeh jetën shembullore të do prindërve të mrekullueshëm e të një çifti
patriotik me moral ideal. I tillë duket në pamje të parë ky libër i veçantë për
nga mënyra se si ka ndërthurrur autorja jetën e prindërve të Baki Ymerit, duke
e gërshetuar me jetën e shqiptarëve të Rumanisë dhe ngjarjet e Shqipërisë nën
okielon e jubileut të 100 vjetorit të
pavarësisë të shtetit shqiptar. Por, faktikisht nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një
libër biografik të shqiptarit nga Shipkovica që emigroi në Bukuresht si qindra
e mijëra shqiptarë të tjerë në dekadat e para të shek. 20. Në 150 faqet e kësaj
vepre që e pa dritën e botimit në vigjilje të Krishtlindjeve (2012),
përshkruhet edhe bashkëshortja e Ajvaz Vokës,
Aurelia e cila lidhi jetën me shqiptarin e malësisë së Sharrit, të cilit
i dhuroi katër fëmijë: Mavruzin, Skënderin e ndjerë, Bakiun dhe Safien që
tashmë mban një emër të ri, Diana Voka.
Shkrimtarja
nga Vlora (Vilhelme Vranari Haxhiraj), ka qëndisur një libër tjetër lloj nga
biografitë monotone, duke na dhënë informacione që intersektojnë jetën e
thjeshtë të shqiptarëve të Rumanisë me ngjarjet e mëdha që shqiptarët kanë
përcjellë si atdhetarë të vërtertë, kudo që janë ndodhur. Duhet pranuar se
komuniteti i shqiptarëve në Rumani ka qenë ndër më aktivët në krejt diasporën,
duke përfshirë gjithçka që ka ndodhur, që nga mesi i shekullit të 19. Pikërisht
këtu gjen ngjyrat e fijeve me të cilat shkrimtarja Vranari kompozon pamjet e
kësaj vepre vlerash reale të mbrujtura me sinqeritet, ndjeshmri dhe
atdhetari.Të duket sikur qëndisja e Aurelias në një pëlhurë artizanati para 80
vitesh, bëhet simbiozë me vetë mendimet e shkrimtares sonë të nderuar.
Aurelia i
qëndis në ato vite të martesës (30 gusht 1932), fjalët lapidare: “Rroftë
Shqipnija dhe na ndihmoftë Perëndia!”. E të mendosh se e shkruan një grua e
thjeshtë, amvise rumune dhe atdhetare shqiptare, duke respektuar dëshirën dhe
amanetin e burrit të saj që digjej për komb e atdhe. Që në prologun e librit,
lexuesi befasohet e pret me ëndje atë çka do vijë më pas. Para nesh kemi një
prolog konçiz dhe domethënës për prindërit e Bubullimës së Bukureshtit.
Gjithçka që vjen më pas, janë të bëmat e Ajvaz Vokës në kohën e Mbretërisë
shqiptare, e më tej, në kapitullin e dytë, edhe të djalit të djemve të tij, por
gjithçka që tregohet, gërshetohet me akte e fakte konkrete të zonje me shpirt
të florinjët (Aurelia Voka).
Pas këtij
prologu interesant, vijnë me rradhë përshkrimet për Shipkovicën, vendlindjen e atdhetarizmit
shqiptar që e konsideronin udbashët e Shkupit si “Mala Albanija” (Shqipëria e
Vogël). Pasojnë faqe briliante mbi jetën e kësaj gruaje fisnike dhe nëne të
dashur e të nderuar që e përvetësoi gjuhën shqipe Brenda një nate. Shprehje
metaforike, apo jo! Përshkruhet vendlindja e saj në pllajet e Transilvanisë,
njohja e saj me Ajvaz Vokën në Bukuresht, bashkëveprimi me intelektualë
shqiptarë dhe me konzullatën e Shqipërisë, arestimi i burrit të saj për
veprimtari politzike, braktisja e Bukureshtit dhe rikthimi në Shipkovicë
(1941). Vlen të përmendet vullneti që autorja Vilhelme Vranari ka bërë me
paralelizimin e ngjarjeve me librin e
saj “Mamaja” paralelizim që rrezaton dashuri njerëzore dhe na i sjellë fare afër
skenat e jetës së shqiptarëve të Bukureshtit, pa e harruar edhe Aurelia bujare
dhe familjen e saj.
Libri,
kaleidoskop shumëdritësh, paraqet skena të panumrëta të fisnikërisë, bujarisë,
miqësisë, besnikërisë, tipare të atdhetarizmit të paepur të prindërve të
Bakiut, Mavruzit dhe Diana Vokës. Këto skena të ndritshme, nën një kujdes
profesional të autoresm vijnë para lexuesit me shumë foto të atyre kohëve, me
faksimile dhe dokumente nga shtypi i kohës, me akte zyrtare sipas të cilave
Shipkovica asokohe i përkiste Shqipërisë, me kujtime origjinale nga bashkohësit
e me shumë komente të lidhura ngushtë me faktet jetësorë. Vilhelme Vranari,
krejt ndryshe nga librat biografikë, na ka dhënë një vepër model për nga mënyra
se si e ka trajtuar dokumentin historik, duke dhënë modelin e tratimit shkencor
të ngjajeve të ndodhura kohë më parë.
Lexuesi
ndjehet komod tek lexon kujtimet e motrës më të vogël të Aurelias, Marieta, si
dhe ato të motrës së saj më të madhe, Rozalia. Në kapitullin e pasur kushtuar
Marietës, autorja vlonjate me shumë elasticitet na krijon një tregim të
mrekullueshëm, një përsiatje magjike, jo vetëm të një gruaje rumune me
këndvështrimin e saj për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, por edhe një aspekt të
veprimtarive patriotike të familjes ku ishte nuse e motra e saj. Jo pa qëllim, në këtë kapitull autorja vendos
dhe personalitetet e kulturës shqiptare që vepruan në Bukuresht, si Nikolla
Naço e Gjergj Bubani, Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, Dhimitë Polena e
Xhelku Maksuti. Edhe kjo mund të konsiderohet si një ndërthurje që i shton
vlerat shkencore, biografike e publicistike, të kësaj vepre të veçantë të
Vilhelme Vranarit.
Në një
kapitull më vete na sillen problemet e gjuhës sonë (“Gjuha shqipe është e
vetmja pasuri e shqiptarëve”). Përsëri dallohet metoda intersektuese e
ngjarjeve patriotike me aspektin e zbërthimit shkencor. Me shumë takt, me një
konçizitet për t’u admiruar, autorja na paraqet “jetën” e gjuhës shqipe në
vendet e tjera, e në rastin tonë, në Rumani, ku kontributi i çiftit Ajvaz dhe
Aurelia Voka dhanë kontribut për kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ky
çift shembullor është i admirueshëm, sepse ata kanë qenë përcjellës të gjuhës
sonë të bukur, përcjellje që rrezaton në ditët tona tek trashëgimtari i tyre,
poeti, publiçisti e patrioti Baki Ymeri, alias AlbanVoka, për të cilin kanë
shkruar me admirim, Ali Podrimja, Xhelku Maksuti, Alma Papamihali, Remzi
Limani, Aurel Dasareti, Ramiz Dërmaku, e shumë të tjerë.
Duke
përshkruar traditat patriotike të shqiptarëve nga gjithë trojet tona që kanë
emigruar kudo nëpër botë, në librin e Vranarit gjejmë botën rumune dhe atë
shqiptare, identitete, bashkëpërkime e veti tjera që na afrojnë, kohëra,
ngjarje para 100 vjeçare, por dhe botën e sotme ku patriotët shqiptarë veprojnë
me zell e përkushtim të çiltërt kulturor dhe atdhetar. Këtë konstatim e kupton
lexuesi që në fillim të librit tek lexon “Poezi për mërgimin”, parathënien nga
Kurtesh Devaja dhe një argument nga Dr. Luan Topçiu. Dhe jo vetëm kaq, sepse librin e dinamizojnë fotografi dhe
facsimile nga gazeta rumune e shqiptare të kohës, protagonistë të këtij libri
duke qenë Aurelia dhe Ajvaz Voka. Pasojnë foto të godinës ku ka funksionuar
shtypshkronja e parë shqipe në Bukuresht (1886), foto të Tregut të Tetovës para
100 vitesh etj.
Nga
përmbajtja e librit të autores nga Vlora kushtuar vlerave të diasporës, vlen të
përmendim tituj, si: Ajvaz Voka dhe Bukureshti i tij, Aurelia u lind kur u lind
Nëna Tereze (1910) dhe u nda kjo jetë, kur u shua kjo Nënë e shenjtë (1997),
Fisnikëri, bujari, miqësi dhe besnikëri, Malësori i Sharrit që jetoi e punoi
për Shqipërinë, Kush ishte Xhelal Gjura, Malësia e Tetovës, kërthiza e
Shqiptarizmit, Kisha katolike dhe besimi fetar i shqiptarëve të Shipkovicës,
Trashëgimia e patriotizmit kalon nga brezi në brez, Mbretëria e fjalëve të
mbështjellura me dritë, Shqiptari që e do Shqipërinë qysh para krijimit të
botës, Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shembullin e tij, Një jetë e shkrirë për
çështjen shqiptare, Maraton i mërgatës shqiptare, etj.
Siç
shihet, nga kjo paraqitje kemi të bëjmë me argumente e me fakte reale. Kemi të
bëjmë pikërisht me atë artificë mjeshtërore të Vilhelme Vranarit e cila ka
“braktisur” ecjen drejtvizore në strukturimin e kësaj vepre dinjitoze. Kjo autore, me dinjitetin e një studjueseje
të zellshme, është në unison të plotë me filozofin dhe sociologun e sotëm
francez, Edgar Morin, i cili shkruan: “Një diagnozë e saktë kërkon një mendim
të aftë për të mbledhë dhe organizuar informacionet dhe dijet e njohura, por që
janë të copëzuara dhe të shpërndara.”
Kjo
metodë e ka prurë librin deri në ditët e sotme, kryesisht në aktivitetin e
revistës së rëndësishme “Albanezul / Shqiptari”, e cila është vazhdim i denjë i botimeve të patriotit
Nikolla Naço, e cila del sot e kësaj dite si periodik në Bukuresht. Nuk
tentojmë as ta lavdërojmë e as ta trimërojmë, por tentojmë të themi të vërtetën
se kryeredaktori aktual i kësaj tribune vjen nga gjiri i familjes Voka.
Duke e përshkruar me besnikëri dhe vërtetësi si një veprimtar i palodhshëm i Rilindjes së sotme virtuale, duke anashkaluar me zgjuarsi edhe ndonjë mundësi për kritikë, sipas Vilhelme Vranarit, figura e Baki Ymerit si një maraton i mërgatës shqiptare, është figura e një shqiptari vetmohues që trashëgon atdhetarizmin e prindërve të tij të nderuar. Një krenari të veçantë për prindërit e tij, ndiejnë të gjithë shqiptarët e vërtetë, që nga Shipkovica krenare e Sharrit, e deri tejmatanë brigjeve të Vlorës dhe Atlantikut. Libri i Vilhelmes nga Vlora (“Bashkë në dashuri dhe atdheatri”), është një kontribut në historigrafinë shqiptare, dhe një zbatim i detyrave të studjuesve për të riparë historinë e shqiptarëve, kudo që ata kanë jetuar dhe vepruar.