Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besar Shkëmbi: Kosë e ndryshkur në tavan

| E diele, 24.02.2013, 11:47 AM |


Besar Shkëmbi

 

Kosë e ndryshkur në tavan

 

Odës që dikur priste miq e dashamirë

I vjen era myk

 

Abetares në raftin e tejisur

Iu kanë zverdhur fletët

 

Oborrin e ka mbluar bari

Kosa është ndryshkur në tavan

 

Mexhen nuk ka kush ta krasitë

Sopata ka mbetur e ngulur në cungun e kalbur

 

Kaluan trembëdhjetë pranvera

Varret breg rruge pa u përtërit me një grusht dhe'

Shati ka mbetur në vijat e arës

 

Fshatarët kanë hequr emrin tim

Nga lista e rendit të vadës n'katund

Ara e madhe është bërë djerrinë

 

Te dera e oborrit askush nuk thërret

Askush nuk troket

 

Oxhaku nuk tymon

Eshtë mbyllur dera e konakut