Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Puntorie Ziba: Një ditë në Nju Jork

| E shtune, 23.02.2013, 09:26 AM |


Puntorie Ziba

 

Një ditë në Nju Jork

 

Mirëmëngjesi, Nju Jork hijerëndë!

Katër stinët që shkojnë vërdallë

brenda ditës tënde,

shiu që rigon si vesë bari

fjollëzat e borës

që sertnohen para se të mbulojnë hirin tënd

dhe gjerbin ajër romantikësh,

nuk mahniten fijezat e shpirtit tim.

... E furishmja erë

t'i kris qelqet e dritareve të mëdha,

fshin gjurmët e ajërta të shputave të bëra pis

dhe mban iso me zhurmën e fishkëllimës së trenave.

Nju Jork hijerëndë,

unë brenda hirit tënd të trëndafiltë

eci me sy të ndezur

trotuareve,

mbi gjurmët e Sylvia Plath,

si çupëlinë e trembur

futem në ankth

nga kjo bukuri e hirtë

që e kërcënojnë të katër stinët

brenda një muzgu.

Lulegjethet e tua

dridhen nga mnera

si gurbetqarët e mi,

nga koloriti sterrë

i Atlantikut gojë çaraveshur.

Nju Jork, Nju Jork,

nuk ka rëndësi

që unë jam një grimcëz në sytë e tu,

e ti një livadh i trendafiltë

në sytë e mi të azurtë,

që nuk ndalojnë së përndjekuri

udhët e tua deri në apogje.

New York, 12.02.2013