Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Merushja

| E shtune, 23.02.2013, 12:27 PM |


MERUSHJA

Tregim nga Resmi Osmani

Dera e zyrës u hap përgjysëm, prej saj një rreze drite çau gjysmerrësirën e koridorit dhe bëri të flakëronin thërmijëzat e pezullta të pluhurit që vërtiteshin si ca shpirtra të dalldisur. Merushja,që priste radhën, dëgjoi të thërrisnin emrin e saj dhe u afrua. Sekretarja e bukur si një kukull porcelani, e ftoi me një lëvizje të ngathët të dorës që të hynte. Merushja kaloi mes parazyrës duke ndjerë nën këmbë butësinë e tapetit dhe pa me droje opingat e saj të llastikta të ndotura nga balta, Ajri i ngrohtë mbante era duhan, ndërsa nga kurmi i sekretares shpërndahej era molisese e parfumit. Kabineti ishte i pastër dhe i ndriçuar sa të lbyreshin sytë.

Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, i ulur prapa tryezës së punës, jepte e merrte me shkrepset që s’i ndizeshin. E humbi durimin dhe e flaku shkrepsen mbi tryezë duke sharë nëpër dhëmbë. E hoqi cigaren nga buzët dhe e hodhi vështrimin nga ankuesja. Ajo ngadalë e si e hutuar, bëri përpara dhe pa kërkuar leje, mori shkrepsen dhe me lehtësi i dha flakë fijes.

- Ndizeni, shoku kryetar.

Kryetari e pa me habi, por e ndezi cigaren e falnderoi, thithi me ashk duhanin dhe lëshoi një fjollë tymi të kaltëreme. Prapa saj, fytyra zeshkane e kryetarit sikur u shformua dhe ai u duk i largët e i ftohte, pastaj fjolla u shpërvol dhe ai u bë prapë i afërt, por jo dashamir.

- Të dridheshin duart, prandaj s’të ndizeshin shkrepset- i tha ajo- Duket që je mërzitur nga ankesat e atyre që ke pritur.

- Ashtu vërtet-tha ai i ngrysur- Por njerëzit kanë edhe halle, por besoj se ti s’do më mërzisësh, apo jo?

E ftoj që të ulej në karrigen kundruall tij, por ajo i tha se ndjehej mirë edhe në këmbë.

Pas kësaj, pyetjeje, e shqyrtoi vëmëndshëm nga koka te këmbët, këtë ankuese kurajoze: Mesogrua, shamia e bardhë i mbështillte ovalin e fytyrës së rreshkur e të plakur para kohe, por vështrimi ishte i kthiellët dhe energjik. Në trupin e imët, bënin dallim duart: Të mëdha e me lëkurë të ashpërsuar. Ajo e ndjeu vështrimin e tij dhe i fshehu duart nën përparëse. Poshtë trikos së leshtë të endur me shtiza dhe përparses, kishte pantallona doku, që sado të pastra, në fund të këmbëve, edhe pse të fshira, dukeshin gjurmët e piklave të baltës së rrugës. Në këmbë opinga llastiku, nga ato të gomës së durrësit me çarape pambuku. Kryetari u mundua të sillte ndër mend ku e kishte parë, por në rrëmujën e ngjarjeve të asaj dite të takimeve me popullin, nuk mundi ta kujtonte dhe e pyeti:

- Shoqja Merushe, njihemi gjë bashkë?

- Keni qënë vitin që shkoi për vizitë në fermën tonë të lopëve, në Luadh. Aty më pyetët për shumë gjëra dhe biseduam gjer’ e gjatë, por s’e besoj ta mbani mend. Ju piqeni me shumë njerëz. Ashtu ua do puna.

- E pashë ankesën tuaj. Dua të të pyes: Pse nuk erdhi burri?

Ajo u mendua para se t’i përgjigjej. Fundja ç’i duhej kryetarit që pyeste për burrin! Por neise,e donte një përgjigje.

- Im shoq është punëtor i mirë, por nuk i jepet, nuk kuturis të shkojë nëpër zyra. Ashtu e ka huqin, nuk kërkon gjë për vete, i vjen rëndë. Kur burri nuk i merr përsipër ca punë që i takojnë, i takon  gruas të bëhet burrë! Kësisoj erdha unë. Nevoja ku s’të shpie.

- Po të dëgjoj Merushe. Folë si e ke hallin.

- Shoku Eqrem, ne të dy, burrë e grua kemi një jetë që punojmë në fermë. Unë, mjelëse në fermën e lopëve hollandeze, im shoq Skënderi, traktorist në sektorin e Kodrës. Banojmë në fshat, në Burimas. Përditë, dimër e verë, bëjmë nga një orë e gjysmë rrugë vajtje ardhje për në punë. Fëmijët na u rritën dhe duan të vinë në shkollë të mesme. Gjetëm një barake të vjetër aty në sektor, e lyem, e rregulluam dhe i prum fëmijët. Ata filluan shkollën. Më pas, me kismet, themi të bëjmë një shtëpi tonën. Mirëpo na është vardisur kshilli e s’na ndahet dhe me domosdo kërkon të na nxjerrë jashtë. Na thotë të kthehemi nga kemi ardhur. Bëm një kërkesë për leje banimi, por komiteti- ajo ngeci se nuk po gjente dot atë fjalën që përdorej aq shpesh në kësi rastesh-Nuk na e ashtu…

- Nuk e miratoi- i erdhi në ndihmë kryetari.

- Po, pikërisht ashtu- tha ajo ngadalë e me keqardhje dhe duart ju varën poshtë si të këputura- Prandaj kam ardhur, të na lini të banojmë e jetojmë atje ku kemi punën. Kaq kërkojmë. Askujt s’i biem qafës, rrojmë me djersën tonë.

Ra heshtje. Dëgjohej vetëm gërvishja e penës së sekretares, që shkruante në librin e ankesave. “ Sa thjesht dhe qart’ e bëri kërkesën- mendoi kryetari- por sa e koklavitur është zgjidhja e saj!”

- Pse doni të ikni nga fshati, nga kooperativa juaj bujqësore, shoqja Merushe?

- Epo e thashë një herë, ne punojmë në fermë, me lejen e fshatit. Pastaj pse pyesni dhe bëni sikur nuk e dini, shoku kryetar, në fermë rrohet më mirë. Përpiqemi për më mirë, për vete dhe fëmijët. Kjo nuk është ndonjë e keqe. Është një e drejtë që mendoj se  na takon.

- Jo. Kështu jo. Ç’do të bëhesh në rast se të gjithë do të dëshironin të braktisnin fshatin?

Kryetari foli gjatë për të mirat e jetës në fshatin socialist. Fjalët rridhnin lumë. Ishin po ato fjali të gatshme e të rëndomta, që thuheshin në çdo rast të tillë dhe përfundoi:

- Prandaj nuk e miratuam dhe nuk mund ta miratojmë kërkesën tuaj shoqja Merushe!

Me atë përgjigje, ai i la të kuptonte që takimi kishte përfunduar, por Merushja s’luajti vendit.

- Nuk jam e një mendjeje me ty- i tha ajo prerazi. Zëri kishte një tingull të metaltë dhe si një gulç të brendshëm- Gjykojeni dhe një herë. Kurt tha kështu, zëri iu bë lutës, por kryetari vazhdoi në të tijën.

- Komiteti, që e ka vendosur, di diçka më shumë se ju, apo jo? Ai mbështetet në ligjet, urdhëresat, rregullat, e një tok gjëra të tjera. Detyra jonë është ti zbatojmë e jo ti shkelim ato. Ne e shohim problemin më gjerë, në tërësinë e tij, në interesin e përgjithshëm!

Tingulli i ziles së trlefonit ia ndërpreu ligjëratën. Ngriti dorezën e telefonit të kuq dhe u përqëndrua në bisedë.

Merushja i hodhi sytë nga sekretarja. “E bukur,s’ke çi thua” mendoj ajo dhe i mbetën sytë tëe duart e bukura, të bardha, gishtërinjtë e hollë, thonjtë çuditërisht të gjatë, si bajame, me manykyr si lule shege. Si duhet ti bënte punët e shtëpisë me ato duar, si i lante enët, lëveret e fëmijëve?

Kryetari e mbaroi bisedën telefonike. U ngrit nga tryeza dhe iu afrua ankueses.

- Bashkë mbaruam- i tha ai- besoj se u sqaruat për ankesën. Ditën e mirë- dhe i zgjati dorën, por Merushja nuk ia dha të sajën.

- Prisni pak- i tha ajo- Si më zboni pa mbaruar punë? Kjo po që është një çudi: Kudo që shkoj, më thonë po ato fjalë, një lumë me fjalë, të gjithë flasin njëlloj, sit ë kurdisur, saqë të mbushet mendja që të mos shkosh askund, ngaqë e di që sefte se ç’do të të thonë!

Kryetarin sikur e thumboi grerza:

- Më bëre të humbas durimin. Dreqi e mori, ç’kërkon të arrish me gjithë këtë këmbëngulje? E di që përjashta presin të tjerë, që të më takojnë? Lidhi duart prapa shpine dhe filloi të ecejakej  nervoz nëpër zyrë.Befas qëndroi para ankueses dhe ju shkreh në fytyrë:

- Kur nuk u mbaron punë e përse duhet ti takosh!-tha ajo me pezm.

- Pa shih ç’na qenka! Më thuaj, po të ishe ti, si do të veproje?

Merushja u shkund dhe u gjallërua, i kishte dalë në shteg.

- Po të jetë kështu, ndrron puna - tha ajo - Ligjet janë si gjerdhet me thupra dhe kanë plot të çara, po të duash e gjen një.

Me hap energjik eci drejt tryezës, u ul në karriken e rehatshme, i dha trupit përpara dhe vaisi kokën pak anash. Mënjanoi pirgun e letrave që kishte para vetes dhe mori në dorë një laps të trashë kuq e blu, me të cilin nisi të trokiste lehtë mbi syprinë të tryezës. Kryetari shtangu dhe nuk po e kuptonte ç’ishte kjo lojë, megjithatë priti se çdo të ndodhte.

- Shoqja Merushe- tha ajo duke trshur sa mundi zërin- ne ta dimë hallin, por e dimë edhe që ti je një puntore e mirë. Që ngrihesh që menatë dhe me duart e tua mjel atë qumësht që pinë gjithë fëmijët e këtij qyteti. Edhe Skënderi, traktorist i dalluar, plugon arat dhe mbjell grurin nga i cili ndofta të tërë kemi ngrënë nga një kafshatë bukë. Komiteti e miratoj kërkesën tuaj për leje banimi në sektorin e Luadhit. Bëni një shtëpi të re në vend të kasolles. Që nesër hapni themelet dhe vini gurin e parë. E gëzofshi! Bashkë mbaruam. Ditën e mirë, të vijë tjetri-iu drejtua sekretares.

Kryetarit i hipi një e qeshur e beftë, aq sa e zuri kolla dhe i dolën lote nga sytë. Merushja mbushi një gotë uji nga qelqi që ishte mbi tryezë dhe ia zgjati. Ai piu dhe e falnderoi, pastaj në fytyrë i ra ajo hija e zakonshme e autoritetit.

- Shoqia Merushe, si e zgjidhe ankesën kaq shpejt?

- Kur ishit ulur Ju, fliste karrigia, kur u ula unë foli njeriu. Hallet nuk zgjidhen vetëm me ligje e rregullore por edhe me dhimbsuri, zemër e njeridashje. Zemra dhe mendja kështu ma thanë dhe kështu e zgjidha - tha dhe u nis të dilte nga zyra.

- Prit i tha ai- dhe e zuri butësisht nga dora- Merushe, qënke dreqi vetë, ma punove paq dhe më dhe një msim të madh që do ta mbaj mend gjatë. Në mbledhjen e parë të komitetit, do propozoj që kërkesa juaj të miratohet. Besoj se fjalën do ma dëgjojnë. Këtë punë zere të mbaruar. Nisni ndërtimin e shtëpisë. Burri yt bëri mirë që nuk erdhi. Nëse të pret puna, le të pimë një kafe bashkë, se boll jemi lodhur. Ajo pranoi.

Teksa sekretarja doli për të porositur kafet, ata u ulën në kolltuqet rreth tryezës së vogël që ishte në kënd të zyrës, duke menduar për gjithsa kishte ngjarë.

Tiranë, shtator 2012.