| E shtune, 23.02.2013, 09:00 AM |
Kush
(Titull rezervë: Koha për të ndërruar status)
Nga Vangjush Saro
Një
histori me shumë përplasje e të panjohura, një drejtim autoritarist i shtetit
dhe i zyrave, një jetë e ngarkuar me shumë eksese, përfshi varfërinë, si në
Shqipëri edhe në Kosovë, polemika pa fund për të djeshmen dhe të sotmen, të
gjitha këto na bëjnë të pyesim herë pas here: Pse ndodh kështu me ne?
Kështu, po e tjerr pak këtë argument, pa pretenduar se gjithë sa mund të ofrojmë është me doemos kështu.
1.Çka kemi mbi kurriz?
Jam kundër
disa shkruesve që vend e pa vend përpiqen të thurrin lëvdata për kombin dhe
veten, jo po jemi më të vjetrit, jo po më të mirët, të parët e Ballkanit, të
Evropës, nuk di ç’tjetër. Natyrisht, është gjë e mirë, e domosdoshme, të dish
nga vjen dhe si i kanë shkuar punët popullit të cilit i përket. Por duke sjellë
një trashëgimi të caktuar, nuk ka nevojë për brohori dhe mburrje, sepse ndërkaq
historia jonë dhe jeta jonë kanë kaluar nëpër shumë vuajtje e tallaze, jo për
gjithçka mund t’i themi fjalë të mira e përgëzuese vetes dhe të parëve tanë. Në
këtë sens, mendoj se me qetësi dhe drejtpeshim, duhet të inkurajojmë temën
pellazgjike, të mësojmë brezat që ne vijmë nga ilirët, sikundër gjuha shqipe
vjen nga ilirishtja, të skanojmë me realizëm çka ndodhi përgjatë pushtimit
romak, përgjatë dyndjeve sllave, nën regjimin otoman, kur vendi ndërroi fe dhe
kur struktura jetike shqiptare u trandën, e kështu me radhë. Ne duhet të
skanojmë më tej e gjithaq me kujdes edhe periudhën e paqendrueshme nga viti
1912 deri në vitin 1939, pastaj fatalitetin që na diktoi Konferenca e Mukjes,
qëndrimin për një kohë të gjatë në një rend shtypës, e po kështu këto 22 vjet
tranzicion i stërzgjatur, një peshë dhe barrë e pamerituar për ne. Apo e
merituar?
Ja tani
po hyj në temë. Nuk jam i prirur të mohoj disa arritje në Shqipëri e në Kosovë,
si vendosja e ekonomisë së tregut, ndërtimi i rrugës që lidh dy vendet,
përpjekjet për një raport të qendrueshëm me Perëndimin, etj. Por ndërkaq, kemi
një tufë
Shpesh
herë pyes veten: Çfarë kanë më shumë këta sllovenët, që janë kaq të shtruar,
nuk ndihen, nuk bërtasin, as mburren por as edhe vuajnë, Prodhimin e Brendshëm
vjetor për frymë e kanë 21.000 euro (nga më të lartët në Evropë), etj....Vë re
prej kohe se ç’ndodh në Greqi, se si u ngritën dhe e dogjën Athinën kur policia
vrau një të ri, se si i përcjellin problemet e tyre ekonomike duke rëzuar
qeveri pas qeverie. Shikoj se si u ngritën bullgarët vetëm e vetëm pse kuptuan
që po ua hidhnin me faturat e dritave. Dhe kryeministri i tyre që dorëhiqet,
duke thënë se nuk mund të drejtojë në një vend ku policia rreh qytetarët. (A
nuk i vrau si te ne, a?) Lexoj më së fundi se Fituesi i Ariut të Artë - si
filmi më i mirë në edicionin e 63-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në
Dhe megjithë që e di se edhe ata popuj kanë shumë probleme, prapë pyes vetën pse ne edhe më shumë, ç’na mundon, kush na e ka fajin…
2.Rreth termave fshatar dhe malok
Ka
shkrues që na kujtojnë se në Shqipëri, deri në fillimet e vitit ‘90, 60% e
popullsisë jetonte në fshat. Kjo e shpjegon njëfarësoj prapambetjen, shfaqjen e
kaq shumë pragjeve në udhën tonë. Megjithatë, unë nuk mendoj se mund të
fshihemi pas këtyre termave. I pari. Të gjithë e kemi një damar nga fshati.
Edhe kur jemi prej dy a tre brezash qytetarë, gjyshi (për dikë stërgjyshi)
andej na ka ardhur. Ca më pak, në kushtet kur njerëzit kanë ndërruar tashmë
udhët e destinacionet, gjykime këso nuk mund të na çojnë shumë larg. Unë mendoj
se fjala fshatar nuk na ka zënë rrugën. Gjatë viteve të jetës studentore në
Tiranë, në kohën kur punoja mësues në Tomorricë, por edhe më pas, në vitet që
jetova në ish-Kinostudio (për shkak se nuk kisha shtëpi), kam pasur afër djem
nga fshati, që për nder, nuk i bën më nëna. Jo jo, nuk e pranoj që na e ka
fajin ky term.
Kohët e
fundit, ne kemi filluar të “fshihemi” edhe pas termit malok. Çfarë kuptoj unë
me këtë fjalë? Ata që kanë ardhur në Tiranë nga zonat e vështira të Veriut? Nga
ato të Jugut? Se male ka kudo; dhe Korça, vendi im i lindjes, ka malësi e
ç’malësi...Nuk e di ç’kuptojnë të tjerët, por unë vetë me këtë fjalë kuptoj një
njeri të trashë, që nuk respekton rregullat elementare të shoqërisë dhe të
shtetit, një njeri që mëton të xhvasë nga të mundet, një njeri që shkel mbi të
tjerët. Ja kaq. Kujt t’i djegë le të kruhet. Për mua, të tillë ishin ata
zyrtarë të lartë dhe të afërmit e tyre që kanë gisht në Gërdec.
Jo. Nuk
mund të fshihemi pas termit malok. Dhe më së koti përpiqen të na armiqësojnë.
Ne i duam shqiptarët nga Veriu, ca më shumë Kosovën, që e dimë sa ka vuajtur.
Këtë raport të paprekshëm, nuk mund ta përqeshin as shkruesit snobë dhe as
politikanët e korruptuar dhe me maska nacionalizmi ndër fytyra. (Kërkoj ndjesë
për personalizimin e temës diku më lart dhe në këto radhë, por e vërteta është
që nga ato anë kam pasur miqtë e mi më të mirë. Për rastësi, tre recensione që
mbaj mend të jenë adresuar në krijimtarinë time, janë si më poshtë: Hamit Aliaj,
poeti tropojan që tani, me sa di, është i papunë në Tiranë, ka shkruar për
librin tim të parë me skica “Prolog satirik”. Për novelën për fëmijë “Polic
Këmbëvogli” ka shkruar një recension (sado modest) poeti dhe publicisti kosovar
Skënder Zogaj, që për vite me radhë drejtonte në gazetën “Rilindja”, kur ajo
botohej edhe në Tiranë. Për novelën “Një ditë pa mamin” dhe pjesën tjetër të
krijimtarisë sime gazmore për fëmijë, ka shkruar sërish një verior, Milaim
Nelaj (nga Kukësi) studjues i letërsisë për fëmijë; (libri “Profile letrare”)).
Nuk mund të na hedhin dot kundër njëri-tjetrit me terma. Jo. Shqiptarët, në Veri dhe në Jug, kanë treguar se nderojnë jetën e njëri-tjetrit, trashëgiminë, të folmet, temperamentin, gjithë sa ka të bëjë me ngjyrime sipas krahinave. Nëse politikës i duhet një përçarje artificiale, kjo nuk ka perspektivë; nëse dikush ngre në pozitë dhe punëson ku të mundet gjithë njerëzit nga fshati a rrethi i vet, kjo shpejt do t’i kthehet mbi shpinë si një barrë e rëndë e gabimeve për të cilat dikur do të përgjigjet.
3.Feja si një kompleks...
Edhe kjo
mund të jetë një arsye pse na shkojnë gjërat lëmsh, por gjithsesi, rafsh i
vështirë; nuk mund të ecim larg edhe përmes këtij arsyetimi. Ç’është e vërteta,
një nga qasjet që nuk kam arritur ta kuptoj asnjëherë, është fakti që
bullgarët, rumunët, grekët, të gjithë këta nuk ndryshuan dhe nuk e panë veten
në një tjetër religjion e të tjetërsuar në shkallën që ne u zhbëmë. Por nga ana
tjetër, është po kaq e vërtetë se religjionet nuk i kanë nxitur shqiptarët të
hidhen kundër njëri-tjetrit, përkundrazi, kanë mësuar urti e mirëkuptim.
Për fat
të keq, kohërat i lëvizin këto dimensione. Ne vetë shpërthejmë në etiketime të
pavend. Klanet dhe misione të paqarta qeveritare bëjnë “pazare” të
paskrupullta. Një i tillë ishte edhe i shumëpërfoluri census i realizuar këto
kohë në Shqipëri. Natyrisht, mua si ortodoks, dhe as familjes sime (dhe këtu
s’është fjala thjesht për gruan dhe vajzat e mia) nuk mund të na vijë mirë që
ai censusi i pabesë na katandisi në 8.6%, nëse jam i saktë.
Nuk do ta uroja kurrsesi, por duke parë edhe disa teprime të religjionit islamik në Shqipëri dhe në Kosovë, druaj se kjo temë mund të na shkaktojë andralla dikur. Të shpresojmë jo.
4.Esat Pashë Toptani dhe simbolika e dasisë dhe mendjemadhësisë
Nuk besoj
që ka ndokush dyshim se kur vjen fjala për të kuptuar atë që nuk funksionon me
ne, emri i mësipërm mund të flasë shumë. Në një sërë veprime prej turkoshaku e
kokëshkreti, ky individ i erdhi kundër fateve të vendit vetëm e vetëm pse donte
të ishte ministër, kryeministër, të kishte shtetin e vet, feudin e vet, qoftë
edhe në një sipërfaqe sa për katër fshatra. Esati është njëlloj simboli i asaj
çka nuk shkon te ne, në historinë dhe në aktualitetin tonë. Publicisti dhe
shkrimtari historian Fritz Radovani na dha këto ditë, përmes së nderuarës
“Zemra Shqiptare”, një novelë të tërë që flet për kundërshti e moskuptime të krerëve
shqiptarë në mërgim gjatë kohës së komunizmit. (Letra e Kolë Mirakajt dërguar
Abaz Ermenjit.)
Historia
vazhdon, sepse ata që drejtojnë apo
vijnë përqark për të drejtuar, janë “krenarë, fodullë, të pashtruar dhe të etur
për fitim”, siç thoshte dikur shkrimtari dhe historiani Xh. Finlej për
udhëheqësit shqiptarë. Fatos Nano, para do kohësh, deklaronte se vitin tjetër
(domethënë këtë që jemi) do të ishte ose kryeministër ose kryetar i Partisë (PS
mendoj). Është kaq vanitoz. Nuk e lëshoj unë karrigen, thotë ndërkaq Sali
Berisha, nuk ia lë unë atij zyrën...Është për të qeshur. Tre ose katër herë ka
ardhur dhe ka ikur (siç ka ardhur) Eduard Selami, duke menduar se njerëzve iu
ka mbetur ora atje te Qyteti i Studentëve, (kur së paku 80 % e shqiptarëve
kërkonin rëzimin e diktaturës dhe Evropën); por kanë kaluar 22 vjet nga ajo
histori, s’kemi ç’i shtrydhim më. Vjen nga Haga Ramush Haradinaj (me gjithë
respektin për kontributin në UÇK dhe për qëndrimin në gjyq) dhe pa e pirë ende
një kafe në Kosovë, thotë se do të bëhet kryeministër. Këta ne nuk mund t’i
marrim seriozisht, sepse “siguria që kanë rrjedh nga marrëzia e tyre”, siç
thotë diku një personazh i Franc Kafkës. Politikanët shqiptarë, andej dhe këtej
kufirit, sidomos ata që jetojnë në klane, nuk kanë kurrfarë idealesh, përveçse
të përfitojnë ç’të mundin dhe të garantojnë pikërisht klanet dhe familjet e
tyre...e kështu, na rroftë mbrothësia e klaneve dhe e disa familjeve të pasura
e të lumtura që mund të tregohen me gisht.
Mbase iu afruam edhe më së vërtetës; por pa e lënë jashtë përgjegjësisë ndërgjegjen qytetare të shqiptarëve, të cilët në shumë raste janë pajtuar me tiraninë, kanë bërë aleancë me të, duke parë përqark për ndonjë kockë a përfitim tjetër çfarëdo. S’mund të them se këtë e bëjmë vetëm ne shqiptarët, por jam i bindur që heraherës ne këtë e kthejmë në sistem. Tre ilustrime: mercenarizimi në kohën e pushtimit osman, shërbimet e përulura ndaj diktaturës komuniste dhe tash në demokraci lektisja pas butaforisë për një vend pune apo për më shumë se kaq, duke u pajtuar ende me forma (të kamufluara) të tiranisë.
5.Ç’ndodh kur pushojnë ëndrrat...
Unë
mendoj se për ta përmbysur këtë gjendje, më së pari kemi ende nevojë për
civilizim dhe kjo nuk mund të bëhet me “deus eks makina”. Situata është
komplekse. Që të jenë të mëvetshëm dhe koshientë për ç’kanë në dorë (së pari me
votën) shqiptarëve iu duhet më shumë siguri ekonomike dhe sidomos respektim
rregullash; (në gjykata, në spitale, në shkolla, pse jo edhe në parti a
organizata ku mund të jenë). Varfëria dhe pasiguria ushqejnë të marrurit me
politikë, nga më i fundit individ i shoqërisë deri te kreu i vatrës. Duke iu
besuar institucioneve, (për çka jemi aq larg), duke fituar më shumë siguri për
jetën dhe punën, më në fund duke qenë në një gjendje të qendrueshme ekonomike,
njeriu pyet më pak për politikën; por kur pyet, kërkon llogari deri në fund dhe
vë gishtin atje ku duhet.
Mandej,
jemi po në këtë anije, na duhen - dhe shpresoj shpejt të vijnë në drejtim të
vendeve tona - njerëz të tjerë, teknikë, pra ekonomistë të zot, inxhinierë të
aftë, juristë të vendosur, diplomatë me karrierë të shënuar. Dhe ç’është më e
rëndësishme, njerëz që të mos varen nga ambasadorët, por nga kërkesat e
qytetarëve. Nuk besoj se është e pakonstatueshme që ndryshe nga shumë vende të tjera,
ne presim gjithnjë me përulje se ç’do të thonë të huajt. Kjo duhet të marrë
fund, bie erë pushtimi. Gjer më sot, kemi parë vetëm servilë kryeqytetesh
fqinje dhe të Evropës, e drejtues tejet ideologjikë dhe të mbushur me vrer për
njëri-tjetrin, për më tepër njerëz të dyshimtë, të pamësuar me dialog, (detaje
që në fakt bëjnë të tërën në atë çka nuk shkon me ne).
Të vijmë në legjitimitet (në fakt, zgjedhjet në Kosovë janë vlerësuar pozitivisht), të ngremë një shoqëri me parime të cilat s’mund t’i shqyejnë dot klanet, të kemi dëshirë t’iu tregojmë brezave që vijnë të gjitha dimensionet e së vërtetës, të punojmë me durim për t’u bashkuar brenda kuadrit të BE-së, këto do të na ndihin sadopak të ndërrojmë status. Duhet ta grishim një të ardhme të tillë, edhe pse ëndërrimtare, sepse siç thuhet edhe në Epos, “kur më pushojnë ëndrrat, më fillojnë dhimbjet”.