| E premte, 22.02.2013, 10:45 PM |
NJË
SHKRIM QË FYEN SHQIPTARËT
(Reagim në shkrimin e Qerim Pllanës: "Turqia, mike e shqiptarëve, do të dëshmohet në vepër" , bot. në gaz. "Kosova Sot", 29 janar 2013).
Nga Nuhi Ismajli
Edhe në
kohën tonë po shkruhet e veprohet shumë kundër shqiptarëve.
Në atë
shkrim, ndër të tjera, lexojmë pohimin, i cili mund të jetë vetëm
"arsyetimi" i pushtuesit dhe kurrë zëri i arsyes, zëri i njerëzve
liridashës, zëri i atyre që urrejnë pushtuesin e robërinë dhe zëri i atyre që
ndiejnë, sadopak, vuajtjet dhe dhimbjen e të robëruarve.
"Popullin
shqiptar me shekuj…me Turqinë, e lidhin shumë ngjarje historike
pozitive…"!
Faktet e
shumta e të pamohueshme historike, shqiptare e të huaja, dëshmojnë se popullin
shqiptar nuk e kanë lidhur me Turqinë ngjarje pozitive, po ngjarje shumë të
hidhura, të cilat, Turqia e sotme, edhe nëpërmjet propagandës tejet çnjerëzore
të renegatëve të sotëm "shqiptarë", do t'i injorojë, t'i harrojë dhe
t'i shlyejë nga kujtesa e shqiptarëve.
P. Osmane
(Turqia e sotme, në shumë paraqitje diplomatike e vepra të shkruara të
karakterit propagandues, po paraqitet si trashëgimtare e saj), në trojet
shqiptare, si edhe në vende të tjera, erdhi si pushtuese e përmes luftërave
pushtuese dhe synoi nënshtrimin e asimilimin e shqiptarëve.
Për
realizimin e synimeve të saj, ajo zbatoi masat më të rrepta të sundimit.
Kështu, ajo nuk vrau vetëm luftëtarët e lirisë në fushën e luftës, po rrëmbeu
edhe fëmijët e vegjël, të cilët i bëri jeniçerë, për t'i dërguar në luftërat e
saja pushtuese edhe kundër vetë Shqipërisë. Pasi vrau burrat, rrëmbeu gratë,
për t'i bërë pjesë të haremit.
Tokat
shqiptare, sipas sistemit dhe qëllimit të saj sundues, i ndau në disa vilajete.
Plaçkiti
e shkatërroi pasuritë materiale të Shqipërisë. Dëmtoi fushat pjellore, në raste
betejash, dhe i dogji qëllimisht të mbjellat, që të mos kenë ç'të hanë
shqiptarët. Rexhimi turk vendosi taksa të rënda për shqiptarët deri edhe taksa
në gjak. Meshkujt shqiptarë i rekrutoi si ushtarë, për t'i pushtuar e mbajtur
në robëri vendet e ndryshme, shumica prej të cilëve vriteshin për interesat e
pushtuesit osman, kurse ata që ktheheshin, ktheheshin të paftë për jetën dhe në
familjet e rrënuara totalisht. Ata që dëftonin shqiptarësinë e tyre e kërkonin
lirinë, edhe në hunj i ngulte.
Shqiptari
s'kishte ç'të hante, s'kishte ç'të pinte. S'kishte ç'të mbathte, s'kishte ç'të
vishte. Mund të bindemi për këtë nga raportet e kohës, që i shkruajnë shqiptarët
ose të huajt. Mund ta lexojmë veprën "Shqipëria…" , të Sami
Frashërit, i cili e jetoi vetë atë jetë e nuk gënjen dhe është më i besueshëm
se çka thonë sot turqit e vasalët e tyre!
Regjimi i
ashpër i robërisë turke, hakmarrja kundër lakmuesve të lirisë dhe masat
drastike turke për asimilimin e shqiptarëve, pra kufizimet e skajshme të jetës
njerëzore e kombëtare, mijëra shqiptarë i detyruan në eksode të mëdha, duke
shkaktuar kështu dëmtimet e mëdha të qenies kombëtare shqiptare.
Në kohën
e robërisë turke, për shqiptarët s'kishte vetëm një robëri, sepse përveç
turqve, në kohën e robërisë turke, në një mënyrë, në trojet shqiptare, sundues
ishin edhe të tjerët, si serbët, grekët… Renegatët shqiptarë që për interesa
personale, i shërbenin pushtuesit turk dhe jo vetëm atij, për interesa
shqiptare nuk paraqisnin asnjë rëndësi. Jeta, veprimet dhe interesat e tyre nuk
kishin asgjë të përbashkët me ato të kolektivitetit shqiptar dhe ishin
plotësisht në kundërshtim me to.
Pushtuesi
turk rrënoi vlerat e mëdha kulturore, shpirtërore e arsimore shqiptare (të
krahasueshme me arritjet më të larta të vendeve evropiane) dhe orientimin
evropian të botës shqiptare. Të kujtojmë këtu vetëm ekzistencën e
universiteteve në Shqipëri, që në shek. XIII, dhe krijuesit e mëvonshëm shqiptarë,
si jehonë e atij zhvillimi, siç qenë piktorët, kompozitorët, shkrimtarët,
filozofët, matematikanët, astronomët etj., të njohur edhe në qendrat më të
njohura të artit e të dijes.
Me
shkollat e tij, si dhe me shkollat e të tjerëve, serbëve e grekëve, në trojet
shqiptare, pushtuesi osman dëmtoi shumë vlerat e identitetit shqiptar dhe
krijoi edhe tipin e shqiptarit të tjetërsuar, tipin e robit, i cili, për hir të
zotërisë së tij, jo vetëm braktis pa turp, po edhe bëhet kundërshtari më i egër
i etnisë së tij. Prandaj, një dukuri shumë e hidhur, si pasojë e robërisë tejet
të egër turke, është tjetërsimi i shqiptarëve, përvetësimi i mentalitetit
anadollak, krijimi i vasalit të devotshëm, i shpirtit të robit, i cili
përkatësinë fetare e shquan mbi çdo vlerë të identitetit shqiptar dhe për shkak
të së cilës, qoftë edhe pas një shekulli të përfundimit objektiv të robërisë
turke, përpiqet ta ringjallë pushtetin e zotërisë së tij.
Pushtuesi
turk nuk ka pranuar etninë shqiptare dhe gjatë tërë kohës, nëpërmjet shkollave
turke dhe fesë, është luftuar për asimilimin e saj. Shkrimi dhe krijimi shqip
ishte i ndaluar. Një nga sulltanët turq kishte kërcënuar se do ta digjte të
gjallë atë që do t'i gjendej ndonjë libër shqip.
Pushtuesi
turk ndalonte edhe arsimin kombëtar shqip. Një shkollë shqipe, mbi baza fetare,
vetëm në emër të ortodoksëve shqiptarë, u lejua tek më 1887, për t'u mbyllur
fill pas një kohe të shkurtër të veprimtarisë së saj. Të tjerët, në raport me
shqiptarët, përkundrazi, favorizohen dhe respektohen të drejtat e tyre
kombëtare. Serbëve p. sh. kah viti 1860, iu lejua edhe hapja e akademisë, në
kohën kur shqiptarëve nuk u lejohej as shkollë fillore. Në territorin shqiptar
pati shumë shkolla serbe, greke etj., por jo edhe shkolla legale të
shqiptarëve.
Pushtuesi
turk, derisa ishte në fuqi, pengoi krijimin e shtetit shqiptar, ndërsa pasojat
e robërisë turke dhe te veprimeve të renegatëve shqiptarë s'u hoqën as sot
kësaj dite.
Robëria
osmane pasqyrohet bukur edhe në vijimësinë shekullore të qëndresës së armatosur
të popullit shqiptar, si edhe në traditën e veprat e shkruara të krijuesve
shqiptarë e në porositë e rëndësishme të tyre për brezat e ardhshëm. Ky fakt
nuk duhet të harrohet.
Kështu,
duke propaganduar për "lidhjet historike pozitive" të shqiptarëve me pushtuesit
turq, pra, duke mohuar aq panjerëzishëm gjenocidin dhe tragjiken që populli
shqiptar përjetoi nën robërinë turke, duke mos marrë parasysh luftën e
shqiptarëve me armë e pendë kundër asaj robërie, as duke mos marrë parasysh
dëshmitë e porositë e rëndësishme të tyre për brezat e ardhshëm, propaganduesit
e sotëm "shqiptarë", për llogari të pushtuesve të dikurshëm e për
llogari të lakmuesve të tashëm të ringjalljes së perandorive të dikurshme
pushtuese, po i fyejnë shqiptarët në mënyrën më të panjerëzishme, më të ulët
dhe më të rëndë. Robërisë osmane mbi popullin shqiptar ata po i japin kuptimin
e lirisë, një veprim ky tejet antinjerëzor dhe antishqiptar, përmes të cilit
ngrihet në kult pushtuesi dhe robëria, kurse poshtërohet aq keq liria dhe dinjiteti
njerëzor e kombëtar.
A është
njerëzore t'i harrojë shqiptari vuajtjet e të parëve të vet nën robërinë osmane
dhe luftën e tyre për liri njerëzore e kombëtare?!
A është
mençuri që shqiptari të harrojë të kaluarën e tij dhe të mos mësojë asgjë nga
historia, si përvojë për të ardhmen, si vepron gjithë bota, po të veprojë sipas
propagandës së pushtuesve të djeshëm e të sotëm?!
Karakterin
e një propagande absurde dhe fyese për shqiptarët, shkrimi "Turqia, mike e
shqiptarëve, do të dëshmohet në vepër", e merr edhe duke himnizuar Turqinë
e sotme, në raport me shqiptarët, duke lavdëruar atë si shtet modern e
demokratik, duke shpallur si mike të shqiptarëve dhe duke bërë thirrje tejet
antinjerëzore dhe antishqiptare, që ta konsiderojnë e pranojnë atë si zonjë të
tyre.
Kështu,
në shkrimin e përmendur propagandues antishqiptar, thuhet edhe: "Popullin
shqiptarë…në veçanti sot me Turqinë, e lidhin shumë ngjarje (historike)
pozitive…". Turqia quhet shtet modern, që ndihmon shqiptarët në arsim, që
po përkrah shqiptarët e Kosovës në çështjen kombëtare, që do të luftojë për ta,
që do t'ua kthejë pronarëve tokat e mbetura nën Serbi (në shek. XIX), që do të
bashkojë tokat shqiptare në një shtet të vetëm, që ka synime të njëjta me ato
shqiptare etj., etj., të cilat nuk janë tjetër veçse propagandë e madhe
mashtruese për shqiptarët.
Në fakt,
marrëdhëniet që ka sot shqiptari me Turqinë janë marrëdhënie të ngjashme me
marrëdhëniet që shqiptari i ka sot edhe me shtetet e tjera.
Turqia e
sotme, si asnjë shtet tjetër, nuk është normale, pra as e pranueshme të
pranohet si sunduese prej akëcilit popull në botë. Dhe, pra, është absurde edhe
për shqiptarët që, në vend të lirisë, të kërkojnë robëri e sundimtar.
Shqiptarët
nuk është e arsyeshme ta urrejnë Turqinë e sotme për shkak të bëmave të
P.Osmane (me të cilën ajo vetë identifikohet), por edhe nuk mund ta
konsiderojnë atë shtet modern dhe mike të shqiptarëve, sepse, në raport me
shqiptarët, ajo ende nuk e ka dëshmuar një gjë të tillë.
Nëse
Turqia e sotme zyrtare identifikohet me P. Osmane dhe paraqitet si
trashëgimtare e saj, si mund të quhet moderne dhe mike e shqiptarëve, kur kihen
parasysh dëmet që robëria e rëndë pesëshekullore iu solli atyre?! Identifikimi
i Turqisë së sotme me P. Osmane, pushtuese kjo e shqiptarëve dhe e shumë
popujve të tjerë, e bën atë jopërparimtare, po shumë primitive. Identifikimi i
Turqisë së sotme me P. Osmane, pushtuese e shqiptarëve, nuk e bën atë mike të
tyre. Përkundrazi. Anmiku plak s't bahet kurrë mik, e në t'u baftë, s'bahet i
drejtë - thotë një proverb i F. Bardhit.
Turqia e
sotme zyrtare, e cila identifikohet me P. Osmane ose e paraqet veten si
trashëgimtare të saj, ende nuk ka gjykuar, as nuk është distancuar nga krimet
që ajo i ka bërë ndaj shqiptarëve dhe ndaj popujve të tjerë.
Turqia e
sotme, "moderne" dhe "mike e shqiptarëve", si po quhet në
shkrimin fyes për shqiptarët, në vend se t'u kërkojë falje shqiptarëve, për të
këqijat e mëdha të robërisë osmane, me të cilën po vetidentifikohet, pa turp,
kërkon që shqiptarët ta trajtojnë historinë siç u thotë ajo.
Turqia e
sotme zyrtare, nëpërmjet veprimtarisë së saj diplomatike, si edhe nëpërmjet
veprave të botuara të ideologëve të sotëm turq, ndonjë prej të cilave është
përkthyer edhe në shqip, ka shpalosur haptazi synimet e saja për ringjalljen
politikës së dikurshme pushtuese osmane.
Turqia e
sotme asnjëherë nuk ka marrë iniciativën për të mbrojtur shqiptarët e
nëpërkëmbur kombëtarisht. Dhe, as të mos shpresohet se Turqia do të mbrojë
interesin kombëtar të shqiptarëve. (Nëse Turqia është ajo që mbron interesin
kombëtar të shqiptarëve, çka po pret?! Pse pikërisht tani nuk po vepron kur
rrethanat e kërkojnë një gjë të tillë?!). Në ngjarjet e vitit 1999, askush nuk
e mohon, për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Kosovës, mori pjesë edhe
Turqia. Por, në atë vepër të rëndësishme, Turqia ishte vetëm një pjesë e vogël
e asaj që iniciuan, organizuan dhe realizuan të tjerët. Pse tani mohohet roli i
atyre që ishin kryesorët për çlirimin e Kosovës, më 1999, ndërsa roli kryesor i
përshkruhet Turqisë?! Interesi njerëzor dhe kombëtar i shqiptarëve është
mbrojtur dhe mbrohet nga Perëndimi. Kjo gjë është thënë që moti në veprat e të
urtëve shqiptarë.
Turqia e
sotme, "moderne" dhe "mike e shqiptarëve", si po quhet në
shkrimin propagandues e fyes për shqiptarët, atyre mijëra apo miliona
shqiptarëve që janë në Turqi, nuk u ka dhënë kurrfarë të drejtash kombëtare dhe
asnjë mundësi për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare.
Një shtet
modern dhe mik i të tjerëve, nuk do të identifikohej me të keqen, do të
distancohej nga të këqijat e paraardhësve, nuk do të ngjallte synime të vjetra,
as nuk do të bënte synime të reja pushtuese, kurse qytetarëve të vet do t'ua
siguronte plotësisht të drejtat njerëzore e kombëtare.
Shkrimi i
Q. Pllanës dëshmon se identifikimi fetar, nxjerrja e fesë mbi çështjen e
identitetit kombëtar, propagandat për një botë renegatësh të rinj është verbëri
dhe marrëzi e pafund njerëzore.
Shqiptarët
nuk kanë nevojë që ende pa e arritur lirinë e dëshiruar dhe të ligjshme, të
futen në një robëri, çfarë e propagandon Turqia e sotme dhe renegatët e sotëm
të saj.
Është
marrëzi e papërshkruar dhe tejet çnjerëzore të mendohet se çështja kombëtare
mund të zgjidhet në kuadër të projekteve pushtuese të të tjerëve. Ndihma e
vërtetë dhe e denjë njerëzore, për zgjidhjen e çështjes kombëtare, mund të
kërkohet e të pritet vetëm në kuadër të ndihmave të ligjshme të botës së
përparuar e demokratike njerëzore.