| E premte, 22.02.2013, 08:45 PM |
NJË
SHEKULL PAVARËSI E SHQIPËRISË
Pavarësia e Shqipërisë është ngjarja më madhore e historisë tonë kombëtare.
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Nuk
mjaftoi shekulli, përvjetori i 100-të, për shqiptarët, për realizimin e
aspiratave të brezave të shkuar shqiptarë. Kjo barrë qysh sot bartet në
kurrizin e brezave që vijnë. Dhe, kjo është fort e dhimbshme, andaj frenon
dalldisjen tonë aktuale edhe në kremtim.
Pavarësisht
krenarisë tonë për antikën ilire, sundimtarëve pushtuesë të hapësirave
evro-aziatike si Aleksandri i Madh me titullarët tjerë, para dhe pas tij, deri
ke mbretëresha Teutë me pasuesë, të përvehtësuar nga shqiptarët dhe të
përjetësuar me emrat e fëmijëve tanë, e vërteta është se ne, shqiptarët,
edhepse më të lashtit në Europë, jemi më të vonuarit e kontinentit tonë në
përfaqësimin si popull, si komb dhe si shtet i lirë dhe i pavarur. Është krejt
i saktë konkluzioni sintezë se Skënderbeu, me luftërat e tij, na bëri popull,
ndërsa Lidhja Shqiptare e Prizrenit na bëri komb të mirëfilltë.
Prandaj
refrenimi i përsëritur i lavdisë shqiptare, në lashtësi dhe ndër shekuj, nuk
mund ta mbulojë dhe ta fshijë nga historia robërinë e njëmendët shumëshekullore
të shqiptarëve. Një panagjerizëm i tillë përlavdërues dhe falsifikues, një
huazim tipik i monizmit me ideologji sllavo-bizantine, nuk është i shëndetshëm
për shqiptarët e sotëm. Përkundrazi, bie ndesh me të vërtetat historike, na
bënë lavdëraçë pa mbulesë dhe qesharakë në sytë e opinionit botërror.
Ka zëra
mediokër që këtë panagjerizëm, anakronik për kohën e Internetit, e motivojnë
dhe e arsyetojnë si të nevojshëm, madje të domosdoshëm, për zgjimin patriotik
dhe mobilizimin shpirtëror të popullit, duke ia përkujtuar lavdinë e
lashtësisë, të ngrihen për ta mposhtur robërinë fizike dhe atë shpirtërore të
sotme, bilëz kjo e fundit jo më pak poshtëruese dhe e rrezikshme se sa e para,
të cilën ne, shqiptarët po e votojmë dhe po e përzgjedhim gjakftohtë dhe
vetëdijshëm, pavarësisht krimit, hajnisë zyrtare dhe përtokjes tonë mjerane!
Në
përlavdërimet historike të shqiptarëve të sotëm, për të kaluarën e tyre të djeshme, ka edhe një ngatërresë, përzierje
serioze të parimeve bazë morale e njerëzore. Të qenurit luftëtar për liri,
qoftë të popullit tënd, qoftë të një populli tjetër, i cili është në hall e
robëri, është njerëzore, e lavdishme, heroike.
Por, në
të kundërtën e kësaj që u tha më lart, pjesëmarrja si luftëtarë në pushtime të
territoreve të hauaja, shtypja dhe
robërimi i popujve të tjerë, në trojet e tyre lindake, siç ka bërë Aleksandri i
Madh, i admiruar nga shqiptarët; apo sulltanët e Perandorisë Osmane, si
pushtues barbarë, me zjarr e hekur, deri në konvertime të dhunshme të besimeve
fetare, nuk është hiç fisnike.
Kthimi i
Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në Krujë, më 28 Nëntor 1443, shënon edhe
Nëntorin e Parë të ngritjes të Flamurit kombëtar, simbol që shqiptarët, më në
fund, u bënë popull. Luftërat e tij për një çerek shekulli radhazi, betejat e
fituara kundër ushtrisë madhore osmane, penguan marshimin dhe pushtimin e
kontinentin evropian, duke mbrojtur edhe krishtërizmin. Andaj, Evropa, në
shenjë respekti dhe mirënjohje për Heroin shqiptar, Skënderbeun, ka stolisur
sheshet me bustin e tij, ka emërtuar rrugët me emrin e tij. Nuk është çudë të
mendojmë se edhe ndërhyrja e armatosur e
Evropës, për çlirimin e Kosovës është e motivuar nga mirënjohja ndaj
Skendërbeut në Mesjetë, për ta shpërblyer popullin e tij tani, në fund
shekullin 20-të.
Nga
keqpërdorimi i skajshëm e absurd i ndjashtimit "legjendar", për
madhërimin në përmasat e ireales, të pakapshmes, madje të pa argumentueshmes,
për të mos e cënuar figurën reale të Skënderbeut, ky i fundit, nuk duhet të
quhet më - Hero legjendar -, sepse Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ka realizuar,
të paktën, 25 beteja, me emër vendi dhe datime, të fiksuara nga historianët
bashkkohës si Marin Barleti me shokë. Tashmë, ndajshtimi "legjendar"
u shkon përshtat atyre luftëtarëve, heronjve, të cilëve nuk u përmendet, nuk u
dihet asnjë betejë faktike, por duke u thënë "legjendarë", kamuflohet
e vërteta, mjegullohet dhe falsifikohet historia. Dhe, për këtë nuk mund të
fajësohen të rënët, dëshmorët, heronjtë, por, janë për çdo kritikë dhe
meritojnë demaskim e ndëshkim profiterët e luftës, të cilët nuk kursejnë
askënd, madje as heronjtë tanë, për madhërimin, hiç meritor, të vetvetës së
tyre.
Pas
amëshmit të Skënderbeut, trashëgimtari i tij - trasshëgimtari i fronit, princi
Gjon në mbrojtjen e territoreve shqiptare, të çliruara nga i ati. Shqipëria u
mund, u pushtua dhe u përtokë për afro 5 (pesë) shekuj radhazi. Megjithatë,
kundërshtia individuale e grupore ndaj pushtuesit otoman vazhdoi ndër dekada
dhe shekuj, për të ardhur deri tek themelimi i Lëvizjes Shqiptare të Prizrenit,
më 1878, e kryesuar nga Ymer Prizreni, i ndhmuar nga Abdyl Frashëri, Sylejman
Vokshi, Ali Pashë Gucia me shokë. Kjo ishte prova e parë e suksesshme e
organizimit të shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, u shtyp përgjakshëm, ndonëse shqiptarët, të ndarë dhe të
përçarë, dështuan në bashkimin e forcave jug-veri. Mjerisht historia përsëritet
në negativitetin e saj edhe sot, kur faktori politik në Shqipëri, nuk është i
njëzëshëm dhe pengon marrjen e statusit për kandidat në Bashkimin Evropian. Por
ëndërra e lirisë nuk u shua. Dy dekada më vonë Haxhi Zeka - Biberi me shokë
inicoi Lidhjen e Pejës, me emrin "Beba-besë". Ndërkohë, në qytetin e
Manastirit poeti kombëtar - At Gjergj Fishta me shokë, organizoi Kongresin e
Manastirit, me qëllim të përcaktimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Krijimi i
"Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës" në Shkodër, i prirë nga
Hoxha Kadri Prishtina dhe kryengritjet e viteve 1910-12 në Veriun shqiptar,
Kosovë, forcuan bindjen se vargojtë e robërisë, tashmë, do të këputën. Të
gjitha këto e bënë të njohur çështjen shqiptare, duke krijuar premisa të
favorshme për pavarësinë në të ardhmen e afërt.
Dhe, dita
e shumëpritur, më në fund, erdhi pikërisht në Vlorën tonë. Plaku mjekërrbardhë
dhe urtak, Ismail Qemal bej Vlora, më 28
Nëntor 1912, ngriti Flamurin e Skënderbeut, të nëpërkëmbur dhe të përtokur për
pesë shekuj radhazi nga pushtuesi otoman, duke e proklamuar botërisht
Pavarësinë e Shqipërisë. Në themelet e kësaj pavarësie ishte mendja dhe lufta e
një plejade të tërë atdhetarësh, të pushkës dhe të pendës, që nga Abdyl
Frashëri e Ymer Prizreni me shokë, Hasan Prishtina dhe Luigj Gurakuqi, Isa
Boletini e Bajram Curri, Gjergj Fisha, Faik Konica, Fasn Noli me shokë dhe deri
tek Ismail Qemali, i cili proklamoi aktin solemn të pavarësimit të Shqipërisë,
duke e shkëputur Atdheun tonë të shtrenjtë nga një kufomë e galvanizuar, nga
"i sëmuri i Bosforit", siç cilësohej, atëbotë, Perandoria Osmane.
Edhepse
mëvehtësia e shpallur mbulonte vetëm më pak se gjysmën e territorit etnik
shqiptar, akti i pavarësimit shënon ngjarjen më madhore të historisë tonë,
ndonëse faktoi dhe juridikësoi qenien e gjithmonshme të kombit dhe të shtetit
shqiptar.Tashmë, shqiptarët u bënë zot në një pjesë të trojeve të tyre, me
shpresën premtuese e fisnike se radha për t`u pavarësua do t`u vijë edhe
trojeve tjera shqiptare, të sunduara nga padronë të rinj pushtues, si: Greqia,
Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Brishtësia
agonike e kësaj pavarësie do të vazhdonte për një dekadë rradhazi. Luftërat
Ballkanike, përgjatë Luftës të Parë Botërore, do ta përtoknin sërishmi shtetin
e porsalindur shqiptar. Fqinjët hileqarë, si hiena, do të kafshonin e skërmonin
pjesë nga gjymtyrët e trojeve arbërore.
PROTAGINSTËT E SHEKULLIT TË
PAVARËSISË
Shekulli
i pavarësisë ka pesë protagonistë kryesorë, në kohë dhe role të ndryshme. Dhe,
këta janë: Ismail Qemali, Mbreti Zog, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Ibrahim
Rugova.
ISMAIL
QEMALI ka një rol episodik, simbolik në
historinë shqiptare. Përveç se kishte qenë në hierarkinë zytzare shtetërore të
Sulltanatit, ai nuk kishte ndonjë cen tjetër kompromentues. Veprimtaria e tij
përkufizohet në disa udhëtime dhe komunikime në qendrat e vendosjes ndërkombëtare
të kohës si dhe leximin e deklaratës historike të proklamimit të Shqipërisë të
mëvehtësishme dhe të mosvarme, përndryshe, nuk dëshmohet të këtë pasur
veprimtari tjetër të karakterit kombëtar, ngaqë ishte kyçur vonë në lëvizjen
për lirinë dhe pavarësinë e Shqiptarëve.
Megjithatë,
roli i Plakut të Vlorës është tejet domëthënës për kohën. Ai ishte njeri i
zgjuar, diplomat i mirëfilltë, me përvojë të gjatë në poste të larta
perandorake dhe njohës i shkëlqyer i rrethanave në të cilat po shpallej
pavarësia e Shqipërisë. Është e vërtetë se Veriu i Shqipërisë dhe Kosova kishin
vrarë frikën, duke ia kthyer armët ushtrisë osmane, tashmë, të lodhur në
luftërat kundra Rusisë, madje e mundur nga kjo e fundit. Shqiptarët hynë
fitimtarë edhe në Shkup. Por, trimëria është më e vështirë të mbrohet se sa të
bëhet, - thotë urtësia. Rrjedhimisht, raporti i forcave ishte i pafavorshëm për
shqiptarët. Fqinjët keqdashës, tashmë, shtete të organizuara - nga njëra anë
dhe përballë tyre shteti i brishtë shqiptar, i porsa formëzuar, ishte i paaftë
për t`u mbrojtur.
Përkundër
disa krerëve shqiptarë, që armën e kishin për zanat dhe zbrisnin nga Malësitë e
Kosovës në Vlorë, duke kërkuar "ose ta fitojmë Shqipërinë e tërë, ose ta
humbasim fare", i urti plak i Vlorës, Ismail Qemali, mendonte ndryshe dhe
klakulonte jo nga ndjenjat dhe emocionet, por nga logjika e ftohtë e
diplomatit, nga mundësitë reale të kohës, duke aprovuar atë më pak se gjysmë
Shqipërie, me mendimin e bazuar se nga pjesa e lirë mund të veprohet dhe
luftohet për tërësinë territoriale në të ardhmen.
Lajmin se
Ismail Qemali e la postin e ministrit fuqiplotë të administrimit të pronave të
Sulltanatit dhe u përkushtua për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, e
mrekulloi edhe mjeshtrin e pendës, kombëtarin e mirënjohur Faik Konica, i cili
do të shkruante: "Një Vali i Sulltanit s`harron se është shqiptar".
Kongresi
i Berlinit, i zotëruar nga Fuqitë e Mëdha të kohës, ishte fatal për shqiptarët
e Shqipërinë dhe zemërgjerë për fqinjët e saj, duke u dhuruar Vilajete të tëra
të trojeve shqiptare. "Ismail bej, Kosova ngeli jashtë kufijëve të
Shqipërisë",- i kumtuan lajmin e hidhur. Plaku mjekerrbardhë, tashmë me
peshën e viteve në kurriz, u mërzit, por e përmbajti dhimbjen. "Ismail
bej, e shkëputën nga trungu i Shqipërisë edhe Çamërinë",- i thanë. Plaku i
Vlorës shpëtheu në lot. "Ismail bej, pse përballove shkëputjen e Kosovës,
por jo edhe humbjen e Çamërisë", e
pyetën jo pa habi?! "Në Kosovë janë shqiptarët, ndërsa Çamëria vazhdon të
boshatiset",- u gjegj ai. Këtu mund të bëhet një paralelizëm, kur gazetari
gjerman pyet Presidentin Rugova me skëpticizëm: "Çfarë keni arritur me
politikën paqësore?". Dhe, dr. Rugova i jep përgjigjen sintezë: "Ne
jemi këtu!" Gazetari dorëzohet i turpëruar, sepse Rugova i kishte dhënë
intervistë më parë revistës qendrore gjermane "Der Schpigel-it" se ne
nuk jemi kurrëfarë paqësorësh, por, thjesht, na mungojnë armët dhe raporti i
forcave na e imponon ktëtë politikë.
Italia
dhe Greqia, përkatësisht, shefat e tyre Tittoni-Venizelos, në vitin 1919
arritën marrëveshjen e fshehtë, me ç`rast Italia do ta mirrte Vlorën, si pikë
strategjike për ta kontrolluar Adriatikun dhe Greqia territoret përrreth
Gjirokastrës. Mjerisht, këtë zhvatje e pranuan edhe Franca dhe Anglia. Por,
Presidenti amerikan Woodrow Wilson, i mirinformuar nga mërgata shqiptare,
gjegjësisht Faik Konica, Fan Noli, Kostë Çekrezi me shokë, ky i fundit e kishte
denoncuar rastin në medien qendrore amerikane, prej nga ishte i formuar edhe
vet Presidenti amerikan, hodhi poshtë pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë.
Kjo ishte edhe një shtysë direkte që luftëtarët vullnetarë nga e gjithë
Shqipëria të përballeshin më 1920 në Luftën e Vlorës, kundër pushtuesëve të
rinj italianë.
AHMET
ZOGU ishte vetëm 17 vjeçar, kur u ndodh
në krah të Ismail Qemalit në ngritjen e Flamurit në Vlorë. 8 vjet më vonë
emërohet ministër i brendshëm në Qeverinë e Sulejman Delvinës. Me forcën e
armëve i mundi bashibuzukët dhe aventurierët shqipfolës, të cilët pengonin
ndërtimin e shtetit shqiptar. Ai vendosi dhe konsolidoi integritetin
territorial të Shqipërisë. Zgjedhja e Tiranës për kryeqytet të vendit, ishte
ide dhe realizim i ministrit Zogu, duke e transferuar qeverinë e dalë nga
Kongresi i Lushnjes për në kryeqytetin e kombit në Tiranë.
I
ashtuquajturi "Revolucion i Qershorit" ishte përpjekja e parë e rusit
Stalin për ta implementuar komunizmin në Shqipëri. Këtë hile dhe akt kriminal
kundrashqiptar, kreu i këtij biçim Revolucioni, Fan Noli, do ta kuptonte pas 6
vitësh, kur do të deklaronte botërisht se "Shqipëria" gjeti ustain e
saj". Kjo ishte edhe kërkim-falja e parë publike e Nolit, për ngjarjen e
rëndë të qershorit 1924.
Në vitin
1928, Asambleja Kombëtare e Shqipërisë, e shpalli Ahmet Zogun "Mbret të
Shqiptarëve". Angazhimet e Mbretit Zog për liri, dinjitet dhe zhvillimin e
shqiptarëve ishin mbinjerëzore.
Më 1935,
Rusia Sovjetike, e udhëhequr nga krimineli Stalin, bëri përpjekjen e dytë për
instalimin e komunizmit në Shqipëri, këtë herë nëpëmjet të një grupi puçistë të
oficerëve të Ushtrisë Shqiptare. Por, puçi dështoi, duke u zbuluar edhe burimi
i ndërhyrjes dhe qëllimet ogurzeza të ideologjisë famëkeqe komuniste.
Largimi
dhe ekzili i Mbretit të Shqiptarëve Zogu i Parë ka qenë i imponuar nga pushtimi
italian, në prill të vitit 1939. Ekziston një kod madhor moral se Mbreti nuk
guxon të dorëzohet. Në pamundësi resistence, ai duhet të largohet dhe këtë bëri
edhe Mbreti i Shqiptarëve. Dhe, rasti i tij nuk ishte as i pari dhe as i
fundit. Historia është e mbushur me shembuj të tillë. Megjithatë, Mbreti Zog
organizoi rezistencën simbolike, duke i pritur me armë pushtuesit italianë në
portet shqiptare në: Durrës, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë. Disa luftëtarë
shqiptarë u vranë nga ajri, nga fluturakët armike. Retistenca faktike ishte e
pa mundur, donkishoteske. Mbreti kishte përgjegjësinë e madhe kombëtare: Gjaku
i shqiptarëve nuk duhej të derdhej në një përballje të pamundshme. Do të ishte
gjak i humbur, sepse dështimi ishte i parathënë.
Akuzat
për vrasjen e disa atdhetarëve, për grabitjen e arit, për sundimin tiranik dhe
përrallisje të tjera, janë trillime të filosllavit Enver Hoxha me shokë dhe të
lakejve të tjerë, të djeshëm dhe të sotëm, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Janë shkruar
më se 300 libra për Mbretin Zog, kryesisht nga të huajtë, por edhe nga
vendorët. Është provuar katërcipërisht se nuk është zbatuar asnjë marrëveshje e
Mbretit në dëm të Shqipërisë. Rregullime kufinjësh, në mes shteteve fqinjë, ka
pasur dje dhe sot. Përmirësime të vijës kufitare, në mes të Shqipërisë dhe
Jugosllavisë, janë bërë edhe në vitet `60-a dhe `70-a. Edhe ndonjë rregullim i
tillë i bërë nga Mretëria në vitet`30-a, pa humbur asnjë m-2, (metër katëror),
nuk ka lidhje me asnjë falje të hapësirës tokësore, por është shpifje e
qëllimshme, mashtrim dhe gënjeshtër e madhe.
Edhe
ndonjë marrëveshje tjetër, e imponuar nga rrethanat, e bërë me fqinjët më të
fuqishëm, me epërsi numerike, pasurore dhe ushtarake, nuk është zbatuar kurrë
nga Mbreti dhe Mbretëria Shqiptare. Kur i mungon forca, i mençuri taktizon, për
ta kaluar rrezikun, duke pritur kohë më të mira. Ndërsa budallai u shpallë
luftë, madje edhe supërfuqive: Amerikës dhe Rusisë - njëherësh, duke ndërtuar,
paradoksalisht dhe marrëzisht, mijëra bunkerë të kushtueshëm, duke e lënë edhe
popullin, fëmijtë pa qumësht dhe nevojat më elementare për jetë, siç bëri
kritiku dhe shpifaraku klasik, kundër Mbretit dhe Mbretërisë Shqiptare, i marri
Enver Hoxha.
Ari që
ishte marrë gjatë luftës nga forcat ushtarake angleze, i është kthyer thesarit
shqiptar pas viteve`80-a, por, komunistët, qëllimshëm, e kanë heshtur këtë
fakt, duke ia lënë si barrë të "hajnisë" Mbretit Zog!
Atë që
bëri plaku urtak Ismail Qemali, pra, aktin e proklamimit të Shqipërisë të
mosvarme dhe sovrane, mund ta bënte edhe dikush tjetër. Por, atë që bëri për
shtetin shqiptar Ahmet Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, nuk mund ta bënte as Ismail
Qemali. Prandaj, Bulevardin qendror në Tiranë e ndajnë pikërisht Skënderbeu dhe
Mbreti Zog. Dhe, kjo është shumë domëthënëse, sepse në historinë e Shqipërisë
londineze nuk ka një figurë tjetër ndërmjetëse. Mbreti rezulton të jetë figurë
pozitive kombëtare dhe kjo dëshmohet me qeverimin dhe mbretërimin e tij të
suksesshëm dhe dinjitoz për kohën. Mbretëria Shqiptare është cilësuar si
Mbretëria më liberale në Ballkan, me tendencë për t`u bërë Republikë
presidenciale.
Një hise
meritore në Bulevardin e madh i është dhënë edhe Nënës Tereze, emri i të cilës
përmbyllë hapësirën e Shetitores të përmasave botërore. Ajo është privilegji
ynë kombëtar. Nënë Tereza është NËNË e PËRBOTSHME. Bota mbarë e thërret NËNË,
përfshi këtu edhe Presidentët amerikanë, por, jo edhe ideologu-këshillëdhënës i
Enver Hoxhës dhe i Ramiz Alisë - profesor Sofokli Lazri. "Çfarë don ajo
Terezja në Shqipëri" - pati kërcënuar vartësitë e tij profesori im i
"Historisë të Marrdhënieve Ndërkombëtare", në Universitetin e
Tiranës, Sofokli Lazri, duke bërë edhe gabimin gjuhësor të përdorimit të
përemrit dhe të emrit - njëherësh! Enveri e quante spiune e Papës dhe
antishqiptare. Krerët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së) dakordoheshin me
mësuesin e tyre, Enverin, edhepse mbanin koncerte në emrin e saj, për të vjelur
para të majme!
Hierarkët
islamikë në Prishtinë Nënë Terezen e quajtën: "maxhupe",
"shtrigë", "kurvë",
"rrospi", "ajo e ka vendin në xhehnem" e tjera pisllëqe.
Kryehoxha i Kosovës tha se kryeimami problematik i Prishtinës ka kërkuar falje
për fyerjet ndaj Nënë Terezes. Por, ai "harroi" të thoshte nëse edhe
ai e ka bërë të njëjtën gjë, sepse para se të bëhej i parë i Kosovës, në
zanatin e tij, ka llomotitur, jo pak, kundra Nënës Tereze?! Vërtet, ka kaluar
një çerek viti nga amshimi i Kadri (Os)Manit, i cili e ka denoncuar, madje me
shkrim, bisedën faktike, por të pranishëm në tavolinë kanë qenë edhe tre
persona të tjerë dhe, fatmirësisht, ende frymojnë në këtë botë!
Nënë
Tereza jonë kishte një vëlla të vetëm, Lazrin. Kishte shërbyer oficerë në
Ushtrinë Mbretërore Shqiptare. Për këtë "mëkat" të bërë Enver Hoxha e
dënoi me vdekje, por Lazri arriti të arratisej nga Atdheu i përdhosur dhe i
përtokur nga komunistët e ideologjisë sllaviste. Vdiq heret në ekzilin e
detyruar në Itali, duke i lënë nënën dhe motrën "në gojë të ujkut".
Nënë Tereza trokiti deri edhe në derën e Presidentit amerikan, për ta ndihmuar
për tërheqjen e nënës dhe të motrës nga Shqipëria. Ajo i shërbënte botës dhe
pse të mos i shërbente edhe nënës të saj plakë?! Humanistës nobeliste botërore
nuk i jipte vizë Atdheu i saj, për ta vizituar nënën dhe motrën!!! Përgjigja
ishte mashtruese, e rreme, cinike se, gjoja janë të sëmura rëndë dhe nuk kanë
mundësi të udhëtojnë as me aeroplan! Ndërkohë që e motra vazhdonte të punonte
për kafshatën e gojës!! Dhe, vdiqen pa u parë kurrë. Dhe, kjo është vetëm njëra
nga mijëra dramat përgjatë sundimit të egër komunist shqiptar.
Skajmërisht
e dhimbshme, Shqipëria sundohej nga shtetarë kriminelë e rrugaçë, njësoj si
Kosova sot. Dhe, në mos atëherë, tani duhej të këndelleshin nostalgjikët
enveristë-stalinistë, për rrjedhojat e ideologjisë vrastare komuniste, e cila
ngjason si një bajgë e ndarë përgjysmë me ideologjinë fashizoide, duke e
tejkaluar, këtë të fundit, për gjakftohtësinë në krime edhe në kohë paqeje.
Sollëm rastin e Nënës Tereze, për të parë denigrimet dhe etiketimet e turpshme
që bënte sinonimi i krimit - Enver Hoxha me shokë, për personalitetet
shqiptare, që nuk i shërbënin politikës së tij satanike, përfshi këtu edhe
Mbretin Zog, si viktimë morale e kësaj bande huligane e kriminale - njëherësh.
Protagonisti
i radhës, mjerisht, i shekullit të pavarësisë është ENVER HOXHA , i cili, për
ndryshim nga katër përfaqësuesit e tjerë, shquhet për mizerabilitetin e
skajshëm të sundimit të tij. Aplikoi diktaturën e egër staliniane, duke ia
kaluar edhe vet mësuesit të tij, kriminelit Stalin. Prishi të gjitha miqësitë
me botën demokratike, me shtetet e Evropës dhe Amerikën. Izoloi Shqipërinë,
duke e bërë karantinë të varfërisë dhe të mjerimit, të rrethuar me tela
gjëmbash dhe bunkerë numerikë të kushtueshëm.
Fryma
evropiane e demokracisë solli në skenën politike shqiptare prof. dr. SALI
BERISHËN. Shqipëria dhe shqiptarët frymuan lirshëm, pas gjysmëshekulli
diktaturë. Anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave, janë suksese të admirueshme
të demokracisë. Rruga e Kombit, unifikimimi Abetares dhe i teksteve tjera
shkollore, janë elemente përafruese me pjesët e tjera të kombit.
Vitët
`90-a nxorën në skenën politike të Kosovës dhe më gjerë në Shqiptari, njeriun
që vinte nga bota akademike, dr. IBRAHIM RUGOVËN. Ishte fat që pikërisht Ai u
vu në krye të pluralizmit në Kosovë, në krye të Lëvizjes më të organizuar, deri
atëherë, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së).
Egërsia e
pushtuesit serbo-sllav, tashmë, e prirë nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan
Millosheviç, rrezikonte zhbërjen fizike të shqiptarëve të Kosovës. Ekzistonin
dy rreziqe të mëdha:
1.-
Dëbimi, spastrimi etnik masiv i shqiptarëve, duke masakruar shumë syrësh;
2.-
Dëbimi i pjesshëm dhe nën ekuzën e pjesëmarrjes në krime ndaj serbëve vendorë,
për rrjedhojë, pamundësia për t`u kthyer përsëri në Kosovë, nën akuzën e
krimeve, krejt e ngjashme me serbët e ikur nga vendbanimet e tyre në Kroaci,
pas fushatës ushtarake "Stuhia".
Presidenti
Rugova krijoi institucionet dhe pushtetin paralel moral e faktik në Kosovë.
Bashkoi popullin në masën 96 %. "Shpëtoni popullin tim nga shfarosja
fizike", ishte lutja e madhe e Tij në kancelaritë e qendrave të vendsosjes
të botës. Presidenti Klinton, Kryeministri Bler e kanë pësëritur porosinë në
Prishtinë: "Mos harroni Presidentin Rugova, shtetbërësin e Kosovës."
"Të
mbrohet pragu i shtëpisë", ishte porosia - kushtrim e Presidentit Rugova,
më 1997. Dhe, grupet e armatosura, të prira, fillimisht, nga Sali Çekaj dhe, më
vonë edhe nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti me shokë - filluan kundërshtimin me
armë të pushtuesit serbo-sllav.
Megjithatrë,
raporti i forcave - nga njëra anë dhe sabotimi i luftës nga krerët e LPK-së -
nga ana tjetër; ekzekutimi i ministrit të luftës qysh në fillim të luftës,
madje me aprovim dhe koordinim me Tiranën zyrtare si dhe vrasjet seriale në
pusira e prapa shpine, pamundësuan themelimin e një ushtrie të mirëfilltë
çlirimtare; dobësuan rezistencën e armatosur dhe Kosova u mund në fushë-betejë,
duke u boshatisur në pjesën më të madhe të saj. Ndërhyrja e paktit ushtarak
"NATO" ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës. Përndryshe, fati i
popullit të Kosovës, do të ishte ai i serbëve të Kroacisë.
Sfidat shqiptare përgjatë
shekullit të pavarësisë
Shekulli
XX-të është shekulli i historisë tonë, me një ngarkersë enorme me sfida e
përpjekje për liri dhe pavarësi. Ishte shekulli i zgjimit të madh kombëtar, i
këmbënguljes për ruajtjen e trojeve etnike dhe të qenies shqiptare, por edhe i
copëzimeve dhe i ndarjes të trojeve stërgjyshore. Ishte shekulli i pavarësisë
dhe i themelimit të shtetit shqiptar. Përgjatë këtij shekulli shqiptarët, në
etnikumin e tyre, qenë përjetues të dhembjeve të mëdha: maltretime, vrasje deri
në masakër; dëbime individuale, familjare, kolektive, por edhe rikthime
triumfale. Sprova e suksesshme e Mbretërisë Shqiptare në konsolidimin e
shtetit, drejtorientimin në rrugëtimin kah demokracia evro-perëndimore; luftëra
të filluara si çlirimtare, por të degraduara si luftëra civile, me qëllim të
katapultimit në pushtet e sundim totalitar; vetizolim anakronik e paradoksal,
të shoqëruar me luftë klasash, armiqësira e përçarje brenda-shqiptare, të
frymëzuara nga ideologjira të huazuara sllavo-bizantine dhe aziatike.
Fundshekulli
i XX-të, përkatësisht dekada e dhjetë e tij, shënoi hopin e madh dhe cilësor
për shqiptarët, por, me përmasa dalluese, të trojet e tyre keqas të copëzuara.
Erërat e demokracisë frymuan në Pranverën e Pragës 1968, në vjeshtën e
Prishtinës të atij moti, për t`u pasuar, susksesshëm, në Gdanskin polak, me
punëtorët portualë, të grupuar në "Solidarnostin" e Leh Valesës, i
impulsuar fort nga Kisha Katolike botërore, me Papa Vojtilën, alias Gjon Pali i
II-të, mikut personal të dr. Rugovës dhe të shqiptarëve, për të kulmuar me dhunën
pozitive - ekzekutimin e kreut komunist Çaushevskit me shokë në Rumani.
Dhuna dhe
ndëshkimet e rënda me burgosjet politike në vijimësi, duke filluar nga mbarimi
i Luftës të Dytë Botërore e këtej, prodhuan demonstrimet e rinisë shkollore dhe
të asaj studentore në vjeshtën e vitit 1968 dhe pranverën e vitit 1981 në
Kosovë; rezistenca grupore dhe kolektive në mbrojtje të autonomisë të Kosovës,
kësaj radhe të prirë nga klasa punëtore, në ballë me minatorët e Trepçës; nisma
e pluralizmit politik me kryeheroin dr. Ibrahim Rugova, ishin shtysa direkte
edhe për frymimin e demokracisë në Shqipëri, i nisur nga rinia studentore, e
udhëhequr trimërisht nga Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari me shokë, në
dhjetorin e 1990-ës, duke kulmuar me shembjet e shtatoreve të turpit: të
Leninit, Stalinit, Enverit, të cilat zymtonin e shëmtonin sheshet qendrore të
qyteteve shqiptare.
Tani po
festojmë 100 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë. U desh afër një shekull
pritjeje, për ta shpallur pavarësinë e Kosovës. Etnikumi shqiptar ka 67.000
kilometra katërorë. Prej tyre vazhdojnë ta lëngojnë robërinë edhe 28.500
kilometra katërorë. Barra e çlirimit, lirisë të hapësirave tokësore, të
aneksuara me dhunë, nga fqinjët lakmitarë e barbarë, do të bartët tek brezat
shqiptarë në rritje. Për sa kohë që territoret tona etnike do të jenë të
pushtuara, buzëqeshja shqiptare do të jetë e mangët, liria e tyre nuk mund të
jetë e plotë.
Dhe, lë
të guxojmë të shpresojmë dhe besojmë se, një ditë, Shqipëria Etnike do të
bëhet, madje, me hir ose pa hir. Lum ata që do ta gëzojnë!
(Fjala e mbajtur në
-Manifestimin e 100 vjetorit të pavarësisë
të Shqipërisë-, në Pfaffenhofen të Bavarisë)