| E merkure, 20.02.2013, 08:33 PM |
PËRROIT NË SHELGJISHTE
QAZIM SHEHU
Pranë lumit në shelgjishte
Barin vështroj,
Guacka fjalësh të buta,
Hedh mbi ujë.
Këtu ndoqa një shamibardhë,
Që hapej e mbyllej,
Xixëllonjë.
Dhe ajo s`më deshi kurrë,
Duke ikur tek tjetri,
Dhe unë rri e pyes këtë ujë,
Sikur mos jetë e vërtetë.
Shkon ikën ujë si ujë, ,
Indifferent i përjetshëm,
Ndoshta rend të shuajë,
Dashurinë e mbetur…
SYSHKRUAR
Syshkruar, e gjitha një drithërimë,
Flutur mbi lule, rreze dielli në pasqyrë tjeri,
Ti më le një përvëlimë,
Rrezesh,
Që bien mbi mua,
Përmes pasqyrës kthyer,
Artificialisht
Gënjyer…
DUKE PËRCJELLË KOHËN
Duke përcjellë kohën si një njeri,
Që ikën e s`vjen më,
Në duar mbart një trishtim të ri,
Që as s`e zhbëj , as e lë.
Duke përcjellë kohën si një sizmikë,
E paditur, kur do ndodhë,
Për t`ia matur aritmitë,
Në pasionin e ftohtë.
Duke e përcjellë, me të,
Ti mbushesh sa herë me kohë,
Ajo patjetër s`të bën zë,
Ajo këtë s`ta thotë….
ZËNKA
Dhe gjithë këto ngarkesa të ditës,
Këto nerva pafund,
Për çfarë të etiketuan tinëz,
Vagabondët e paturp.
Këto dështime të sosura
Në një gotë raki,
Me rrugë të pluhurosura,
Tym,
Në një tubë gri.
Një fjalë e jotja e mirë,
Befas,
Ndez një shkëndijë.
Dhe unë shpërthej në stuhi,
Prej së cilës,
S`rri larg.
Përfshihesh pakuptuar,
Si dielli në shtërngatë
Prej së cilës dalim të dy të lodhur,
Po më të qëruar.
NJERI PYLLI
Ata që thonë :njeri pylli,
Le të shohin duart e mia si gjethe,
Krahët si purteka,
Flokët fije bari,
Vështrimet e gjelbra,
Rrënjët e hapave,
Në drurë krenarie.
Një ball që përndizet
Në aroma freskie.
Të gjitha këto,
Në xhunglën e tyre pa pyll,
Unë nuk i fus…