| E diele, 17.02.2013, 12:16 PM |
KRISTAQ TURTULLI
ÇDO VIT NË SHEN VALENTIN
Të kujtohet në ai stol I thjeshtë dërrase,
Nën blirin e mbuluar me borë.
Çdo vit në Shën Valentin...
Pse festohet gjithnjë në muajin e shkurtër- shkurt piku i dashurisë?
Me pyesje dhe vazhdoje:
Sytë i kam të kaltër, të thellë dhe thellësitë e oqeaneve janë hiç gjë.
I kishe blu të errët, atje digjeshin meteorë.
Meteorët ngrinin, nuk mundën të digjeshin.
Më thoshe,
buzët i kam të mrekullueshme,
më të bukura e të shijshme në botë.
I kishe, në to ish gjithë shija dhe aroma e nektarit të luleve.
Ish shkurt dhe kish kallama bore.
Më thoshe, lëkurën e kam të brishtë, elektrike, të papërsëritshme.
Sa herë të prekja drithërohesha, elektrizohesha, mallëngjehesha, humbisja.
Tani mund të mallëngjehesh?
Në çdo Shën Valentin më mbërthen mallëngjimi.
Më thoshe, flokët i kam si rrezet diellore mëngjesore që reflektohen në pasqyrë.
Unë luaja me to, mrekullohesha dhe çdo mëngjes kur hapja sytë gjeja rreth meje qindra ylbere.
E di të kujtohet
Stoli ish i thjeshtë dërrase,
Nën blirin e mbuluar me borë,
Pse festohet gjithnjë në muajin e shkurtër- shkurt piku i dashurisë?
Thoshe.
Çdo vit në Shën Valentin...