| E shtune, 16.02.2013, 05:09 PM |
Diaspora Shqiptare dhe
“Fjala e Lirë” në 15 vjetorin e saj
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj
U bë shkak ditëlindja e
Fjalës së Lirë, e cila sot është e brishtë, si një vashëz e re 15 vjeçare, me
ëndrrat dhe shpresat e një adoleshenteje, por bënë punë që u përkasin të
moshuarëve. Nuk më pëlqen t'i uroj 100 vjet jetë asaj reviste që u bë tribuna e
mendimit dhe fjalës së lirë, që deri dje ishte burgosur brenda mendjeve të
mykura. Revistës "Fjala e Lirë"i uroj jetë të suksesshme në
përjetësi! Jeho Përjetësisht, o Fjalë e Dëlirë, e Ëmbël Shqipe! Ky përvjetor i
mikes sonë Fjala e Lirë, më bëri që të shprehja dëshirën time si më poshtë...
Shqipëria ndër kohëra ka
mbartur, ka nxjerrë dhe do të dalin prej saj figura të spikatura dhe të
ndritura në fusha të ndryshme të jetës. Në fushën e hartimit të fjalorit shqip,
përhapjes së gjuhës dhe shkollave shqipe, si dhe fillimeve të letërsisë sonë kombëtare,
vlera të mëdha ka Rilindja jonë Kombëtare, e cila përgatiti terrenin dhe ka
qenë Prologu i Pavarësisë Kombëtare. Klubet dhe shoqëritë atdhetare shqiptare
të themeluara në mërgim, të drejtuara nga intelektualët më në zë shqiptarë,
duke shpërndarë abetaren shqipe në të gjithë vendin, hodhën themelet e
tempullit të dijes, si udhërrëfyes dhe udhëheqës të së ardhmes sonë kombëtare.
Kjo lëvizje kulturore, me nismë në vatrat e nxehta, ku jetonin e vepronin
shqiptarët e ditur e mëmëdhetarë si në: Stamboll, Rumani, Bullgari, Kalabri,
Sh.BA, Greqi, Australi e në shumë shtete të Evropës Qëndrore dhe Perëndimore,
arritën ta bëjnë të njohur çështjen shqiptare. Hapja e shkollave shqipe në të
gjithë vendin zgjoi e rriti ndërgjegjen dhe dashurinë për tokën e të parëve,
historinë, traditën, si dhe kulturën e të gjithë bashkëkombasve brenda apo
jashtë kufijëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse ekzistonin dhe vazhdonin
aktivitetin këto vatra kulturore, politika e dyerve të mbyllura në diktaturën
komuniste heshti, madje shpesh herë u akuzuan si tradhëtarë të kombit gjithë
ata që e vazhduan traditën e bukur të Rilindasve.
Duhej përmbysja e sistemit
diktatorial, që shqiptarët e emigracionit të vjetër dhe të ri, ndoqën, rinisën,
apo nisën nga A-ja një punë të madhe me median, si vazhdues të rilindësve tanë.
Pushteti i medias së lirë ka vlera të jashtëzakonshme për një komb që përqafon
rrugën e zhvillimit. Veç ripërtritjes së atyre ekzistuese, u çelën mjaftë media
të reja, virtuale apo gazeta dhe revista të shkruara, sidomos jashtë vendit, të
cilat nuk janë nën influencën e asnjë force politike. Ato i shërbejnë kombit pa
interes vetjak, duke shpalosur kulturën, historinë, traditën dhe situatat e
shkuara që përjetuam, situatën aktuale të një tranzicioni të tejzgjatur e premisat-dilema
që kanë lindur si përgjegjësi morale, qytetare dhe kombëtare për të gjithë
intelektualët shqiptarë në çdo kënd të globit ku jetojnë dhe punojnë. Ata
shërbejnë dhe janë Ambasadorë të Shqipërisë të paemëruar nga shteti, janë
vetemëruar dhe përzgjedhur nga bashkëpunëtorët apo lexuesit e panumërt, në saj
të ndërgjegjes që i udhëheq për të thënë të vërtetën e mohuar apo të lënë në
harreesë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Çdo komb ka elitat e veta.
Asnjë elitë nuk ka brirë, as e ka të shkruar në ballë. Elita del natyrshëm, nuk
emërohet e nuk drejtohet nga askush, por me intelekt, vullnet, profesionalizëm
dhe punë, mendimi i saj i avancuar, ndiqet apo përkrahet nga të gjithë.
Natyrisht të gjithë ata që punojnë dhe pasqyrojnë arritjet, mbajnë qëndrim kritikë
ndaj mosarritjeve, apo ndaj gjithçkaje që bëhet keq, në këtë mënyrë ndihmojnë
çështjen kombëtare shqiptare. Këto janë vlerat e vërteta intelektule, të cilat
kanë nevojë për një falendereim, për një mirënjohje, për një ftesë nga organet
përkatëse administrative dhe të publikohen për gjithçka që bëjnë në favor të
vendit të tyre. Një veprim i tillë do të rriste autoritetin e Shqipërisë në
botë, si komb që di të vlerësojë intelektualët. Nuk duhet të harrojmë se ata
janë emigrantë që përqafuan kulturën, kushtet e zhvillimit dhe iu përshtatën
qytetarisë evropiane, amerikane etje. Asnjë emigrant nuk e gjeti rrugën të
shtruar me dafina, ndaj puna që bëjnë për vendin e tyre, duke u rrëmbyer kohën
problemeve familjare, është sakrificë sublime. Kjo punë e pashpërblyer, të
paemëruar nga asnjë institucion shtetëror, i ka bërë ata jo vetëm të jenë
vetvetja, dikushi, por i kanë treguar botës se shqiptarët janë njerëz të
vlerave. Natyrisht duke punuar në fusha të ndryshme, secili prej tyre jep një
apo më tepër vlera të ndryshme, por gjithmonë në favor të Shqipërisë.
Mes këtyre mediave për punën
e mrekullueshme që bëjnë, do të përmendja disa prej tyre që kanë shmangur
urrejtjen dhe nxitjen e hakmarrjes, por reflektojnë kulturë, dije dhe
vëllazërim si: "Fjala e Lirë", "Albania News",
"Dielli", "Illyria", "Bota e Gruas shqiptare",
"Tribuna Shqiptare", “Gazeta Kritika”,
"Albanezul/Shqiptari", "Rrënjët", "Fjala
Arbëreshe", "Vatra Arbëreshe", "Zemra Shqiptare",
"Voal", “Dituria”, “Forumi Shqiptar” dhe disa media tjera të rëndësishme.
Propozim!
Të nderuar, miq, lexues dhe
bashkëpunëtorë të mediave në emigracion, krijues dhe studiues, kritikë dhe
analistë brenda dhe jashtë vendit! Bota nuk i ka heronjtë apo njerëzit e shquar
dhe i krijon, kurse ne i kemi dhe i lëmë në harresë, ose i ngremë në piedestal
pas vdekjes. Duke parë se antivlera në tërësi ka mbuluar vlerat reale, ku
vlerësohen me fushata në bazë miqësie dhe partiake. Vlera nuk matet nga sasia,
por nga cilësia e vlerave intelektuale që i shërbejnë kombit, shoqërisë dhe edukatës
sonë. Mediat e sipërpërmendura që punojnë në emigracion nuk janë fluide, as
abstrakte. Ato drejtohen nga stafe të formuara në bazë shoqërie dhe atdhetarie
dhe po japin vlera maksimale. Jam e mendimit që intelektualët e shquar që
veprojnë vullnetarisht në emigracion për njohjen e historisë, kulturës dhe
vlerave kombëtare, të vlerësohen, në këtë vit me të cilin
1. Fatmir Terziu, Botues dhe drejtor i
revistës prestigjioze Akademia "Fjala e Lirë" dhe "Albania
News", si intelektual i shquar që e ka vendosur veten mes personaliteteve
botërore në fushën e kritikës, kinematografisë, publicistikës, botimit dhe
shkrimtar mjaftë i talentuar në disa gjini, i vlerësuar me disa çmime kombëtare
dhe ndërkombëtare, që jeton dhe punon si Akademik në Londër, mendoj të
vlerësohet me Urdhërin "Naim Frashëri" i Artë
2. Baki Ymeri, kryeredaktor i revistave "Shqiptari" dhe “Kosovoa”,
poet, përkthyes dhe publicist, që me shumë kurajo, vullnet dhe dinjitet vazhdon
punën e rilindësve të dikurshëm të Shoqërisë “Drita” në Bukuresht, i çmuar nga
mbarë bota shqiptare, meriton një vlerësim të veçantë.
3. Dalip Greca, kr/redaktor i Gazetës
"Dielli", publicist, ShBA.
4. Gëzim Marku, drejtor i revistës "Zemra Shqiptare", Angli
5. Ajet Nuro, drejtor i Tribuna Shqiptare, publicist, Kanada.
6. Ruben Avxhi, drejtor i Gazetës “
7. Kozeta Zylo, poete, publiciste, ka hapur
shkollë shqipe dhe televizion shqip ShB.A.
8. Hasan Aliaj, publicist, drejtor i gazetës "Rrënjët", Itali
9. Elida Buçpapaj, poete, publiciste dhe drejtuese e "Voal", Zvicër
10.Sedulla Zendeli Daja,
hartues i katër fjalorëve shqip-suedisht dhe suedisht-shqip, si dhe i një
gramatike dhe fjalori për fëmijë, Suedi
11.Ermira Babamusta,
botuese e gazetës “Prishtina News” (via Prishtinë-Londër-
12. Vasil Qesari, gazetar i TV Francë, publicist dhe fotograf i talentuar
13. Sokol Demaku,
botues i revistës “Dituria” në Suedi
P. S. Si individë me vlera të rralla publicistike në mbrojtje të çështjes kombëtare veçoj: Prof. Dr Eshref Ymeri, Dr. Vedat Shehu dhe Prof. Dr. Rasim Bebo.