| E shtune, 16.02.2013, 09:23 PM |
SHËN VALENTINI
DHE SHQIPTARËT
-Këndvështrim-
NGA DRITA LUSHI
Shën
Valentini është një festë që i përket të dashuruarve, e si e tillë, festohet në
çift, nën dritën e një qiriu, në një bar a restorant me muzikë romantike, nën
shikimin, frymën dhe zërin e njeriut që dashuron.
Dhuratat
bëhen sipas dëshirës, e sipas “xhepit”
të gjithësecilit, mjafton mendimi, por s’ka fare rëndësi vlera dhe madhësia e
saj.
Edhe një
buqetë lulesh është mëse e pranueshme dhe e bukur, madje personalisht, do ta
vlerësoja më shumë se çdo dhuratë tjetër.
Pra,
është një festë intime.
Tek ne,
veç çifteve të rinj, të sapofejuar ose atyre që janë në hapat e dashurisë, e që
vertet e kalojne festën në intimitetin e sho-shoqit, të tjerët mezi presin një
festë( të jetë, ç’të jetë), mjafton një
shkak për të festuar, për të kërcyer, për të gëzuar, për të drekuar.
Humbet
kështu, koncepti i festës dhe shohim që ajo kthehet në një festë
mbarëpopullore, si të ishte festa e Pavarësisë, e Çlirimit të vendit, apo e
Ndërrimit të viteve.
E kështu,
sheh grupe njerëzish në lokale duke ngrënë e kërcyer, a thua se të gjithë
paskan pritur këte ditë për një pjatë më shumë, apo për një ritëm muzike në mesjavë.
Mënyra se
si e festojnë shqiptarët këtë festë dhe kur i sheh kaq të ngazëllyer pas një
gote verë që pijnë, vetvetiu të lind pyejtja:
Sa të
dashuruar janë shqiptarët?
Kjo është
një pyetje që mund t’ia bëje çdokush vetes, jo vetëm në një ditë si kjo, por në
çdo ditë të jetës së tij bashkëshortore.
Akoma më
mirë, do ish’ që ta pyesnin veten përpara se të vendosnin për të jetuar në çift.
Sëpse
ndarja ose divorci ka kosto jo vetëm materiale, por mbi të gjitha,
psikologjike, morale, shoqërore dhe familjare.
E të
mendosh, që shumica e njerëzve krijojne familje jo nga dashuria, por si
kompromise të domosdoshme, për të arritur qëllime të caktuara shoqërore .
Por
harrojne se një familje s’është kompromis!
Aq më
shumë, s’mund të jetë kurrë, dashuria kompromis!
Mendoj se
shumica, madje nuk e dinë se çfarë është dashuria.
Shumë
shpejt, vetëm nga tërheqje të çastit kalohet në martesë, ku pas një ose dy
vjetësh shihet qe kjo(martesa) është një dështim i vërtetë.
Të dy
bashkëshortët shohin që s’i lidh asgjë, e as që përputhen në mendime dhe
ndjenja.
E pra,
edhe ajo “flakë”- që nxehte aq shumë, tashmë e ka mbuluar hiri, e mbi të bie
dhe bloza e keqkuptimeve, e sherreve për gjërat më të vogla, që mund të degradojë dhe me keq në
urrejtje.
Një vendim i nxituar, një fundkeq i garantuar.
Atëherë,
çfarë festojnë kështu shumë nga shqiptarët, në katërmbëdhjetë shkurt?
Absolutisht
nuk dua të bëj përgjithësime, e as që e mendoj të jem skeptike ndaj ndjenjës më
njerëzore DASHURISË, por realiteti dhe ato që çdo ditë shohim dhe dëgjojmë më
japin të drejtën të them se festojnë
pasigurinë, sepse e kanë vështirë të pranojnë që dashuria e tyre është një
farsë, një gënjeshtër, e ata mundohen që një ditë në vit (14 shkurt) ta
gëlltisin poshtë me një gotë verë, e
mendja e tyre të harrohet nga ajo çka i mundon në të vërtetë gjithë vitin.
Ditët e
tjera e kapërdijnë me ushqim e me një
gotë ujë, e darkave bien të flenë
në shtretër hipokrizishë.
“Dashuritë e mëdha, nuk veshin fustane nusërie” – kam
lexuar diku.
Atëherë, si mund të veshin dashuritë e rreme të tilla
fustane?
Aq të
etur janë disa shqiptarë, për një kostum dhëndërrie, për një fustan nusërie, e
për të djegur një shami beqarie?
Për ku
nxitojnë vallë kaq shumë?
Per të
takuar dashurinë?!
Jo, çdo
ndjenjë është dashuri!
Koncepti
i saj është mjaft i gjerë dhe fisnik.
Nuk mund
të quhet dashuri, seksi dhe tërheqja biologjike .
Kur të
vendosni për martesë o “të dashuruar” pyeteni veten:
Çfarë i pëlqej unë, kësaj apo këtij?
Vetëm
sytë e bukur, linjat, lëkurën, buzët...?
Pas pesë
vjetësh ndoshta s’do ti shihni më këto tipare.
Atëherë
çdo të ndodhë?!
Sigurisht,
që asnjëri nuk di me saktësi se çfarë, por që të ndodhte më e mira nëse do
shihnim tek partneri në rradhë të parë ato tipare dhe cilësi që s’duken sheshit
(si bukuria fizike etj.), por ato karakteristika, sjelljeje, vetëpërmbajtje,
përkushtimi, njerzillëku dhe mirësie, të cilat do të na bënin ta donim dhe
respektonim në çdo kohë partener/in/en edhe pas dy tre dekadave, pse jo, edhe
deri në fund të jetës.
Atëherë,
nëse e përditëshmja juaj ju bën të harroni se çfarë situate po jetoni, nëse ju ka përfshirë
monotonia e punët që s’mbarojnë kurrë, nëse hallet dhe nevojat e përditëshme,
s’ju lënë hapësirën e domosdoshme për të parë raportin tuaj bashkëshortor apo
lidhjen tuaj dashurore, ështe koha dhe dita të pyesni veten:
A jam
vërtet i/e dashuruar me
partner/en/in tim/e dhe pas kaq vitesh?
Ndoshta
kjo, do ju bëjë që të kujtoni se nuk i keni kushtuar njëri –tjetrit kohën e
nevojshme e vëmendjen e duhur, kjo mund të jetë një këmbanë rikujtimi që
përsëri jeni në kohë të rregulloni ato
çka i keni lënë mangut njëri- tjetrit, sëpse e përditëshmja është po ajo
gllabëruesja e kohës sonë, që na humbet vëmendjen për gjëra më të rëndësishme.
Ndërsa
ata, që janë në fillimlidhje dashurie, mund të
masin me kut logjik hapat e hedhur e nëse, lidhja nuk shkon siç duhet
edhe mund të mos ndërmarrin hapa të mëtejshëm.
Shën
Valentini është festa e të dashuruarve, jo e gjojatëdashuruarve.
Ndryshimi
në të shkrojtur është një fjalë (goje), por në realitet është një jetë e tërë!
Po e përsëris : NJË JETË E TËRË!
Prandaj sot, pyeteni veten : A dashuroj vërtet?