Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Asteroidi kaloi pranë Tokës

| E shtune, 16.02.2013, 09:40 AM |


Ashtu siç ishte parashikuar, një asteroid me diametër 45 metra, apo e thënë ndryshe me përmasat e një pishine olimpike, kaloi pranë Tokës në një distancë prej vetëm 27.700 km, më e afërta e regjistruar ndonjëherë nga një objekt i kësaj madhësie.

Pavarësisht distancës rekord, asnjëherë nuk u bë fjalë për ndonje ngjarje apokaliptike, thonë ekspertët, por të mos harrojmë se ai ishte vetëm një prej mijëra objekteve të destinuara të hyjnë një ditë në hapësirën tonë.

Ka plot asteroide, që po i vëzhgojmë dhe nuk e kemi përjashtuar mundësinë e një impakti me Tokën, citon CNN një prej drejtuesve të NASA-s, Don Yeomans, megjithatë një mundësi e tillë është tmerrësisht e vogël.

Trupa qiellorë me përmasat e asteroidit të quajtur 2012 DA 14 mendohet se e godasin Tokën një herë në 1,200 vjet. Gjatë afrimit, shpejtësia e asteroidit llogaritet të ketë qenë 7,8 kilometra në sekondë, që do të thotë 8 herë më e madhe se ajo e plumbit të një arme të fuqishme.

Mbërritja e tij u parapri nga rënia e një meteori në Rusi, që shkaktoi dëme e të plagosur, por nisur nga trajektorja e lëvizjes së këtij të fundit, ekspertët kanë dalë në përfundimin se të dy këto evente nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, dhe se thjesht bëhet fjalë për një koincidencë kozmike, siç preferuan ta quajnë ata.

Nëse do të ishte rrëzuar, asteroidi që është thuajse sa gjysma e një fushe futbolli mund ta kishte fshirë Washington-in nga harta. Sipas NASA-s, rreth 9.700 trupa qiellorë janë klasifikuar si objekte pranë Tokës, që janë kometa apo asteroidë në orbita, të cilat iu lejojnë afrimin me planetin tonë.

Top Channel