Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Natë dimri

| E enjte, 14.02.2013, 09:23 PM |


NATË DIMRI

Tregim nga Qazim Shehu

Në natën e dhjetorit kur bora jashtë ndrin kobshëm si qefin i bardhë në rrezet e hënës ,çardaku i madh i burrave gjëmon ngrohtësisht nga zjarri bubulak, i cili kafshon kërcunjtë e zinj ngadalë dhe në këtë stërmundim shfryn e lehtësohet për oxhaku në hapësirën e ftohtë.Në njërën qoshe të oxhakut rri komandanti i çetës partizane, një burrë mjekërzi e dërdëng, me ballë të kërcyer e sy të frikshëm futur thellë nën kapakun e ballit, ndërsa në qoshen tjetër rri i zoti i shtëpisë. Përqark mureve të çardakut të madh rrinë pjesëtarët e çetës, shumica djem të rinj , mbledhur nga fshatrat e krahinës.Pushkët janë varur në perona, po revolet janë në brez.Në një kohë të caktuar çohen tre vetë, dalin jashtë dhe pas pak vijnë tre të tjerë.Numri i njerëzve në dhomë mbetet po i njenjtë.Komandanti i çetës pasi ka folur për luftën , për armikun dhe lirinë, ka pushuar një hop.Po askush nuk flet, as Salo Hardhushi, i zoti i shtëpisë, i cili si për të prishur heshtjen troket me mashë mbi dërrasa.Është autoriteti sipëror i të zotit të shtëpisë përcjellë në ritualin e një sinjali që lajmëron kohën e shtrimit të bukës. Ndërkohë sofrat janë shfaqur tek dera, ashtu si dhe sahanët me gjellë e tepsitë me mish të pjekur.Komandanti i çetës çliron xhaketën ushtarake nga kopsat, ulet në sofër e pas tij të tjerë.Hanë ngadalë dhe ngrenë me radhë filxhanet me raki.I zoti i shtëpisë i nxit që të hanë, ata janë të uritur, po nuk mund ta shpejtojnë ritmin më tepër se komandanti i çetës, i cili ha dhe mendohet, duke kafshuar me dhëmbët e fortë bukën e misrit.Përse mendohet vallë, askush s`e kupton ,po kur mendohet komandanti, me siguri ,diçka do të ndodhë, ndonëse avulli paqësor i gjellëve sikur thotë se asgjë s`mund të ndodhë.Befas ,komandanti pasi u duk se qe çliruar nga mendimet filloi të fliste sërish , po kësaj radhe mbi hafijet që kishte ky fshat, ata duhej të mendoheshin mirë para se të spiunonin Lëvizjen, se një ditë nuk kishin ku të shkonin vetëm të futeshin andej nga kishin dalë.Copa e bukës së misrit sikur shkëndijoi barot kur komandanti e kafshoi me një tërsëllimë të fortë, ndërsa Salo Hardhushi ngriti sërish një shëndet për komandantin trim , po komandanti sërish e kishte fjalën tek hafijet, sikur ata të ishin fantazma që vijëzoheshin në mur nga drita e zbehtë e llambës me vajguri.Kur u ngritën sofrat dhe u shplanë duart me ujë të ftohtë, komandanti ende nuk po e shplante dufin e vet , sikur ta kishte dehur aroma e mishit dhe avulli i nxehtë i rakisë.-Hafijet janë të rrezikshëm, vijoi ai- dhe një i tillë në fshatin tuaj është ai doçi, Sami Qyta…

-Si thua ti , Salo Hardhushi?..._

Vallahi nuk di gja, po në emër të perëndisë, për Saminë i ve të dy duart në zjarr, -u gjegj i zoti i shtëpisë.-Fukara sa ban zotin me qa, nuk ka këllqe ai me u marrë me kso punësh..Fjalët e të zotit të shtëpisë u duk se i hodhën benzinë zjarrit, po komandanti foli sërish me të njenjtin ton:

-Mirë, po nuk ban me kundërshtu ti, se ne nuk hamë bar.Për atë bukë që më zantë grykën ai asht një spiun i rrezikshëm…Salo i çoi sërish duart afër zjarrit sikur donte t`i vinte mbi të për t`u betuar, deshi të fliste , po komandanti e ndërpreu:

-Kot me ba muhabet me ty, nder të qoftë buka e ikballi i shtëpisë, po kjo është punë për Demush Likën, tha ai.Demushi gjer atëhere s`kish folur fare, ai ishte partizani më i ri i çetës.

-Prandaj ti, Demush Lika je ngarkuar me detyrë që pas një ore  të gjendesh tek Kthesa e Rrapit të Gurit me vra Sami Qytën, ndryshe ai me hafijet e tij ka për të na zënë si miu në çark.Fjalët nuk kishin nevojë për kundërshti.Demush Lika mori pushkën nga perona dhe doli jashtë. Hëna ndriste   dhe qeshte si lugat.Këpucët e tij kërcitën mbi dëborën e ngrirë, dhe ai mori një rrugë, nën hijen e ca drurëve të mëdhenj që kallnin trishtim dhe frikë të thellë.Në fillim eci me një gjysmë vrap pastaj filloi të ngadalësonte hapin e u mundua të arsyetonte përse komandanti donte ta vriste Sami Qytën.Dha e mori me vete po nuk po e gjente fillin,  ndërsa pak më vonë u kujtua.Sami Qyta nuk iu përgjigj thirrjes së komandantit për të nxjerrë motrën partizane dhe që atëhere komandanti qe prekur në thua.Ai e martoi shpejt e shpejt motrën në një fis të largët , pa bërë dasmë, ashtu fshehurazi .Sami Qyta ishte rritur me Demush Likën, madje gruaja e tij qe një kushërirë e largët e tij.Dhe tani duhej ta vriste, po pse pikërisht ai, mos vallë komandanti donte ta vinte në provë?Djersë të ftohta i mbuluan ballin, të cilat ai i fshiu me mëngën e xhaketës ushtarake.Bora shndriste nga rrezet e hënës, ndërsa hijet e pemëve që vareshin sukave dukej sikur vraponin për t`iu larguar atij shkëlqimi të ftohtë.Kohë e mirë për të vrarë, mërmëriti me vete Demush Lika ,ndërsa nxitonte hapin dhe ndjente sesi bora rënkonte shkrydhshëm në ngjeshjen e hapit të tij.Pushkën herë e mbante në dorë dhe herë e hidhte në krah sikur nuk e dinte ç`të bënte me të.Shtëpitë e rralla të fshatit dukeshin të gjitha të zbuluara nga drita e hënës,ja ku ishte edhe shtëpia e tij, diku në një kodër, shtëpi trekatëshe hijerëndë me dritare të vogla që vëzhgonin të gjitha rrugët e mundshme.Me siguri tani babai nuk flinte ,as gruaja e tij.Iu bë se iu ndez një dritë në dritaren e dhomës së miqve, po këtë nuk mundi ta fiksonte mire, sepse i duhej të shihte herë herë rrugën e keqe, e cila vende vende mbulohej nga bora prej fërtymës së erës më tepër se ç`duhej.Nëse ai do ta vriste Sami Qytën askush do e merrte vesh, po në të kundërt komandanti do hakmerrej duke i djegur edhe shtëpinë.Të rrënqethura i shkuan në trup.Veçse ai ishte partizan dhe duhej të zbatonte urdhërat,ndonëse ende nuk e kuptonte pse duhej vrarë Sami Qyta.Ç`farë dreqin kishte bërë malukati, kur ai e njihte mirë që edhe po ta vrisje nuk e çkyçte gojën.Kuptoi sërish..Iu risoll ndërmend motra e Samiut.E bukur ,shtathardhi, e kolme, më e kërkuara në krahinë, më e nëmura për shkak të bukurisë.Komandanti e kishte kërkuar me ngulm për partizane.Dhe Sami Qyta s`kishte pranuar.Një ngërç i madh iu mblodh në fyt.Tani po vihej në një provë pabesie, i gjykuar si më trimi dhe më i vendosuri i çetës.Dhe duhej ta bënte, i thosh një zë.Urdhri nuk kthehet mbrapsht.Po pse duhet ta vrasësh pikërisht ti dhe jo një tjetër?-i mërmëriste një zë i dytë.Këtu ngecte.Aq më teppër kur zëri i tretë i thoshte që pushka s`kish për t`iu lavdëruar kurrë e kish me qenë i turpnuar mot pas moti, jo vetëm ai, po farë e fis, degë e lis.Rrezet e hënës  ngjanin me ca tela të nxehtë  që i jepnin ndjesinë e përzhitjes.As vetë nuk e kuptoi si u gjend tek Kthesa e Rrapit të Gurit.Ishte një kthesë e gjërë me një vend të sheshtë ku rrinte një gur i madh.Sipër vinte një shkozë që qe mbuluar nga fërtymat e dëborës.Degët e rrapit anonin më së shumti mbi luginën e thellë , aty ku shtrihej një lumë i vogël që zbriste nga malet e rridhte për të humbur në një lumë më të madh në fshatin tjetër.Këtu në këtë vend ,bënin gjithnjë pushim udhëtarët, ishin mbajtur kuvende burrash e ishin ndarë gjyqe të holla, po ai s`kishte dëgjuar që ndonjëherë ,pikërisht këtu ,të ishte zënë ndonjë pusi për të vrarë.Ai këtyre kuvendeve po u vinte një njollë turpi.Një njollë që s`kishin për ta shlyer shirat e vjeshtrave, as stuhitë e forta të dimrave.Ai i biri i Likës së njohur për ndarjen e sherreve pa zbritur nga samari i kalit.U mbështet mbi gur, hoqi pushkën , e vuri mbi të dhe pa luginën që ndriste në rrezet e hënës ,të cilat binin pjerrtas mbi të.Qetësia i kallte një frikë dhe trishtim të thellë.Sidoqoftë nuk do ta vriste Sami Qyten.Ky mendimi i vetëtiu në mend papritur, sikur t`ia sillte rrapi i madh që ulte degët në bark të borës.Ndjeu një lehtësim.Nëse do ta bënte këtë, ky lumë që rridhte në përjetësi nuk do t`ia lante kurrë poshtërsinë, një turp i madh do e mbulonte përjetë me soj e sorollop, e zoti mbase do ta zhbënte megjithësej.Ishte ky mendim i përsëritur disa herë në një bisedë të brendshme , i cili tani po i fashitej, pas vendimit që mori në vetvete.Po çfarë do t`i thoshte komandantit?Këtë do ta mendonte më vonë, veçse sido që të sajonte ndonjë gjë,ose në mos asgjë të mos sajonte, ai sërish e vendosi: Sami Qytën nuk do ta vriste.Guri i madh dremiste mbi rrezet e hënës dhe sikur peshonte mbi mendimet e tij.Papritur  pa se në luginë ecte një njeri duke tërhequr një mushkë, rrezet e hënës ia zbuluan pamjen,ishte Sami Qyta.Mbi mushkë ishte plandosur një njeri tjetër.Nëse do të vriste ,tani duhej të vriste dy njerëz.U ndje më i lehtësuar që kishte marrë vendimin.Sikur të mos i dilte para do qe më mirë.Por tjetri duhej ta dinte se një ditë do vritej dhe ai duhej t`i thoshte për këtë.Me pushkë në dorë ai zbriti poshtë, dhe thirri:

-Ej, Sami Qyta, ndalu pak..Zëri i tij kumboi thekshëm si një tel i nxehtë që u dha rrezeve të ftohta të hënës një përzhimë acaruese.Sami Qyta nuk reagoi fare, as e hoqi pushkën nga supi.Siç dukej e kishte njohur, ndonëse Demushi nuk e besoi këtë, përderisa mbante pushkën në dorë.

_Kam një fjalë me ty, a je, si je burrë i dheut…Ç`hall të paska nxjerrë në këtë orë kësaj udhe të ngrime ,o Demush, mirë mue se po çoj gruan me lindë tek plaka Xharije, po ty?...Gruaja që rrinte kruspull mbi kalë, befas ngriti kokën   për të parë Demushin i cili mënjanoi fytyrën.Ajo foli:

-A ti je, vëlla, Demush?...E uli sërish kokën dhe rënkoi thellë.Demush Likës i vetëtinë në mendje ca shkrepëtima vezulluese.Iu bë se gurët e lumit u çuan përpjetë dhe të gjithë vërtiteshin drejt kokës së tij.Po gurët u zbrapsën prapë për të shkuar e strehuar në foletë e tyre të ngrohta prej ngrice.Iu fanit fytyra e egërsuar e komandantit, mjekra e zezë, sytë e dalë nga zgavra si kukudh,ndërsa vetja si një leckë e pëgërë.Ai atë natë duhej të vriste jo një po tre vetë.Mori kurajë.

-Dëgjo, Sami, -foli Demushi, më kanë çu me t`vra sonte po të kurseva.Fshihu ,or djall, prej komandantit të çetës.Ishalla të jep zoti një djalë.Hajt, udha e mbarë na qoftë të dyve e na gjykoftë për të mirë kjo hanë…Demushi u kthye vrikthi sikur ato fjalë ta shtynin për tutje në një drejtim të paditur, ose drejt ujit të ftohtë të lumit që nuk lëvizte nën cipën e akullit.Ai mbante pushkën në dorë sikur donte ta hidhte diku, lëvizte vendit e qëndronte , pastaj rendte prapë dhe supet e tij mbi shpatullat e gjëra lëviznin si një varkë që kristalizohej nën dritën e hënës.Kur u gjend afër shtëpisë së Salo Hardhushit ai u ul diku për të menduar.Ç`do t`i thoshte komandantit, përse nuk e kishte vrarë Saminë?Ai e dinte fort mirë se komandanti do të pendohej që kishte zgjedhur atë, se do ta vriste, po më mirë le ta vriste,nuk kishte dridhjen më të vogël që shkakton frika.Demush Lika e hapi derën e çardakut pa trokitur dhe vari pushkën në peronë.Dyllë i zbehtë në fytyrë pa folur me kënd, ai u ul tek vendi i vet.Komandati kërceu në këmbë, dhe pyeti:

_Hë , e qërove?..Pyetja e tij doli instiktivisht sepse komandanti e kishte kuptuar.Ai e njihte mirë Demush Likën që nuk zverdhej lehtë veçse kur e mundonte ndonjë gjë e rëndë.Megjithatë nuk iu besua dhe e ripërsëriti pyetjen:

_Hë, e qërove, maskaranë?...Edhe Demushi u ngrit në këmbë.

-Jo, tha prerë.Komandati befas nxori revolen , por në të njenjtën shpejtësi kishte nxjerrë revolverin e vet edhe Demushi dhe dy tyta armësh ishin vendosur në ballin e sejcilit.-Shkrepe , po ta mbajti, -foli i pari Demush Lika  se nuk vras vëllanë tem për qejfin tand.Befas komandanti uli revolen bëri pas e qeshi hidhur, e qeshura e tij shkrepëtiu dhe u rrokullis në dysheme si gurët e malit në mot të lig.

-Po ti pse nxitohesh , bre, Demush, kjo qe vetëm një shaka…

-Nuk bahet shaka me vllanë tem- u përgjigj Demush Lika duke fryrë tytën e revoles së pashkrehur, sikur t`i vinte turp që s`e shkrehu atë natë…