| E marte, 12.02.2013, 09:41 PM |
Kombi
është akt besimi
Nga Ndue Ukaj
Çfarë do
të thotë të jesh pjesëtar i një kombi? E në këtë aspekt, çfarë do të thotë të
jesh shqiptar?
Një
shpjegim domethënës, për pyetjet e më sipërme, gjithmonë sfiduese për personin,
por edhe për bashkësinë njerëzore, e jep shkrimtari erudit, Jorge Luis Borgesi,
te tregimi Ulrika në formën e një dialogu konciz.
Ajo më
pyeti e menduar: Ç’do të thotë të jesh kolumbian?
-Nuk e
di, -iu përgjigj. –Është një akt besimi.
Kombi
është një akt besimi. Asgjë ma shumë e as më pak. Pjesëtarët e një kombi,
bashkohen rreth idealeve të veta, duke krijuar kulturën e përbashkët dhe kështu
duke e shndërruar kombin në një akt besimi, rreth së cilit rrinë të bashkuar të
gjithë pjesëtarët e tij. Vetëm duke besuar te e kaluare e tij, (që është
traditë e përbashkët), pastaj te ambiciet e tij, e sidomos te gjuha dhe
kultura, pjesëtarët e një shoqërie e ndjejnë kombin si një akt besimi dhe
krijojnë kohezion e harmoni të brendshme. Pikërisht për këto arsye, shumë
njohës të çështjeve shoqërore, mbrojnë idenë se kombet janë ma shumë unitet
gjuhësore dhe kulturore, sesa unitet racore.
Nga kjo
që thamë,
Për
shqiptarët, kombi a është akt besimi?
Çfarë do të thotë të jesh shqiptar, sot, në këto realitet të reja
gjeopolitike që janë krijuar sidomos në dy dekadat e fundit? A kanë shqiptarët
përgjigje unike për këto pyetje esenciale?
Këto
pyetje të shumta, natyrisht kërkojnë analiza dhe interpretime të shumta e nga
dije të ndryshme. Një gjë është më se e sigurt. Në këto pyetje, shqiptarët s’
kanë qëndrime unike dhe kjo duhet ta shqetësoj çdo kënd që merret me çështje të
kombit. Kjo sidomos duhet t’i shqetësoj elitat (nëse kanë mbet të tilla) dhe
edukatorët e këtij kombi. Këto dilema, vazhdojnë ta rëndojnë jetën tonë
kombëtare, sidomos viteve të fundit, prej kur brenda nesh kanë filluar të
rihapen debate për identitetin kombëtar shqiptar dhe dilemat nëse ai është unik
apo i fragmentuar. Ndërkaq, këto debate, kanë marrë kahe më dëshpëruese,
sidomos pas shfaqjes së një fryme çoroditëse neootomane në jetën tonë kombëtar.
Kjo frymë, e cila së pari është stimuluar nga qarqe turke, me kohë zuri vend te
disa pseudo intelektualë shqiptarë, të përkrahur po ashtu nga disa pseudo
historianë dhe në këtë mënyrë është ngritur mjerisht deri në nivelet e larta
qeveritare.
Debatet
për identitetin kombëtar dhe përkatësinë civilizuese të shqiptarëve, kanë
rishfaqur prirje dhe orientime të ndryshme brenda jetës sonë kombëtare.
Pikërisht këto debate, kanë stimuluar një klub të strehesave, siç i quan Ismail
Kadare, ta çmitizojnë figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotin e Nënë
Terezës. E sulmet s’mbarojnë këtu, por vazhdojnë me teoritë për kombin kosovar
e gjepura tjera, se gjoja perandoria osmane s’na paska qenë pushtuese, por
administruese.
Rihapja e
këtyre temave, edhe njëherë e ka parashtruar nevojën e qartësimit të raporteve
tona me vetveten. Pikërisht për këtë, shkrimtari ynë më i afirmuar dhe një nga
mendjet më të mbrehta, Ismail Kadare ka shkruar një libër testamentar,
“Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ku me një analizë të shkëlqyeshme
e ve shqiptarin para përgjegjësisë kombëtare, që të qartësojë veten dhe
ndërgjegjen e tij në raport me të shkuarën dhe kështu të hap shtigje për të
ardhmen.
Derisa të
krijojmë një kohezion të brendshëm dhe një harmoni kombëtare, që pyetjeve dhe
dilemave idetintare t’iu japim zgjedhje përfundimtare, ne s’do të qetësojmë
ndërgjegjen e trazuar kombëtare. Këtë sigurisht s’mund ta bëjmë pa e respektuar
traditën e përbashkët, kulturën e përbashkët me shenjat e tiparet dalluese
identitare. Kjo është mënyra e domosdoshme për t’i kultivuar ndjenjat e
përkatësisë unike kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, krijojmë ndjenjën e
përkatësisë së përbashkët për kombin tonë dhe flakim dallimet që janë rrit
dukshëm viteve të fundit, por që janë artificiale.
Historia
s’duhet lejuar të bëhet barrierë për të ndërtuar të sotmen tonë kombëtare. Atë
duhet ta marrim si një pikënisje për rrugëtimet e ardhshme.
Andaj,
është në ndërgjegjen e klasës intelektuale, t’ju jap përgjigje të qartë këtyre
dilemave që për nga rëndësia, tejkalojnë gjitha debatet e pakuptimta që bëhen
ndër ne për politikën dhe degradimet që ka pësuar ajo, për paaftësinë e klasës
sonë politike me çua vendin përpara, ngase këto degradime e çoroditje, vijnë
nga fakti se kombi ende s’është bërë akt besimi për gjithë shqiptarët.
Realitet
e reja që janë krijuar nder shqiptar, çuditërisht s’na kanë unifikuar në
pyetjet e lartështruara. Përkundrazi, sot më shumë se kurrë sulmohet heroi ynë
kombëtar, Gjergj Kastrioti, humanistja dhe nderi i shqiptarëve në botë, Nënë
Tereza, e kështu me radhë. Pikërisht këtu ka filluar çarja e rrezikshme brenda
nesh.
Do te
ishte skajshmërisht e trishtueshme dhe fatalisht katastrofale, psh. të mendohet,
se kombi kosovar është zgjidhja ma e mire për të tashmen e shqiptareve
qe jetojnë në këtë pjesë të gjeografisë politike shqiptare. Kjo nëse s’është
punë miopie politike e kulturore, është veprim qëllimkeq që shqiptarëve ju vë
edhe një digë të rënd në rrugën e konsolidimit dhe avancimit.
Nga këto
përsiatje, e shohim sa e domosdoshme është nevoja për një ripërtëritje
shpirtërore, duke ju kthyer etërve të kombit, atyre që na formësuan dhe
jetësuan idenë kombëtare. Krizat e shpërfaqura identitare, janë një
sinjifikativ i qartë se ndër ne duhet një rilindje, që t’ju japim përgjigje
përfundimtare këtyre dilemave të makthshme.
Vetëm kësisoj mund t’i tejkalojmë barrierat e rënda të së sotmes, që
shpeshherë ju detyrohen të kaluarës sonë dhe pastaj të hapim shtigje të reja,
për t'u integruar brenda familjes perëndimore, me dinjitet dhe respekt.
Ma shumë
se për këndellje politike, kemi nevojë për këndellje shpirtërore, që përgjumja
jonë përballë këtyre dilemave të na zgjojë dhe ta shohim realitetin në sy.
Empiria
na ka dëshmuar faktin se popujt që s’marrin mësim nga e kaluara e tyre, janë të
destinuara të ripërsërisin gabimet e njëjta.
Faik
Konica, eruditi i pashembullt dhe kritiku më i madh shqiptar, që fishkëllente
pa kompromis plagët dhe cenet e karakterit shqiptar, thoshte se "...është
nevoja t'i japin shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi me i madh i
Shqipërisë". Pas kaq dekadash, qyshkur Konica pikasi me pedanteri prej
eruditi këtë nevojë, që shkonte në drejtim të bërjes së shqiptarëve, pas bamjes
se Shqipërisë, ne e shohim sesa aktuale është kërkesa e tij sot.
Shqiptarëve
ju duhet një ide e qartë për të ardhmen, një ideal i shëndoshë, për te
triumfuar kundruall kësaj gjendje dhe mendësie jondërtuese. Për ta zhdukur te
keqen, duhet krijojmë idealin e te mirës e këtë ideal duhet ta ndjejnë gjitha
shtresat e kombit. E, që të ndodh kjo, duhet një shkollë e re kombëtare, që do
të motivohej nga qëllime sublime dhe ideale të larta kombëtare. Kjo shkollë në
viteve të indipedencës ka ekzistuar dhe dha fryte të dobishme. Tash duhet ta
rifunksionalizojmë. Etërit e kombit, duhet t’i bëjmë pararojë për të sotmen dhe
udhërrëfim për të ardhmen, ndërkaq filozofinë e pastër oksidentale, që e
promovuan pa ekuivokë gjithë mendimtarët shqiptarë, në kohën kur u bë
Shqipëria, duhet ta rikthejmë dhe ta vejmë në punë, në funksion të interesit të
përgjithshëm kombëtar. Asnjë rruge tjetër, s’është e sigurt, veçse e shton
agoninë tone te gjatë.
Përcaktimi
kulturor dhe civilizues i shqiptareve vjen natyrshëm nga shtrati kulturor dhe
gjuhësor perëndimor, ku bën pjesë edhe kultura jonë që nga fillesat e saj e
gjer me sot. Devijimet neper kohë kanë
qenë të shtrënguara here nga pushtuesit e here nga ideologjitë shtrembëruese,
por shqiptaret asnjëherë s’janë shkëput kulturalisht nga perëndimi, prandaj
gjitha ato ide që vijnë si barriera për të sotmen dhe përpiqen ta fragmentojnë
të kaluarën, shqiptarët e ndershëm e kanë për detyrë t’i braktisin dhe t’i
hedhin në koshin e mbeturinave kundërmuese. Në këtë mënyrë, kombi bëhet një akt
besimi rreth së cilës rrimë gjithë të bashkuar.