| E hene, 11.02.2013, 08:11 PM |
Ngeshmëri
dhe dinamizëm?
Nga Blerim Rrecaj
Merr dy
euro dhe në orën dy e njëzetë e dy minuta,( natyrisht që është pasdite) dhe ia
mësyen për të prerë flokët te berberi matanë rrugës. Me të janë duke ndenjur
(s’di për qejf a për zor) dy të njohur të tij e nën tingujt e radios themi dhe
ndonjë fjalë dhe berberi të tregon të dikë të anës tonë që pos punës që bën me
një shok ka hapur një lokal me tavolina biliardoje, ping pongu e pikadoje. E
flokët që i prêt me makinë e gërshanë vazhdojnë të bijnë në mbulesën që më ka
vënë e edhe në tokë në mesin e tyre edhe ndonjë thinjë të bardhë. Dal nga këtu
dhe fryn erë e duke kaluar rrugën thua vetemevete ç’është gjithë kjo ngeshmëri
e gjithë ky dinamizëm. Dhe janë këto dy fjalë që mbase të nxisin për të shkruar
një copë kronike të kësaj kohe, një përrallë me elemente të vërteta nga një
realitet i gjallë. A nuk e thamë edhe gjatë bisedës se mos kemi vdekur për së
gjalli duke ia shtuar kësaj edhe fjalët për atë që ka shkuar diku në ndonjë
zyre institucionale e të cilit i kanë thënë na fal por po figuron në listë se
tij nuk je i gjallë. Derisa hap e mbyll derën e vazhdon rrugën e kthimit koka
tashmë ndjen një lloj fresku dhe kujtohesh për alarmin që ra para pak netësh
dikur pas mesnate. Dhe ngritesh për të parë se mos është sulmuar ndonjëra prej
veturave por e sheh dhe e dëgjon se është alarmi i kësaj zyreje të bankës. Nuk
vonon shumë ai tingull paralajmërues ndalet, sheh një rojë duke u endur më pas
aty dhe nuk e di se nga u shkaktua ky alarm, nga era që filloi të fryente me
intensitet, nga ndonjë sulm plaçkitësi a
nga ndonjë pakujdesi, e gjitha kjo mbaron dhe aty nuk duket as policia. Sa herë
kujtojmë bankat, na kujtohen edhe njëherë kreditë me kamatat e larta. Të
kujtohen e fjalët e dikujt që para pak ditësh tha, na larguan neve 100
punëtorëve përnjëherë, as ishim as nuk
ishim që e lëshojmë punën por vetë e
nënshkruam dhe morëm nga tri katër rroga dhe duhet përpjekur ndonjë vend pune
tjetër për të gjetur, s’kemi rrugë tjetër. Flitet për
ulje e ngritje postesh. (Mos)kokëçarje e (pa)kënqësi. Dhe kështu edhe
pse tash kriza po thellohet, herë herë puna e halli i dikujt, ndokujt a
tjetërkujt na duket i lehtë pendël dhe
derti e përpjekja jonë e vështirë dhe
edhe mund të dëgjojmë të thonë mos e bëni mizën buall bre burra. Dhe anasjelltas.
Po flitet se njëra nga mediumet tashmë është duke mbledhur gazetarë ( e të
duket se gati ka shpallur tender për transfer) me paga e me oferta mjaft të
mira, ndërkohë që po flitet se ky medium u ka mbetur disa gazetarëve borgj nga
tri-katër rroga të cilat janë duke bërë përpjekje qoftë edhe diplomatike për
t’i nxjerrë. Dhe tash po flas për një testim në të cilin vetë mora pjesë ku
gjithë ata të pranishëm na ndanë në dy pjesë me nga mos më shumë se 100 persona
për grup. Kur na binte të bisedonim me ndokë se pse po merr pjesë dikush thonte
se s’jam duke punuar e dikush tjetër se jam duke punuar diku por asgjë askund s’po ka të sigurt. E
nga kjo shtëpi mediale, nga kjo kompani s’ka shumë kohë që një numër punëtorësh
s’janë duke punuar e flitet e përflitet se i kanë larguar e se vetë janë ik.
Ndërkohë jeta vazhdon me të tilla gjëra. Flasim për faturat e (pa)fryra të
Kek-ut, dikush dikë e fton në protestë e dikush atje shkon, dikush se mund të
zgjidh ndonjë gjë me protesta nuk beson. Dikush thotë o kjo është bërë me
qëllim për të tërhequr vëmendjen nga takimi Jahjaga-Nikoliç. Dikush tjetër
vazhdon me ndonjë mendim tjetër (jo) konspirativ. Dhe fjalë të shumëllojta për
lloj lloj ngjarje e ndodhie, qoftë nga rrjetet sociale, nga out-i, korneri, a
nga qendrat e qoshet e kafeneve. Dikush tërheq vërejtjen për varfërinë e
përgjithshme që është kah troket në derë. E dikush bredh e detyrohet të
përcjell procedura burokratike, qoftë nëpër spitale, qoftë nëpër komuna për një
a më shumë dokumente. Dikush përmend ndonjë shembull suksesi edhe këtu dhe
dikush flet për mungesën e investimeve nga jashtë duke thënë, po ku vijnë të
huajt seriozë këtu, se me qenë mbarë e mirë më së pari kishin ardhur një numër
i sukseshëm nëpër botë i biznesmenëve shqiptarë. Derisa hip në një taksi dhe i
thua shoferit a po nisesh tash a të thotë e të presim edhe pak se nuk ka
llogari për t’u nisur për 50 centë, e të presim e të shohim se me çfarë këmbe
ke hipur. Qoftë e mbarë urojmë që të dy. Dhe seç pata edhe diç për të thënë
por që ka të bëjë me ndonjë element të
tillë paradoksal. Fjalë e fjalë të cilat i nxit mungesa e një drite në fund të
tunelit, drojë se… dhe lë fjalinë në gjysmë e i përgjigjesh një ftese tjetër
për në kafe…Llafet nëpër kafiteri ngjajnë aq shumë me ato të debateve të shumta
që bëhen njëkohësisht nëpër shumë televizione.
Seç na vërtitet nëpër kokë edhe dikush që përmendi harrnimin, shtyerjen,
improvizimin dhe derisa nata vazhdon. Pyesim
(edhe vetveten)e presim agun e një dite të re…