| E premte, 08.02.2013, 09:10 PM |
Krimi në
familje e jashtë saj dhe një shoqëri që e justifikon!
Nga Elvi Sidheri
E di miq
të dashur, lexues e dashamirës, që kjo për të cilën po nis të flas sot, nuk
është pikërisht fusha ime e dijenisë apo më pak analizës, por kur gjërat bëhen
mullar, siç janë bërë tashmë, edhe neve të së ashtëquajturës “shoqëri civile”, na
vjen t’a themi të tonën.
Mënjanë
që “gjallë në botë” siç themi ne tironsit, nuk arrij t’a marr vesh të plotë
idenë e shoqërisë civile, pra s’e kam kuptuar akoma!
“Kuptuar”,
fjalë sipas mendimit tim modest, e lidhur me fjalën latine “captare”, t’a
kapësh pra një gjë, një ide në rastin tonë specifik.
Po e
nënvizoj këtë sepse, nga kur ca vite më parë, kryeministri liberal socialist
Nano, hodhi në sheshin mediatik termin “shoqëri civile”, majmunëria klasike e
popullit tonë trim dhe liridashës, u shqye se kush t’ia përdorte më tepër të
sipërpërmendurën frazë.
Tashmë pra
ky term është i kudondodhur, pa dhe me nevojë të përdoret.
Unë
personalisht, pa dashur t’a përhap mendimin tim, sidoqoftë nuk ia gjej dot ende
sensin kësaj gjëje.
Po pse
ore, po pjesa tjetër ç’janë, shoqëri e armatosur ndoshta?????????
Domethënë
që veç shoqatave jo-fitimprurëse, gazetarëve, analistëve etj, gjithë ç’mbetet
nga shoqëria njerëzore, përjashto ushtrinë, policinë e shtetit, shërbimet
sekrete e shoqëritë private të sigurimit, të tërë të tjerët janë “shoqëri e
armatosur”?!
Pyetje
tipike retorike kjo që bëra, e kuptoj!
Më falni
për devijimin nga tema!
Po nisja
të thoja kur fillova të “hedh mendimet në kartë.....gabim-në laptop”, se sot kam vendosur që të ndërroj objektiv
shkrimi dhe të merrem me krimin në përgjithësi.
Këtë e
bëj edhe pa më pyetur njeri lidhur me temën në fjalë, po ashtu edhe duke ditur
me bindje matematike që dhe pasi të shkruaj unë, bota e aq më pak Shqipëria ime
e dashur, nuk do të ndryshojnë as edhe “içik” (pak)!
Por siç
thotë i urti e i shumëdituri popull, ”Fjala ime në vesh të Zotit”.
Do Zoti e
“Ai” na dëgjon të paktën dhe e hedh vështrimin dhe këtej nga vendi jonë që të
shohi ç’katrahurë po kurdiset prej vitesh e prej shekujsh ndoshta.
Kam vite
të tëra tashmë, që veshët më janë mësuar me fjali televizive të modelit:”Ky
fqinj vrau fqinjin e tij për një vijë uji pak centimetërshe”, apo :”Ky burrë
vrau të birin se i shau mustaqet”, apo :”Ky tip i ra tjetrit me sëpatë sepse ai
i drodhi ajrin kur kaloi para tij dhe prandaj këtij të sëpatës iu fik cigarja e
në inat e sipër, ky nxori nga xhepi i vogël i xhinseve një sëpatë lisash dhe ia
vërviti tjetrit në kokë”!
Bëhet
fjalë pra, për morinë, për ushtrinë e krimeve për motive të dobëta, të cilët në
vendin tonë po bëjnë letrarisht KËRDINË!
Sepse
dyshoj që në mes të anarkisë në të nëmurin vit 97-ë, të jenë vrarë kaq njerëz
për arsye kaq banale sa ç’vriten tani.
Nuk jam
specialist krimesh as për çështjet e rendit e të qetësisë publike, ndaj një
mendim më të kualifikuar për këtë temë ua lë me kënaqësi specialistëve që me
këtë punë merren si profesion.
Po ashtu,
për shkak se po hyjmë, sadoqë sipas traditës më të mirë shqiptare, shumë
parakohe, në fushatë elektorale, nuk dua të shaj njërën palë, për t’i shërbyer
tjetrës.
Por
aspekti i këndvështrimit kriminal të shoqërisë sonë, i cili po më bie më shumë
dhe më keq në sy, s’ka sesi të mos jetë trajtimi që shoqërisht i bëhet krimit
nga vetë shoqëria.
Përveç
një indiferentizmi konstant, një moskokëçarje të padëgjuar, një të mësuari me
të keqen që nuk njeh kufinj durimi, ajo që më shumë të bën “të vjellësh” nga
neveria, është padyshim gjetja e alibive injorante lidhur me çdo vrasës serial,
çdo kriminel ordiner e çdo krim makabër.
Thuajse
neve shqiptarët, justifikojmë çdo mënxyrë, i gjejmë një arsyetim shfajësues
secilit masakrues, falim që në nisje, pa u bërë akoma gjykimi, çdo vrasës
fëmijësh, grash e vajzash të pafajshme...
Ç’i
ankohemi së koti gjykatave për dënimet e ulëta që pretendohet se japin atëherë?
Po t’i
hedhësh një sy shkitazi titujve të shtypit, të nesërmen e krimit apo
makabritetit të rradhës, do shohësh përherë, veç përshkrimit të asaj çfarë ka
ndodhur (dhe kjo me detaje, me njeriun e çarë në dysh mundësisht, me zorrët
jashtë, të plasur në faqe të parë, pa asnjë respekt për të vdekurin, pa asnjë
kontroll, në gazeta që shiten në stenda ku s’ka asnjëlloj kontrolli për të
miturit që eventualisht mund t’i shohin ato pamje terrorizuese), atëherë pra do
lexojmë doemos edhe arsyetimin banal që i bëhet krimit.
Alibia
është përherë gati!
Së fundi,
një i moshuar vrau të birin e nusen e tij të huaj dhe po të lexoje ç’thonin
mediat të nesërmen, fajin e kishte pasur i biri që kishte ngritur zërin ndaj të
atit e për më tepër (dardha e kishte bishtin normalisht prapa, sidomos kur
është “pera italiana”), fajtore kryesore kishte qenë gruaja e tij italiane që e
shtynte burrin kundër vjehërrit të saj!
Ja pra o
popull...”nje ku o”-siç themi ne në Shqipëri të Mesme, e gjetëm zgjidhjen e
puzzle-it!
Çfarë na
nevojitet policia e prokuroria atëherë?
Hetimet
opinioni e media i bëjnë “tak-fak” vetë, fajtori është si gjithmonë, kush
tjetër veç të ngratës viktimë dhe më pas i vuajturi vrasës, ka edhe të drejtën
të ankohet e t’a mbylli ligjëratën e tij qurravitëse, me ndonjë frazë me efekt,
si psh që do vrasi veten nga marazi!
Lëre që
kjo është si ajo shprehja e njohur e lebërve në mos gabohem e ua ha hakun kot, pra:”Mbamëni
amani”!
“Mbamëni
amani”- thotë njeriu kur s’ka ndërmend të bëjë gjë seriozisht, se po të donte
nuk do dilte t’a deklaronte, por si burrë do e bënte pa e thënë më parë që të
shkojnë t’a mbajnë vërtet e kështu t’a pengojnë t’a bëjë atë që pëllet.
Apo siç
thoshim kur ishim të vegjël:”sot s’du me u zon se kom vesh pantallonat e reja
pranej”!
Kush
është burrë, s’vret largqoftë as të birin, as gruan e aq më pak të huajën, por
më parë ia fut vetes dhe mbaron punë!
Për më
tepër, ky skandal, që nxin ekstremisht faqen e vendit dhe popullit tonë, merr
një pamje trefish të qelbur nga pesha e krimit, nga ata që e kanë pësuar nga çmenduria
vrasëse, po aq sa edhe nga interpretimi ndyrësisht i cekët që i bëhet kësaj
ngjarje.
Pse them
trefish?
Do ua
sqaroj menjëherë.
Sepse në
këtë rast një prind ka vrarë me dorën e tij të birin, gjakun e tij, fëmijën
mashkull që aq shumë himnizojmë jo vetëm ne shqiptarët maskilistë e të
prapambetur.
Unë nuk
para kam dëgjuar të tilla gjëra, sadoqë përpiqem të ndjek sa mundem dhe mediat
ndërkombëtare.
Në
ndodhin të tilla krime tjetërkund jo vetëm në Europë, ato shokojnë e tundin nga
themelet shoqërinë e një vendi të tërë!
Në të
tilla raste psikologë, specialistë të kriminalistikës, njerëz të thjeshtë e
kriminologë, vihen të kuptojnë sensin e një tmerri të këtij niveli.
Shoqëria
pra, në një vend normal, vihet në veprim, shqyrton ngjarjen, përpiqet t’i gjejë
shkaqet e asaj çfarë ka ndodhur, të hyjë në trurin e sëmurë të kriminelit e më
pas të gjejë kundërmasat me qëllim që diçka e tillë kurrë më të mos përsëritet.
Shoqëria
e shëndoshë, shikon e gjëmon pas simptomave të sëmundjes vdekjeprurëse, që ka
bërë që të tilla ngjarje të mund të ndodhin në gjirin e saj.
Pra po
dua të them, që kudo tjetër përveçse tek ne, një diçka kaq e rëndë, do kishte
bërë një bujë të rrallë dhe shoqëria në mos për ca ditë të mira, ndonjë orë do
e kishte kaluar duke u menduar për të keqen, për qelizat kancerogjene që po
rriten brenda saj dhe që po e shkatërrojnë atë dalëngadalë.
Mos
prisni sido që të jetë që kjo të ndodhi nga anët tona.
Ky krim, si
dhe një vajzë e gjorë që e “lapiduan”-vranë me gurë në Qafë Thanë, por e cila u
trajtua si prostitutë ordinere që fundja atë edhe meritonte (kush është pafaj
të gjuajë gurin e parë-thoshte 2000 vite më parë Jezui, sikur t’i njhte dhe
farën tonë), apo si ajo e adoleshentja që i prenë kokën në një fshat afër
Durrësit modern, të gjitha këto raste trajtohen si gjëra tejet normale nga
shoqëria e media ku ajo “besnikërisht” pasqyrohet.
Në frymën
e kësaj pikëpamje shoqëroro-mediatike, të mos ndodhnin gjëma të tilla, atëherë
po që do ishte habi e madhe!
Thagma
(habia) për këtë shoqëri, është kur dikush s’merr thikën e kuzhinës për të
vrarë me të gruan e fëmijët, kur dikush tjetër nuk abuzon seksualisht me ndonjë
të mitur e më pas e ther atë si qingj të njomë, për t’u shpjeguar më pas se
këtë e ka bërë për të mirën e shqerrës-të miturës e cila i kishte pas kërkuar
vetë si “nder” që ky i gjori t’a therte.
Për këtë
shtyp e shoqëri, do përbënte habi e ndoshta dhe një hap të madh prapakthehu, po
të mos gjenin koka grash në fusha plehërash e kanale rruge.
Do
habiteshin e ndoshta pse jo të revoltoheshin paq, po të mos shihnin sesi
fqinjët të ishin vrarë me batare kallashnikovi për ndonjë gardh të thyer, apo
një dhi të kaluar “ilegalisht” nga livadhi i njërit, tek ai i tjetrit!
Nuk ka
tragjedi më të madhe se kur një popull e merr për të mirëqenë të keqen!
Pra fajin
e ka krimineli që kryen materialisht krimin, s’ka dyshim për këtë gjë.
Por veç
ligjeve të shtetit, dorës së gjatë të ligjit me të cilin ai doemos nevojitet të
përballet në mënyrën më strikte e të vendosur, ajo që nevojitet është edhe një
rizgjim popullor nga kjo dremitje e pafalshme nacionale, ky somnambulizëm që po
na bën të ecim mbi kufoma praktikisht e të mos e shohim.
Të urojmë
me gjithë shpirt, që kur ndonjëherë kjo kllapi populloro-shoqërore të kalojë, të
mos jetë aq vonë sa të jetë bërë rrokopuja totale.
Sa ka
jetë, ka edhe shpresë, ndaj të mendojmë se kjo fjalë e urtë të jetë sadopak
mirëndjellëse dhe në këtë këndvështrim.
Duke u
kthyer për herë të fundit tek tema, unë një rast biblik njoh ku babai u vu para
zgjedhjes për të vrarë apo jo, si sakrificë të birin.
Në fenë e
krishterë, pa qenë unë edhe në këtë rast specialist i fushës gjithmonë, ndaj
kërkoj paradhënie të falur për ndonjë pasaktësi, kjo temë njihet si “Sakrifica
e Isakut”.
Rast ku
Zoti për të provuar besnikërinë e Abrahamit, i kërkoi atij të sakrifikonte të
birin Isakun.
Kur
Abrahami po e bënte vërtet sakrificën në shenjë bindje dhe besimi tek Perëndia,
një ëngjëll i Zotit zbriti dhe e ndali duke i treguar një dash për t’a
sakrifikuar.
Kjo skenë,
duan të thonë të diturit se shikohej si nje parafigurim i sakrificës së
Krishtit, birit të Zotit në kryq më pas.
Në mos
gabohem, edhe festa myslimane e Kurban Bajramit, lidhet po me këtë histori, por
emri i Abraham vjen si Ibrahim ndërkohë.
Nuk di në
të njëjtën kohë, ndërsa zbres shumë shkallë më poshtë të perëndishmes, në
përditësinë tonë profane, që ky babai bir-vrasës, të kishte pasur ndonjë
shtytje të tillë për marrëzinë që bëri.
Por ku i
dihet që adhuruesit tanë, ata që jo vetëm që nuk dënojnë, por sa herë u vjen
zogu në dorë, arsyetojnë e gjejnë shfajësime nga më të pabesueshmet për të
tilla krime, sapo ato ndodhin, ata pra, do i ftoja përzemërsisht, që të
krijojnë ndonjë fe të re, në të cilën të himnizojnë prindërit bijë-vrasës, pleqtë
adoleshente-përdhunues, apo burrat gra-masakrues.
Zoti i
tyre në këtë rast, do ishte me siguri Hitleri, Pol Poti, Atila i Hunëve, apo
Xhengiz Khani e Torquemada i inkuizicionit të tmerrshëm spanjoll të mesjetës.
Aspekti
tjetër që unë shoh tek kjo ngjarje, është ai që hedh përtokë si një copë leckë
të papastër, kodin tonë gjithëshqiptar të “besës”.
Atë kod
madhështor, të cilin për fat, si gjë të rrallë na e njeh edhe bota.
E në
kodin tonë shqiptar të besës, hyn dhe mikpritja dhe mbajtja në besë e të
huajit.
Të huajës
në rastin në fjalë, për më tepër pra që bëhet fjalë për një femër e cila ishte
martuar me një shqiptar dhe e cila në vendin tonë ishte nuse dhe mike, ajo
ishte në besën e asaj familje ku kishte hyrë dhe të tonën si shoqëri shqiptare!
Bajroni e
shumëkush pas tij, kanë shkruar këtu e 200 e ca vite, për BESËN e pathyer
shqiptare.
Sesi neve
shqiptarët kur të marrim në besë, sidomos po të jesh i huaj, të mbajmë në
pëllëmbë të dorës e nuk të lëshojmë, dhe me kusht që të lëmë jetën për t’a
realizuar këtë betim.
Kjo besë
e jona, ka bërë të mundur që në Shqipëri të shpëtonin kokat e tyre hebrenjtë, armenët,
Enea e trojanët e tij pas djegies së Trojës nga grekët (në Butrint siç thotë
Virgjili), pushtuesit italianë në konfliktin e dytë botëror e deri tek
shqiptarët e Kosovës para ca vitesh.
Por po
duket se kjo besë po përfundon tashmë si shumë vlera të tjera të karakterit të
lashtë e të ndershëm shqiptar, në WC-në e kësaj kohe të çmendur e të pavlerë ku
po jetojmë.
Po qe se
ai njeri, që për arsyet e tij, vrau të birin, në atë “raptus” marrëzie mori dhe
jetën e asaj vajze të re të huaj (24 vjeçe siç dëgjova), ai pra edhe mund të
kalohet sepse kur bën atë që bën ndaj gjakut të tij, ç’mund të presësh të bëjë
ndaj të tjerëve...por ndërkohë ajo që bëri reagimi inekzistent i shoqërisë ndaj
kësaj ngjarje dhe këtij krimi sa familjar, aq edhe “besëshkelës” me marrjen e
jetës së një mikeje, një vajze të ardhur në besë në Shqipëri, kjo gjë ishte
vërtet për të ardhur keq.
Këtu
vijmë dhe tek e treta pikë e kësaj që po them, tek ajo që ka të bëjë me
reagimin e cekët dhe injorant ndaj kësaj ngjarjeje në veçanti dhe ndaj
përhapjes së krimit në familje në përgjithësi.
Sepse po
të kishim një shoqëri që do t’a merrte seriozisht këtë që po ndodh, atëherë
edhe shteti do t’a kishte më të lehtë të kundërvepronte ndaj krimit.
Por një
shoqëri që vrasjet, përdhunimet, shkatërrimet, djegiet e përdhosjet i ka “bukë
e djathë”, s’duhet të presi që shteti t’ia bëjë jetën më të lehtë.
Prandaj
dhe duke u kthyer tek çështja e “shoqërisë civile”, kjo shoqëri për t’a
merituar këtë emër, ka një rrugë shumë të gjatë përpara, sepse “civile” do të
thotë “qytetare-e civilizuar” dhe që të jetë e tillë me të vërtetë, shoqëria
jonë ka akoma shumë për të bërë.