| E enjte, 07.02.2013, 07:40 PM |
Tharmi i
shqetësimit
Edhe pse historia na tregon shumë për tolerancën fetare, prapë se prapë secili nga ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi, sipas shkrimtarit Ismail Kadare: “Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Mjafton e çara e parë serioze, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve, që ngrehina të shembet”
Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin
Të gjithë ata që e njohin të kaluarën e Malësisë kanë thënë dhe thonë
se malësorët janë dalluar ndër shekuj për tolerancën fetare dhe për një bashkëjetesë
të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Kjo është
e vërtetë e pakontestueshme ! Malësorët e shumëvuajtur, si të gjithë
shqiptarët, nuk e kishn formuar këtë harmoni fetare dje, e as sot, por është
kjo vlerë dhe thesar i çmuar i shqiptarëve që buron me shekuj. Ata tolerancën
dhe mirëkuptimin në mes veti e kishin kuptuar si dy gjëra që duhet t’i
posedojnë, t’i ruajnë dhe t’i kultivojnë nga brezi në brez. Virtyti i
solidarizimit e mbajti gjallë shpirtin e malësorëve dhe atëherë kur ishin buzë
greminës. Myslimanë apo i krishterë nga çdo cep i Malësisë ishin një dhe të
pandarë. Motoja e tyre kryesore ishte dhe duhet të jetë: Ta duam njëri -
tjetrin, si vëllau – vëllanë, si shqiptari-shqiptarin. Po nuk e deshtëm kombin,
gjuhën, historinë, flamurin, gjakun e veten tonë, nuk mund të presim se do të
na dojë dikush tjketër”. Këtë parim ata
e bazonin në faktin se për të gjithë
shqiptarët, sikur edhe te popujt e tjerë, mbi të gjitha duhet të jetë interesi
kombëtar dhe se feja nuk duhet të jetë element ndarjeje në mes të shqiptarëve.
Shembuj të tolerancës ndërfetare
ndër malësorët
Dëshmia
më e mirë e harmonisë fetare në jetën shoqërore të malësorëve na vërtetohet
historikisht në shumë raste si në
luftë e në mbrojtje bashkë, në dasma, në
festa, në gëzime, në hidhërime bashkë. Po të nismim dhe të rendisim shembuj në
lidhje me tolerancën fetare ndër malësorët gjatë shekujve, nuk do të mundemi
t’i përmbledhim me një shkrim kaq të
shkurtër. Por le të jetë kjo një përpjekje modeste për t’i kontribuar sadopak tolerancës dhe harmonisë ndërfetare të malësorëve,e cila gjatë historisë ka pasur edhe sprovat e veta,
që për fatin tonë të mirë janë kaluar me guxim e gjakëftohtësi. Nga
biseda me personalitetin e nderuar ish
kryeimamin e Tuzit, Rexhep Lika, i cili
21 vjet ka shërbyer me dinjitet
si udhëheqës shpirtëror në Malësi
veçojmë këta shembuj:
1. Me
rastin e festës së madhërueshme të Kurban Bajramit, në vitin 1967 priftërinjtë katolikë të Malësisë kishin ardhur
për ta përgëzuar Likën në
shtëpinë e tij. Kur ata hynë
mbrenda gjetën vetëm bashkëshorten e Rexhepit, Hatixhen. Ajo
nuk i ka njohur mysafirët, por i ka
mirëpritur dhe shërbyer sipas traditës e
riteve fetare. Në ndarje u ka dhuruar
nga një palë çorapë, kurse me ardhjen e Rexhepit në shtëpi e mori veshë se kush
kanë qenë mysafirët për të të panjohur.
2. Kur ambasadori i Vatikanit ka vizituar
Kishën e Tuzit kryeimami Rexhep Lika ka qenë i ftuar dhe ka marrë pjesë në
meshën shejte. Ai me këtë rast u
mirëpritë dhe u respektua nga të gjithë besimtarët. Madje disa besimtarë të pranishëm në kishë kanë bërë kryq në shenjë miradije për pjesëmarrjen e tij në
këtë ceremoni fetare.
3.
Kryemimami Rexhep Lika bashkë me 20
besimtarë myslimanë merrë pjesë në Festën e Zojës së Grudës në Qelën e Kishës
në Grudë, ku për të gjithë
të pranishmit ishte shtruar
dreka.
4. Një
ditë, si shumë herë të tjera, kryeimami
Rexhep Lika dhe patër Gjergji
rrinin së bashku në një kafene të
Tuzit. Një malësor i ulur jo larg
tyre i pyet : “Ju pini kafe bashkë e dikush
prej nesh e shikon njëri-tjetrin me sy të keq ?!” . Patër
Gejrgji iu përgjigj: “Të urtit rrinë bashkë e pinë kafe, kurse të tjerët mund
të shikohen shtrembër”.
Porosia
Kryeimami
Rexhep Lika, duke folur për harmoninë e besimeve në Malësi
shprehet me krenari se gjatë shërbimit të tij shumëvjeçar në Tuz ka
bashkëpunuar ngushtë me priftërnjtë katolikë,
patër Gjergjin, patër Kolën, Patër Dedën dhe patër Zefin, duke
shtuar se nuk ka kaluar asnjë javë që mos të pijnë kafe së bashku me ndonjërin prej tyre. Lika nuk mban mend të ketë pasur asohere ndonjë situatë
konfliktuale ndërmjet dy konfesioneve në Malësi. Ai
shprehet: “ Të gjithë jemi prej një nëne dhe prej një babai, të krijuar
nga një Krijues, i cili ka dashtur që të gjithë të mos jemi të një feje (
besimi), por dallimi të shërbej si afrim e jo përçarje. Nëse e nderojmë atë që
është e shenjtë, jetën, nderin dhe pasurinë
e njëri-tjetrin, nuk ka vend për
urrejtje, përçarje e mosëmarrëveshje”. Ky mesazh mendoj se i duhet sot Malësisë,
në shekullin e ri , në kohën e zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha, kur shumë vlera tradicionale, historike,
kulturore dhe civilizuese rrezikohen
të zbehen, të ftohen dhe të zhbëhen.
Edhe pse
historia na tregon shumë për tolerancën fetare, prapë se prapë secili nga ne
duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi, sipas shkrimtarit Ismail Kadare:
“Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë.
Mjafton e çara e parë serioze, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve, që
ngrehina të shembet.”
Toleranca
dhe bashkëjetesa fetare është një lule e çmuar, por edhe e brishtë, e cila
thahet e prishet, po s’u tregua kujdesi i duhur. Jam i bindur se njerëzit e urtë të Malësisë, prijësit fetarë dhe politkë, do të jenë të vëmendshëm dhe do ta
zgjedhin mosmarrëveshjen fetare
të inicuar nga armiqtë tanë, që ndodhi më 16 janar të këtij viti në varrezat e Kishës së Shën
Mëhillit në fshatin Dinoshë, e cila shqetësoi secilin shqiptarë
të cilësdo bashkësi fetare , i cili ia do të mirën vetes, familjes dhe kombit. Ky tharmë i
shqetësimit të malësorëve, i mbjellur
kush e di se kur në Malësi, nuk është asgjë tjetër vetëm një vrasës i vëllazërimit, i rrezikshëm jo vetëm për besime ( fe) , por dhe
për ekzistencën e bashkëjetesën tonë të përbashkët në këtë truall të larë me gjakun e lirisë. Prandaj malësorët duhet të ngrihen mbi
ndasitë fetare dhe të jenë të bashkuar. Të ruajnë harmoninë fetare si sytë në
ballë. Të mos themi ky është mysliman dhe ai është i krishterë, sespe të gjithë
jemi shqiptarë, jemi një fis e një farë. Mos t’i harrojmë fjalët e At Anton Harapit se “nuk shpëton, jo, as xhamia pa kishën, as
kisha pa xhaminë, por as njena, as tjetra pa Shqipninë… me të gjithë
atdhetarët…afrim, dashuri, vllaznim", e as fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës, drejtuar
besimtarëve:"Kristianë e muslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë...
Ta duam njëri-tjetrin...…t'i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje,
janë vëllezër si bij të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri".
Zoti na
ndihmoftë!