| E marte, 05.02.2013, 07:33 PM |
ROMANI “KOJRILLAT” SJELL RISI NË
PROZËN TONË
Fatmir Terziu:
“KOJRILLAT”, roman, botoi SHB “ACPE & LULU“ -
NGA XHELADIN MJEKU
1. Hapja e temës apo flatrimi i
kojrillave
Fatmir
Terziu (1964) vjen te recepienti i tij i besueshëm dhe entuziast prej vitesh,
me romanin më të ri, por me tematikë nga koha e qindvjeçarit historik të
Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo periudhë shtrohet si temë e rëndësisë historike
dhe vlerësim i një pune tejet të lartë dhe me përkushtim mbi barrën e
personazhit – hetues dhe personazhit – narrator.
“Rreth
gjashtë vjet më parë gjatë kërkimeve të mia shkencore në arkivat britanike, do
të zbuloja një mister që kishte mbetur i tillë vitesh e vitesh. Plot tetëdhjetë
vjet më parë, vdekja e gruas së njeriut më të rëndësishëm shqiptar, që hapi
shtëpinë e tij, për ngritjen e Flamurit në Vlorë, do të gjendej pranë
monumentit Cenotaph të Londrës, ashtu në gjendje të rëndë. Dhe misteri u shpall
që atëherë nga dhjetra e dhjetra gazeta britanike.... Misteri udhëtoi gjatë.
Ajo u gjend në gjendje të helmuar në një ditë si kjo, që në Britani quhet
“Boxing Day”. E vendosa këtu një shpjegim të vetë autorit të romanit, për të
kuptuar që në fillim të këtij shkrimi rëndësinë e romanit dhe vigjilencën e autorit
për ndriçimin e këtij misteri që vazhdon të mbetet ende sfidë e brezave.
Gjatë
leximit të librave që kanë tematikë të ndieshme dhe specifike për të veçantën
që prekin, shpeshherë themi se e lexuam
me një frymë, por te kjo vepër e Fatmir Terziut fryma nuk është lokomotor i
shpejtësisë së leximit. Këtu gjatë gjithë kohës së leximit detyrohemi të
ndalojmë dhe të kthejmë kujtesën në
ngjarje historike, për të krijuar një ndërlidhje të ngushtë me tematikën që
shtjellohet në romanin “Kojrillat”. As nuk mund të ndalosh së lexuari, as nuk
mund të kalosh fluturimthi nëpër faqet e librit pa mos e ndërlidhur edhe
materialin ndihmës nga e kaluara, që nënkupton ndërtimin e një imazhi të plotë
historiko-letrar me elemente të faktografisë historike të periudhës së para dhe
pas pavarësisë së Shqipërisë.
Pothuajse
në gjithë kapitujt e romanit takojmë prezencën e kojrillave, që simbolizojnë
përfshirjen e gjithë hapësirës së veprimtarive të zhvilluara në zbardhjen e enigmës së dyfishtë. Ky flatrim
edhe më tutje vazhdon rrugëtimin labirintheve të shumtë në ndriçimin e fateve
dhe fatkeqësive që pasuan me shekuj.
2. Enigmatike deri në pafundësi
Romani
“Kojrillat” i shkrimtarit Fatmir Terziu, është romani i tretë, pas dy të
tjerëve që botoi në kohë relativisht të shkurtër: “Grykësit” dhe “Bunari”.
Gjithë
fabula e romanit ndërtohet në relacionet e zgjidhjes së dy çështjeve: zhdukja e
letrave, që në fakt janë dokumentat e rëndësishme të dalura nga aktet e
mëvetësisë së Shqipërisë dhe vrasja misterioze e Madam Zeinep Vlorës. Dy enigma
njëkohësisht.
Këtu edhe
veçohet puna e palodhshme dhe plot përkushtim e autorit, për të gjetur,
sistemuar dhe për të hulumtuar gjithë dokumentat e gjetura nëpër arkivat
angleze. Vrasja misterioze e Zeinepe Vlorës në prag të Krishtlindjeve të vitit
1932 dhe gjetja e saj e helmuar pranë këmbëve të Monumentit Cenotaph në
Autori në
roman e trajton historinë njëqind vjeçare të shtetit shqptar, përmes
personazheve të tij, duke sjellur pamje sa transparene, po aq edhe të errta, që
vazhdojnë të mbesin enigmë deri në përfundimin e romanit. Por, që në nismë duhet thënë se ky roman nuk
synon të jetë tërësisht me tematikë historike. Aty, përveç dëshmive historike,
takojmë edhe mendime filozofike, pastaj një socializim personazhesh me ngjarje
e situata enigmatike, sa bënë të kuptojmë se gjithë tema e romanit sillet rreth
dy pikave të veçuara, por të kundruara në shumë aspekte, njëkohësisht.
Mbështetja në dokumenta të shumta, në
gazeta angleze e franceze, në gjurmime të shumta arkivore të kohës, etj. e
përshkojnë gjithë subjektin e këtij romani. Vetë prezenca e personazheve të
ndryshëm, që ndërlidhen në mënyra të veçanta na njohin me gruan misterioze në
mënyrë të tërthortë, duke prekur pika të ndryshme të ngjarjeve që ndërlidhen me
mundësinë e zhvillimeve të vrasjes së saj dhe zhdukjes së letrave të një vlere
të pakontestueshme me karakter diplomatik
dhe ndërkombëtar mbi fatin e Shqipërisë.
Galeri e
tërë e personazheve, si: Granit Jetoni, hetuesi Smith, Lutfi Çela, pastaj
mbytja e burrit të panjohur në lumin Tamiz, etj. paraqesin gjithë syzheun e
ngjarjes dhe dyshimet e pastajme, nga kapitulli në kapitullin tjetër dhe
krijojnë një varg zingjiror të dyshimeve dhe shpresave të herëpasherëshme të zgjidhjes
së enigmës misterioze të vrasjes së Zejnep Vlorës dhe gjetjes së dokumentave të
rëndësisë së veçantë të periudhës së shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë.
Këtu takojmë edhe personazhe të tjerë episodikë që plotësojnë kuadrin e
lëvizjeve, të ngjarjeve dhe zhvillimeve të jetës së personazheve, që të
ndërlidhura mirë me ngjarjet që shtjellohen në tërësinë e ndërtimit të
subjektit të veprës letrare e bëjnë të kjartë gjithë tematikën kaq enigmatike
dhe misterioze që kundrohet brenda kopertinave të këtij romani kaq mirë të
realizuar.
3. Ekspedita si pretencë e
çështjes
Angazhimet
e parreshtura të Granit Jetonit nëpër vende të ndryshme të botës, si në Itali,
Francë, Londër, pastaj në Elbasanin e tij të lindjes e në arkiva të ndryshme
për të shpalosur sadopak misterin e enigmës së vrasjes së Zejnepe Vlorës dhe
gjetjes së letrave të rëndësishme, që paralelisht konsiderohen dy mistere të
ndërlidhura dhe të rëndësisë së njëjtë, meqë gjithë kjo enigmë kishte një
qëllim të vetëm: zbulimin e humbjen pa gjurmë të dëshmive të dokumentave të
rëndësisë së veçantë për fillet e ndërtimit të themeleve të shtetit shqiptar.
Kjo amulli vazhdoi për një shekull duke mbyllur këtë kaptinë në mënyrën më të
errtë, meqë në hulumtimin e gjetjes së fakteve për këto letra me vlerë të
rëndësisë së veçantë për njohjen e firmëtarëve të mëvetësisë edhe më tutje
mbesin enigmë, ashtu siç mbetet enigmatike vrasja e Madam Zejnep Vlorës. Ishte
e dhimbshme, por e vërtetë kur në përvjetorin e njëqindtë të mëvetësisë u
mësuan shumë realitete që deri atëherë ishin ruajtur si sekrete të pushteteve e
të pretendentëve të ndryshëm për të përvetësuar pozicione e merita në mënyrën
më të panjerëzishme, duke nëpërkëmbur vlerat e themeluesve të shtetit shqiptar.
Në këtë kontekst e gjejmë të shtruar tematikën e romanit, ku personazhi kryesor
për të cilin zhvillohet tërë fabula është Madam Zejnepe Vlora, emër që në formë
të përgjithësuar personifikon emrat e të persekutuarëve me pretekse të
ndryshme, duke i shpallur edhe të rrezikshëm e me pretendime armiqësore për
vendin. Këtu autori paraqet me mjeshtri kohën e diktaturës, shtjellon problemet
e varfërisë së kohës, por gjithnjë në qendër të shtjellimit mbanë simbolikën e
Kojrillave, që pavarësisht situatave, ata paraqesin shtegtimin e tyre në çdo
kohë, në gjithë globin, që ta shikoj dhe mësoj gjithë bota këtë ngjarje të
rëndësisë së veçantë. Duhet veçuar,
sidomos dy forma të ndërtimit të fabulës, ku narracioni vjen herë në dialog,
herë në formën e monologut, ku në mënyrë të veçantë Granit Jetoni
personifikohet me autorin, si njohës, hulumtues dhe paraqitës i drejtpërdrejtë
i ngjarjeve dhe situatave, që kanë burimin nga vendi prej nga vjen rrëfimtari.
Kjo formë e trajtimit të ngjarjeve na përkujton ekspeditën e pambarim në
ndriçimin e këtyre enigmave dhe mistereve që shtjellohen si temë bosht e
romanit.
Autori
prej kohësh është rezident në Londër dhe kjo edhe mund të parashtroj pyetjen:
Pse është përqëndruar tematika e romanit pikërisht në arkivat e Londrës? Dhe
një përgjigje e saktë pason me faktin se pikërisht në Londër ishte zhvilluar
gjithë ngjarja fatkeqe e përcaktimit të fatit të Shqipërisë. Londra është
qyteti ku u mbajt Konferenca e Ambasadorëve më 1913, ku u coptuan trojet
shqiptare. Pikërisht aty u bë Traktati i fshehtë për ta copëtuar Shqipërinë.
Prandaj edhe autori është përqëndruar aty
për t’u njohur me fakte e dëshmi të shumta nëpër arkivat shtetërore dhe
bibliotekat e Londrës, duke na i sjellur si fakte të qëndrueshme përmes
rrëfimit letrar në romanin e tij në shqyrtim.
Fatmir
Terziu me mjeshtëri të rrallë dhe në mënyrë mjaft interesante na paraqet
raportimin e hetuesit në Parlamentin britanik, lidhur me vdekjen enigmatike të
Madam Zejnep Vlorës dhe të një mashkulli tjetër që ka lidhje gjinore me ish
burrin e saj me mbiemrin Vlora. Poashtu edhe faktet tjera, si dëshmia se burri
i saj Xhemili ka hapur shtëpinë për ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912 në
Vlorë, pastaj edhe faktet shtesë se ai është
nipi i Esat Toptanit, i cili është daja i Ahmet Zogut. Kjo ndërlidhje
faktesh e ngjarjesh na shtyjnë ta lexojmë me kurreshtjen më të madhe romanin
"Kojrillat". Në vazhdimësi të leximit të romanit gjejmë edhe fakte të
tjera lidhur me hapësirën e ngjarjeve, që në mënyrë indirekte kuptohet se fati
i Shqipërisë ishte i varur nga fuqitë e mëdha.
Ende nuk
është hapur Kutia e Pandorës për shumë ngjarje e ndodhi që ndërlidhen me fatin
dhe fatkeqesitë e kombit. Kjo mbase është një punë kolosale që kërkon shumë
angazhime, hulumtime, ekspedita e mbi të gjitha gatishmëri të pafund të të
gjitha strukturave e profileve të shoqërisë për të ndriçuar fakte të pazbuluara
e enigmatike që quan në coptimin dhe tkurrjen e kufinjëve etnik të trojeve
shqiptare, në përcaktimin e ndërtimit të sistemeve politike totalitare e
mbylljeve hermetike të një populli e kulture të tërë për dekada, duke e ndarë
në disa shtete me kufinjë të hekurt nëpër territoret etnike, duke kërkuar një
dritë në tunelin e ardhmërisë pas një përmbysje të diktaturës, që kishte
përkrahje nga shtete përreth që synim kishin gllabërimin e trojeve shqiptare e
asessi ndihmën dhe përparimin e vendit tonë.
4. Përmbyllja apo fluturimi global
i kojrillave
Romani
"Kojrillat" përfundimisht sjell
risi në prozën tonë, ku shprehja lirike dhe e çiltër, figuracioni
metaforik, shprehje të reja gjuhësore në letërsinë shqiptare të fundviteve të
shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli janë elemente të
rëndësisë së veçantë në ndërtimin dhe
mundësinë e të kuptuarit drejtë dhe lehtë gjithë materjen letrare të shtjelluar
këtu. Kritika shqiptare duhet t'i japë vendin e merituar romanit "Kojrillat", duke mos anashkaluar
edhe autorë e vepra të tjera të shkruara kohëve të fundit e që sjellin freski
në prozën tonë me leksikun dhe tematikën që prekin, duke transmetuar mesazhe të
qëndrueshme edhe për të ardhmen.
Shkrimtari
dhe studiuesi Timo Mërkuri në një përsiatje pas leximit të romanit “Kojrillat”
të Fatmir Terziut shprehet: “Është një ndjenjë e bukur që të lind gjatë leximit
të këtij libri, ndjenja që të rrosh dhe po të jetë nevoja edhe të vdesësh, për
të ruajtur identitetin e vendit tënd. Qoftë ky i identifikuar në një dokument
apo në flamur. Është vërtet një libër i bukur, me një kompozim modern, por që
gjithësesi mban aromë Shqipërie në të gjithë faqet e tij. Është nga ato libra,
ardhja e të cilëve, është vërtet një…ogur i mirë”. Vangjush Ziko, shkrimtar dhe
poet i njohur shqiptar shprehet: “prozë që vjen e re në tërësinë tonë krijuese.
Roman që hap epokë të vecantë në prozën shqiptare”. Vilhelme Vranari Haxhiraj e
quan ‘fluturim në padukshmërinë diplomatike’ dhe Fatmir Minguli e cilëson vepër
unikale në letrat shqipe.
Romani “Kojrillat” na imponohet si vlerë dhe dëshmi për faktin se aty gjejmë një periudhë kohore që ishte vula e ardhmërisë kombëtare, me gjithë angazhimet, sakrificat, rreziqet dhe enigmat që e përshkojnë tej e tej. Përmbyllja e mbresave pas leximit të romanit na bënë të kujtojmë se ende vazhdon rrugëtimi i pambarim në gjithë hapsirën e globit të “Kojrillave” të Fatmir Terziut në gjetjen e zgjidhjes së enigmës së madhe për personalitete e dëshmi historike, që vulosën fatin tonë kombëtar.