| E shtune, 02.02.2013, 10:45 AM |
SHEKULLI I PAVARËSISË DHE I LETËRSISË
SHQIPE
Nga Begzad BALIU
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj
Ngjarjet e mëdha sjellin edhe vlerësime, të cilat
nuk bëhen në të gjitha epokat dhe në të gjitha situatat. Prandaj 100 vjetori i
Pavarësisë së Shqipërisë në jetën tonë ka sjellë kaq shumë vlerësime e
rivlerësime, dokumente e kujtime, botime e krijime, të cilat nuk i kemi pasur
për shumë dekada me radhë dhe të cilat sigurisht nuk do t’i kishim edhe shumë
kohë, sikur të mos e shënonim një datë kaq të madhe dhe kaq të rëndësishme.
Shekulli i Pavarësisë shqiptare na ka bërë më të gjallë, më të përkushtuar, më
energjikë dhe madje më të vëmendshëm, për fatet e popullit historik shqiptar,
për fatin e popullit modern shqiptar, për fatet e kulturës e të gjuhës sonë.
Etërit tanë, historianë dhe studiues të letërsisë
së shekullit XX, historinë e letërsisë dhe madje antologjitë e letërsisë
shqipe, në të shumtën e rasteve i ndanin jo sipas periudhave letrare po sipas
periudhave historike, sado sikur është vënë jo njëherë në dukje, këtyre
periudhave, përkatësisht ndryshimeve historike, ndryshimeve historike dhe
shoqërore e kulturore të popullit shqiptar, ju kanë prirë krijuesit,
idealistët, përkatësisht njerëzit e letrave.
Deri në fund të shekullit XX, sintetistët e Historisë
së letërsisë shqipe nuk kanë pushuar së ndari atë në letërsi të
Rilindjes dhe letërsi të Independencës, duke e marrë për kufi të tyre vitin 1912,
sado njëra i takonte letërsisë së romantizmit dhe tjetra letërsisë së
romantizmit që kishte shtrirë krijimtarinë e saj edhe pas Shpalljes së
Pavarësisë, Realizimit, Simbolizmit, Letërsisë sociale dhe madje letërsisë të
një krahu të veçantë: letërsisë arbëreshe. Dhe, përtej tyre historinë e
letërsisë shqipe e përkufizonin në letërsi të realizmit socialist apo në
letërsi të diktaturës, në letërsi të Kosovës dhe në letërsi moderne, në letërsi
të realizmit integral dhe në letërsi postmoderne, në letërsi të Qarkut të
Prishtinës dhe në letërsi postkomuniste, e kështu me radhë.
Në të vërtetë ndarjet e tilla më shumë se e kanë
bashkuar, kur e kur e kanë ndarë letërsinë shqipe në kufij historikë
dhe madje në kufij politikë, e kanë mbajtur peng të shkollave letrare dhe
koncepteve politike, e kanë përjashtuar për shkaqe politike dhe e kanë linçuar
atë për shkaqe ideologjike. E megjithatë, kjo në asnjë mënyrë nuk ka bërë që
letërsia shqipe të ketë periudhat historiko-letrare dhe ngjarjet e munguara të
një letërsie kombëtare, veprat dhe krijuesit e shquar me ndikim në jetën
kulturore shqiptare dhe veprat e krijuesve, që rrezatuan artin e tyre edhe në
përmasa ndërkombëtare. Le të jetë prandaj kjo arsyeja pse edhe në këtë shekull
të pavarësisë, nuk do të duhej të na mungonin vlerësimet për gjendjen, prirjet
dhe rrjedhojat e saj, në jetën tonë shkencore dhe kulturore.
Gjatë këtij shekullit pavarësie e robërie
njëkohësisht të letërsisë shqipe shkrimtarët shqiptarë i kanë jetuar disa
shtete paralele: shtetin shqiptar të mbetur në kufijtë etnikë të gjysmës së
saj, shtetin grek, shtetin italian dhe shtetin jugosllav e shtete të tjera
europiane. Brenda këtyre shteteve të shekullit të fundit, shkrimtarët shqiptarë
përkatësisht letërsia shqipe është zhvilluar duke përkrahur a kundërshtuar
koncepte të ndryshme politike, ideologjike dhe nacionale. Ajo është zhvilluar,
kur si pjesë e strukturave institucionale, që ka përkrahur shteti shqiptar, e
kur madje edhe përmes një ilegaliteti të plotë gjuhësor të shteteve fqinje në
ish-Jugosllavi, e më në fund edhe si përpjekje e fundit për të mbijetuar kodin
etnik të saj në Itali dhe Greqi.
Ndonëse pjesa më e madhe e letërsisë shqipe është
zhvilluar kryesisht në dy shtetet fqinje, në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi,
shkrimtarët shqiptarë kanë mbijetuar sisteme politike përgjithësisht të afërta:
monarkinë, pushtimin nazi-fashist, komunizmin dhe demokracinë, por edhe dy
mentalitete krejtësisht të kundërta. Në të parin, pra shtetin shqiptar,
monarkinë, përkatësisht mbretërinë feudale, ndërsa në të dytin, monarkinë
fashiste; në të parin pushtimin fashist, ndërsa në të dytin
pushtimin ‘çlirimtar’; në të parin, ideologjinë komuniste, ndërsa në të dytin
nacionalizmin komunist; në të parin tranzicionin e përshtrirë demokratik e në
të dytin, luftën për mbijetesë biologjike.
Brenda këtyre shteteve, brenda këtyre periudhave
dhe sistemeve politike, si dhe brenda demokracisë europiane, letërsinë shqipe e
kanë shkruar dhe janë bërë pjesë e letërsisë gjithëkombëtare poetët: Gjergj
Fishta, Fan Noli, Migjeni, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Esad
Mekuli, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Dushko Vetmo, Azem Shkreli, Fatos Arapi,
Vorea Ujko, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Zef Zorba, e
të tjerë, prej pendës së të cilëve janë botuar veprat më të mira të shekullit
XX: Lahuta e Malcis, Kur qanë e qesh bilbili, Vargjet e lira,
Juvenilia, Psallme murgu, Hanko Halla, Mall e brengë, Vallja e yjeve, Ylli i
zemrës, Për ty, Pelegrin i vonuar, Dranja, Nga bibla e heshtjes, Bukuria e
zezë, Etje, Lum Lumi, Buzë të ngrira në gas etj. E megjithatë ka pasur
edhe poetë të tjerë dhe vepra letrare të tjera që më parë se sa jetën estetike
e kanë bërë jetën reale: poema Përse mendohen këto male e
Ismail Kadaresë, poema Nënë Shqipëri e Dritëro Agollit etj.
Brenda këtyre shteteve, brenda këtyre periudhave
dhe sistemeve politike, letërsinë shqipe e kanë shkruar dhe janë bërë pjesë e
letërsisë gjithëkombëtare prozatorët: Mihal Grameno, Millosh Gjergj
Nikolla-Migjeni, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Dhimitër S. Shuteriqi, Jakov
Xoxa, Adem Demaçi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Sterio Spasse,
Nazmi Rrahmani, Sabri Godo, Bilal Xhaferi, Martin Camaj, Anton Pashku, Kasem
Trebeshina, Pjetër Arbnori, Jusuf Buxhovi, Ridvan Dibra
etj.; prej penës së të cilëve janë botuar novelat dhe romanet më të mira të
shekullit XX: Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit,
Novelat e qytetit të veriut, Ago Jakupi dhe tregimet e tjera, Tregtar
flamujsh, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Lumi i vdekur, Hasta la
vista, Kronikë në gurë, Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, Kështjella, Ra
Berati, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Zgjimi, Me valët e jetës, Ali Pashë
Tepelena, Kulla, Udhëtimi arbdhetar, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, Stina e
stinëve, Bijtë e askujt etj. E megjithatë ka tregimtarë, novelistë dhe
romansierë që me veprat, më parë se sa me vlerat artistike të tyre kanë bërë
një jetë të tërë në letrat shqipe të shekullit XX, pikërisht përmes temave
shoqërore dhe politike, me të cilat i janë imponuar publikut shqiptar: Fatmir
Gjata, Këneta, Sterio Spasse, Afërdita përsëri në
fshat dheAta nuk ishin vetëm, Azem Shkreli Karvani
i bardhë, Sinan Hasani, Era dhe lisi etj.
Brenda këtyre shteteve, dramaturgët përgjithësisht
kanë munguar dhe për një kohë të gjatë më parë se sa për arritje të
dramaturgjisë shqiptare, ndoshta me mirë do të ishte të flitej për përkthimin e
dramave me përmasa botërore nga Fan Noli, Kristo Floqi e Skënder Luarasi dhe
vetëm më pas për dramat e Kolë Jakovës, Sylejman Pitarkës, Rexhep Qosjes, Ymer
Shkrelit, Emin Kabashit etj., prej penës së të cilëve janë përkthyer dramat e
Shekspirit, të Gëtes apo janë shkruar dramat Toka jonë, Familja e
peshkatarit, Mitet e zhveshura, Anija e vjetër, Trilogjia ilire etj.
Brenda kësaj periudhe më në fund janë formuar edhe
historianët dhe kritikët e letërsisë: Faik Konica, Fan Noli, Mitrush Kuteli,
Dhimitër S. Shuteriqi, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja, Mateo Mandala, Agim Vinca,
Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Bajram Krasniqi, Rexhep Murtez Shala etj., prej
pendës së të cilëve janë botuar vepra të mendimit shkencor: Historia e
letërsisë shqipe, Romantizmi, I-III, Porosia e madhe, Lirika e Naim Frashërit,
Vepra e Zef Skiroit, Poetika e romanit historik shqiptar etj. E
megjithatë, ka pasur në letrat shqipe studiues, e sidomos kritikë letrarë që
kanë vendosur jo vetëm për fatet e letërsisë së kësaj periudhe po shumë herë
edhe për fatin e krijuesit të kësaj epoke, si: Dalan Shapllo, Kudret Velça,
Adriatik Kallulli, Razi Brahimi, Alfred Uçi etj.
Me letërsinë shqipe të Pavarësisë 100 vjeçare, më
në fund identifikohen edhe disa revista letrare dhe shkencore, pa të cilat nuk
mund të shkruhet historia e letërsisë shqipe. Fjala është për revistat letrare
dhe shkencore:
I identifikuam gjithë këto vepra, autorë a revista
letrare, për të shënuar majat letrare dhe estetike që janë arritur gjatë këtij
shekulli, por me këtë rast në asnjë mënyrë nuk e kemi identifikuar krijimtarinë
letrare, që për shkaqe artistike apo edhe ekstraletrare ka ndikuar në jetën
kulturore, shpirtërore dhe etike të popullit shqiptar, e ato janë vepra që
gjatë janë shquar në kritikën letrare dhe historiko-letrare, në shtypin
kulturor dhe në shtypin politik-propagandistik, në studimet shkencore dhe në
tekstet shkollore etj.
Për shkak se disa prej formave stilistike të
veprave letrare kanë vazhduar të paraqiten edhe pas periudhës së romantizmit,
ndikimi i tyre është ndjerë pothuajse gjatë gjithë periudhës së parë të
shekullit XX, ndërsa për shkak të komunikimit të vonuar a botimit të pjesshëm
të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, letërsia e romantizmit të shekullit XIX
dhe letërsia romantike e botuar me vonesë të konsiderueshme, e ka ushtruar
ndikimin e saj pothuajse gjatë gjithë shekullit XX.
Në këtë rrjedhë duam që të kujtojmë gjithashtu
faktin se brenda këtyre shteteve, brenda këtyre periudhave dhe sistemeve
politike të këtij 100-vjetori të Pavarësisë, letërsinë shqipe nuk kanë arritur
ta shkruajnë mjaftueshëm, dhe me jetën e veprën e tyre të bëhen pushtues të
vlerave kombëtare dhe universale, edhe një numër shkrimtarësh, për arsye se
sistemet e kohës në Shqipërinë e shekullit XX dhe në ish-Jugosllavinë e kësaj
kohe, i burgosën, i vranë dhe madje i varën apo eliminuan në mënyra të
ndryshme. Fjalën e kemi për ata krijues, si: Musine Kokalari, At
Anton Harapi, Vinçenst Prenushi, Fazli Grajçevci, Vilson Blloshmi, Genc Leka,
Kasëm Trebeshina, Havzi Nela, At Zef Pllumi, Ethem Haxhiademi, Bilal
Xhaferi, Jusuf Gërvalla, të cilët si me jetën ashtu edhe me veprën e
tyre u përpoqën të pushtojnë hapësirat e mbetura etnike, kufijtë etnikë të
lirisë kombëtare dhe më në fund horizontin e ideologjive të tjera, për më tej,
të demokracisë universale.
Duke bërë një përzgjedhje të rrudhur të
shkrimtarëve dhe veprave më të shquara të shekullit XX, këtu nuk
pretendojmë që të vendosim kufirin historik dhe estetik të perceptimit të
gjinive, llojeve, autorëve dhe veprave më të mira të krijimtarisë së letërsisë
shqipe dhe studimit të saj. Në këtë hapësirë kohe që më jepet mund të theksoj
vetëm disa nga shenjat përgjithësuese të veprave dhe autorëve të saj.
Përkundrazi me këtë sprovë ne duam të theksojmë vetëm faktin se ndarjet
gjeografike, politike dhe historike në jetën tonë nuk na kanë bërë të paqenë.
Padrejtësitë historike, politike dhe ideologjike në
letërsinë shqipe kanë bërë që krijuesit shqiptarë, përveç veprave të mbamendjes
kombëtare dhe universit letrar, të shkruajnë edhe vepra letrare, me të cilat
himnizonin epoka të caktuara historike dhe kultin e bartësve të tyre, pra
tekste për epokën e antikitetit dhe kultin e Mbretëreshës Teutë, për periudhën
e arbërit dhe kultin e Skënderbeut, për epokën e Rilindjes dhe luftëtarët
e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për periudhën e Shpalljes së Pavarësisë dhe
idhujt e saj Ismail Qemalin e Isa Boletinin, për Mbretërinë shqiptare dhe
kultin e Mbretit Zog, për fashizmin dhe Duçen, për komunizmin dhe bardët e tij
në Shqipëri e ish-Jugosllavi: Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin, Titon e
Enver Hoxhën; për demokracinë dhe zgjimin e ndërdijes sonë europiane, e kështu
me radhë.
Në të vërtetë, më shumë se për periudhat
ideologjike dhe bartësit e tyre, krijuesit letrarë kanë shkruar poezi për
Shqipërinë dhe për Kosovën. Për të parën, sigurisht në të gjitha periudhat e
për të dytën, kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX. Për të parën
(Shqipërinë) më shumë për shkak të dashurisë, e për të dytën (Kosovën), më
shumë për shkak të dhembjes. Duke shkruar për Shqipërinë dhe për Kosovën,
shkrimtarët shqiptarë, kanë shkruar për pasuritë e mëdha materiale dhe
shpirtërore që e shquajnë të kaluarën dhe të sotmen shqiptare të tyre, por duke
shkruar për Shqipërinë dhe për Kosovën, jo njëherë kanë klithur për dhembjet që
jua ka shkaktuar atdheu i tyre, prandaj nuk është vështirë të gjenden edhe
vargje proteste për atdheun që të vret, për shkak të dashurisë.
Letërsia e shekullit XX, e cila, sikur u tha deri
këtu, është e pasur me periudha, shkolla letrare, krijues, vepra, ngjarje,
vende, heronj, personazhe, karaktere, ide, koncepte dhe vlera të tjera
historiko-letrare dhe estetike, ka edhe një përbërës të pazëvendësueshëm,
kultin e gjuhës. Letërsia e kulteve, do të thoshin studiuesit e saj, është
letërsi e përkohshme e mbijetesës jashtëletrare të atyre kulteve, por prej
përvojës historik-letrare të letërsisë shqipe dhe letërsisë botërore nuk është
vështirë të kuptohet se është pikërisht shenjtëria e gjuhës në letrat shqipe,
ajo që e ka shquar pasurinë tonë mendore, kombëtare, kulturore, materiale dhe
shpirtërore edhe në krijimtarinë letrare. Le të jetë kjo arsye e mjaftueshme që
në këtë çast krenarie njëshekullore për pavarësinë e shtetit shqiptar, të
ndjehemi gjithashtu krenarë për pasurinë e gjuhës shqipe, ruajtur brenda
letërsisë popullore apo shkruar shekuj me radhë. Le të jetë kjo arsye e
mjaftueshme që në këtë çast krenarie të ftojmë shkrimtarët që ta shquajnë
shenjtërinë e saj, e kjo do të thotë, t’i zgjerojnë përbërësit semantikë të saj,
pa frikën se kulti i saj do t’i vejë në dyshim ngjyresat estetizante të saj.
Dëshmitare të kësaj thirrje kam pikërisht traditën historike të letërsisë
shqipe. Cila do të ishte poezia e Ndre Mjedës, Martin Camajt apo Azem Shkrelit
pa pasurinë leksikore që ofron poezia e tyre, si do të dukej struktura letrare
– estetike e prozës së Ismail Kadaresë, Jakov Xoxës apo Mitrush Kutelit, pa
sistemin sintaksor që ofron shqipja e tyre; çfarë do të ishte mendimi
intelektual i Fan Nolit, Faik Konicës dhe Rexhep Qosjes pa përbërësin
intelektualizues të shqipes së tyre! A do të mundë të perceptohej epopeja
kombëtare, Lahuta Malcis, ashtu sikur është perceptuar
gjatë gjithë shekullit XX, kryesisht për shkak të temave të mëdha të saj, pa
pasurinë leksikore dhe sintaksore të trashëgimisë së eposit tonë legjendar.
Po e shquajmë gjuhën shqipe, këtë vlerë të shenjtë
të nacionit tonë (Çabej) dhe po e shquaj vendin e saj në
letërsinë shqipe të shekullit XX, kur kulti i saj dhe për të, konsiderohet i
mbyllur në fund të shekullit XIX, për një arsye tjetër madhore: janë
shkrimtarët përkatësisht letërsia shqipe, ajo që e ka ngritur panteonin modern
të saj, janë disa nga veprat më të mira të letërsisë shqipe ato që na kanë bërë
ta shquajmë mundësinë e gjuhës shqipe për të ndërtuar mendime të mëdha në jetën
tonë, janë disa nga veprat e shquara të letërsisë shqipe ato që na kanë bërë
krenarë me mundësitë që ofron gjuha shqipe për të lëruar pasurinë kuptimore dhe
estetike të strukturave letrare.
Le ta bëjmë prandaj, gjuhën shqipe, trashëgiminë
historike të saj dhe strukturën moderne të saj, identifikuese të vlerave të
reja, bazë të kërkimeve të reja letrare, përbërëse jo vetëm gjuhësore po edhe
estetike të letërsisë së shekullit XXI, shenjë dalluese të letërsisë së
shekullit të ri: të Pavarësisë.
· Fjalë hyrëse e manifestimit letrar “100 poetë për 100 vjet të Pavarësisë”, Vlorë, 27 nëntor 2012.