| E premte, 01.02.2013, 07:59 PM |
KËNGËTARJA
Tregim nga Qazim D. Shehu
Kur
redaktori i dha dorën e fundit faqes së gazetës, ndjeu një lehtësim që erdh pas asaj faqeje të
mërzitshme mbushur me kronikë të zezë, që bëhej edhe më e rëndë për shkak të titujve të fryrë, për të cilat ishte mjeshtër. Redaktimi
synonte të përhapte misterin e frikës dhe së panjohurës. Ai ndjente se njerëzit
kur ta lexonin të nesërmen gazetën, me siguri do të mendonin se ajo amalgamë
ngjarjesh të dhunshme, në një mënyrë apo tjetër po u afrohej edhe atyre. Dhe
nxitës në këtë psikologji tmerri në një farë mënyre ishte edhe ai, pavarësisht
se tmerri i kronikës së zezë ose provohej si një katarsis , ose si një nevojë për tu mësuar me të dhe për
disa njerëz edhe si nxitje. Tani i duhej të ikte, të pinte një kafe tek klubi përballë, sepse
një mbledhje e vetvetes e largonte nga ai tmerr germash , në dukje të pafajshme. Ndërsa po zbriste
shkallët e godinës dykatëshe, vuri re
publicistin dhe shkrimtarin e lirë,
Frano Dervishi, me një çantë të zezë në sqetull që e mbante gjithmonë
sikur ajo të kishte mbirë aty që me lindjen e tij. Për shkak të shkallëve të
ngushta , ai bëri prapaktheu, duke i
lënë tjetrit të kuptojë se kishte ardhë vetëm për të. Publicisti i lirë botonte vazhdimisht
dosierë, intervista, fejtone, polemika, dhe redaktori ia gjente mundësinë ,
duke e bindur pronarin e gazetës , se shkrimet e tij ishin të një cilësie që
siguronte treg. Në fund të shkallëve, një metër larg derës, Publicisti i Lirë qëndroi. Dukej i kënaqur
dhe kishte një arsye për të kumtuar diçka. Ai i tha redaktorit se për pak
minuta vinte aty këngëtarja e shquar Monda A, e cila kishte këmbëngulur në
mënyrë të prerë për tu dhënë një darkë të dyve,
gjë të cilën nuk e bënte me të gjithë,
sepse intervista e fundit i kishte pëlqyer shumë dhe i kishte rregulluar
ca punë që ajo nuk priste t`i rregullonte aq shpejt. Redaktori tha se ishte i
lodhur po publicisti i lirë nguli këmbë se këtij rasti ata s`duhet ti bënin
bisht, këngëtarja Monda A. , ishte natyrë e ndjeshme, dhe aq më tepër nuk duhej fyer një femër e
atij klasi. Pastaj fjala u hodh tek debati më i fundit parlamentar, analistët e
porositur që grindeshin dhe servirnin parime për të cilat pas studios nuk
besonin kurrë, kur para këmbëve të tyre frenoi butësisht një makinë e re,
ngjyrë qumështi , e cila në dritën e lokaleve përreth dukej më e largët.
Këngëtarja nuk zbriti, po priti pa thënë
gjë që ata të dy të hipnin në makinë. Ajo ishte një femër e gjatë, më e bukur nga ç`paraqitej në ekranin e
televizorëve. Supet e zhveshura dhe flokët e gjatë sikur e njëtrajtësonin në dritën e pakët që hynte nga xhami i
makinës. Freskia e pranisë së saj e pambytur nga parfumet dukej se merrte pak
forcë nga fakti që i jepte vetë makinës së re
, diçka e natyrshme për një person vip. Ajo falenderoi redaktorin për
intervistën e botuar, ishte kënaqësi për
të që po e njihte. Intervista i kishte shtuar shumë numrin e fansave, të cilët
i dërgonin mesazhe të panumërta në facebook. Intervista përkonte me
tridhjetëvjetorin e saj dhe ishte një dhuratë e bukur për ditëlindje. Vërtet
intervista ishte e bukur, po redaktorit iu desh të hiqte një shkrim me rëndësi
politike, vetëm e vetem që kjo intervistë të përkonte me tridhjetëvjetorin
tënd, -foli Publicist i Lirë, duke
hetuar me bisht të syrit buzëqeshjen e saj të çlirët që u shtua edhe më nga
efekti që shkaktoi ky konstatim i marrë si sakrificë begenisje ndaj autoritetit
të saj artistik që tejkalonte çdo autoritet të fryrë politikani. Pikërisht ,
kjo tërësi rrethanash të favorshme , ku nxitësit kryesorë jeni ju, më detyron shumë, -fliste këngëtarja duke u
dhënë herë herë flokëve lart, si për ti
nxjerrë fjalët e Publicistit të Lirë mbi gabinë që ti dëgjonte edhe fresku i
mbrëmjes. Tashmë, kishin dalë jashtë
Tiranës, makina frenoi rrëzë një lokali
luksoz, me pak njerëz. Ishte një lokal i
rrethuar me pemë , në degët e të cilit vareshin drita të vockla. Kjo e bënte më
romantike atmosferën, sillte një ndjellje të butë, të këndshme. Nga një altropolant, dilnin tingujt e një kënge, që për koincidencë qëlluan të kënduara nga
ajo. Këngëtarja u tha atyre të zgjidhnin vetë tavolinën ku do rrinin, veçse përjashta. -Patjetër, tha Publicisti i
Lirë, brenda kemi ndenjur gjithë ditën
duke punuar, kemi nevojë të marrim pak
ajër të pastër. Njerëzit që ndodheshin në lokal kthenin kokën dhe shihnin
këngëtaren, e cila me indeferencën që ndjen njeriu i madh, rrinte në një
pozicion të shkujdesur. Rrezatimi i bukurisë së saj i jepte ambientit një farë
ngacmimi frymor. Redaktori që u ul përballë saj , tani filloi ta kqyrte me
kujdes, dhe konstatoi se ndryshe nga
ç`paraqitej nëpër videoklipe, ajo ishte
më e thjeshtë më njerëzore, mbase pak më
e bukur. Ai mendoi t`ia thoshte këtë, po
nuk e quajti të arsyeshme, nëse një
femre i paraqet dy tre elozhe ajo s`dihet si i merr. Më mirë do qe që biseda të
merrte rrjedhën e saj, dhe pastaj fjalët mund të vinin gjer në pragun e
komplimentimit. Këngëtarja lëvizi supet dhe flokët e saj sikur u trazuan nga
era e lehtë e mbrëmjes. Sytë e saj shndritën. Publicisti i Lirë sikur t`i
kishte blerë mendimet e redaktorit i thuri dy lëvdata këngëtares, veçanërisht ai i lavdëroi këngën e fundit po
edhe aktrimin dhe zërin e saj të mrekullueshëm. Aspak për sfidë ose mospëlqim, nuk u kuptua sesi, këngëtarja tha se ndjehej e uritur dhe do të
porosiste një darkë pa u menduar gjatë. Ajo porositi verë të shtrenjtë, gatime
deti, biftek, duke pyetur se çfarë mund
të kishte tjetër lokali. Erdhën në shërbim dy kamarierë , tavolina u mbush
plot. Publicistit të Lirë i ndritën sytë si maçok i uritur, ai e piu me etje
shishen e birrës dhe kollofiti një copë biftek. Ndërsa këngëtarja që tha se
ishte e uritur mori gotën e verës dhe filloi të uronte së pari redaktorin, pastaj tha dy tre fjalë të thata për
publicistin e lirë. Zuska, hungëriu me
zërin e brendshëm Publicist i Lirë,
intervistën ia bëj unë dhe ajo lavdëron këtë, sa e pasjellshme…Ai vuri re sesi ajo ktheu
kokën anash sikur të ndjente bezdi nga diçka,
pastaj u dha hov flokëve të gjatë sikur ta bezdisnin dhe u përkul nga
cepi i tavolinës, po në këtë moment në
feksje të sekondës, sikur të shpërthenin
nga një pengim dy gjinjtë e saj sikur qëndruan për një moment në tavolinë, pastaj sesi morën një fshehje të mistershme
sikur mos ishin më. Redaktori dremiste i qetë si të bluante një mendim të
largët , ndërsa Publicist i Lirë skërmitej në vetvete duke ia ngulur sytë pa
turp asaj amazone estetike gjithë hijeshi,
e bukuri të rrallë. Riti i të
ngrënit kishte dalë nga rregulli normal,
redaktori hante qetësisht ndërsa Publicist i Lirë e kishte zbrazur
pjatën kur, këngëtarja nxori nga xhepi njëqind euro dhe ia zgjati redaktorit.
-Nëse ti nuk ofendohesh, i tha, merri këto,
e di që janë pak, të jam
mirënjohës…-Falemnderit, u përgjigj
tjetri, ishte një shkrim i radhës, për të cilin unë nuk u mundova, e botova me
kënaqësi, po këngëtarja në shoqërimin e këtyre fjalëve ia futi eurot në xhep.
Publicisti i Lirë priti që këngëtarja ta bënte këtë veprim edhe me të, por ajo
filloi të uronte. Zëri i saj i butë, i
ëmbël , nuk ia zbruante nervat që filluan ti acaroheshin. Sa kohë kishte
ndenjur ai duke e kërkuar atë, kartat e harxhuara, formulimi i pyetjeve, ecejaket dhe tani ajo…e fyente në mënyrë
demonstrative. Redaktori që deri atëhere kishte folur rrallë po i bënte
komplimenta , pyeste për videoklipet e saj, turnetë në Gjermani, Zvicër,
Kosovë. Nuk na lenë të marrim frymë, ankohej ajo, më mirë të ishte e
panjohur. Veç në dashuri s`po i ecte , njerëzit e shihnin gjysmë të zhveshur
dhe e paragjykonin. Flirtet nganjëherë e nxjerrin kokën në mënyrë idhnake, kur kupton se tjetri te afrohet vetëm për
para. Këndoj këngë për dashurinë dhe dashuri nuk gjej…Gjithçka është komerciale
dhe e rrëshqitshme… Nëse ata do të kishin dritë më shumë do të shihnin fytyrën
e nxirosur të Publicistit të Lirë i cili po skërmiste në vetvete. Madje ai po e
mallkonte këtë koketë të pasur, me një
fije shprese se ajo duhej ta përforconte gjestin për të mos e lënë atë duarthatë, ndryshe ç`kuptim do kishte, veçse këngëtarja nuk e kishte mendjen për
këtë. Redaktori po fliste për muzikën e kohëve të fundit duke e shmangur me
takt temën e bisedës. Amatorizmi, imitimet dhe vibracionet e tingujve sllavë e
grekë nuk duroheshin më, në këtë kuptim zonjusha e bukur Monda A. , ishte një
kundërshembull dhe një sukses që tregon se çdo të thotë kur mbështetesh në
tabanin tend. Redaktorit tani i kishte ardhë goja, ai po e krahasonte me Nexhmije Pagarushë dhe
Tefta Tashkon, madje disa këngë të saj
vërtet ishin më të bukura. Sa hipokrizi ,
mendonte me vete Publicist i Lirë dhe vetëm për ca euro. Kjo lozonjare e
paepur të cilën unë do ta merrja vetëm për një dasmë fshati i ha këto. Rrezik
të nxjerrë njëqind euro të tjera,
mendonte me vete Publicisti i Lirë. . Kjo i dogëniste këngëtares, pasi
nuk kishte dëgjuar ndonjëherë një vlerësim kaq pikant për të. Si një lule e
tejdukshme, në buzët mishtore i mbillej
herë pas here një buzëqeshje e ngrohë që shuhej sapo ajo mblidhte buzët për të
rufitur verën. Publicisti i Lirë heshtëte, dhe mendonte se çdo kompliment për
të do të qe një përpjekje e kotë. Edhe pse ishte një hamës i papërtuar, ai
kishte reshtur së ngrëni, duke u kujtuar
rrallë të ckërmiste diçka. Dikush kishte vënë një disk me këngë të MondaA, dhe
nata grimcohej butësisht nga zëri i saj melodioz. Ata të lokalit duhej të ishin
vërtet të zotë. Publicisti i Lirë e mbante gjithnjë mendjen tek veprimi i
saj, kjo po i a shtonte ngërçin në
kraharor, të cilin mezi e shtynte me
gllënjkat e verës e cila po i shijonte.
Ai shihte fytyrën e çelur të redaktorit,
dhe i vinte plasje. Redaktori nuk linte fjalë pa e sajuar në mënyrë të
tillë që pas dëgjimit të saj ajo të mos ndihej mirë. Dhe si për inat të tij
këngëtarja ia mori me zë të ulët një kënge ,
e cila dukej se nuk rrinte mirë në shtratin e një melodie të njohur. Për
çudi edhe redaktori filloi ta shoqëronte zërin e saj të ngrohtë me zërin e vet gërvishtës që dilte me ndërprerje si për ta torturuar
edhe më Publicistin e Lirë. Ai ndjeu djersë të ftohta në ballë e kjo ndjesi iu
krijua edhe nga një erë e lehtë që fryu në ato çaste. Publicisti i Lirë me
trinën e dorës fshiu ballin pa ndjerë
lagështirën e djersës po vetëm ftohtësinë e lëkurës. Një ankth torturues
vorbullonte në zgavrën e qenies së tij.