| E marte, 29.01.2013, 08:56 PM |
PD DHE PS
NUK JANË DY PARTI POR DY USHTRI - DHE JANË TË FRIKSHME
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Ka nisur
fushata, dhe të dyja partitë kryesore, kanë rreshtuar aleancat duke i armatosur
me psikologji lufte. Secila palë pretendon se e ka rreshtuar veten tek Aleanca
e Madhe, me synim çlirues apo shpëtues nga armiku pushtues. Në Aleancën e
Madhe, ju kujtohet, bashkë me SHBA dhe Perëndimin ishte rreshtuar edhe Stalini.
Të dyja palët, brenda rreshtimit partiak, palën e tjetër e konsiderojnë armike.
Të dyja palët pra pretendojnë se janë edhe çlirimtarë, edhe pushtues dhe armiq
për vdekje, assesi rivalë, kundërshtarë, garues, duke nxjerrë në garë idetë,
programin për të ardhmen.
Ata
kërcasin vetëm dhëmbët, shajnë e poshtrojnë njëri-tjetrin, e akuzojnë njëri
tjetrin, dhe kur mbrohen, mbrohen me akuza, me kundërakuza, ku seicila akuzë
është më e frikshme se tjetra. Pastaj, vjen një kohë dhe i gëlltisin e i hanë
akuzat me të cilat kanë qëlluar njëri-tjetrin, sepse akuzat janë shumë më të
rënda se shuplakat.
Ky është
konteksti zgjedhor, ku gjenden të dyja partitë, ku edhe PD, edhe PS pretendojnë
se janë rreshtuar në Aleancën e Madhe, dhe që të dyja njëkohësisht pretendojnë
se janë duke luftuar të keqen. Për nga egërsia, ndasitë idelologjike, ku nuk
gjejnë asnjë pikë të përbashkët, për nga propaganda, retorika, armiqësitë, me
këtë retorikë që ndjellin kundër njëra tjetrës, nuk mund të krahasohen assesi
me vendet perëndimore, por vetëm me vende të cilat rezultojnë të jenë me liri
të pjesëshme, pra vende jo të lira, ku demokracia të detyron standarde. E
frikshme.
Ku jemi?
Kur jemi? Jemi në fund janarit dhe po të kemi parasysh këto ritme dhe këto dufe
se si gjuajnë me topa urrejtje kundër njëri-tjetrit, kur fushata sa vjen e
egërsohet, atëherë kemi të drejtë të pyesim, ku po shkohet me këtë fushatë? Nuk
ka konkurencë idesh, nuk ka garë rivalësh, por ka gjueti shtrigash dhe ligj
xhungle, ku duket se do të fitojë më i egri, ai që i mbijeton të gjitha sulmeve
të çakejve, të krokolidëve, tiranozaurëve.
Kur po
themi se jemi vend anëtar i NATO-s dhe ashtu del të jemi, përse nuk hymë në
fushatë duke respektuar kodin e etikës, kodin e moralit dhe standardin e
integritetit të politikanit?!
Sepse një
politikan me integritet nuk ia lejon vetes të marrë rolin e dinozaurit Rex, ta
copëtojë kundërshtarin, por do të pretendojë të përfaqësohet me personalitetin
e tij, me meritat e tij, të cilat vijnë jo si shërbëtor, si shërbyes, si
doorman i kryetarit të partisë, por si njeri me dinjitet dhe me vlera, që vjen
t'i japë vendit dhe shoqërisë dhe jo t'ia rrjepë lëkurën.
Nuk
flitet për vlera në këtë fushatë, për merita, për integritet të pacënuar, për
politikanë pa hije në sirtarë, për politikanë pa skeletë në dollapë, por se si
të luftohet kundërshtari me të gjitha mënyrat e mundëshme, me të gjitha metodat
antiqytetare, si armik i popullit.
Pra
fushata po të përkufizohet është luftë klasash dhe luftë klanesh, njëkohësisht,
ku kryetari i partisë ka marrë rolin e komandantit të përgjithshëm të Aleancës
së tij, dhe kërkon disiplinë absolute, kush lëviz bishtin, ai ia pret, kush
guxon të shkëmbejë „like“ në Facebook me armikun imagjinar të partisë e
përjashton nga partia, kush guxon të shkëmbejë ndonjë „si je“ „si shkon“ e
përjashton nga puna. Këtu nuk flitet për militantizëm, por për ushtarë të
bindur. Gatitu!
E pra, ky
fillim i egër, nuk hyn assesi në logjikën e një fushate të një vendi demokratik
dhe komandantët e ushtrive duhet të demilitarizohen, të demilitarizojnë
fjalorin, të demilitaritzojnë militantët dhe të vendosin kushtet e të hyjnë në
një garë të ndershme. Sepse kjo luftë që ndjellin do të jetë me pasoja për ta.