Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hyqmet Hasko: Mjeshtri i Madh Jorgo Papingji

| E hene, 28.01.2013, 08:59 PM |


Mjeshtri i Madh i Artit Jorgo Papingji, një jetë me pasion dhe dashuri për nuzikën shqiptare

Jorgo Papingji, poeti që i ktheu vargjet në këngë hite nëpër festivale

Nga Hyqmet HASKO

Jorgo Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë prej dyzet e ca vitesh në të gjitha Festivalet e RTSH dhe në audicionet e tjera muzikore për të rrituir e fëmijë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.

Fjalët e teksteve të tij kanë një komunikim të gjërë me shikuesit e shumtë, në të katër anët e Shqipërisë dhe të botës shqiptare, kudo ku flitet shqip, ku emri i tij është një emër i mirënjohu e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.

Tekstet e tij të kompozuara nga kompozitorë të shquar dhe kënduara nga këngëtarë e këngëtare sharmante janë bërë hite, sidomos disa këngë të mirënjohura festivalesh dhe ciklet e këngëve për fëmijë, ku stilizohen në mënyrë poetike lojërat e shumënjohura fëminore.

Jorgo Papingji lindi në Vlorë më 10 qershor 1942 dhe që në moshë njomë, aty nga mbarimi i klasës së katërt fillore, nisi të merret me poezi dhe shkrime, duke kontribuar dhe në dy gazetat e shkollës, njëra humoristike dhe tjetra serioze, me krijimtarinë e tij, sidomos në lëmin e poezisë, ku emri i tij ishte ndër emrat kryesorë.

Si tek gjithë poetët, poezia e tij merr rrugë me fletoret intime të vjershave, me vargjet e para për dashurinë, për vete apo për ndonjë shok a shoqe që ia kërkonte, shkëmbimi i mesazheve me anë të vargjeve, një modë tanimë e harruar, për shkak të nofullës kërcënuese të celularit dhe internetit ndaj adolishentëve dhe brezit të ri…

Për herë të parë botoi në gazetën “Zëri i rinisë” një cikël me pozi dhe që nga ajo kohë ai dhe poezia kanë qenë miq të ngushtë e të pandarë, veçse destinacioni i këtyre poezive nuk kanë qenë më kolanat e gazetave dhe librat, siç ka ndodhur me pjesën dërmuese të poetëve, por studiot e radiove dhe ato televizive, ku poezitë e tij janë kthyer në tekste të mrekulleshme këngësh dhe janë shpërndarë si zogj ogurbardhë në të katër anët e vendit.

Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Alekasandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshijë apo ta gris”; ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike. Me kompozitorin Lala, Papingji do të ketë një bashkëpunim të gjatë e të frutshëm, falë shijeve të përbashkëta artistike, për të përcjellë këngë me një fluks të gjërë mesazhezh dhe ngarkesash emocionale.

Teksti i parë i paraqitur nga Papingji në një festival është në Festivalin e XIII të Këngës në RTSH, përsëri në bashkëpunim me kompozitirin Aleksandër Lala, fill pas Festivalit të XI, kur mbi artin dhe këngën shqiptare ra shpata e Demokleut dhe disa kompozitorë e këngëtrarë të mirënjohur dhe me reputacion në skenë e në jetë iu nënshtruan sprovave të kalvarit.

Megjithatë, ajo këngë ndërtohej dhe strukturohej mbi një tekst poetik dashurie, nuk kishte asnjë gjurmë të tambureve të kohës dhe ishte e çliruar nga klishetë propogandistike dhe agjitative. Kënga titullophej “Kur jemi bashkë të dy” dhe ishte një hit dashuror, kënduar me një vokacion të pasur dhe ndjeshmëri të lartë nga dy këngëtarët brilantë, Liljana Kondakçi dhe Luan Zhegu.

Në këtë festival kënga e ndërtuar mbi tekstin e tij mori Çmim të Tretë, çfarë qe një inkurajim i madh për poetin në rrugën e nisur. Që nga ajo ditë dhe gjer më sot, kur po përgatitet Festivali i Dyzetë i këngës në RTSH, Papingji nuk është shkëputur nga debutimi në këto festivale, ku ka fituar shtatëmbëdhjetë çmime, katër çmime të para dhe të tjerat të dyta e të treta.

Me të drejtë, Agim Doçi, një tjetër autor tekstesh i suksesshëm, duke iu referuar aktit poetik të Papingjit, ka thënë në një studio televizive, se Jorgo Papingji me freskinë dhe gjallërinë e motiveve “e çbunkerizoi këngën shqiptare”.

Mbi katër mijë tekste këngësh kanë qarkulluar që atëherë e deri tani me autor Jorgo Papingjin, duke bërë që emri i tij të jetë nje emër i dashur për njerëzit, të cilët janë aq të lidhur me këngën dhe poezinë që e bashkëshoqëron, duke e identifikuar autorin e këtyre teksteve me mesazhet e ngrohta e të çiltëra që burojnë nga thellësia e zemrës poetike, me një lirizëm të gjallë e spontan.

Si një nga aspektet më mbresëlënëse të punës së tij në krijimin e tesketeve, Papingji kujton punën në Festivalet e Fëmijëve, atë përkushtim dhe atë ndjenjë pasionante, që e bënte poetin të gjurmonte lojërat e fëmijëve dhe mbi to të ndërtonte tekste, që do të këndoheshin nga të vegjëlit dhe do të bëheshin këngë hite, të cilat do të qarkullonin në të gjithë Shqipërinë, në kopështe, shkolla, mjedise social-kulturore, mjedise çlodheëse, plazhe, pishina, tek lodrat dhe kudo ku kryenin veprimtarinë e tyre fëmijët. Në këto tekste mbisundon një fabul e perceptuar nga bota fëminore, nga ritet e lojërave, mbi të cilat është ngritur godina e fjalëve dhe muzika në përputhje me ritmin dhe gjallërinë e këtyre lojërave. Mjaftoin të kujtojmë këngën “Hapa dollapa” që autori e ka ndërtuar mbi fabulën e lojës kukafshehtas, ku funksionojnë në një teksti dhe muzika, temporitmi i lojës dhe temporitmi i këngës, kënduar me passion dhe shpirtdlirësi nga të vegjëlit.

Në debutimin e tij në Festivalet e Këngës për Fëmijë Papingji ka marrë pjesë me 512 tekste dhe është vlerësuar nga juritë aristike të kohës me njëzet e gjashtë çmime.

Kontributi i Papingjit është po kaq i madh me debutimin poetik me tekste të këngës popullore, e cila është mbretëresha e muzikës dhe tregon shkallën e vetëdijes estetike dhe etnopsikike të një kombi. Më shumë tekste të Papingjit i përkasin këngës popullore të Shqipërisë së mesme, por gjithë Shqipëria administrative, gjithë bota shqiptare, Kosova, Çamëria etj. janë pjesë e angazhimit të tij artistik, për të na dhënë tekste perla, që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një afinitet të jashtëzakonshëm me artdashiëst e këngës popullre shqiptare.

Tekstet e tij për këngëtarët ikona të muzikës popullore shqiptare si Hafsa Zyberi, Bik Ndoja, Luçie Miloti etj janë pika reference për shpirtin e muzës së gjallë e të pashtershme të folkut, i cili është vetë shpirti i identitetit gjenetik e psikoentik të një kombi.

Ja disa vargje nga teksti i tij në një kënge që i kushtohet këngëtarit sharmant shkodran Bik Ndoja:

“Pasuri ti kurrë nuk bane,

S’ke mendu për pasuri,

I dhe shpirt jares shkodrane,

Trashëgim për çdo brezni”.

Tekstet e këngëve për dibranët që u vendosën në Tiranë, për skraparlinjtë, për pleqtë e Kavajës etj, janë vetëm disa nga ato dhjetëra e qindra tekste, që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një audiencë të gjërë ndër dashamirët dhe adhuruesit e këngës popullore.

Jorgo Papingji ka mbaruar studimet e larta për shkenca ekzakte (matematikë- fizikë) dhe ka qenë një mësues i pasionuar dhe drejtor në disa shkolla në Tiranë e gjetkë, por kënga e rrëmbeu në krahët e saj të lehtë dhe e shpuri drejt një ëndrre të guximshme.

Ritmet e muzikës e e morën me vete, duke bërë që ajo që ai e konsiderionte si “punë të dytë”, marrja me teskte këngësh, të bëhej e para dhe të përcaktonte vetë individualitetin e tij si njeri, si poet dhe si artist, me një audicion të gjërë pikëtakimesh emocionale në kohë-hapësirën estetike të botës shqiptare…