| E diele, 27.01.2013, 09:00 PM |
Lufta e
pritshme brenda Partisë Demokratike: Jozefina Topalli vs Lulzim Basha
Nga Redan BUSHATI
Pas 23
qershorit 2013, nëse Partia Demokratike do të kalojë në radhët e opozitës,
vëmendja mediatike e ditëve post factum do të përqendrohet në partinë më të
madhe opozitare sesa në partinë më të madhe në pushtet, PS. Në ditët e para të
korrikut dhe të pastajme, i "nxehti" do të kaplojë PD-në, ndërsa
socialistët në pushtet do të dëfrehen me luftën e brendshme të kundërshtarit të
tyre historik.
PD-ja me
Sali Berishën në krye ka qenë një parti, e cila përpos që nuk ka lejuar
mendimin dhe zërat ndryshe, rrallëherë ka pasur "firo" nga radhët e
saj; së fundmi vetëm Gazmend Oketa, i cili kaloi në partinë e re të së
djathtës, FRD. Të tjerët, në këto 22 vite të themelimit të Partisë Demokratike,
o janë ndier të diferencuar nga lidershipi i saj, o janë larguar nga bërrylat e
shumtë, ose fare pak a aspak mund të kenë krijuar probleme për të djathtën,
kujto këtu Genc Pollon me krijimin e PDR-së. Gjithsesi, krahasuar me
metamorfozën e së majtës, PD-ja ka qëndruar e ngurtë dhe ka qenë vetë kreu i
saj, Sali Berisha, ai i cili jo vetëm që i ka mbajtur nën vete të tijtë, por as
ka guxuar kush, qoftë edhe njëherë të vetme, të pohojë të kundërtën e asaj se
çfarë ka thënë doktori. Ky i fundit ka qenë autoriteti suprem, imponues dhe
autokratik i Partisë Demokratike. Por çdo të ndodhë pas largimit të doktorit
nga pushteti?
Një luftë
e ashpër pritet të shpërthejë në gjirin e Partisë Demokratike. Jozefina Topalli
me grupin e Shkodrës, por edhe disa deputetë të tjerë përkrahës të saj, do t’i
hakërrehen Lulzim Bashës dhe përkrahësve të tij të shumtë në PD, të cilët fët e
fët kanë ngjitur shkallët e kësaj partie, krejt në mënyrë të çuditshme, si
rrallëkund në vendet perëndimore. Normalisht partia duhet të funksionojë si një
institucion, ku ngjitja bëhet hap pas hapi në bazë të meritokracisë së vlerave
profesionale, morale, politike etj. Në rastin konkret ka ndodhur tjetërqysh, në
një mënyrë krejt befasuese, ku Basha erdhi në Tiranë në vitin 2004, u ingranua
nga fëmijët e kryeministrit, fitoi reputacion shpejtazi dhe u bë si të thuash,
pa pëlqimin e plotë të doktorit, djali i tij jashtëmartesor. Ky djalë tanimë
është ndër visarët e PD-së, së paku kështu pëshpëritet lart e poshtë në
mjediset e kësaj force politike. Në krahun tjetër, Jozefina Topalli ka aderuar
në Partinë Demokratike aty nga viti 1996 dhe rritja e saj ka ardhur në mënyrë
graduale. Sot pushteti i saj është mjaft i fuqishëm, por akoma nuk dihet
saktësisht se sa do të jenë përkrahësit e saj në luftën brenda partisë.
Gjithsesi, në këtë luftë klanesh nuk është çudi që të dalë një palë e tretë, e
cila në heshtje pret sforcimin e kampeve të Lulit dhe Jozit, në mënyrë që të ngrejë
krye në momentin më të përshtatshëm.
Si përfundim, këto hamendësime, të cilat gjithsesi bazohen te e vërteta e klaneve në PD, por që të mund të realizohet ky skenar i mundshëm duhet të presim pas 23 qershorit, nëse Partia Demokratike do të kalojë në opozitë apo jo. Deri atëherë ka ende kohë për të analizuar situatën në fjalë, ndërsa nuk ka aq kohë për të vepruar nga kampet respektive, të cilat prej vitesh kanë filluar fërkimet, sigurisht me një zë të përvajshëm, pasi Sali Berisha nuk i ka lejuar të bëhen zëra mbizotërues për asnjë moment.