Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemail Peci: Një himn nderimi

| E shtune, 26.01.2013, 11:11 AM |


INTERVISTA ME INVA MULËN - NJË HIMN NDERIMI

Nga Xhemail Peci

Të premten, me 18 Janar 2012, në orët e vona të mbrëmjes, nëpërmjet rrjetit satelitor, gazetarja Lumira Kelmendi në emisionin KULT, zhvilloi një intervistë me sopranon shqiptare Inva Mula.

Fjala vjen, për dallim nga intervistat e bëra me Adelina Eminin, Rona Nishliun, Krenare Rugovën, Lajle Merdith – Vula, a ndonjë tjetër, intervista me Inva Mulën ishte e veçantë, jo vetëm për shak të ambientit.

Rëndom në preferencat e saj, gazetarja Lumira Kelmendi parapëlqen intervistën, e veçmas duke e zhvilluar ate në natyrën dhe ambientin e hapur, sepse natyra shfaqet si pjesë e pandarë e reportazhit televiziv, qoftë nga Zvicra (Ura e Argaut), nga Italia (me Arbëreshët) apo edhe së fundi nga Stambolli – deti i kaltërt me pamjet e rrugëve dhe të tregjeve karakteristike…

Intervista me sopranon Inva Mula ishte e veçantë, jo vetëm pse shpalosej portreti i sopranos, shoqëruar me pikat kryesore të krijimtarisë së saj muzikore, por kjo bëhej edhe me tablo familjare.

Përmbi çdo gjë, Intervista e gazetares Lumira Kelmendi me sopranon Inva Mula, kishte të përbashkët diçka që e hasim shumë rrallë.

Që të dyja kanë të përbashkët: traditën familjare, por ky mbase nuk është pikëtakimi i vetëm.

Jo rastësisht, është zgjedhur intervista të bëhet në janar, sepse Avni Mula, një nga kompozitorët më të shquar shqiptarë, ka lindur më 4 janar 1928 (në Gjakovë), prandaj në njëfarë mënyre edhe është shprehur (ndonëse tërthorazi): Nderimi dhe Respekti edhe për këtë.

Pra, ballë për ballë, dy prirje, dy breza, dy dhunti: sopranoja Inva Mula dhe gazetarja Lumira Kelmendi…

Avni Mula, është kompozitori i këngëve të shquara, si Nënë moj, Valsi i Lumturisë (kënduar bashkë me Vaçe Zelën), Këngët e Atdheut tim, Një Djep në Barikadë

Ai është edhe këngëtari i njërës prej këngëve më të bukura, e cila këndohej dhe adhurohej aq shumë, sa edhe kënga e kënduar nga Artisti i Popullit Mentor Xhemali, me titullin Për Ty Atdhe.

Avni Mula me interpretimin e tij dinjitoz, ka lënë si të papërsëristhme këngën për të verdhat kaçurrela:

Po ecja që me natë, mes shkrepave pa udhë,

pashë tek burimi, një vajzë që mbushte ujë.

I thashë se m’u dogj xhani, moj vajzë me kaçurrela,

më jep një pike ujë, për mua të shkretin,

të lutem nga bucela!

Dhe uji i freskët rodhi vështrimeve valë-valë,

m’u duk se vajza m’hodhi sytë,

e mbi një faqe kur ngrita dy bucela,

më ranë si manushaqe, të verdhat kaçurrela.

Ika nëpër pyje e pritave pa tela,

s’më hiqeshin prej syve, të verdhat kaçurrela.

Avni Mula është Njeriu dhe Artisti që e do Atdheun, po aq sa edhe Artin. Në pyetjen: ‘Nëse do të ishit në një moshë më të re cilën nga këngët do të këndonit?’, Ai është përgjigjur:

‘Unë do të këndoja një këngë për Shqipërinë, që thotë: Sa të kemi mall, s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri/shikoj nga larg, mendoj për ty, o moj e bukura Shqipëri’.

Arti kërkon sacrificë, ashtu si edhe një qenie, një natyrë e bukur, është shprehur ai, natyrisht duke shfaqur edhe kënaqësinë e rrallë për Pavarësinë e Kosovës: ‘Jam shumë i lumtur që edhe Kosova ia arriti kësaj dite’. Ndërsa, duke shpalosur kujtimet e jetës familjare, ka shpalosur faktin se:

‘Invën që kur ishte e vogël ne e merrnim në teatër, që ajo të shikonte jetën se si punon aktori, si jep ai për publikun’.

Diçka tepër e rrallë dhe e bukur, e që e kishte mallëngjyer aq shumë edhe Faik Konicën, i cili duke kujtuar mallin për atdhuen, shprehte dhembjen se atëherë fëmijët shqiptarë nuk kishin mundësinë, që edhe prindërit e tyre t’i merrnin e t’i shetsinin të lirë kopshteve të Shqipërisë, ndërsa në Autobiografinë e tij, Fan Noli kujtonte se si ëma do ta çonte në shkollë: duke e ngarkuar në një thes mbi shpinë!...

Sopranoja Inva Mula dhe gazetraja Lumira Kelmendi kanë ecur në gjurmët e trasuara nga pararendësit e tyre. Avni Mula – Poeti i Muzikës Shqiptare, dhe Qazim Kelmendi (DRITË I PASTË SHPIRTI), njëri prej gazetarëve të shquar të Radio Televizionit të Kosovës, e që nga ata që kanë pasur rastin të punojnë me të, kujtohet ende me ndjenjën e respektit dhe të admirimit, për përkushtimin e tij të veçantë në punë, por edhe për dhuntinë e cila nuk i mungonte.

Shumë shpesh dhe madje në mënyrë të veçantë, në emisionet e përgaditura nga Ai, shfaqeshin fushat e gjëra me grurë dhe shkëndijat e Diellit, të cilat aq shumë lidheshin me Metaforën e Madhe të Poetit të Kombit, Naim Frashërit: ‘Shkëndijë e Diellit ndaj Manushqes’.

Platoni, në një nga veprat e tij kishte përmendur Fyellin Magjik, e 2000 vjet më pas, njëri prej kompozitorëve më të famshëm Frderik Shopeni, të cilit me të drejtë ia kanë dhënë Epietin e Merituar: ‘Poet i Pianos’, do të kompozonte njërën prej kryeveprave më të famshme muzikore: ‘Fyelli Magjik’, kurse Tomas Mani do të shkruante njërën prej veprave të tij kulmore, me titullin: ‘Mali Magjik’.

Nuk ishte prandaj një rastësi që në emisionet e shfaqura me fushat gjithë grurë, ku kallinjtë e grurit merrnin në objektivin e kamerës një pamje të veçantë në përcëllim të Diellit, ndihej vazhdimisht, si një Himn i Zjarrtë: Melodia e Fyellit, e cila sfidonte grilat, shtetrrethimin dhe errësirën e thellë, që si një pelerinë e zezë mëtonte të binte mbi të ardhmen e Kosovës…

Avni Mula dhe Inva Mula, përbëjnë edhe një veçanti tjetër. Si babai, ashtu edhe e bija, janë nderuar me titullin: NDERI I KOMBIT.

Një gjë e tillë është e rrallë, madje edhe tek kombet e tjera. Avni Mula mbetet i papërsëristhëm në dhuntinë e artit të muzikës, kurse Inva Mula ka shkëqyer dhe mahnitur kudo ku është paraqitur, në hapësirën shqiptare por edhe në Paris, në Barcelonë, në Bruksel, në Londër, në Tokio e gjetiu.

Se në ç’përmasa është bartur dashuria për muzikën, e dëshmon vetë kompozitori, kur është shprehur se: Jetën time do ta mbyllë me dashurinë për muzikën.

Nuk është pra rastësi pse Inva Mula është gjetur përballë gazetares Lumira Kelmendi.

Nuk është rastësi pse në Zërin e Saj Magjik, Inva Mula shpalos gjithë botën epiko – lirike të vendit të saj.

Nuk është rastësi pse në Zërin e Saj Magjik, Inva Mula shpalos Ansamblin e Maleve Shqiptare, atë Ansamblin Monumental që si një Ansambël i Valleve Shqiptare zbret në kindet e Fustanellës, ngritet tek Poemat e Naimit, ku ‘malet e Shqipërisë ngrejnë kryet përpjetë drejt qiellit’, e malet e heshtjes së madhe që ndryjnë në vetvete histroi të shumta, zbresin prapë në tufët e kuqe të opingave:

‘Shqipëri e kuqe, Shqipëri e sertë,

Treqind Kryengritje në katërqind Vjet!’

Nuk është rastësi, pse në Zërin e Saj Magjik, Inva Mula ka Përjetësinë e njërit prej Kryevargjeve të Lirikës Shqiptare:

‘dhe uji i freskët rodhi vështrimeve valë – valë’.

Nuk është rastësi, pse përmes Zërit të Saj Magjik, e të dhënë në mënyrë të përsëritur dhe shumëdimenzionale nga emisioni KULT, na e kujton Zërin e Tefta Tashkos dhe të Marie Krajës, na i kujton Përmasat e Talentit që falur ua ka: Toka Bujare.

Nuk është rastësi, pse duke u gjendur ballë për ballë, madje edhe me veshjen, që të dyja, edhe sopranoja e edhe gazetraja, përfaqësonin simbolikën e ngjyrave: E Kuqja tek sopranoja - si një Sfond Trëndafilash që bie në shenjë Nderimi dhe Mirënjohjeje Pa Kufi: sa Pafajësisht po aq edhe Përjetësisht, nga Auditori dhe Adhuruesit e Zërit Magjik; dhe E Kaltërta tek gazetarja, si një Altar me ngjyrën e detit e që na kujton për të satën herë, se: Muzika është Thellim i Qiellit.

Nuk është rastësi që natyra është treguar kaq bujare në faljen e dhuntive për botën shqiptare.

Rrjedhimisht, nuk është rastësi që kur takohen dy dhunti, dy prirje, dy breza, dëshmojnë shumëçka: ecje nëpër gjurmë dhe shtigje në të ardhme.

Nuk ishte rastësi, fjala vjen, që dy titanët e letrave shqipe, Noli dhe Konica, me orë të tëra nuk gjenin dot përgjigje për çështjen se a më e arritur ishte shpikja e telefonit apo ndërtimi i Taxh Mahallit?

Nuk ishte rastësi, që Faik Konica - Princi i Gjuhës Shqipe, për herë të fundit donte ta dëgjonte: Muzikën e Rikard Vagnerit.

Nuk është rastësi, pse Inva Mula dhe Lumira Kelmendi ishin ballë për ballë.

Nuk ishte as rastësi që gjatë gjithë emisionit, me mikrofonin e mbajtur në dorën e majtë, shprehej: sa Përkushtimi po aq edhe Admirimi, sa Mirënjohja po aq edhe Nderimi për Inva Mulën, e cila bëri thirrje sa për një sukses të përbashkët (e jo vetëm individual) të shqiptarëve, po aq bëri thirrje edhe për një dashuri gjithëshqiptare. Një Zemër-Thirrje sa Fisnike, po aq edhe Bujare…

Nuk është rastësi, që Inva Mula - Prima Dona e Operës Shqiptare, dhe Lumira Kelmendi, pa dyshim njëra prej gazetarve më të talentuara në hapësirën shqiptare (e që për dallim, fjala vjen nga gazetaret: Lindita Arapi - e Dojçe Welles, Rudina Xhunga - e Top Channel, Rudina Dervishi, Laura Konda, Mirela Milori – të Zërit të Amerikës, apo edhe Zerina Kuke, Luljeta Pjetri, Nenada Zaimi a ndonjë tjetër, e ka të veçantë qartësinë dhe kthjelltësinë e zërit, ku shpaloset një botë sa e kulturuar dhe e butë, po aq edhe profesionale e edhe modeste), kanë ecur gjurmëve të paprarendësve të tyre.

Nuk është rastësi, por është kënaqësi, sepse si Inva Mula, ashtu edhe Lumira Kelmendi, më kujtojnë thënien e njohur të Artur Shopenhauerit, se shija është rregullator i talentit, mendja më e shëndosh e gjenive.

Vrojtuar nga ky këndvështrim, gazetarja Lumira Kelmendi shpesh e ka shoqëruar kronikën e përgatitur me shkëputje të ndonjë mendimi të rrallë, por që flet shumë. Për shembull, duke folur për një shfaqje në teatër, ajo ka cituar thënien e njohur për Molierin, se ‘ai nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për famën e tij’, apo edhe nga shfaqja e fundit e aktorit Xhevat Limani për Gjergj Kastriotin – Skëndërbeun, e ka përfunduar emisionin me zemër-thirrjen e shfaqjes, që Shqipëria të dali Kryezonjë…

Jo gjithmonë pasardhësit ecin në gjurmët e pararendësve të tyre. Inva Mula dhe Lumira Kelmendi, pos që më kujtojnë thënien se nxënësit ua kalojnë mësuesve të tyre, më shtyjnë të besojnë se është i lartësuar ai komb, ku pasardhësit Nderojnë paraardhësit e tyre, duke ecur në po të njëjtat gjurmë.

Si Sopranoja Inva Mula, ashtu edhe Gazetarja Lumira Kelmendi, e Nderojnë dhe e Lartësojnë Kulturën, të cilës i takojnë, prandaj duke shprehur Mirënjohjen dhe Respektin e Thellë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse ua falim ate që: e Meritojnë.

Prima Dona e Operas Shqiptare, Sopranoja Inva Mula, dhe Gazetarja e Emisionit KULT të Radio Televizionit të Kosovës, Lumira Kelmendi.