| E shtune, 26.01.2013, 10:55 AM |
HILLËRI KLINTON PËRPLASET ME
SENATORËT
Nga Frank Shkreli
Pas një
mungese prej dy javësh në Uashington për arsye shëndetsore, Sekretarja
amerikane e Shtetit, Hillëri Klinton, u paraqit dje para dy komisioneve të
Kongresit amerikan që merren me punët e jashtme, për të dhënë dëshmi dhe për
t'ju përgjigjur pyetjeve në lidhje me mënyrën se si administrata e
Presidentit Barak Obama kishte trajtuar
sulmin më 11 shtator të vitit të kaluar kundër konsullatës amerikane në Bengazi
të Libisë, ku mbetën të vrarë katër shtetas amerikanë, përfshirë edhe
ambasadorin, Kristofër Stivens.
Ligjvensit republikanë kishin kërkuar për disa muaj tani që Sekretarja e
Shtetit të paraqitej para Kongresit për të shpjeguar mënyrën se si Departmenti
Shtetit që ajo drejton, u mor me sulmin në Bengazi. Në paraqitjen e saj, Sekretarja Klinton mori
përgjegjësinë dhe siguroi Kongresin dhe popullin amerikan se administrata e Presidentit Obama ka
filluar një rishqyrtim të gjithanshëm për të parandaluar sulme të tilla ndaj ambasadave dhe konsullatave
amerikane, sidomos në zona krize, duke deklaruar para kamerave të shumëta
’’live’’:
“Siç e
kam thënë edhe më përpara, unë marr
përgjegjësinë. Jam e bindur se pas
largimit tim po lë Departamentin e Shtetit dhe vendin tonë, më të sigurt e më
të fortë.’’ Ajo shtoi duke thënë se
...“Kemi ndërmarë një rishqyrtim të plotë e të gjithanshëm, mbi mënyrat se si i
marrim vendimet se kur, ku dhe si, njerëzit tanë veprojnë në zonat me kërcënim
të lartë në këtë rajon dhe anë e mbanë botës, dhe se si do t’u përgjigjemi
krizave dhe kërcënimeve”, në të ardhmen.
Megjithëse
Zonja Klinton i tha komisionit të punëve të jashtëme të Senatit amerikan se ajo
mbante përgjëgjësi të plotë në lidhje me dështimet dhe mangësitë e masave të
sigurimit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ajo mohoi akuzat se
administrata e Presidentit Obama ishte përpjekur, që për arsye politike, para
zgjedhjeve presidenciale të nëntorit që kaloi, të keq informonte popullin
amerikan për tragjedinë në Bengazi, ku humbi jetën ambasadori Stivens, njëri
prej specialistëve më të mirë të çështjeve arabe që kishte Departmenti i
shtetit amerikan.
Duke
mbrojtur politikën e administratës të cilës ajo i shërben, Zonja Klinton shpesh
me një ton agresiv, u përplas me senatorët republikanë, të cilët akuzuan
administratën Obama për mënyrën se si
sulmi kundër konsullatës amerikane
iu shpjegua fillimisht popullit amerikan: nëse ishte sulm i planifikuar
terrorist apo një demonstratë spontane,
që çoi në vrasjen e katër shtetasve amerikanë në Bengazi, siç pretenduan
fillimisht zëdhënsit e administratës.
Senatori
nga shteti Arizona dhe ish-kandidati i Partisë Republikane për president Xhon
Mëkejn së bashku me senatorin republikan nga shteti Uiskonsin, Ron Xhonson, dhe
Senatorin Rand Paul nga Kentaki ishin ndër kritikët më të ashpër të Zonjës
Klinton dhe ndaj mënyrës se si administrata është marrë me këtë sulm. Senatori Mekejn, pasi i tha Sekretares
Klinton se ishte ''krenar me te'', dhe se
''anë e mbanë botës admirohesh dhe respektohesh'', ajo duhej të ishte ''më e hapur dhe më e
sinqertë për atë që në fakt ndodhi në Libi’’.
Ai iu drejtua Sekretares së Shtetit duke i thënë se ''ka shumë pyetje të
cilat nevojitin përgjigje, dhe me të thënë sinqerisht dhe drejtë, përgjigjet që ju keni dhënë sot
në mëngjes për ne, nuk janë aspak të kënaqshme për mua'', duke shtuar se,
''populli amerikan dhe familjet e këtyre katër amerikanëve trima ende nuk kanë
marrë përgjigjet që ata meritojnë''.
Duke iu
përgjigjur akuzave të Senatorit Ron Xhonson nga shteti Uiskonsin, Sekretarja e
shtetit tha se nuk ishin të vërteta akuzat e tija dhe me zemërim iu drejtua
Senatorit Xhonson duke i thënë se nuk ka rëndësi se cila ishte origjina ose
cilat ishin motivet e atyre që ndërmorën sulmin, ajo që është e rëndësishme
tani, tha Zonja Klinton, ''është që të zbulojmë se çka ndodhi dhe njëkohësisht
të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të parandalojmë sulme të tilla në të
ardhmen.''
Kritika
të ashpëra Zonjës Klinton i drejtoi edhe Senatori Rand Paul nga shteti Kentaki, i cili i tha Sekretares së Shtetit
se ''Jam i kënaqur që ju merrni përsipër përgjegjësinë....por të kisha qenë unë
president në atë kohë....unë do t'u kisha shkarkuar nga detyra''. Senatori Paul
sshtoi duke thënë se këjo që ndodhi në Libi ishte një dështim në udhëheqje, e
cila shkaktoi vdekjen e katër amerikanëve në Bengazi, dhe se më në fund,
''është një gjë e mirë që ju merrni përgjegjësinë për këtë, pasi askush tjetër
nuk po bën një gjë të tillë.''
Senatorët
demokratë nga ana e tyre iu kundër përgjigjen kolegëve republikanë duke u kujtuar këmbënguljen e
administratës së Presidentit Bush në lidhje me praninë e armëve kimike në
Irakun e Sadam Huseinit – armë që më në fund u provua se nuk ekzistonin, por që
ky shpjegim në atë kohë u përdor nga administrataa republikane si një arsye për
të hyrë në luftë kundër regjimit të Sadam Huseinit.
Sekretarja
e Shtetit i tha Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit amerikan se anë e
mbanë Afrikës veriore ekziston një lëvizje xhihadiste në rritje e sipër, duke i
paralajmëruar senatorët se, ''Ne duhet të jemi të vetdijshëm se këjo lëvizje
është një lëvizje globale. Ne mund të
eliminojmë udhëheqsit e saj, por përderisa të mos ndihmojmë në themelimin e institucioneve
demokratike, për derisa nuk komunikojmë më mirë vlerat tona dhe të vendosim
lidhje dhe marrëdhënje me atë rajon, ne do të ndeshemi me një nivel të tillë
mos-stabiliteti.’’ Sulmi në Bengazi, tha
ajo, ishte pjesë e një plani më të gjërë terrorist në pjesën veriore të
kontinentit afrikan, siç po shihet nga
ngjarjet e fundit në Algjeri dhe
Muajin që
kaloi, një raport i komisionit të pavarur të hetimit për sulmin në
Bengazi, të emëruar nga vet Zonja
Klinton, ngarkoi me faj zyrtarë të lartë të Departmentit të Shtetit, për ato që
në raport u cilësuan si, ''dështime sistemike dhe mangësi në udhëheqje dhe menaxhim, si dhe për
masat që nuk ishin aspak të mjaftueshme për tu përballuar me sulmin që ndodhi
në Bengazi.''
Zonja
Klinton i siguroi ligjvënsit se ajo ka pranuar të gjitha rekomandimet e
komisionit të hetimeve dhe se së shpejti përfundon zbatimi i atyre
rekomandimeve të komisionit të pavarur hetimor.
Megjithë
debatin e tensionuar dje para Kongresit, disa senatorë republikanë njohën
meritat e Sekretares Klinton dhe shprehën falenderimet e tyre për shërbimin e
saj – pasi këjo sipas gjasës ishte dëshmia e fundit para ligjvensëve si
Sekretare e Shtetit. Ajo do të
zëvendësohet nga Senatori Xhon Kerri, pasi emërimi i tij të jetë miratuar nga
Kongresi. Ndërkohë, media dhe analistët kanë filluar spekullimet
e tyre në lidhje me të ardhmen e saj politike – dhe nëse dëshmia e djeshme para
dy komisioneve të Kongresit amerikan do ta ndihmojë apo do ta dëmtojë atë, nëqoftse ajo vendosë
të jetë kandidate për president në vitin 2016.