| E enjte, 24.01.2013, 08:33 PM |
Patriotizëm
evropian përkundrejt nacionalizmit tradicional
Pa u zgjidhur çështja shqiptare në Ballkan, Ballkani kurrë nuk do të gjejë qetësi. - Abdyl Frashëri
Nga Dorian Koçi
Atmosfera
e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë ende nuk është shuar. Gjithandej
nëpër botën kibernetike dhe në botën e lajmeve qarkullojnë deklarata mbi
Shqipërinë, kufinjt e përcaktuar keq, copëtimin apo dhe kërkesa për rishikim të historisë, ngjarjeve
dhe personave dominantë në të. Duket sikur ka një ngutje për të plotësuar apo
kapur trenin e fundit të shqiptarëve në rajon për ti çuar në Evropë apo drejt
njëri-tjetrit. Pa dyshim që kjo mbetet dilema më e madhe e tyre në këtë fillim
shekulli ku dëshira ua thotë në një masë mbi 60% për tu bashkuar dhe
arsyetimit, racionalitetit dhe vetëpërmbatjes për të vazhduar rrugën drejt
integrimit evropian ku një peshë kryesore zënë dhe marrëdheniet e fqinjësisë së
mirë.
Para
kësaj dileme janë ndodhur shumë vite më parë edhe fqinjët tanë kur festonin 100
vjetorin e pavarësisë së tyre, por secili me specifikat e veta. Kështu p.sh
Greqia në vitet 20-të të shekullit të kaluar kur festonte shekullin e vet të
pavarësisë sapo kish dalë nga katastrofa e Azi isë së Vogël, ku ushtria e vet
kish pësuar disfatën më të madhe të të gjithë kohërave duke shënuar në këtë
lloj mënyre dhe fundin e Megali Idesë. Qipro dhe ishujt e Dodekanezëve mbetën
jashtë truallit mëmë duke u shndrruar në një farë mënyre si simbole të padrejtësive
të Fuqive të Mëdha dhe burim i pashtershëm ideologjie nacionaliste që do të
mbizotëronte në gjithë ligjërimin publik grek përgjatë shekullit të XX. Serbia
në të kundërt në 100 vjetorin e saj kishte arritur të realizonte disa nga
ambiciet më të mëdha të saj territoriale duke mbizotëruar në gjithë hapësirat
jugosllave por gjithsesi ky dominim nuk e kish kënaqur aspak deri sa në vitet e
fundit të shekullit XX të shkaktonte tragjedinë jugosllave. Parë në kontekstin
e krahasimit me fqinjët sigurisht që ishte e natyrshme që në një atmosferë të
tillë festimesh si ishte 100 vjetori i pavarësisë, duke u nisur dhe nga
specifika e historisë së zhvillimit të ngjarjeve shqiptare përsa i përket
shtetformimit apo dhe caktimit të kufinjve të saj, të mos shmangeshin dot komente
që pasqyronin atë frymë të madhe bashkimi që u manifestua në sheshet e Tiranës
dhe Vlorës . Për më tepër si për të vënë kapak gjithë këtij egzaltimi patriotik
PDIU propozoi rezolutën e saj për Çamërinë në Parlamentin e Shqipërisë, një akt
shumë fisnik për të dënuar masakrat greke të ndërmarra ndaj popullsisë
shqiptare në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në fillim fqinjët dhe pastaj dhe
disa aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë reaguan duke i tërhequr vëmendjen
Shqipërisë për retorikë nacionaliste dhe të panevojshme përderisa është një
shtet që synon integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Menjëherë disa aktorë
politikë në Shqipëri që përpiqen zakonisht të nxjerrin gështenjat nga zjarri me
duart e të tjerëve nxituan të bëhen palë me ndërkombëtarët duke shpresuar në
heshtje në një çarje të madhe, që sipas
tyre do tua lehtësojë ardhjen në pushtet.
Po çpo
ndodh në të vërtetë? Apo rrezikojmë që
izolohemi dhe të konsiderohemi faktor destabilizues në Ballkan? E vërteta është
se Ballkani nuk do të gjejë aspak qetësi nëse ndaj shqiptarëve ka një fobi që
shpesh herë merr format e politikave të mirëorganizuara nga fqinjët. Kjo gjë u
pa shumë mirë kur ndërkombëtarët hartuan Paqen e Dejtonit dhe nuk përfshinë
Kosovën në të, duke bërë të mundur që jo më vonë se katër vite më pas konflikti
të shpërthente sërish në rajon kur patën menduar se e kishin siguruar atë me
anë të Paqes së detyruar të Dejtonit.Po shikohet gjithashtu shumë mirë sesi po sillet sot në Preshevë komuniteti ndërkombëtar,
sidomos Bashkimi Evropian kur ndërsa vazhdonin negociatat për çështjen e
lapidarit, Serbia në mënyrë krejt të njëanshme dhe me miratimin e heshtur të
diplomacisë evropiane me anë të forcave të shumta policore ndërmorri heqjen e
tij duke shkaktuar një valë protestash të ligjshme të popullsisë etnike
shqiptare. Përse duhet ky përshkallëzim konflikti ndaj shqiptarëve kur
Shqipëria dhe Kosova janë treguar shumë tolerantë ndaj minoriteteve të tyre
duke lejuar të drejta dhe liri dhe përtej shifrave të tyre numërike që
përfaqësojnë. Deklarata e qeverisë shqiptare, opozitës dhe gjithë faktorit
politik shqiptar në rajon janë pozitive por ato duhen shoqëruar me veprime
diplomatike për ti çjerrë maskën kinse stabilitetit në Ballkan që në të vërtetë
ashtu si përgjatë gjith shekullit të kaluar kërcënohet nga sërish ngs serbët.
Në këtë sens të jesh realist me vetveten por dhe me miqtë ndërkombëtarë nuk
besoj se kryen ndonjë mëkat të jashtëzakonshëm politik kur shqipton të vërtetat
që janë probleme dhe që mund të kthehen në çështje bumerang në të ardhmen, por
ndihmon më tepër që të sqarohen dhe zgjidhen situatat.
Ajo çka
duhet të rigjejë në fakt Shqipëria dhe shqiptarët është se patriotizmin e tyre
rilindas, duhet t’ia përshtatin vlerave të patriotizmit evropian, vlera në të
cilat shqiptarët si një nga popujt më të vjetër të kontinentit kanë kontribuar
dhe kanë qenë pjesmarrës aktivë.Në thelb të këtij patriotizmi kushtetues
evropian sipas Habermas qëndrojnë respektimi i të drejtave dhe liritë e njeriut
dhe ndërtimi i një demokracie
funksionale. Të dyja shtyllat bazë të këtij patriotizmi i përqasen çështjes
shqiptare në rajon, pasi ajo që po vuajnë sot shqiptarët në Serbi, Maqedoni dhe
Mal të Zi, janë qartësisht shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut duke mos
respektuar konventat ndërkombëtare të minoriteteve dhe autonominë lokale. Duke
bërë për vete këtë lloj patriotizmi dhe detyrimet që dalin prej tij, shqiptarët
do ti impojnë faktorit ndërkombëtar respektimin e të drejtave të tyre si dhe do
integrohen më mirë mes tyre por dhe në rrymat e mendimit evropian duke
kontribuar në diversitetin e Evropës,
një tipar, të cilin shumë studiues bashkëkohor evropianë e quajnë një nga
vlerat universale të Evropës.