Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Vullnet Mato

| E merkure, 23.01.2013, 08:17 PM |


VULLNET MATO

ÇAST I PAHARRUAR ME NËNËN

O zot, si nuk e harroj dot atë çast me nënën,
kur shtypja në makinë shkronjat me radhë.
Ajo ulur pranë tryezës, ndiqte me sy gërmën,
që linte trokitja e tastierës në letrën e bardhë! 

Ç’i ke gjithë ato fjalë që shkruan, more bir?...
Fjalë për botën dhe për veten time, moj nënë!
Nëna psherëtiu me kryet mbështetur te supi im
dhe troku i gërmave sytë në dremitje ia kish vënë.
 
Kur mbarova me makinën, nëna u zgjua befas,
fërkoi sytë që i qenë mbyllur krejt pa kuptuar
dhe sikur po kërkonte ndjesë, më pyeti lehtas:
Mbarove, o bir, fjalët që kishe për të shkruar?

Kam lënë vetëm një fjalë, moj e shtrenjta ime!
Ç’është ajo fjalë që s’e shkrove, nxitoi të pyesë?
Fjalën e parë që të belbëzova ty, kur më linde,
kam lënë ta shkruaj dhe të fundit, para se të vdes...

Ajo më puthi dhe në gjoks më fërkoi zemrën:
Ti s’ke për të vdekur derisa të jem unë gjallë!...
O, zot si nuk e harroj dot atë çast me nënën,
por sa herë shkruaj, e kujtoj me më tepër mall!...

PRANË TEJE SIKUR S’KAM  IKUR

Iku dhe ky vit, moj e shtrenjta ime,
tashmë pak vite më kanë mbetur!...
Ndërsa ti ende më përndez flakërime,
me flakën që shkrepin sytë në vetull.

Ndjej ngushëllim që do të lë pas,
zjarrin tonë ta mbash të pashuar,
të ketë vatra ngrohtësinë e mamasë, 
për zemrat që kemi lënë trashëguar. 

Ikja, si ardhja, është e natyrshme,
me ligjin absolut në dy skajet jetike.
Prita entuziast ngjitjen e dobishme,
tani pres gjakftohtë zbritjen e ikjes.

E di, se për mua do të marrë malli,
këtë pa ma shprehur e kam ndjerë,
kur nga brengat me dhimbje halli,
gjeje shërim tek shpiti im përherë. 

Shpesh më drithëron përfytyrimin,
fundjeta ime, kur do mbetesh vetëm,
në çastet e rënduara prej trishtimit,
do duash të më kesh pranë patjetër.  

Mos u mundo larg të më kërkosh,
në buzët e tua fryma më ka mbetur.
Sa të mbyllësh sytë, të ëndërrosh,
do më kesh pranë, duke qeshur.

Në deje, ku kohën të pulson gjaku,
do kesh vlagën e ndjenjave të mia,
se të kam ngrohur me zjarr oxhaku,
nga flokët e zinj, deri në thinja.

Po t’u afruan në gjoks akuj dimri,
do të ndjesh avullin e gjoksit tim.
Afshi korrikut po të djersiti gjirin,
kam lënë hijen time për freskim.

Nëse në shtrat gjumi do të vonojë,
me dorën dridhur mos prek veten,
nga të tëra netët e jetës që shkoi,
thirr kujtimet e mia që nuk treten.

Dhe sa të kesh dritën e syve pa fikur
ke shpirtin tim pranë, sikur s’kam ikur...

DASHURI MADHËSHTORE…
 
Dashuri të duam,
të kemi brenda në shpirt!
Për ty krenohemi,
për ty ankohemi çdo çast.
Ndodh për ty grindemi
dhe qajmë si fëmijtë,
më keq, vritemi me armë,
çahemi me sëpatë.
 
Dashuri që bashkon
të panjohur dhe shtete,
që qetëson ose egërson
dallgëzimet e detit,
që na bën me një tufë
engjëj rreth vetes.
Dashuri që ndan fëmijët
nga nënat dhe etërit.
 
Dashuri që na merr
mendjen, kohën, gjumin,
na vjel fjalët, shëndetin,
gjakun dhe paratë.
Dashuri që i bën njerëzit
nga sytë të na humbin,  
lind diellin në mbrëmje
të na ngrohë në mesnatë.
 
Dashuri që na bën
ta kemi trurin jashtë vetes,
të marrim udhët e botës,
në largësi të mëdha,
të na duken malet fusha,
dhe lëndina me bar detet.
Dashuri që shkrin akujt
apo sjell dimrin në behar.
 
Dashuri që e bën të bukur,
apo të shëmtuar fytyrën tonë,
na bën të shembemi përtokë,
apo të fluturojmë përpjetë.
Dashuri që të përkëdhelim,
të pështyjmë, të kafshojmë,
të hedhim nëpër plehra,
ushqim të tepërt për qentë.
 
S'dihet nga ka dalë për ty
kjo thirrmë e tmerrshme
të quajmë “Kurvë” për
bredhjen tënde të lirë,
kur një e ashtuquajtur
dashuri  “e ndershme”
gjendet pa gjakderdhje,
me zgjedhje më të mirë.
 
Dashuri, oksigjeni që gjakun
na pastron të jetojmë,
era e padukshme që ndjejmë
kur pastron qiellin nga retë,
të kapim si zogun e artë
dhe si fëmijët të lëshojmë.
Dashuri je kaq madhështore,
po s’ta dimë vlerën e vërtetë!...

NDËRRIMI I BANESËS

Si gjithë ata që gatiten
për në botën tjetër
bëhem gati dhe unë
të ndërroj shtëpinë time.
Siç ndodh zakonisht 
teksa lëshon banesën,
hedh sendet e përdorura
të veprimtarisë intime.

Mblodha plot rrangulla
për nevojat e mia të jetës,
por s’marr dot me vete
asnjë në botën tjetër.
Bibliotekën do ua fal
dy nipave dhe mbesës,
bashkë me kompjuterin,
dhe do hedh një të vjetër.

Do i fal kazanit të plehrave
gjithë këpucët e dollapit, 
me të cilat brodha kohën
dhe hapësirat e kësaj jete,
si dhe teshat që zgjodha 
nëpër tezgat e “gabit”
kur Tirana s’kish arritur
të bënte supermarkete. 

Do zbraz nga truri im
tërë shpërfilljet politike,
përçmimet për partitë
dhe krerët arrogantë.
Që nesër as shkenca, 
me gjurmime gjenetike,
mos ketë punë me mua
që isha anti-militant.

Do mbaj vetëm diku,
në ndonjë cep të kafkës,
mbresat e shtrenjta
nga ndjesitë e zemrës,
siç ruhen florinjtë
në qypin e baltës,
fshehur te bodrumi,
në themelet e banesës.

Oh, qamëni para se të iki
prej kësaj jete!
Nga zemrat tuaja
të mbledh ato lotime!...
Të marr të paktën
këtë thesar me vete,
të njomë shpirtin
në mosqenien time...